Nga frytet më të mëdha të imanit dhe nga cilësitë më të mira të besimtarit është kur ai çështjen ia beson Allahut (xh.sh.), mbështetet tek Ai, është i bindur në premtimet e Tij. Dhe një prej premtimeve te Tij është mbrojtja ndaj besimtarëve.

Allahu thotë: “Allahu është Mbrojtës i atyre që i frikësohen Atij.” (Xhathije, 19)

Muhamed El-Emin Esh-Shenkiti -Allahu e mëshiroftë!- ka thënë: “Allahu i Lartësuar na ka treguar në këtë ajet, se Ai është Mbrojtësi i të devotshmëve dhe i atyre që ndjekin urdhrat e Tij e që u largohen gjërave që Ai ka ndaluar.”

“Allahu është mbrojtësi i atyre që besojnë. Ai i nxjerr ata nga errësira në dritë.”(Bekare, 257)

“Miqtë dhe mbrojtësit tuaj janë vetëm Allahu, i Dërguari i Tij dhe besimtarët, (ta dinë se) padyshim, pala e Allahut do të jetë fituese.” (El-Maide, 55)

“Në të vërtetë, mbrojtësi im është Allahu, i Cili ka zbritur Librin dhe kujdeset për të mirët.”(El-A’raf. 196)

Ndër shkaqet që Allahu të të ruajë

  1. Besimi. Që njeriu të jetë i mbrojtur nga Allahu ai duhet të ndërmarrë shkaqet e kësaj gjëje.

Dijetarët thonë: “Një besimtar është i mbrojtur nga Allahu varësisht nga besimi i tij.”

Si dhe kanë thënë: “Njeriu është i mbrojtur në fenë, dynjanë e jetën e tij varësisht nga nijeti i tij i brendshëm.”

Andaj, niveli i lartë i besimit është çështja thelbësore që besimtari të jetë i ruajtur nga Allahu. Ruajtja prej Allahut ndaj nesh qëndron në besimin tonë, në qëndrimin tonë karshi zbatimit të dispozitave.  Aq sa i ruajmë dispozitat e Allahut, po aq dhe do ta kemi mbrojtjen e Tij.

Për ajetin kuranor: “Allahu, në të vërtetë, i mbron besimtarët.” (Haxh. 38) dijetarët thonë (kur komentojnë këtë ajet): “Allahu i mbron nga vesveset dhe sherret e shejtanit, i mbron nga kurthet e armiqve dhe të jobesimatërve, i mbron nga pasojat e gjynaheve të vetë atyre (besimtarëve) dhe nga të këqijat që gjenden te vetë ata.”

Shembulli I Ibrahimit a.s. Kur Ibrahimin (a.s.) deshën ta hidhnin në zjarri, tha: “Na mjafton Allahu, Ai është mbrojtësi më i mire”, e Allahu (xh.sh.) zjarrin djegës e bëri shpëtim për Ibrahimin (a.s.).

Transmeton imam Buhariu se Profeti a.s ka thënë:“Hasbunallahu ve ni’mel vekil (na mjafton Allahu që është mbrojtësi më i mirë), e ka thënë Ibrahimi a.s para se të hidhej në zjarr.”

Thuhet se kur Ibrahimin a.s e hodhën me katapultë, para se të mbërrijë tek zjarri, i erdhi Xhibrili a.s dhe i tha: “O Ibrahim, a ke ndonjë nevojë?” Ibrahimi a.s iu përgjigj: “Për ty nuk kam nevojë, por për Zotin tim po.”

Në një transmetim, thuhet se meleku i shiut, i kërkoi Zotit leje që të lëshojë shi për ta shuar zjarrin e Ibrahimit a.s. Por urdhri i Zotit a.s dhe vendimi i Tij ishin më të shpejtë. “Ne thamë: “O zjarr, bëhu i ftohtë dhe shpëtim për Ibrahimin! Ata deshën ta lëndonin, por Ne i bëmë të dështonin.” (Enbija, 69)

Thotë Abdullah ibnu Abasi: “Nëse Zoti nuk do e kishte urdhëruar zjarrin të jetë dhe shpëtues për Ibrahimin, atë do ta kishte lënduar i ftohti.”

Në zjarr, Ibrahimit a.s nuk iu dogjën as rrobat e trupit. Gjëja e vetme që iu dogj, ishte litari me të cilin e kishin lidhur. I pa të meta është Zoti i lartësuar dhe i gjithëpushtetshëm.

Po ashtu kur Muhammedin (s.a.v.s.) së bashku me shokët e ndershëm të tij e kërcënuan ushtritë e jobesimtarëve, ata deklaruan: “Na mjafton Allahu, Ai është mbrojtësi më i mirë. Dhe ata pa i gjetur kurrfarë e keqe fituan begati e mirësi të mëdha nga Allahu, dhe arritën edhe kënaqësitë e Tij. Allahu është dhurues i madh”. ( Kur’an 3:174).

Në ç’masë Profeti Muhammed (s.a.v.s.) mbështetej te Zoti i Lartësuar, këtë mund ta përfytyroni nga ngjarja kur një njeri e gjeti të vetëm, i drejtoj shpatën para tij duke kërcënuar: “Kush mund të të shpëtojë prej meje?”, dhe Profeti (s.a.v.s.), edhe pse ishte pa armë, madje i shtrirë, pa mundur të bëjë asnjë manovrim, mjaft i qetë dhe i bindur i qe përgjigjur: “Allahu”. Kjo fjalë kishte dalë nga goja e tij me një bindje dhe qëndrueshmëri të tillë, saqë sulmuesi nuk mbeti pa u ndikuar nga ajo, aq sa i ra befas shpata nga dora. Vetëm në pak çaste, ai që kishte ardhur për ta vrarë Profetin s.a.v.s., po qëndronte para tij si një fajtor. (Muslimi).

  1. Namazi: Allahu thotë: “Vërtet që namazi të ruan nga shthurja dhe nga çdo vepër e shëmtuar…”(Ankebut 35).

Ibn Sadi rahimehullah komenton këtë ajet: “Qëllimi se pse është veçuar namazi me ruajtje e mbrojtje të besimtarit është se kur ai e fal namazin në mënyrën e plotë, të duhur, atëherë forcohet dëshira e tij për të mirën, dobësohet fuqia e tij për të keqen, shtohet besimi i tij. E këta janë faktorë që ai të evitojë të këqijat e të largohet prej tyre.”

Pejgamberi a.s ka thene: “Kush e fal sabahun është nën mbrojtjen e Allahut.” (Muslimi)

  1. Dhikri (përmendja e Allahut),sa më shpesh, veçanërisht dhikri i mëngjesit dhe i mbrëmjes, sipas asaj që është transmetuar nga suneti profetik. Besimtari duhet të jetë i shoqëruar me dhikrin e Allahut.

Nga Abdullah bin Hubejb r.a. përcillet të ketë thënë: “Në një natë me shi dhe shumë të errët dolëm për ta kërkuar të Dërguarin e Allahut a.s. që të na e falte namazin. Pasi që e gjeta më tha: “Thuaj!”, mirëpo unë nuk thashë asgjë. Përsëri më tha: “Thuaj!”, mirëpo prapë nuk thashë asgjë. Herën e tretë më tha: “Thuaj!”, e unë ia ktheva: “Çfarë të them?” Ai më tha: “Thuaj! (kul) huwAllāhu ehadun dhe dy suret mbrojtëse në mëngjes dhe në mbrëmje nga tri herë, të mjaftojnë për çdo gjë!” (Ibën Sa’di, Ebū Dāudi, Tirmidhiu. Shejh Albani e vlerësuar si të vërtetë).

Et-Tībij tha: “Domethënë: largojnë prej teje çdo të keqe. Do të thotë largojnë të keqen fund e krye.”

Transmeton Enes ibn Maliku r.a. se i Dërguari a.s ka thënë: “Kur njeriu të dal nga shtëpia e tij e të thotë: “Në emër të Allahut! Jam mbështetur tek Allahu! S’mund të bëhet asnjë lëvizje dhe nuk ka fuqi për asgjë veçse me ndihmën e Allahut” I thuhet: “U udhëzove, u mbrojte, u mjaftove dhe i përulen atij shejtani”. Dhe shejtani thotë: “Çfarë t’i bëj atij njeriu që është udhëzuar, mjaftuar dhe mbrojtur?” (Ebu Davudi)

Othman ibn Affani, r.a. përcjell se i Dërguari i Allahut a.s. ka thënë: “Kush thotë në fillimin e natës: “Bismil-lahil-ledhi la jedurru mea ismihi shejun fil-erdi ue la fis-semai, ue huves- semiul-alim”  (“Me emrin e All-llahut pranë emrit të të Cilit nuk bën dëm asgjë në tokë e as në qiell, Ai që dëgjon dhe di çdo send”) Tri herë, nuk do ta godet atë sprova e papritur deri në mëngjes, dhe kushdo që e thotë atë në mëngjes tri here, nuk do ta godet atë sprova e papritur deri në bëhet mbrëmje’’. (Ebu Davudi)

Transmetohet se i Dërguari i Allahut a.s. ka thënë: “Kush e thotë këtë 100 herë në ditë “La ilahe il-lAllah vahdehu la sherike leh lehul mulk ve lehul hamdu ve huve a la kul-li shejin kadir”; ka shpërblimin sikur t’i ketë liruar 10 robër. Atij i shkruhen 100 të mira, i fshihen 100 gjynahe dhe është i mbrojtur nga shejtani deri në mbrëmje, askush nuk ka vepruar më mirë se ky person, me përjashtim të atij që ka vepruar më tepër”. (Buhariu dhe Muslimi).

Tregon shkrimtari i librit “shpata e mprehtë në luftën kundër magjistarit të keq”, një prej rasteve që i kanë ndodhur atij gjatë rukjeve (shërimit me Kur’an dhe sunet): Burri solli gruan e tij e cila e urrente shumë dhe shqetësohej kur ai nuk ndodhej në shtëpi. Kur e pyeta për shenjat, mu qartësua se asaj i ishte bërë magji për ndarje. Kur dëgjoi rukje, xhindi foli me gojën e saj, dhe kështu ndodhi një dialog mes hoxhës dhe xhindit. Pas një dialogu të gjatë, hoxha i kërkon xhindit që të dal nga gruaja, po ai nuk pranon duke pretenduar se e donte atë grua. Atëherë hoxha i thotë se do të djegë me Kur’an me lejen e Zotit dhe fillon ti këndoj Kuran, xhindi bërtiti. Hoxha i thotë dil, xhindi i tha se dal por me një kusht. Cili është kushti pyet hoxha. Të dal nga kjo grua dhe të hyjë tek ti, i thotë xhindi. Hoxha pranon, pas pak xhindi fillon të qaj. Pse qan e pyeti hoxha. Xhindi i tha; ti sot ke kënduar 100 herë në mëngjes, “La ilahe il-lAllah vahdehu la sherike leh lehul mulk ve lehul hamdu ve huve a la kul-li shejin kadir”! Hoxha tha; të vërtetën ka thënë Pejgamberi a.s.: “Kush e thotë këtë 100 herë në ditë “La ilahe il-lAllah vahdehu la sherike leh lehul mulk ve lehul hamdu ve huve a la kul-li shejin kadir”; ka shpërblimin sikur ti ketë liruar 10 robër. Atij i shkruhen 100 të mira, i fshihen 100 gjynahe dhe është i mbrojtur nga shejtani deri në mbrëmje, askush nuk ka vepruar më mirë se ky person, me përjashtim të atij që ka vepruar më tepër”. (Buhariu dhe Muslimi).

I lutemi Zotit të Madhërishëm, që ti largoj të gjitha sëmundjet dhe sprovat, dhe ti largoj shqetësimet dhe ngushtimet, prej nesh dhe nga te gjithë njerëzit kudo qofshin ata, e të na mbrojë të gjithëve ashtu siq i mbron robërit e Tij të mirë, sepse Ai është mbrojtësi me i mire.

Lëvdatat i takojnë Zotit të vetëm, dhe bekimet qofshin mbi Profetin tonë Muhamedin a.s, familjen dhe shokët e tij.

Share.

Comments are closed.