Persekutimet e kryera nga politeistët mekas kundër muslimanëve që vazhduan për trembëdhjetë vjet me radhë gjatë gjithë periudhës së Mekës, mund të përmblidhen në pesë pika:

  1. Tallje e poshtërime.
  2. Fyerje.
  3. Tortura e persekutime.
  4. Zbatim i një politike izolimi të plotë me prerje të çdo lloji marrëdhëniesh tregtare e qytetare.
  5. Një dhunë e ashpër , madje, kriminale, në atë nivel që do t’i detyronte muslimanët të emigronin.

Bëmat e tyre, Zoti i përshkruan me këto ajete kur’anore:

 “Mëkatarët i përqeshnin ata që besuan. Dhe, kur kalonin pranë tyre, ia bënin me sy njëri-tjetrit. Dhe ktheheshin të kënaqur pranë familjeve të tyre. Sa herë që i shihnin besimtarët, thoshin për ta: “S’ka dyshim se këta janë të humbur.” (el-Mutafifin, 29-32)

Në kundërshtim me këtë, metoda e ndjekur nga i Dërguari i Allahut (s.a.s.), të cilit, me anë të zbulesës hyjnore, i tregohej vazhdimisht se si duhej të vepronte, ka qenë e tillë:

  1. Përpjekje për të shtuar ndjeshmërinë shpirtërore te besimtarët.
  2. Durim para vuajtjeve e vështirësive.
  3. Këshillë e mirë.
  4. Vazhdim i luftës pa bërë lëshime.
  5. Dorëzim dhe nënshtrim te Zoti.

Në përfundim të këtyre mënyrave, i Dërguari i Allahut (s.a.s.), pavarësisht nga çdo gjë, pati arritur sukses në çështjen e tij dhe i pati kapërcyer me sukses pengesat e shfaqura. Dhe si fryt i kësaj etape të gjatë e të vështirë, Profeti pati arritur të shihte banorët e Medinës, një vendbanim, ky, strategjik në çdo aspekt, të hynin tufa-tufa në Islam. Megjithëse Profeti i përzënë nga Taifi ku pati shkuar me dëshirë të madhe, s’pati shkelur fare në Medinë për të bërë ftesë, Islami hyri aty, me mbështetjen hyjnore, si një ortek dhe, pas një kohe të shkurtër, Medina u hapi prehrin, me Profetin në krye, të gjithë muslimanëve!

Një mendimtar, duke u nisur nga suksesi i të Dërguarit të Allahut (s.a.s.) në kauzën e tij, e përcakton kështu se ç’gjenialitet madhështor zotëronte ai:

“Po qe se dimensionet e mëdha të qëllimit final, dimensionet e vogla ose shumë të kufizuara të mjeteve dhe madhështia e përfundimit janë tre kriteret e mëdha të gjenialitetit njerëzor, kush mund të guxojë t’i krahasojë personalitetet më të mëdha të historisë moderne me Muhammedin?” (A. de Lamartine, L’historie de la Turquie)

Zoti u ka dhënë muslimanëve lejen për hixhret (emigrim) vetëm pas një periudhe trembëdhjetëvjeçare të kaluar me vuajtje e brenga. Pas pësimit të një persekutimi prej trembëdhjetë vjetësh, besimi i muslimanëve arriti pjekurinë e duhur, zemrat e tyre u mbushën me frymëzime dhe begati hyjnore. Me fjalë të tjera, besimtarët e kishin paguar besimin e tyre!

Në këtë periudhë u hodhën themelet e shtetit dhe qytetërimit islam që do të sendërtohej në Medinë dhe që do të bëhej model për gjithë njerëzimin, u përgatitën, mes entuziazmit dhe frymëzimit besimor, karaktere të shëndoshë të pamposhtur përballë vështirësive, njerëz me personalitet, të cilët u kthyen në njerëz-yje që do të bëheshin udhërrëfyes për tërë bashkësinë!

Share.

Comments are closed.