Zekati është shprehje falënderimi ndaj Allahut për pasurinë e dhuruar. Kultivon ndjenjën e dhembshurisë, mëshirës dhe mirësisë. Pastron pasurinë tonë. Na ruan nga koprracia dhe egoizmi. Zhvillon ndjenjën e dashurisë dhe solidaritetit ndërmjet njerëzve. Shton pasurinë dhe bereqetin. Ruan pasurinë tonë nga fatkeqësitë e ndryshme.

Allahu i Madhëruar urdhëron:

“Shembulli i pasurisë së atyre që e japin në rrugën e Allahut është si një kokërr prej të cilës mbijnë shtatë kallinj, ndërsa në secilin kalli ka nga njëqind kokrra. Allahu ia shumëfishon (shpërblimin) atij që dëshiron, Allahu është Bujar i Madh, i di qëllimet.” (Bekare 261)

Ne duhet të falënderojmë Allahun për pasurinë e dhuruar. Shpenzimi i saj siç dëshiron Ai është falënderimi më i mirë që bëhet. Ne e adhurojmë dhe  e falënderojmë Allahun duke i dhënë një të katërtën e pasurisë  njerëzve në nevojë. Nuk duhet të presim asnjë falënderim nga njerëzit për zekatin. Zekati ndihmon në shprehjen e falënderimit ndaj Zotit për pasurinë që na dhuron.

Allahu (xh.sh.) thotë:

“Ata janë që për hir të Tij u japin ushqim të varfërve, jetimëve dhe të zënëve robër. Ne po ju ushqejmë vetëm për hir të Allahut dhe prej jush nuk kërkojmë ndonjë shpërblim e as falënderim. Ne i frikësohemi (dënimit) Zotit tonë në një ditë që fytyrat i bën të zymta dhe është shumë vështirë. Po Allahu i ruajti ata prej sherrit të asaj dite dhe u dhuroi shkëlqim në fytyra e gëzim të madh.” (Insan 8-11)

Të pasurit që kanë kushte më të mira jetese, mund të mos e dinë dhe kuptojnë gjendjen e të varfërve. Për të përcaktuar të varfrit që e meritojnë me të vërtetë zekatin, të pasurit interesohen nga afër për gjendjen e tyre. Kështu, të varfrit përfitojnë nga ndihma e të pasurve. Së fundi mund të themi se zekati kultivon ndjenjën e dhembshurisë, të mëshirës dhe të mirësisë.

Profeti a.s. thotë:

“Nëse dëshiron zbutjen e zemrës, ushqe të varfrin dhe përkëdhel kokën (ngrohe zemrën) e jetimit.” (Ahmed b. Hanbel, II, 263)

Allahu xh.sh. në Kuran thotë: Dhe në pasurinë e tyre kishin përcaktuar të drejtë për lypësin dhe për të varfrin. Pra, në pasurinë e të pasurit ka pjesë edhe i varfri. Nëse ne nuk i japim të varfërve pjesën që u takon nga pasuria jonë, atëherë ne bëhemi grabitës të pasurisë së tyre. Kjo do të thotë që pasuria jonë përzihet me haramin. Pasuria jonë e përzier me haramin është e papastër. Duke dhënë zekat ne parandalojmë përzierjen e pasurisë sonë me haramin. Prandaj themi se zekati pastron pasurinë tonë.

Allahu (xh.sh.) thotë:

“Merr prej pasurisë së tyre (të atyre që pranuan gabimin), lëmoshë që t’i pastrosh me të dhe t’u shtosh (të mirat) dhe njëkohësisht lutu për ta, se lutja jote është qetësim për ta. Allahu dëgjon dhe sheh.” (Tevbe 103)

Zekati dhe sadakaja ekuilibrojnë dashurinë tonë ndaj pasurisë. Ato pengojnë përdorimin  e  gabuar  të saj. Na mësojnë se nuk është gjithçka të kesh para. Zekati bëhet shkak të përjetojmë lumturinë e ndarjes me të tjerët të gjërave që kemi. Zekati na ruan nga koprracia dhe egoizmi. Nëpërmjet tij ne mendojmë edhe për të tjerët duke sakrifikuar për to edhe pasurinë, gjënë më të dashur.

Profeti ynë i dashur thotë:

“Është i mbrojtur nga koprracia ai që jep zekatin, ai që shpreh bujari ndaj mysafirëve dhe ai që ndihmon njerëzit fatkeq.” (Taberani, Mu’xhemu’l-Kebir, IV, 256)

Zekati është ura nëpërmjet së cilës pasuria e të pasurve arrin tek të varfrit. Rrit komunikimin, dashurinë e solidaritetin dhe zhduk xhelozitë, ndërmjet tyre. Të pasurit tregojnë dhembshuri dhe mëshirë ndaj të varfërve, kurse të varfrit shprehin respekt dhe mirënjohje ndaj tyre. Në shoqëri zhvillohen vlerat e solidaritetit, ndihmës së ndërsjellë dhe mirëkuptimit. Kështu zekati plotëson nevojat e të varfërve dhe pengon lindjen e problemeve të ndryshme shqetësuese në shoqëri.

Profeti ynë i dashur thotë:

“Zekati është ura e Islamit.” (Hejthemi, Mexhmauz-zevaid. 1, 480)

Zekati dhe sadakaja ruajnë pasurinë nga rreziqet dhe fatkeqësitë. Këtë të vërtetë e hasim edhe tek fjala e urtë popullore:“Vetëm pak lëmoshë do të mjaftonte për të mbajtur larg rreziqet”, sepse të ngrohësh shpirtin e një të varfri dhe të marrësh duanë e tij, do të thotë të largosh të gjitha fatkeqësitë dhe rreziqet. Mbi atë që jep zekat zbret mëshira dhe mbrojtja e Allahut (xh.sh.).

Profeti ynë i dashur thotë:

“Ruajini pasuritë tuaja me zekat.” (Bejhaki, Shuabu’l-iman, V, 184)

Zekati shton dhe begaton pasurinë tonë. Allahu në lidhje me këtë në Kuran thotë: “Ndërsa atë që e jepni   si dhuratë me mendjen që ajo mund t’jua shtojë (pasurinë duke pritur t’ju kthehet një dhuratë më e mirë) nga pasuria e njerëzve të tjerë, – nuk ka shtesë tek Allahu, kurse ajo që e jepni si zekat duke kërkuar Fytyrën e Allahut. Këta janë ata që do të kenë rritje shumëfish”. (Rrum, 39). Në themelin e kësaj rritjeje është lumturia që zekati dhe sadakaja u dhurojnë të varfërve dhe duatë e melekëve. Duatë e melekëve, nevojtarëve dhe të varfërve janë një burim i brendshëm qetësie për të pasurit që japin zekatin.

Profeti ynë i dashur thotë:

“Çdo mëngjes zbresin dy melekë. Njëri prej tyre bën dua: “Zoti im! Shtoje pasurinë e atyre myslimanëve që e harxhojnë atë në rrugën Tënde”. Kurse meleku tjetër thotë: “Zoti im! Zhduke pasurinë e atyre myslimanëve që janë koprracë.” (Muslim, Zekat, 57)

Share.

Leave A Reply