Në kthim, Mejsere ia tregoi në mënyrë të hollësishme Hz. Hatixhesë ngjarjet e jashtëzakonshme që pa gjatë udhëtimit, bukuritë e pamjes dhe karakterit të Profetit dhe situatat e jashtëzakonshme që kishin lidhje me të. Atëherë, tek Hz. Hatixheja lindi dëshira për martesë me Hz. Muhammedin.

Shoqja e Hz. Hatixhesë, Nefise binti Umejje, e tregon kështu se si u zhvilluan ngjarjet që çuan në këtë martesë:

“Hatixhe binti Huvejlid ishte një zonjë e aftë, e zellshme, me karakter të shëndoshë dhe e ndershme. Burrat e Kurejshve kishin dëshirë të madhe për t’u martuar me të. Por Hz. Hatixheja ishte admiruese e karakterit dhe personalitetit të Hz. Muhammedit (s.a.s.). Pas kthimit të Hz. Muhammedit nga tregtia në Siri, Hatixheja më dërgoi tek ai me qëllim për të kuptuar nëse dëshironte të martohej me të apo jo.

Unë e pyeta Hz. Muhammedin: “O Muhammed, pse nuk martohesh?”

“Si mund të martohem pa pasur mundësi materiale?” – Më tha ai.

“Po të kesh mundësi materiale, a martohesh me një njeri të pasur, të bukur e të ndershëm?” – E pyeta.

“Kush është kjo zonjë?” – Më pyeti ai.

I thashë: “Hatixheja!”

“Ti mendon se është e mundur kjo gjë?” – Më pyeti sërish ai.

“Atë ma lër mua!” – I thashë unë.

“Atëherë, edhe unë do të bëj si të më thuash ti!” – Ma ktheu ai.

Dhe unë u ktheva menjëherë dhe ia njoftova gjendjen Hatixhesë.” (Ibni Sa’d, I, 131)

Duke u mbështetur në lajmin e mirë të zonjës Nefise, Hz. Hatixheja i propozoi të Dërguarit të Allahut (s.a.s.) për martesë. Profeti ia njoftoi këtë të ungjit Ebu Talib. Ebu Talibi shkoi tek ungji i Hz. Hatixhesë, Amr bin Esed, për t’ia kërkuar dorën e Hz. Hatixhesë.

Ebu Talibi dhe kushëriri i Hz. Hatixhesë, Varaka bin Nevfel, kënduan në mënyrë të dyanshme hutben e kurorës. Pastaj, ungji i Hz. Hatixhesë, Amri, u ngrit në këmbë e tha:

“O Kurejshë! Jini dëshmitarë se unë e lidha me kurorë Hatixhe binti Huvejlidin me Muhammed bin Abdullain!”94

I Dërguari i Allahut (s.a.s.) i dha Hz. Hatixhesë 20 deve të reja si garanci kurore.95

Kur Profeti u martua, ishte 25 vjeç, kurse zonja fisnike dhe fatlume Hz. Hatixhe, ishte pesëmbëdhjetë vjeçe më e madhe se ai dhe grua e vejë me fëmijë.

Me pasurinë dhe jetën e saj, Hz. Hatixheja u bë për Profetin një burim i ri force. Para Islamit, për moralin e saj të lartë, Hz.Hatixheja e cila i përkiste një familjeje të nderuar, thirrej me atributet “Afife” (e Virtytshme) dhe “Tahire” (e Dëlirë), kurse pas Islamit filloi të thirrej “Hatixhetul Kubra” (Hatixheja e Lartë).96

I Dërguari i Allahut (s.a.s.) është shprehur kështu:

“Gruaja më e dobishme e ahiretit është Merjeme binti Imran, kurse gruaja më e dobishme e kësaj bote është Hatixhe binti Huvejlid!” (Buhari, Menakibu’l-Ensar, 20; Muslim, Fedailu’s-Sahabe, 69)

Kjo martesë e të Dërguarit të Allahut (s.a.s.) tregon haptazi se ai s’ishte njeri që prirej ndaj dëshirave ndjesore, madje, që nuk u jepte aspak vlerë këtyre. Po të qe ashtu, i Dërguari i Allahut duhej të martohej jo me një zonjë më të madhe se veten, të vejë e me fëmijë, por, me një vajzë të re. Por i Dërguari i Allahut ka kërkuar te femra me të cilën do të martohej, në vend të cilësive të përkohshme si rinia dhe bukuria, veti të larta si nderi, virtyti, dinjiteti dhe morali i lartë.

Share.

Comments are closed.