Ebu Dherr El-Giffari (RadijAll-llahu anhu), thotë: “Më ka urdhëruar miku im i dashur (Sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem) me shtatë gjëra:

Më ka urdhëruar që t’i dua të varfërit dhe të afrohem me ta;

Më ka urdhëruar që të shikoj atë që është më poshtë se unë (në aspektin material), e të mos shikoj atë që është në pozitë më të lartë se unë; 

Më ka urdhëruar që t’i ruaj lidhjet farefisnore, edhe nëse ata ma kthejnë shpinën;

Më ka urdhëruar që të mos i lyp kurrkujt asgjë;

Më ka urdhëruar që ta them të vërtetën, edhe nëse është e hidhur;

Më ka urdhëruar që të mos i trembem, për Allahun, qortimit të qortuesve;

Më ka urdhëruar që ta them shpesh shprehjen “La haule ve la kuvvete il-la bil-lah”, sepse kjo shprehje është thesar nën Arsh.

(Ahmed, Ibn Hibban, Et-Taberi, El-Haraitij, El-Bejheki; Hadith Hasen)

Dobitë e hadithit

  1. Allahu e ndihmon këtë ymet në saje të sinqeritetit dhe lutjeve të të dobëtëve. Besimtari është i thjeshtë dhe shoqëria islame nuk e miraton diskriminimin mbi bazat e pasurisë, profesionit, prejardhjes etj.
  2. Në mënyrë që t’i vlerësojmë mirësitë e Allahut ndaj nesh, jemi të urdhëruar që të shikojmë atë që është më poshtë se ne materialisht. Nga ana tjetër, në mënyrë që të motivohemi për vepra të mira, shikojmë atë që është më lart se ne në devocion.
  3. Ruajtja e lidhjeve farefisnore është shkak për shtimin e rizkut dhe zgjatjen e jetës. Sadakaja e dhënë për farefisin ka shpërblim të dyfishtë.
  4. Shprehja “La haule ue la kuvvete il-la bil-lah” ka ndikim të madh në largimin e pengesave, mërzive dhe vështirësive jetësore. Ajo e qetëson mendjen dhe zemrën.

Përgatiti: Gilman Kazazi

Share.

Comments are closed.