Për cilësimin e mrekullisë së Kur’anit, në terminologjinë përkatëse përdoret fjala ixhaz, kuptimi leksikor i së cilës është “mrekullim (i dikujt), lënie e dikujt në gjendje mahnitjeje e mrekullimi para një objekti ose situate të caktuar duke i kapërcyer mundësitë e tij përceptuese e konceptuese. Kurse në kuptim terminologjik ngaqë Kur’ani ka dalë nga pozita më e lartë e ekzistencës, domethënë, nga pozita hyjnore, shpreh paaftësinë e të gjithë njerëzimit për të formuar një të ngjashmin e tij si në aspektin e elokuencës, si në aspektin e vlerave juridike-kanunore, ashtu dhe në aspektin e informacioneve nga bota e fshehtë.

Duke dëshiruar në mënyrë volitive ta zbresë Librin e Tij të fundit favorizuar njerëzimit në formën më të përkryer dhe në gjuhën arabishte, Allahu i Lartë u ka dhënë arabishtfolësve qysh shekuj para zbritjes së Kur’anit, prirje shprehëse, oratorike dhe letrare-poetike. Duke formuar traditën e konkurseve letraro-poetike, arabët patën siguruar zhvillimin dhe përkryerjen e vazhdueshme të gjuhës së tyre, si rezultat, kjo gjuhë pati fituar pasurimin dhe përkryerjen për t’u bërë e denjë për ta shprehur fjalën hyjnore!

Si përfundim i kësaj veprimtarie që pati vazhduar me shekuj, të folurit me fjalë të bukura e mrekulluese që kthyer ndër arabët në aftësinë dhe profesionin më të pëlqyeshëm. Poetët dhe oratorët qenë ngjitur në një nivel syverbues e admirues në shoqëri. Ishte për këtë arsye që mrekullia më e madhe e treguar nga Hz. Muhammedi (s.a.s.) si profet, u bë Fjala Hyjnore, Kur’ani.

Meqë vetitë dhe cilësitë më me rëndësi që e dallojnë njeriun nga gjallesat e tjera, janë mendja dhe arsyeja, përceptimi dhe njohja, opinioni dhe shprehja, edhe mrekullia e Kur’anit si teksti hyjnor më i fundit e më i përkryer, është shfaqur në fushën e shprehjes dhe diturisë. Zoti urdhëron kështu:

 “Mëshiruesi kërkoi mësimin e Kur’anit. E krijoi njeriun dhe ia mësoi shprehjen.” (er-Rahman, 1-4)

Gjuhëtarët kanë shkruar vepra të panumërta mbi mrekullinë e paarritshme të Kur’anit, përmes të cilave kanë parashtruar shumë ide të qëlluara. Këtu ne dëshirojmë të paraqesim një përmbledhje të pjesshme nga këto.

Pasi i Dërguari i Allahut (s.a.s.) e shpalli profetësinë e tij, mohuesit208 kundërshtuan duke thënë:

 “A nuk do t’i kishin zbritur atij nga Zoti i tij një sërë mrekullish?..”

Allahu i Lartë iu përgjigj kështu atyre:

 “… dhe thuaju atyre: “Mrekullitë janë vetëm në lartësinë e Allahut, kurse unë jam vetëm një paralajmërues i hapur!” A s’u mjafton atyre (si mrekulli) që të zbritëm ty një libër që u këndohet atyre? Pa dyshim, në të ka mëshirë dhe këshilla për një popull që beson!” (el-Ankebut, 50-51)

Karakteri mrekullor i Kur’anit është shfaqur në shumë specifika, si stili dhe elokuenca, pasuria e përmbajtjes, fakti që parimet që përmban ai, i kënaqin kërkesat e njerëzimit, dhënia e informacioneve dhe lajmeve nga e panjohura dhe e ardhshmja, ruajtja e vazhdueshme e aktualitetit dhe vlefshmërisë, epërsia në fushën legjislative-kanunore.

Aspektin më të rëndësishëm të karakterit mrekullor të Kur’anit e përbëjnë stili dhe elokuenca e tij. Elokuencë ose aftësi shprehëse e zhdërvjellët dhe e kuptueshme është thënia e fjalës më të përshtatshme në kushte të caktuara të përbëra nga përmbajtja, qëllimi dhe synimi, tematika dhe bashkëbiseduesi. Kur’ani e ka realizuar këtë në formën më të bukur në të gjitha specifikat që ka trajtuar.

Kur’ani është kryevepër edhe në retorikë. Në fjalët që zgjedh, në fjalitë që formon dhe në kuptimet e shprehura prej tyre është e pamundur të gjendet edhe mangësia më e vogël.

Në Kur’an, ashtu si kuptimi, edhe diksioni209 është i vetë Zotit. Ky është dallimi më thelbësor që e ndan Kur’anin nga hadithi kudsi (hadithi i shenjtë). Eshtë për këtë arsye që, po qe se zëvendësimi i një fjale të Kur’anit me një fjalë tjetër arabishte, bëhet me qëllim, e çon personin në herezi (kufr), kurse, po u bë gabimisht, shpesh herë, për shkak të ndryshimit të kuptimit, e bën adhurimin të pavlefshëm ose vicioz. Mbi pasojat juridike-kanunore të shqiptimeve të gabuara apo të zëvendësimit të fjalëve, të bëra, të gjitha këto gabime, në mënyrë të paqëllimshme, dijetarët kanë parashtruar në tekstet e fikhut ose të drejtës islame, shumë konkluzione nën titullin “rrëshqitje leximi”210.

Në këto kushte, kuptohet se ç’mjerim besimor i hidhur janë përçartjet e atyre që pretendojnë se adhurimi mund të kryhet me vlefshmëri edhe me tekstin e përkthyer të Kur’anit nga një person kushdo qoftë ai në nivelin e botëkuptimit dhe formimit të tij intelektual!

Në stilin e Kur’anit ka drejtpeshim kuptimi dhe fjale. Ai e përdor çdo ide që dëshiron ta tregojë dhe çdo fjalë që mund të shprehet në formën dhe mënyrën më të bukur, me një forcë të tillë që i bën ato të pazëvendësueshme. Kështu, Kur’ani e ngre drejtpeshimin mes fjalës dhe kuptimit me anë të mënyrës specifike të zotëruesit absolut të atributit “kelam” (fjalë). Në këtë çështje, edhe letrarët më të fuqishëm e ndjejnë veten të dobët.

Në lidhje me këtë specifikë, Ibni Atijje (rahmetullahi alejh) ka thënë kështu:

“Kur’ani është një libër i tillë që, po t’i hiqet një fjalë, është e pamundur të gjendet një fjalë tjetër më e përshtatshme se ajo edhe sikur të kthehet përmbys e gjithë gjuha arabe!”211

Kur’ani i shtjellon temat e rrëfimeve, porosive, polemikës, debatit, historisë, së drejtës kanunore, jetës së pasme (ahiretit), xhennetit dhe xhehennemit, ajetet frikësuese e përgëzuese përmes stileve të veçanta sipas forcës së kuptimeve dhe duke e ruajtur retorikën dhe elokuencën në të njëjtin nivel harmonik.

Në të njëjtin çast, Kur’ani u drejtohet të gjithë njerëzve pavarësisht nga niveli i tyre arsimor e kulturor shumë i ndryshëm, të cilët kanë jetuar në kohë dhe vende të ndryshme. Kur këndohen ajetet e Kur’anit në një kuvend ku ndodhen shumë njerëz me nivele të ndryshme, secili prej tyre kupton gjëra të ndryshme sipas nivelit të vet. Edhe kjo është një cilësi që i tejkalon mundësitë njerëzore.

Përfundimisht, mrekullia e çdo profeti i përket periudhës së vet. Ndërkaq, meqë Hz. Muhammedi (s.a.s.) i është dërguar si profet tërë njerëzimit, Kur’ani që është mrekullia e tij më e madhe, duke i përfshirë të gjitha kohët dhe vendet, do të vazhdojë gjer në kiamet!

Në Kur’an, duke u mbështetur në argumentin e ekzistencës dhe fuqisë së Zotit, shpesh herë janë prekur edhe çështje të shkencave të natyrës. Edhe fakti që zbulimet dhe zhvillimet marramendëse të evidentuara në fushën e shkencave të natyrës qysh një mijë e katërqind vjet e këtej nuk e kanë vënë në diskutim asnjë konkluzion të Kur’anit në fushën përkatëse, përkundrazi, kanë ardhur vazhdimisht duke e mbështetur, e vë në shesh karakterin mrekullor të tij.

Sot, kombet e botës, duke mbledhur dijetarët e tyre më të aftë, hartojnë enciklopedi dhe lavdërohen me to ndaj njëri-tjetrit! Të tilla janë Britannica e anglezëve dhe Larousse e francezëve. Ndërkaq, me qëllim përmirësimi dhe plotësimi, këtyre enciklopedive u bëhen vit për vit korrigjime dhe shtesa dhe u shtohen vëllime të reja. Në këtë proces, korrigjohen një sërë informacionesh dhe konkluzionesh të vjetra, të cilat zëvendësohen me të rejat si rezultate kërkimesh të kryera brenda një periudhe të caktuar. Fakti që, ndërsa edhe në kohën tonë kur zbulimet në fushën e shkencave të natyrës dhe teknologjisë kanë arritur një nivel të paimagjinueshëm, këto enciklopedi të famshme të hartuara nga ekipe të përbërë prej dijetarësh më të zgjedhur, kritikohen dhe korrigjohen vit për vit, nuk ka ndodhur kurrë gjatë gjithë këtyre shekujve që të ndjehet nevoja për korrigjime mbi të vërtetat shkencore të panumërta që prek Kur’ani, është një nga provat dhe argumentet më të mëdha se Kur’ani ka burim hyjnor, domethënë, se është fjalë e Allahut!

Në një hadith ku i Dërguari i Allahut (s.a.s.) bën të ditur karakterin mrekullor të Kur’anit dhe se kjo cilësi e tij do të vazhdojë të ekzistojë përjetësisht, ai thotë:

“Kur’ani është një fjalë hyjnore që e shpëton njeriun përballë çdo intrige që mund t’i ngjasë, që përmban informacione për popujt e kaluar, për gjendjen e popujve pasardhës dhe konkluzione mbi ngjarjet që do të ndodhin mes njerëzve, që e dallon të vërtetën nga gënjeshtra dhe të drejtën nga e shtrembra, që nuk është i kotë, që Zoti e shkatërron njeriun e prapë që e braktis atë dhe që e shmang nga rruga e drejtë njeriun i cili kërkon orientim jashtë tij, që është litari i fortë i Allahut, që është përsëritje (dhikr) e urtë dhe udhë e drejtë, që njerëzit e lidhur pas tij kurrë nuk bien në udhë të shtrembër, që shqiptuesve të tij kurrë nuk u gënjehet gjuha, me të cilin dijetarët nuk ngopen dot, që kurrë s’e humbet freskinë për shkak të përsëritjes, specifikat mrekullore të të cilit që e hutojnë njeriun kurrë nuk mbarojnë, për të cilin xhindët, kur e kanë dëgjuar, kanë thënë:

 “… me të vërtetë ne dëgjuam një Kur’an që të mahnit!” (el-Xhin, 1) duke mos e marrë dot veten nga mahnitja, që njerëzit që flasin me anë të tij, thonë të vërtetën, që njerëzit të cilët konkludojnë me anë të tij, konkludojnë saktë dhe sillen drejt, që njerëzit që e zbatojnë atë shpërblehen, që njeriu i ftuar tek ai gjen udhën e drejtë!” (Tirmidhi, Fedailu’l-Kur’an, 14; Darimi, Fedailu’l-Kur’an, 1)

Kur’ani është një mrekulli e madhe me çdo aspekt të tij. Pikërisht nga kjo anë, Kur’ani prej shekujsh i ka sfiduar njerëzit dhe xhindët qysh nga arabët e asaj dite që kishin arritur kulme në elokuencë dhe oratori, duke u kërkuar të parashtrojnë një fjalë të ngjashme me të! Në këtë specifikë, në Kur’an, herën e parë në ajetin 34 të sures Tur, është thënë:

 “Po qe se (politeistët) janë të sinqertë (në atë që pretendojnë se Kur’ani nuk është fjalë e Allahut), le të sjellin një fjalë të ngjashme me të!”

Me të mbetur politeistët të dobët e të paaftë para kësaj deklarate hyjnore, Zoti zbriti këto ajete për të shprehur më qartë dobësinë dhe paaftësinë absolute të tyre në këtë specifikë:

 “Apo mos thonë se e ka sajuar atë? Thuaju: “Në është kështu, edhe ju sillni dhjetë sure të sajuara të ngjashme me të! Po qe se jeni të besës e të sinqertë, thirrni (në ndihmë) edhe ata që mund të thirrni përveç Allahut!” (Hud, 13)

 “Po qe se dyshoni te Kur’ani që ia kemi zbritur robit Tonë, eja, formoni edhe ju një sure të ngjashme me të dhe, në se jeni të sinqertë e fjalëdrejtë, thirrni në ndihmë edhe ata të cilëve u besoni përveç Allahut!” (el-Bakara, 23)212

Si e fundit, Zoti urdhëroi kështu në ajetin e 88 të sures Isra:

 “Thuaju: “Edhe sikur njerëzit dhe xhindët të bëhen bashkë në ndihmë të njëri-tjetrit për të parashtruar të ngjashmin e këtij Kur’ani, s’ka dyshim se nuk do t’ia arrijnë dot!”

Meqë politeistët nuk iu përgjigjën dot kësaj sfide hyjnore, iu drejtuan përdorimit të qëndrimit dhe sjelljeve agresive, si përgënjeshtrimi, provokimi dhe shpifja:

 “… kjo është vetëm një magji e përcjellë një pas një.” (el-Mudeththir, 24)

 “… është një magji e vjetër.” (el-Kamer, 2)

 “… kjo është vetëm një gënjeshtër e sajuar nga vetë ai…” (el-Furkan, 4)

 “… kjo është vetëm përrallat e të parëve.” (el-En’am, 25)

Politeistët, pra, u morën me një sërë pretendimesh të pavërteta dhe, veç kësaj, pa kuptim, të cilat tregonin pavendosmërinë dhe inkonsekuencën e tyre!

Kjo sfidë e Kur’anit ndaj gjithë armiqve të tij për të sjellë një sure të ngjashme me suret e tij, ka rezultuar gjer në ditët tona me paaftësinë dhe disfatën e të gjithë mohuesve dhe heretikëve. Dhe kështu do të vazhdojë të ndodhë gjer në kiamet!

Krishterët kanë përgatitur murgj dhe priftërinj të ditur e të aftë në retorikë sa t’u mësojnë arabëve arabishten! Por asnjëri prej tyre nuk ka treguar guximin për të marrë ndonjë iniciativë çfarëdo përballë këtij pretendimi kur’anor. A nuk do të duhej që bota e mohimit dhe ateizmit e cila, për ta shuar dritën e Islamit, qysh prej shekujsh po përpiqet materialisht e shpirtërisht dhe po përballon vështirësi të mëdha, në vend të këtyre, të zgjidhte dhe përdorte – po të kishte mundësi – këtë rrugë? A nuk e tregon hapur dhe në mënyrë të pakundërshtueshme edhe kjo e vërtetë historike, madje, madhështinë e kësaj sfide kur’anore dhe dobësinë e fuqive armike përballë Kur’anit?

Në këtë specifikë, kanë dalë shumë letrarë dhe retoristë shumë të njohur e të aftë që janë mbyllur dhe kanë punuar me muaj, por, megjithë zellin dhe përpjekjet e tyre duke i shtrydhur trutë gjer në fund, nuk kanë mundur të shkruajnë qoftë edhe një ajet të vetëm!

Kështu, Musejmetul Kezzab dhe të tjerë të ngjashëm me të, të cilët kanë dashur të shkruajnë imitacione të sureve të Kur’anit, me bëmat e tyre kanë rënë në situatë tejet qesharake; po kështu, edhe ato ç’kanë shkruar, duke mos shkuar më tej se një komedi, vetëm sa kanë demaskuar mendjetrashësinë e tyre! Sepse Kur’ani nuk është vetëm mrekulli elokuence dhe retorike, në të njëjtën kohë, është një libër mrekullish që i përfshijnë të gjithë shekujt së bashku me të vërtetat e tyre! Në këto kushte, sigurisht që është e pamundur që një njeri i dobët i cili nuk di as se kur dhe në ç’vend ka për të vdekur vetë, të parashtrojë një ajet plot me mrekulli i cili përmban të vërteta të pashoqe e të larta! Kështu, është she shit gjendja e Tevratit dhe Ungjijve të sotëm të shkruar me anë të ndërhyrjeve njerëzore. Që të dy librat, të larguar nga origjinali i tyre, janë shndërruar pothuaj në komplekse kontradiktash!

Argumenti më i madh e i pakundërshtueshëm i faktit që Kur’ani është një libër mrekulli shprehjeje i ardhur gjer në ditët tona pa humbur asgjë nga efekti dhe ndikueshmëria e tij, është te eksperienca dhe vëzhgimi. Ka pesëmbëdhjetë shekuj qysh nga dita kur ka filluar të zbresë e gjer më sot që nuk ka dalë dikush ta kundërshtojë Kur’anin e të dalë fitues. Edhe ata që kanë dashur ta provojnë një gjë të tillë, të diskredituar para tërë njerëzimit, kanë ngarkuar mbi vete një turp që s’do t’u ndahet gjer në kiamet!

Share.

Comments are closed.