Zoti i ka pajisur pejgamberët që i ka ngarkuar me ftesën për në rrugën e drejtë, me një kompetencë të jashtëzakonshme që do të ndikonte mbi masat dhe do t’i tërhiqte ato në besim. Kjo, për të thyer kokëfortësinë e mohimit me të cilin do të përballeshin. Veçanërisht, profetëve u ka dhënë edhe një sërë favoresh të jashtëzakonshme për t’i bërë masat për vete, të quajtura “mrekulli”.

Mrekullitë u janë favorizuar profetëve, sipas të veçantave të periudhave të tyre, të ekspozuara mbështetur në fuqi që zgjojnë mahnitje. Për shembull, në kohën e Hz. Musait (a.s.), në rend të ditës ishte magjia, e cila kishte arritur kulmin. Prandaj edhe atij i qe dhënë një mrekulli e kësaj fushe: shkopi dhe dora që i shndriste.

Në kohën e Hz. Isait mjekësia kishte shënuar përparime të mëdha dhe mjekët kishin zënë një pozitë shumë të lartë në sytë e popullit. Atëherë, edhe Hz. Isait iu dha një mrekulli që do t’i linte në hije edhe mjekët më të aftë dhe do të siguronte besimin e njerëzve: ringjallja e të vdekurve.

Sa për Profetin Muhammed (s.a.s.), me që profetësia e tij përfshin të gjitha vendet dhe kohët gjer në kiamet, ai zotëronte të gjitha kompetencat, pushtetin dhe mrekullitë e profetëve të kaluar dhe ndodhej në majë të të gjithë kësaj. Nisur nga kjo, mrekullitë e tij, të pakufizuara vetëm në mjeshtëritë e ligjërimit, bisedës e predikimit, si mjeshtëritë më me ndikim të kohës, janë realizuar në një formë që përfshinte fusha të ndryshme. Njëra prej tyre është mrekullia e “ndarjes së hënës përgjysmë” për t’u dhënë gjallëri e jetë zemrave të lodhura nga bojkoti i gjatë si dhe një paralajmërim mohuesve për fuqinë e këtij faktori të ri të dalë në shesh, të cilit ata i qenë kundërvënë.

Kjo mrekulli e madhe e të Dërguarit të Allahut (s.a.s.) ka ndodhur në krye të viteve të bojkotit, pra, në vitin e nëntë të periudhës së Mekës.

Në një natë me hënë, i Dërguari i Allahut (s.a.s.), iu lut Allahut dhe hëna u nda më dysh dhe kjo mrekulli u pa nga të gjitha anët. Një copë e hënës u pa në anë të malit Kubejs, kurse tjetra, në anë të malit Kuajkian. Politeistët që e panë këtë gjë, përsëri ngurruan të besonin. Madje Ebu Xhehli edhe e mohoi duke thënë “kjo është magji!”

Politeistët që e panë këtë mrekulli, thanë për Profetin (s.a.s.):

“Ne na magjepsi, por të gjithë nuk i magjeps dot!”

Atëherë u pyetën edhe karvanet jashtë Mekës, që vinin nga larg. Edhe ata thanë se kishin parë që hëna qe ndarë më dysh.

Pas kësaj ndodhie zbriti ky ajet:

 “Kiameti u afrua dhe hëna u nda. Po të shohin një mrekulli, ata menjëherë e kthejnë fytyrën mënjanë dhe thonë: “Eshtë një magji e përsëritur nga kohët e vjetra!” (el-Kamer, 1-2) (Vahidi, f. 418; Tirmidhi, Tefsir, 54/3286)

Gjithë populli i Mekës qenë të një fjale se hëna qe ndarë më dysh. Njerëzit me zemrën të hapur ndaj së vërtetës, e vërtetuan Profetin, kurse zemrat e drynosura thanë: “Ç’magjistar i madh!”

Me të vërtetë, astronomi i njohur francez Lefrançois de Lalande, duke shqyrtuar lëvizjet e kaluara të hënës, ka qenë i detyruar ta pranonte mrekullinë e “ndarjes së hënës përgjysmë”.251

Nëse duam ta përmbledhim në disa pika urtësinë e mrekullive që Zoti ua favorizoi të dërguarve të vet, mund të themi shkurt këto:

  1. Ndikim mbi masat dhe tërheqje e njerëzve në besim.
  2. Përforcim i besimit të besimtarëve, ngushëllim dhe qetësim i zemrave.
  3. Vërtetim i dërgesës dhe profetësisë së të dërguarve.
  4. Përballë fuqisë hyjnore, dobësim i mohuesve dhe heretikëve dhe mahnitje e besimtarëve.

Ashtu si çdo ajet i Kur’anit e shton besimin e besimtarëve dhe mohimin e mohuesve, ashtu dhe mrekullia e shton mohimin dhe herezinë e personave për të cilët është thënë “la jehdi” (nuk i udhëzon), domethënë, që Zoti s’ka për t’i udhëzuar.

Ngjarja e ndarjes së hënës në dy pjesë është një mrekulli e madhe e profetit Muhammed. Meqë ai është “Profeti i Kohës së Fundit”, dalja e tij në botë është, në të njëjtën kohë, edhe një nga shenjat e kiametit. Kështu, në ajetin kur’anor, duke u shprehur si më poshtë, është prekur kjo e vërtetë:

 “Kiameti u afrua dhe hëna u nda!” (el-Kamer, 1)

Share.

Comments are closed.