Prof.Dr.Ali Köse

Ai… Ishte një baba i dhembshur për vajzën e tij Fatma, një bashkudhëtar që i përkëdhelte kokën Enesit, një shok që i shkoi për ngushëllime edhe fëmijës që i ngordhi zogu, një fqinj që vizitoi komshiun e vet hebre në shtratin e vdekjes, një bashkëshort, i cili pyetjes së gruas së tij, “a më do?”, iu përgjigj duke thënë, “si ditën e parë!”, një gjysh, i cili zbriti prej minberit gjatë hutbes së xhumasë për të përqafuar nipin e tij që po qante, një tregtar që iu bashkua karvanit të tregtisë, një komandant që ka përjetuar edhe Bedrin, edhe Uhudin, një klient që tregtarit, i cili shiste grurë të lagur në Medinë, i tha: “Kush na mashtron, s’është prej nesh!”

Ai nuk bëri një jetë qiellore, por një jetë tokësore. U bë baba, u bë gjysh, u bëj fqinj, luftoi, bëri paqe dhe shaka…

Emri me të cilin njihej midis idhujtarëve të Mekës, ishte Muhammedu’l-Emin. Fisnikët e Mekës po meremetonin Qaben dhe ranë në mosmarrëveshje se kush do ta vendoste Haxheru’l-Esuedin në vendin e vet!.. Më pas, vendosën të pranonin si gjykatës njeriun e parë që do të kalonte prej portës Beni Shejbe. Dhe, ai që erdhi ishte zotëria ynë… “Muhammedu’l-Emin”-thanë ata! Ai ishte edhe i besueshëm, edhe i zgjuar. Mosmarrëveshjen e zgjidhi menjëherë. Kërkoi një mbulesë dhe e vendosi Haxheru’l-Esued-in mbi të. Më pas, u kërkoi përfaqësuesve të çdo fisi ta kapnin mbulesën secili prej një cepi.

Ai ishte anëtar i “Hilfu’l-Fudulit”, një grup që ishte themeluar për t’iu kundërvënë padrejtësive dhe zullumeve që bëheshin në periudhën e injorancës në Mekë. Atë kohë ishte rreth të njëzetave… Ebu Xhehli i doli para me një vesh rrushi në dorë dhe i tha: “Thuamë o Muhammed! A është kësmeti im ky (veshi i rrushit) apo jo?” Ai e kuptoi qëllimin e mbrapshtë. Nëse do të thoshte po, ai do ta hidhte në tokë e do ta shkelte me këmbë, nëse do të thoshte jo, ai do ta hante. Prandaj, i tha: “Nëse e ha, është kësmeti yt, nëse nuk e ha, nuk është o Ebu Xhehl!”

Kur i erdhi shpallja për herë të parë, u trondit dhe vrapoi drejt e tek Hadixhja (r.a.), e cila e qetësoi me këto fjalë: “Allahu nuk do të të lërë kurrë të vetmuar, sepse ti je i drejtë, e mban amanetin, kujdesesh për të afërmit, je i mëshirshëm dhe me moral të bukur”. Sa lëvdatë e bukur ishte kjo!.. Burrin, nuk e njeh askush më mirë se bashkëshortja dhe, sa bukur e kishte kuptuar ajo atë!

Ishte Eshrefu’l-Enbija dhe më i miri ndër njerëzit. Ai jetoi edhe si i Dërguar i Zotit, edhe si njeri. Edhe ai kishte gabime, por gabimet e tij përballeshin me paralajmërimet hyjnore. Një ditë ishte takuar me parinë e Mekës. Ai i jepte shumë rëndësi mundësisë së pranimit të Islamit nga ana e tyre, sepse nëse njëri prej parisë së Mekës do të zgjidhte Islamin, kjo do ta qetësonte atë dhe do t’ia lehtësonte misionin. Atë moment ia behu Abdullah ibn Ummu Mektum, një njeri i varfër dhe i verbër. Fakti që ai erdhi në një moment kur po fliste me parinë e Mekës, nuk i pëlqeu dhe vrenjti fytyrën. Menjëherë pas kësaj zbriti surja Abese. Kuptimi i fjalës “abese”, prej së cilës mori emrin edhe surja, është “të vrenjtësh fytyrën!”. Kjo sure fillonte me fjalinë: “Ai u vrenjt dhe ktheu kurrizin, kur i erdhi pranë i verbri”[1] Ndërsa në vazhdim të sures, jepej mesazhi se i verbri mund të ishte më i çmuar se sa paria e Mekës. Ai e kuptoi gabimin dhe, saherë që e shihte Abdullah ibn Ummu Mektumin (r.a.), e komplimentonte, e qeraste dhe e thërriste pranë vete duke i thënë: “Përshëndetje o njeri, për shkak të të cilit më qortoi Zoti im!”

Misionin e tij të kumtimit e filloi duke i mbledhur Kurejshët në rrëzë të kodrës Safa dhe duke i pyetur: “O Kurejsh! A do të më besonit sikur t’ju thosha se pas këtij mali ndodhet një ushtri që është gati t’ju sulmojë?”. “Po!”– thanë ata dhe shtuan: “Po, sepse prej teje nuk kemi dëgjuar asnjë fjalë të gënjeshtërt!”.

Shkoi edhe në Taif për të kumutuar… Por atje e gjuajtën me gurë. E megjithatë ai iu përgjigj me mëshirë dhe u lut: “Ata nuk dinë, prandaj udhëzoi ata o Zot!”. Gjithmonë kërkonte kënaqësinë e Zotit të vet. Pas ngjarjes së Taifit, ai iu lut Zotit: “…O Allah, që je më Mëshiruesi i mëshiruesve! Nëse Ti nuk je i zemëruar me mua, vuajtjet dhe vështirësitë që po heq nuk janë të rëndësishme për mua!”

“Dhe, kur ndonjëri prej tyre merr lajmin se i lindi një vajzë, fytyra i nxihet dhe i mbushet me mjerim. Ai fshihet nga njerëzit për shkak të lajmit të keq që mori dhe s’di: a ta mbajë këtë fëmijë, pavarësisht poshtërimit apo ta varrosë në dhé. Ah! Sa mbrapsht që gjykojnë ata!” (Nahl, 58-59.) Ky ajet kishte zbritur për popullin e tij. Por njeriu që ai donte më shumë, ishte vajza e tij Fatma. Kur po mbante hutben, nipërit e tij hynë në xhami. Ndërkohë njëri prej tyre u rrëzua dhe filloi të qante. Zotëria ynë, ndërpreu hutben, përqafoi nipin dhe u kthye nga sahabët duke thënë: “S’më bëri zemra ta lë vogëlushin!”

Një ditë, nëna jonë Aishe, e pyeti: “A më do mua o Resulallah?”. “Si nyjë e pazgjidhshme o Aishe!”– u përgjigj zotëria ynë. Herë pas here e kontrollonte bashkëshortin e saj nëna jonë Aishe: “Në ç’gjendje është nyja e pazgjidhshme o Resulallah?”– e pyeste ajo. E ai përgjigjej: “Si ditën e parë o Aishe, si ditën e parë!”

Në Hutben e Lamtumirës, tha: “Gratë janë amaneti i Allahut mbi ju!.. Kujdes! Pas meje mos iu ktheni përsëri devijimeve të vjetra dhe mos vrisni njëri-tjetrin… Arabi nuk ka kurrfarë epërsie ndaj jo arabit, e as jo arabi ndaj arabit… çdo lloj i kamatës është anuluar… kamata e parë që anulova është ajo e xhaxhait tim Abbasit… Gjakmarrjet janë anuluar plotësisht. E gjakmarrja e parë që kam anuluar është hasmëria e gjakut të djalit të xhaxhait tim Rebias…”

Fjala dhe vepra e tij ishin një. Në 23 vjet të jetës së tij profetike, ai ua mësoi sahabëve se si duhet të jetohet Islami, duke dhënë shembull me jetën e vet dhe duke e konkretizuar Kur’anin Fisnik. Ai u bë Kur’an i gjallë që ecte mbi tokë…

“Nëse nesër do t’ju pyesin për mua, çfarë do të thoni?”– pyeti ai. Ndërsa sahabët të gjithë në një gojë thanë: “Do të dëshmojmë se ti e kreve me sukses detyrën e të Dërguarit të Allahut, na porosite dhe na këshillove!” Pas kësaj, ngriti gishtin tregues lart dhe tha: “Dëshmo o Zot! Dëshmo o Zot! Dëshmo o Zot!” Një jetë që përfundoi me dëshminë dhe kënaqësinë e Zotit…

Jeta e Resulullahut, Habibullahut… Jeta e robit më të dashur që pranoi shpalljen… Jeta e “Profetit Islam”… Jeta të cilën kemi më tepër nevojë ta njohim, ta ndjejmë, e ta zbatojmë… Një jetë që ka qenë mëshirë për botët… Një jetë që është model për të gjithë njerëzimin…

Dashuria e popullit tonë ndaj Profetit, është një dashuri e pashoqe përtej çdo lloj krahasimi. Ne jemi lidhur me një shitës qumështi me emrin Muhammed, i cili na sjell qumësht çdo fundjavë. Njëherë, ai erdhi përsëri si çdo fundjavë. Unë i hapa derën dhe i mora qumështin. Më pas i thashë: “Muhammed vëlla! Javës tjetër mos na sillni qumësht, sepse ne do të shkojmë në umre!” Përnjëherë, nga sytë e tij rrodhën lot dhe duke u gëlltitur tha: “Çojini selam zotërisë sonë!”

Poeti i famshëm, rahmetliu Nexhip Fazëll, ka publikuar njëherë një foto të një zjarri në Revistën “Buyukdogu”. Në foto, ndodhej imazhi i një zjarri të madh dhe zjarrfikësve që përpiqeshin ta shuanin. Ndërsa në një qoshe, vihej re një zjarrfikës që po falte namaz. Dukej qartë se koha e namazit ishte duke përfunduar. Poshtë fotos, Nexhip Fazëlli kishte shkruar: “Pamja më e mrekullueshme që ka kapur objektivi që kur ai është shpikur…” Kështu edhe pikat e lotit që rrodhën prej syve të Muhammedit, dukeshin sikur ishin më të shtrenjtat që kishin rrjedhur që prej ditës që kanë filluar të rrjedhin lotët…

Ne e dashuruam shumë atë. E ata që e dashuruan shumë, thurën lavde, bejte dhe poezi për të… Por ju lutem, vërini veshin kësaj bejteje anonime:

Nëse këmba jote e bekuar faqen e tokës s’do kish shkelur,

askënd s’do të pastronte tejemmumi, pa abdes do kish ngelur!

[1] – Abese, 1-2.

Share.

Comments are closed.