Ndërprerja e vahjit ose zbulesës hyjnore vazhdoi gjashtë muaj.

I Dërguari i Allahut (s.a.s.) e tregon kështu rifillimin e saj:

“Një ditë, ndërsa po ecja në rrugë, papritmas dëgjova një zë nga qielli. E ngrita kokën lart dhe pashë engjëllin që më kishte ardhur në Hira, ulur mbi një fron mes qiellit e tokës… Dhe u frikësova shumë. U ktheva në shtëpi dhe thashë:

“Më mbuloni, më mbuloni!”

Ndërsa rrija i mbuluar, erdhi Xhebraili, me ndërmjetësinë e të cilit Allahu i Lartë më zbuloi ajetet si më poshtë, duke më urdhëruar:

 “O ti (profet) i mbuluar! Ngrihu dhe tërhiqu vërejtjen (duke i paralajmëruar me ndëshkim)! Dhe madhëroje Zotin tënd! Dhe pastroji rrobat (pamjen e jashtme dhe botën e brendshme e morale)! Dhe largohu prej gjërave të ndyra!” (el-Muddethir, 1-5)

Pas kësaj, zbulesa hyjnore nuk m’u ndërpre më!” (Buhari, Tefsir, 74/4, 5; Muslim, Iman, 255-258))

Allahu i Lartë urdhëron:

 “Pa dyshim, Ne e dërguam zbulesën Tonë pandërprerë në mënyrë që ata të mendojnë dhe të marrin mësim!” (el-Kasas, 51)

Vazhdimi i pandërprerë i zbulesës hyjnore është edhe një prej mrekullive të Kur’anit. Fakti që ajetet e larta të Kur’anit, të tilla që as edhe njëra prej tyre nuk ka qenë e mundur të imitohet prej njerëzve megjithë thirrjen e Kur’anit për këtë gjë, i janë zbritur (zbuluar) Profetit një pas një, e ka bërë të pamundur shpjegimin e Kur’anit me tjetër gjë përveç zbulesës hyjnore. Ky është argumenti më i qartë që Kur’ani kurrsesi nuk është një ndërhyrje njerëzore!

Nga ana tjetër, është një e vërtetë e njohur që edhe një libër i vogël poezish – edhe ai me një mijë e një të meta – krijohet vetëm pas shumë e shumë mundimesh e përpjekjesh. Për më tepër, sado korrektesë të tregohet, është e pamundur të pretendohet se këto vepra që janë produkte njerëzore, të mund të jenë pa të meta! Vetëm në zbulesën hyjnore s’bëhet fjalë për një gjë të tillë. Ajo është favorizuar si një fjalë e përjetshme me formën e parë me të cilën është komunikuar, si një fjalë që përmban mrekulli të panumërta dhe e pastër prej të metave e mangësive njerëzore, gjë që shpreh legalitetin dhe lartësinë sublime të Kur’anit.

 

Sapo iu zbrit sureja Muddethir, i Dërguari i Allahut (s.a.s.) u ngrit menjëherë nga vendi ku kishte rënë për t’u prehur. Meqë Hz. Hatixheja (r.anha) nuk e dinte se ç’kishte ndodhur, e pyeti:

“Pse u ngrite? Pse nuk vazhdon të pushosh?”

Dhe i Dërguari i Allahut (s.a.s.) i tha: “Kaloi, më në fund, koha e prehjes!”

Dhe ia njoftoi zbulesën e porsaardhur!

 

Në ditët e para të ardhjes së vahjit ose zbulesës hyjnore, Xhebraili (a.s.) ia mësoi Profetit se si të merrte abdest dhe se si të falte namaz. Duke ia urdhëruar të dërguarit të vet një adhurim që do t’ia kënaqte zemrën, Allahu i Lartë e pati gëzuar atë dhe i pati dhuruar buzëqeshje fytyrës së tij!

Zotëria i Botëve u kthye në shtëpi me një gëzim të madh. E lajmëroi bashkëshorten për dhuratën e madhe të Allahut dhe ia mësoi edhe asaj abdestin dhe namazin.

Share.

Comments are closed.