Krijimi

Të gjitha atributet hyjnore, ato që i dimë si dhe ato që s’mund t’i njohim, kanë tre realitete ku shfaqen në formën e tyre më të përsosur:

  1. Gjithësia
  2. Kurani
  3. Njeriu

Gjithësia është shfaqja, konkretizimi praktik i të gjitha atributeve hyjnore, kurse Kurani, shfaqja e tyre në fjalë. E thënë ndryshe, Kurani është gjithësia e formësuar si fjalë. Kurse njeriu është si esenca e gjithësisë, si bërthama e saj. Sepse njeriu është qenia e vetme që ka pjesë shumë a pak prej të gjitha atributeve të Allahut. Ky është edhe shkaku që njeriu përmendet si “krijesë e nderuar”. Ndërkaq, meqë tek njeriu ka shfaqje edhe të atributeve hyjnore të forcës, si Mudil (shtytës), Mutekebbir (imponues),  etj., edhe të atributeve të butësisë si Hadi (orientues), Rahman (mëshirues), Rahim (bamirës), etj., natyra e njeriut  është e prirë edhe kah e mira, edhe kah e keqja, është e aftë për të bërë edhe mirë, edhe keq. Për rrjedhojë, njeriu është i ngarkuar me përgjegjësinë për t’u bërë, nën orientimin e profetëve dhe prijësve shpirtërorë, njeri i përsosur duke e pastruar nefsin, egon e tij, duke e kulluar zemrën dhe duke i përsosur atributet e tij shpirtërore.

Meqë engjëjt nuk kanë aftësi dhe mundësi për të bërë keq, njeriu, duke përparuar në rrugën për t’u bërë “i afërti i Zotit”, ka mundësi për t’i kaluar edhe ata. Prandaj pozita ku ndodhet njeriu, shtrihet në një diapazon shumë të gjerë, nga nivelet më të larta mbi engjëllore gjer në nivelet më të ulëta kafshërore. Njeriu që mundet t’i kapërcejë pengesat trupore-egoistike, është një ekspozitë cilësish sublime dhe një mrekulli arti. Është thelbi i librit të gjithësisë, introdukta e tij dhe vetë enigma e krijimit. Sepse, megjithëse në dukje të lë përshtypjen sikur s’është gjë tjetër veç mish e kocka, pas kësaj dukjeje të jashtme fshihen të koncentruar në qenien e tij subjektive të fshehta të panumërta të shfaqjes hyjnore, dritat dhe të vërteta e saj.

Dalja e njeriut në këtë botë ka nisur me Ademin (a.s.). Ai është njeriu i parë, profeti i parë dhe prijësi i parë i përkryer. E gjithë raca njerëzore që do të vazhdojë varg gjer në Kiamet, ka qenë e “kodifikuar” në qenien individuale të tij qysh në çastin e krijimit të saj.

Ademi (a.s.) dhe gjithësia përbëjnë dy shfaqje të veçanta të një të vërtete me origjinë të njëjtë. Aata janë si dy faqet e një gjetheje, janë si dy binjakë. Dhe, meqë njeriu është forma e zvogëluar e gjithësisë, atij i është ngarkuar detyra më e madhe për kuptimin e enigmës së gjithësisë dhe njohjes së vërtetës së materies. Sa bukur që e shpreh Sheh Galibi këtë të vërtetë:

“Shihe mirë, o njeri, veten se je thelbi njerëzisë;

Ti je njeriu, ti je bebe e syrit të gjithësisë!..”

Zoti i Madh ka krijuar shumë botë. Rreth çështjes së numrit të këtyre botëve ka rivajete të ndryshme që i çojnë nga 18.000 në 360.000. Krijimi i njeriut ka të bëjë me dy botë:

  1. Me botën e krijimit
  2. Me botën e urdhrit

Në Kuran urdhërohet :

Vetëm Atij i përket Krijimi dhe Urdhërimi. Qoftë i lartësuar Allahu, Zoti i botëve!” (A’raf, 54)

Ajo që Zoti e shpreh në Kuran me fjalën “krijim” (arabisht halkun), quhet “bota e krijimit”, bota e prekshme me dorë, e dukshme me sy dhe me dimensione të caktuara. Kjo gjithësi e dukshme, ky dhé, ujë, ajër, zjarr etj., janë nga bota e krijimit.

Ndërkaq, ajo që në Kuran shprehet me ajetin “…Thuaj: “Shpirti është çështje që i përket vetëm Zotit tim!..” (Isra, 85), quhet “bota e urdhrit”, bota metafizike, e brendshme, subjektive.

Shkaqet dhe urtësitë kryesore të krijimit tonë

  1. Shkaku kryesor i krijimit të njeriut, është adhurimi dhe njohja e Zotit. Në Kuran, urdhërohet:

وَمَا خَلَقْتُ الْجِنَّ وَالْإِنسَ إِلَّا لِيَعْبُدُونِ

“Xhindet dhe njerëzit i kam krijuar vetëm që të Më adhurojnë.” (Dharijat, 56)

“Adhurimi”, i cili në këtë ajet përmendet si shkaku i krijimit, është një gradë dhe pozitë shumë e lartë, e cila shfaqet në “shprehjen e shehadetit”[1]. Siç dihet, Profeti ynë në këtë shprehje, në fillim pranohet si “rob”, pastaj si i Dërguari i Tij. Kjo, tregon se adhurimi është parësor. Ndërsa profecia është brenda kuadrit të adhurimit të Zotit.

Profeti ynë (a.s.), atyre që kanë treguar madhërim dhe respekt të tepruar ndaj tij, u ka thënë:

“Mos më ngrini mbi pozitën që më takon, sepse Allahu i Madhëruar, para se të më bënte profet, më ka bërë rob të Tij.” (Hejthemi, Mexhmeu’z-Zeuaid, IX, 21.)

Në një ajet tjetër, Allahu i Madhëruar, urdhëron:

قُلْ مَا يَعْبَأُ بِكُمْ رَبِّي لَوْلَا دُعَاؤُكُمْ…

“Thuaj: “Zoti im nuk do t’ju përfillte, sikur të mos ishte lutja juaj!..” (Furkan, 77)

Një kuptim tjetër i shprehjes “adhurim”, është “marifetullah”, pra, njohja e Allahut të Madhëruar. Krijimi i njeriut, është i lidhur me qëllimin “e realizimit të adhurimit” dhe “njohjen e Allahut”.

  1. Një tjetër shkak dhe urtësi e krijimit të njeriut, është se Allahu dëshironte të krijonte një krijesë, e cila do të ishte maja e artit dhe bukurisë së krijimtarisë së Tij. Dhe në fakt, njeriu është një nga mrekullitë më të bukura të krijimit të Allahut. Në ajetet 20-21 të sures Dharijat, urdhërohet:

وَفِي الْأَرْضِ آيَاتٌ لِّلْمُوقِنِينَ وَفِي أَنفُسِكُمْ ۚ أَفَلَا تُبْصِرُونَ

“Në Tokë ka shenja për ata që besojnë me bindje, po edhe në vetët tuaja – a nuk e shihni vallë?”

Përveç kësaj, në një ajet tjetër, pasi Allahu bën të ditur etapat nëpër të cilat kalon krijimi i njeriut, Ai e shpreh kështu madhështinë e Tij:

فَتَبَارَكَ اللَّـهُ أَحْسَنُ الْخَالِقِينَ

“…Qoftë lartësuar Allahu, Krijuesi më i përsosur!” (Mu’minun, 14)

  1. Një tjetër shkak i krijimit të njeriut, është se Allahu i Madhëruar, dëshironte ta bënte atë “halife/mëkëmbës” të Tij në tokë. Lidhur me këtë, Allahu i Madhëruar, urdhëron:

وَإِذْ قَالَ رَبُّكَ لِلْمَلَائِكَةِ إِنِّي جَاعِلٌ فِي الْأَرْضِ خَلِيفَةً…

“Kur Zoti yt u tha engjëjve: «Unë do të krijoj një mëkëmbës (që do të zbatojë ligjet e Zotit) në Tokë»…” (Bekare, 30)

Ajo që kërkon të thotë Allahu i Madhëruar në këtë ajet, është:

“Unë do t’i jap njeriut një pjesë prej vullnetit, fuqisë dhe atributeve të Mia; ai do të zotërojë të drejtën e menaxhimit të një pjese të krijesave të Mia me lejen Time; ai do të zbatojë gjykimet e Mia me emrin Tim; mirëpo, ai nuk është vendimtari në këtë çështje, por thjesht një mëkëmbësi Im. Ai, me vullnetin e vet, ka për detyrë të zbatojë vullnetin Tim, urdhrat dhe ligjet e Mia. Ndërsa ata që do të vijnë pas tij, do të kenë të njëjtën detyrë, si zëvendës të tij dhe në këtë mënyrë do të realizohet e fshehta e ajetit:

“Ai ju ka bërë mëkëmbës në Tokë!..” (En’am, 165)

 

[1] -Shprehja e Shehadetit: Dëshmia Islame, ku pranohet me fjalë dhe me zemër, se përveç Allahut nuk ka zot tjetër dhe se Muhammedi (a.s.), është rob dhe i Dërguari i Tij.

Share.

Leave A Reply