Ebu Said dhe Ebu Hurejre (r.anhuma), transmetojnë se i Dërguari i Allahut (a.s.), ka thënë:

“Allahu ia shlyen gjynahet besimtarit me çfarëdo që e godet atë, qoftë lodhje, sëmundje e vazhdueshme, brengë, hidhërim, vështirësi dhe fatkeqësi. Madje edhe kur një gjemb hyn në këmbën e tij.”

-Muttefekun alejhi-

(Buhari, Merda, 1; Muslim, Birr, 49.)

Shpjegime

Në këtë Hadith fisnik , bëhet e ditur se, çdolloj vështirësie, lodhje, hidhërim, sëmundje, etj., që e mërzit dhe e bën të vuajë myslimanin, qoftë ajo fizike apo shpirtërore, e vazhdueshme apo e kalimtare, që ka të bëjë me të ardhmen apo me të shkuarën, madje edhe një gjemb që i hyn në këmbë, është shpagim për gjynahet dhe gabimet e tij. Kjo tregon se jo çdo fatkeqësi që të godet, ka patjetër kuptimin e një dënimi. E rëndësishme, është të bësh durim për atë që të godet.

Myslimani, i cili e di se vështirësitë dhe vuajtjet janë shpagim për gjynahet e tij, bëhet më rezistent dhe më durimtar përballë këtyre vështirësive. Ky duhet të jetë edhe qëllimi kryesor që  Hadithi  është përmendur këtu në lidhje me temën e durimit. Pra,  është argumenti se sëmundjet dhe vuajtjet që e mundojnë myslimanin, janë pastrim prej gjynaheve për të.

Durimi ndaj këtyre fatkeqësive, e bën njeriun që të mos privohet nga shpërblimi i vuajtjeve që kalon. Nuk duhet harruar se: “Fatkeqësi e vërtetë, është të privohesh prej shpërblimit”.

Mësimet që nxjerrim prej Hadithit:

  1. Fatkeqësitë dhe katastrofat nuk janë gjithmonë dënime. Ndonjëherë ato janë mëshirë.
  2. Për besimtarin që bën durim, vështirësitë kthehen në shpagim të gjynaheve të tij, gjë e cila është një mirësi e madhe.
Share.

Leave A Reply