“Dhe Ne i shpallëm Musait: «Bjeri me shkopin tënd detit!» Menjëherë deti u nda dhe çdo pjesë e tij u bë si mal i madh.” (Shu’ara, 63)

Sipas një transmetimi nga Ibn Abasi (r.a.), deti u hap në dymbëdhjetë shtigje, prej nga ku kaluan dymbëdhjetë fiset e beni Izrailëve. Rrugët nga ku kalonin ishin midis dy anëve të larta të ujit që u ngjanin maleve. Ndërsa sipas një transmetimi tjetër, thuhet se në çdo mur të ujit, u hapën dritare, nga ku njerëzit mund të shihnin njëri-tjetrin.

Faraoni ishte një njeri që kërkonte të përfitonte nga çdo rast. Ai u kthye nga ushtria dhe u foli:

“Shikoni detin! Ai u ça prej madhështisë sime, që të më hapë rrugën për të kapur skllevërit e mi! Të gjithë kam për t’i vrarë! Ecni para në det!”

Mirëpo, për një çast u frikësua dhe ngurroi. Deshi të hiqte dorë. Por atë çast, Xhebraili (a.s.), hipur mbi një kalë të bardhë, u doli para dhe u tha:

“Ecni, shkoni para!”

Kurse Mikaili (a.s.), doli pas ushtrisë së faraonit dhe u tha atyre që vinin nga pas:

“Ecni, mos mbetni pas!”

E gjithë ushtria u hodh përpara. Lidhur me këtë, Allahu i Madhëruar, urdhëron:

“Ne i afruam aty të tjerët!” (Shu’ara, 64)

Pas Musait (a.s.) dhe njerëzve të tij, në rrugët e hapura në det u futën edhe faraoni me ushtrinë e tij. Mirëpo, ata u asgjësuan në thellësitë e detit, si ndëshkim hyjnor!

“Musain dhe të gjithë ata që ishin me të, i shpëtuam, kurse të tjerët i fundosëm.” (Shu’ara, 65-66)

“Kështu, Ne u hakmorëm dhe i fundosëm në det, ngaqë ata i mohuan shenjat Tona dhe nuk ua vunë veshin.” (A’raf, 136)

“Ne i bëmë ata shembull dhe mësim për popujt e mëvonshëm.” (Zuhruf, 56)

“Pa dyshim, në këtë ka shenja treguese, por shumica e njerëzve nuk janë besimtarë.” (Shu’ara, 67)

Në sajë të mirësisë së Allahut, shpëtuan të gjithë beni Izrailët! Atë ditë ishte dita e dhjetë e muajit Muharrem, në të cilën u mbajt agjërimi i falënderimit. Lidhur me mirësinë e Tij ndaj tyre, Allahu i Madhëruar urdhëron:

“Kujtoni se si ju shpëtuam nga populli i Faraonit, i cili ju shtypte mizorisht: jua therte djemtë e jua linte të gjalla femrat. Kjo ka qenë një sprovë e madhe për ju – nga Zoti juaj. Kujtoni se si e çamë detin e ju shpëtuam, ndërsa në praninë tuaj i fundosëm njerëzit e Faraonit.” (Bekare, 49-50)

Besim i papranueshëm: Besimi i faraonit

“Ne i mbartëm Izraelitët përtej detit dhe Faraoni me ushtrinë e tij i ndoqi ata nga ligësia dhe armiqësia. Por, kur po mbytej, (Faraoni) tha: «Besoj se s’ka zot tjetër përveç Atij që i besojnë bijtë e Izraelit; dhe unë jam ndër myslimanët.»” (Junus, 90)

Ndërkohë që po mbytej në dallgët e detit, faraoni i detyruar, u mundua të kapet pas litarit të besimit. Por Allahu i Madhëruar, i tha:

“Vallë, tani (po beson), ndërkohë që më parë ishe i padëgjueshëm dhe ngatërrestar?! Sot do të shpëtojmë vetëm trupin tënd, që të bëhesh mësim për ata që vijnë pas teje.” Por, në të vërtetë, shumica e njerëzve nuk ua vënë veshin shenjave Tona.” (Junus, 91-92)

Komentuesi i famshëm i Kuranit, Zemahsheriu, këtë ajet e ka komentuar kështu:

“Do të të hedhim në një qoshe në breg të detit. Kufomën tënde të zhveshur do ta ruajmë të plotë, të pacenuar e të paprishur, që t’u shërbejë njerëzve si mësim shumë shekuj pas teje.”

Pas kalimit të detit

Musai (a.s.), i udhëhoqi bijtë e Izraelit drejt tokës së Kenanit. Gjatë rrugës, ata panë një popull që adhuronte statujat dhe demin. Prandaj, disa prej tyre thanë:

“O Musa! Na e bëj edhe neve një gjë të tillë, që ta adhurojmë!”

Për këtë arsye, Musai (a.s.), i këshilloi:

“Zoti ju shpëtoi prej së keqes. Koptët jua vrisnin djemtë, kurse vajzat jua bënin shërbëtore. Megjithatë, ju përsëri kërkoni ta kundërshtoni Allahun dhe t’i bëni shok Atij?”

Allahu i Madhëruar, urdhëron:

“Ne i kaluam bijtë e Izraelit përtej detit, ku ndeshën një popull që adhuronin idhujt e vet. Ata i thanë Musait: «Na bëj edhe neve një zot, ashtu si kanë ata». Musai tha: «Ju qenkeni vërtet një popull i paditur! Fenë që ndjekin këta idhujtarë, e pret shkatërrimi dhe ajo që bëjnë, është krejt pa vlerë. A mos vallë doni të kërkoj për ju zot tjetër përveç Allahut, që ju ka ngritur mbi të tjerët?!»

Kujtoni kur Ne ju shpëtuam nga populli i Faraonit, i cili ju mundonte pa masë: fëmijët meshkuj jua vriste, kurse femrat tuaja jua linin gjallë. Kjo ka qenë sprovë e madhe për ju nga Zoti juaj.” (A’raf, 138-141)

Musai (a.s.), formoi dy ushtri prej 12.000 vetash dhe e dërgoi në Egjipt. Pas lanë vetëm fëmijët, gratë, pleqtë dhe të sëmurët. Një ushtri e komandonte Jusha bin Nun (a.s.), ushtrinë tjetër, Kalib bin Juhne. Ushtria u kthye me fitore. Tashmë koptët ishin shkatërruar plotësisht. Kjo gjendje përshkruhet kështu në Kuranin Fisnik:

“Kështu, Ne i bëmë ata të lënë kopshtijet dhe lumenjtë, thesaret e pallatet e mrekullueshme.” (Shu’ara, 57-58)

“Ndërsa popullit të përndjekur Ne i dhamë në zotërim viset lindore dhe perëndimore të tokës që kishim bekuar. Kështu u përmbush premtimi i bukur i Zotit tënd ndaj Izraelitëve, për shkak të durimit që treguan. Ndërsa ndërtesat dhe kullat e Faraonit dhe të popullit të tij Ne i shkatërruam.” (A’raf, 137)

“Kështu ndodhi, dhe Ne ia dhamë të gjitha këto bijve të Izraelit.” (Shu’ara, 59)

“Eh, sa e sa kopshte dhe burime i lanë ata, sa ara të mbjella dhe ndërtesa fisnike dhe sa begati, në të cilat kënaqeshin! Kështu, Ne ua lamë trashëgim ato një populli tjetër. Ata nuk i vajtoi as qielli, e as Toka, e as nuk iu dha afat.” (Duhan, 25-29)

Sa bukur e përshkruan Allahu i Madhëruar në ajetin e mëposhtëm fundin e hidhur të popujve të goditur nga ndëshkimi hyjnor dhe të humbur në mënyrë të hidhur në plehërishtën e historisë:

“Sa e sa brezni kemi shkatërruar Ne para tyre! Vallë, a po sheh ndonjërin prej tyre dhe a po dëgjon pëshpëritjen më të vogël të tyre?!” (Merjem, 98)

 

Share.

Leave A Reply