Sa më shumë që e kumtonte fenë Musai (a.s.), aq më i madh bëhej numri i atyre që besonin. Por krahas kësaj, rritej edhe zemërimi dhe dhuna e faraonit! Faraoni, ndërtoi një kullë madhështore, ndërtimi i së cilës zgjati shtatë vjet. Këtë kullë, e ngjisnin hipur në kafshë.

Faraoni, u ngjit në majë të kësaj kulle, gjoja për të biseduar me Zotin e Musait (a.s.)! Për shkak se ai nuk e njihte besimin monoteist, imazhi i Zotit në mendjen e tij, ishte i kufizuar me format e botës njerëzore. Për këtë arsye, faraoni e imagjinonte Allahun me forma dhe veçori njerëzore. Kjo, i ngjan imagjinatës së feve me shumë zota në Greqinë e Lashtë, ku besohej se kishte zota të ndryshëm, si zoti i tokës, zoti i qiellit, zoti i dashurisë, etj.

Nga kjo kullë, faraoni do të hidhte shikimin drejt qiejve dhe do t’i thoshte popullit se s’e kishte parë askund Zotin e Musait (a.s.)! Përveç kësaj, ai do të turbullonte mendjet e njerëzve duke thënë se: “Me gjithë fuqinë dhe mundësitë që kemi, ne nuk arritëm të takohemi më Zotin. Si na qenka ngjitur Musai atje në qiell dhe na paska prurë lajm prej tij?” Në Kuranin fisnik urdhërohet:

“Dhe Faraoni tha: «O Haman, ndërtoma një kullë që t’i arrij rrugët, rrugët e qiellit e të shoh Zotin e Musait, sepse jam i bindur se ai (Musai) gënjen». Kështu, Faraonit iu dukën të bukura veprat e tij të shëmtuara dhe u shmang nga rruga e drejtë, por dredhia e tij e çoi vetëm në rrënim.” (Gafir, 36-37)

Pasi nuk ia arriti qëllimit me këtë që bëri, zemërimi i faraonit u shtua edhe më shumë. Ndërsa dhuna e koptëve ndaj siptinjve arriti kulmin:

“Paria e popullit të Faraonit tha: «A mos vallë do ta lësh Musain dhe popullin e tij që të bëjnë ngatërresa në Tokë dhe që të braktisin ty dhe zotat e tu?» Faraoni u përgjigj: «Meqenëse jemi sundues mbi ata, ne do t’i vrasim djemtë e tyre dhe do t’i lëmë gjallë gratë e tyre».” (A’raf, 127)

Beni Izrailët u ankuan tek Musai (a.s.), për gjendjen. Por ai i këshilloi të durojnë:

“Musai i tha popullit të vet: «Kërkoni ndihmë nga Allahu dhe duroni, sepse toka është e Allahut. Ai ia jep atë trashëgim cilit të dojë prej robërve të Vet. Fundi i lumtur u takon atyre që i frikësohen Allahut».” (A’raf, 128)

Mirëpo, populli i tij filloi ta kundërshtojë disi Musain (a.s.) dhe duke u treguar të paduruar, po ia shtonin vështirësitë dhe ngarkesën profetit të tyre.

“Ata i thanë: «Ne kemi vuajtur para se të vish ti dhe ende po vuajmë». Musai tha: «Ndoshta Zoti juaj do ta zhdukë armikun tuaj dhe do t’ju bëjë sundimtarë në Tokë, për t’ju parë se si do të veproni».” (A’raf, 129)

Në këtë mënyrë, Allahu u tregoi se e ardhmja u takonte besimtarëve.

Megjithatë, dhuna e koptëve ende vazhdonte. Musai (a.s.), u lut shumë që kjo dhunë të merrte fund. Për rrjedhojë, filluan të shfaqen një pas një shenja të katastrofës dhe mbi koptët filluan të binin fatkeqësi të ndryshme.

“Dhe Ne e goditëm popullin e Faraonit me thatësi, me vite zie, që të zinin mend. Por sa herë që u vinte ndonjë e mirë, ata thoshin: «Këtë e kemi merituar!» E kur i godiste ndonjë e keqe, atë e merrnin si ogur të zi që vinte prej Musait dhe popullit të tij. Por jo! Allahu ishte Ai që ua ndillte fatin e zi, ndonëse shumica e tyre nuk e dinin!” (A’raf, 130-131)

Argumente të njëpasnjëshme

“Ata i thoshin (Musait): «Çfarëdo argumenti të na sjellësh për të na magjepsur me të, ne nuk do të të besojmë.» Prandaj, Ne u dërguam atyre përmbytje, karkaleca, rriqra, bretkosa dhe gjak, si shenja të qarta, por ata krekoseshin dhe ishin popull keqbërës.” (A’raf, 132-133)

Kur koptët shihnin fatkeqësitë, fillonin t’i thoshin Musait (a.s.): “Dijetar i madh!”. Mirëpo, kur kalonte e keqja, vazhdonin kryeneçësinë e tyre dhe thoshin: “Fundja, këto ishin kalimtare!”

Fatkeqësitë nisën atëherë kur dhuna dhe e keqja arritën kulmin. Ashtu thuhet edhe në Kuran, kur dhuna dhe poshtërsitë e koptëve arritën kulmin, mbi ta filluan të bien fatkeqësi të shumta.

1. Tufani

Allahu i Madhëruar, lëshoi shira të furishëm dhe çdo vend e mbuloi uji. Aq, sa shtëpitë e koptëve u mbushën plot me ujë. Ata u zhytën në ujë deri në fyt dhe pothuajse do të shkatërroheshin komplet. Ndërkohë, siptinjëve, nuk po u ndodhte asgjë. Koptët, vrapuan menjëherë tek Musai (a.s.) dhe i thanë:

“O Musa! Lutju Zotit tënd, se nëse kjo fatkeqësi largohet, ne do të besojmë ty dhe do të lejojmë të shkoni së bashku me popullin tuaj!”

Musai (a.s.), u lut dhe ujërat u tërhoqën. Më pas filloi një begati e madhe. Mirëpo, koptët filluan sërish të tregohen të pabindur dhe thanë:

“Ky ujë, s’paska qenë dënim për ne, por veçse një e mirë! Fundja, kjo do të kalonte! Këto nuk ndodhën me lutjen e Musait!”

2. Karkalecat

Pas kësaj, Allahu i Madhëruar, dërgoi mbi ta tufa karkalecash. Këta karkaleca, hëngrën të gjitha bimët dhe të mbjellat, duke shkatërruar gjithçka që kishin. Mirëpo përsëri, vetëm bijtë e Izraelit nuk u dëmtuan. Koptët shkuan përsëri tek Musai (a.s.) dhe i thanë:

“O njeri i ditur! Lutu për ne, sepse edhe ne do ta pranojmë atë që ke sjellë dhe do të të besojmë!”

Musai (a.s.), u lut përsëri dhe tufat e karkalecave u larguan. Por, sapo koptët panë se fatkeqësia mbi ta u largua, ata nuk e mbajtën fjalën dhe filluan prapë të tregohen të pabindur.

3. Morri dhe pleshti

Atëherë, Allahu i Madhëruar u lëshoi morrat dhe pleshtat. Edhe kur hanin bukë, enët iu mbusheshin me morra e pleshta. Kjo, për ta ishte një e keqe e madhe. Prandaj, përsëri vrapuan tek Musai (a.s.), i cili përsëri u lut për ta dhe ata shpëtuan edhe asaj radhe. Mirëpo, prapë iu kthyen mosbindjes!

4. Bretkosat

Pasi edhe kësaj radhe nuk erdhën në rrugë të drejtë, Musai (a.s.), shkoi në lumin Nil dhe, sapo e preku ujin me shkop, të gjitha bretkosat dolën prej lumit dhe pushtuan Egjiptin! Çdo vend u mbush me bretkosa, madje edhe enët e ushqimit! Koptët shkuan përsëri tek Musai (a.s.) dhe i thanë:

“O i ditur! Tashmë me të vërtetë jemi penduar!”

Mirëpo, sapo u largua edhe kjo fatkeqësi në sajë të lutjes së Musait (a.s.), ata filluan të sillen përsëri si më parë.

5. Gjaku

Pasi koptët nuk u bindën në asnjë mënyrë, Allahu i Madhëruar, e ktheu ujin e Nilit në gjak. Njerëzit nuk po gjenin më ujë për të pirë. Kur bijtë e Izraelit pinin dhe përdornin ujin e Nilit, ai e ruante pastërtinë e tij. Ndërsa kur u afroheshin koptët, uji kthehej në gjak. Pas kësaj, koptët vrapuan përsëri tek Musai (a.s.) dhe iu përgjëruan. Allahu ua largoi edhe këtë fatkeqësi. Mirëpo, koptët gënjeshtarë dhe mosmirënjohës filluan prapë me poshtërsitë e tyre.

Mevlana Xhelaleddin Rumi, e përshkruan shumë bukur ndodhinë e kthimit të Nilit në gjak:

“Një kopt i përvëluar prej nxehtësisë, shkoi në shtëpinë e një siptiu:

Unë jam i afërm dhe miku yt! Sot kam nevojë të madhe për ty! Mbushe për vete një tas ujë prej Nili, që ky miku yt i vjetër të pijë ujë prej dorës tënde! Po ta mbushësh për vete, s’do të ketë më gjak në të, por do të jetë i pastër e i kulluar prej magjisë!”

Siptiu, për ta bërë koptin të kuptojë mrekullinë, mbushi një tas ujë në Nil. Siptiu piu deri në gjysëm dhe më pas ia zgjati ujin koptit:

– Eja, pi!- i tha.

Kopti i gëzuar, e çoi tasin në gojë. Mirëpo uji u kthye në gjak! Pas kësaj, siptiu e ktheu tasin nga vetja dhe uji u bë i kulluar! Kopti u nxeh shumë dhe u ul derisa i kaloi zemërimi. Pastaj iu kthye siptiut dhe i tha:

– O vëlla! Si zgjidhet kjo nyjë? Cila është e fshehta e kësaj gjëje?”

Siptiu tha:

– Ujin e pastër e të kthjelltë të Nilit mund ta pinë vetëm ata që i besojnë fesë së Musait. Nëse e lë rrugën e faraonit dhe hyn në rrugën e Musait, vetëm atëherë mund ta përdorësh ujin e mirë e të pastër të Nilit!

Më pas, siptiu vazhdoi ta këshillonte koptin me këto fjalë:

– Bëj paqe me hënën që ta shohësh dritën e saj! (me hënën nënkuptohet Musai, kurse me dritën e hënës, të vërtetat hyjnore.).

Urrejtja jote ndaj robërve të mirë të Allahut, të ka verbuar dhe shurdhuar, duke vënë mijëra perde midis teje dhe tyre! Ti vërtitesh verbërisht në luginën e mohimit dhe devijimit, pa mundur ta shohësh të vërtetën!

Shkrije me pendesë mohimin tënd sa një mal, që ta gjesh rrugën e drejtë! Atëherë, edhe ti do të mund të pish nga gota e atyre që kanë gjetur të vërtetën!

Nëse Allahu i Madhëruar e ka bërë haram ujin e Nilit për mohuesit, si mund të pish ti prej tij me hile apo duke më përdorur mua si ndërmjetës?

O kopt! E ku ka fuqi Nili të kundërshtojë urdhrin hyjnor, e të bëhet ujë i pastër për mohuesit?”

*

Sa herë që faraoni ndihej i shkatërruar prej të gjitha këtyre ngjarjeve, thoshte:

“«Më lini ta vras Musain e ai le ta thërrasë në ndihmë Zotin e vet. Unë vërtet druhem mos ai do t’jua ndryshojë fenë tuaj ose do të shkaktojë trazira në Tokë».” (Gafir, 26)

Kjo mënyrë e të folurit e faraonit, tregon se njerëzit e tij të afërt, e pengonin atë për të vrarë Musain (a.s.). Ata i thoshin:

“Ai nuk është dikush nga i cili duhet të kesh frikë! Ti je zot! Nëse e vret, do të hedhësh dyshim në zemrat e njerëzve! Të gjithë njerëzit do të mendojnë se ti je i pafuqishëm para mrekullive të Musait!”

Megjithatë, fjalët e faraonit tregojnë se sa frikë kishte ai prej Musait (a.s.)! Në të vërtetë, faraoni, në shpirt e pranonte se Musai (a.s.), ishte profet. Mirëpo, krenaria, mendjemadhësia dhe inati i verbër e pengonin të besonte. Përballë këtij qëndrimi të faraonit, Musai (a.s.), thoshte:

 “Unë i lutem Zotit Tim dhe Zotit tuaj për të më mbrojtur prej çdo mendjemadhi, që nuk beson në Ditën e Llogarisë!” (Gafir, 27)

Për këtë arsye, një pjesë e komentueseve të Kuranit, faktin që faraoni vazhdonte të kundërshtonte edhe pas gjithë këtyre mrekullive, e shpjegojnë me fjalët që shpreh Musai (a.s.), në lutjen e tij. Pra, mosbesimi në botën tjetër dhe mendjemadhësia e tepërt, janë faktorët më të rëndësishëm, të cilët e pengojnë njeriun të besojë. Kjo, sepse mendjemadhi kërkon që çdo njeri ta shohë poshtë vetes. Për këtë shkak, në hadithet fisnike, mendjemadhësia, përkufizohet si një gjynah i madh:

“Njeriut i mjafton si gjynah, përçmimi i vëllait të tij mysliman!” (Muslim, Birr, 32; Ebu Daud, Edeb, 35; Tirmidhi, Birr, 18.)

Ndërsa në një transmetim tjetër, thuhet:

“Nuk hyn në xhehenem ai, që në zemrën e tij ka besim, qoftë edhe sa një kokërr elbi. Dhe, nuk hyn në xhenet ai, që në zemrën e tij ka mendjemadhësi, qoftë edhe sa një kokërr elbi.” (Muslim, Iman, 147.)

Sa bukur e këshillon Lukmani (a.s.), djalin e tij në lidhje me mendjemadhësinë dhe mburrjen:

“Mos i trajto njerëzit me nënçmim dhe mos ec në tokë me mendjemadhësi, se Allahu nuk i do mendjemëdhenjtë e mburracakët!” (Lukman, 18)

Ndërsa në ajetin 37 të sures el-Isra, urdhërohet:

وَلَا تَمْشِ فِي الْأَرْضِ مَرَحًا إِنَّكَ لَن تَخْرِقَ الْأَرْضَ وَلَن تَبْلُغَ الْجِبَالَ طُولًا

“Mos ec në Tokë me mendjemadhësi, se ti, në të vërtetë, nuk mund ta çash tokën e as të arrish lartësinë e maleve.”

Allahu i Madhëruar, urtësinë e ndëshkimit të faraonit dhe të njerëzve të tij, të cilët kishin rënë në batakun e mburrjes dhe mendjemadhësisë, e shpreh me këto fjalë:

“Çdo argument që Ne u tregonim atyre, ishte më i madh se ai para tij. Prandaj Ne i dënonim ata me ndëshkim, që të ktheheshin (në rrugën e drejtë).” (Zuhruf, 48)

Populli i faraonit, në kohët e fatkeqësive të mëdha bëhej si qengj, kurse në ditët e qeta bëhej si ujk! Këto sjellje të paqëndrueshme dhe shkeljet e premtimeve nga ana e tyre,  Allahu i Madhëruar, i shpjegon në këtë mënyrë:

“E kur i godiste dënimi, ata thoshin: «O Musa, lutju Zotit tënd për ne, meqë ka besëlidhje me ty! Nëse na liron nga kjo vuajtje, patjetër që do të të besojmë ty dhe do t’i lëmë bijtë e Izraelit të ikin me ty».” (A’raf, 134)

“Ata i thoshin (Musait): «O magjistar! Lutju Zotit tënd për ne, ashtu sipas besëlidhjes tënde me Atë, sepse ne do të kthehemi në rrugë të drejtë!» Por, sapo ua largonim dënimin, ata e shkelnin premtimin.” (Zuhruf, 49-50)

 

Share.

Leave A Reply