Plakut i pëlqeu shumë  Musai (a.s.). Prandaj, deshi ta mbante pranë. Për këtë, mendoi një zgjidhje dhe, më në fund, i propozoi të martohej me vajzën e tij, Safuran. Mirëpo, Musai (a.s.), i tha:

“Unë nuk kam asnjë lloj pasurie. Si do të martohem?”

Pas këtyre fjalëve, plaku, i propozoi që ai të kujdesej tetë vjet për bagëtitë e tij, në këmbim të mehrit[1] që duhej të jepte për martesë. Por, nëse i plotësonte dhjetë vjet, do ishte më mirë.

(Plaku) Tha: «Unë dua të të jap për grua njërën prej këtyre dy bijave të mia, me kusht që të më shërbesh mua tetë vjet; por, nëse dëshiron, mund të qëndrosh dhjetë vjet. Unë nuk dëshiroj të t’i rëndoj gjërat. Ti do të shohësh, në dashtë Allahu, se jam një njeri i mirë.»

Musai tha: «Le të jetë kështu (kjo marrëveshje) midis meje dhe teje. Cilindo prej të dy afateve që të plotësoj, nuk do të jetë padrejtësi për mua. Allahu është Dëshmues për atë që folëm.»” (Kasas, 27-28)

Në këtë ajet fisnik, tërhiqet vëmendja në një çështje, me të cilën përballemi shpesh në jetën shoqërore. Dhe kjo, është marrëveshja në çështje të ndryshme. Plaku dhe Musai (a.s.), folën hapur që në fillim dhe vendosën disa rregulla në lidhje me një marrëveshje, duke sqaruar të gjitha çështjet e mundshme me të cilat mund të përballen në të ardhmen. Ndërsa në përfundim të aktmarrëveshjes, ata mbështeten tek Allahu i Madhëruar, duke e marrë Atë si dëshmitar të fjalëve të tyre.

*

Sipas marrëveshjes që bënë, Musai (a.s.), filloi të shërbejë si bari i bagëtive të plakut. Puna e bariut, ka qenë profesioni i pothuajse të gjithë profetëve. Në këtë mënyrë, Allahu i Madhëruar, para se t’u jepte detyrën e kumtesës profetike, i ka pajisur profetët me disa cilësi të domosdoshme për të administruar.

Kur u plotësuan tetë vjet, plaku ia dhuroi dhentë dhëndrit dhe të bijës. Por, Musai (a.s.), vazhdoi detyrën e tij gjer në vitin e dhjetë. Në përgjithësi, qengjat laramanë, të cilët ishin shumë të preferuar, lindnin rrallë. Mirëpo, në vitin e dhjetë, gjendja ndryshoi dhe të gjitha delet lindën qengja binjakë dhe laramanë.

Për këtë arsye, plaku i moçëm tha:

“Kjo është dhuratë e Allahut për familjen e Musait!”

Kthimi në Egjipt dhe lugina Tuva

“Kur Musai e plotësoi afatin e caktuar dhe u nis me familjen e vet, vuri re nga larg një zjarr në anën e (malit të) Turit. I tha familjes së vet: «Pritni, sepse kam parë një zjarr. Ndoshta mund t’ju sjell prej tij ndonjë lajm ose një urë zjarri për t’u nxehur».” (Kasas, 29)

Me mbarimin e afatit, Musai (a.s.), mori familjen e tij dhe bagëtitë që i kishte dhënë vjehrri dhe doli për udhë, që sipas shumë komentuesve të Kuranit, ishte drejt Egjiptit. Sipas këtyre dijetarëve, Musain (a.s.), e kishte marrë malli për familjen e tij që gjendej në Egjipt dhe donte t’i takonte fshehurazi.

Kur dolën për udhë, bënte ftohtë dhe binte shi i madh. Çdo anë ishte zhytur në një errësirë të thellë. Për rrjedhojë ata humbën rrugën dhe u strehuan në një shpellë pranë malit Tur, për të kaluar natën. Në këtë natë të ftohtë dhe të errët, ata kishin nevojë për ngrohje dhe dritë. Musai (a.s.), provoi të ndizte zjarr me gurë stralli, por nuk ia arriti dot. Mes këtyre vështirësive që po përjetonin, Musai (a.s.), pa një dritë zjarri që shkëlqente diku larg. Prandaj ai e porositi familjen të qëndronte aty ku gjendeshin, sepse vetë do të shkonte tek ajo dritë për të marrë ndonjë lajm ose zjarr për t’u ngrohur.

(O i Dërguar) A e ke dëgjuar historinë e Musait?

Kur pa një zjarr, i tha familjes së vet: «Rrini këtu, sepse pashë një zjarr! Ndoshta mund t’ju sjell një urë të ndezur ose të gjej pranë tij ndonjë udhërrëfyes».” (Ta-Ha, 9-10)

Musai (a.s.), u nis drejt dritës dhe, kur arriti atje, pa një dru të gjelbër që digjej.

“Kur u afrua, një zë e thirri nga ana e djathtë e luginës, nga një pemë në një vend të bekuar: «O Musa, në të vërtetë, Unë jam Allahu, Zoti i botëve!»” (Kasas, 30)

“Kur arriti te zjarri, një zë e thirri: «O Musa! Në të vërtetë, Unë jam Zoti yt! Prandaj, hiqi nallanet, sepse ndodhesh në luginën e shenjtë të Tuvasë. Unë të kam zgjedhur ty, prandaj dëgjo atë që po të shpallet! Me të vërtetë, Unë jam Allahu, s’ka zot tjetër përveç Meje, prandaj, vetëm Mua më adhuro dhe kryej faljen për të më kujtuar Mua!

Ora (e Kiametit) do të vijë me siguri, por Unë e mbaj tepër të fshehur, që secili të shpërblehet për atë që ka bërë. Prandaj, mos e lejo atë që nuk beson në të (Ditën e Kiametit) dhe që jepet pas epsheve të veta, të të nxjerrë (nga rruga e drejtë), përndryshe do të humbisje.»” (Ta-Ha, 11-16)

Shprehja “hiqi nallanet”, që përmendet në ajet, për shumë komentues të Kuranit, ka kuptimin e respektimit të vendit ku po shkelet, sepse ai ishte një vend i shenjtë. Ashtu siç hiqen këpucët apo sandalet kur hyhet në Qaben e shenjtë, ashtu hiqen edhe në vendet e tjera, të cilat Allahu i ka shpallur të tilla.

 

[1] – Mehir: Sipas ligjeve të Allahut, burri duhet t’i japë gruas me të cilën do të martohet, një sasi paraje ose malli, të cilën e përcakton gruaja ose kujdestari i saj.

Share.

Leave A Reply