Pasi krijoi Ademin (a.s.), Allahu i Madhëruar, i urdhëroi melekët t’i përulen Ademit (a.s.), në sexhde. Për shkak se Iblisi, i cili ishte prej xhindëve, kishte gradë të lartë tek Allahu, ai ndodhej midis melekëve. Për rrjedhojë, urdhri i sexhdes e përfshinte edhe atë, si një sprovë e Allahut për të. Por, ai kundërshtoi dhe nuk iu bind urdhrit të Allahut të Madhëruar:

“Kur u thamë melekëve: «Përuluni në sexhde para Ademit», ata u përulën, përveç Iblisit, i cili nuk deshi, u tregua mendjemadh dhe u bë jobesimtar!” (Bekare, 34)

“Allahu tha: «Çfarë të pengoi ty të mos përuleshe, kur të urdhërova?..»” (A’raf, 12)

Urdhërimi i melekëve për t’i bërë sexhde Ademit, në asnjë mënyrë nuk nënkupton adhurimin. Ky urdhër nënkuptonte domosdoshmërinë e çuarjes në vend të urdhrit të Zotit, sepse, megjithëse kjo sexhde i bëhej Ademit, bindja dhe adhurimi esencial i saj i përkisnin Zotit.

*

Mosbindja që tregoi Iblisi në lidhje me urdhrin e sexhdes ndaj Ademit (a.s.), përsëritet shpesh në Kuran. Mirëpo, në një nga këto përsëritje, tregohen shkaqe të ndryshme të këtij qëndrimi të Iblisit. Dhe, në lidhje me këtë, tërhiqet vëmendja ndaj hileve dhe kurtheve të tij.

Për shembull, në ajetet 11 dhe 12 të sures A’raf, Iblisi, i cili më parë gjendej midis melekëve dhe gëzonte shumë mirësi, e konsideroi këtë shkak të epërsisë së vet dhe i doli kundër urdhrit hyjnor. Prandaj dhe nuk i bëri sexhde Ademit (a.s.).

Në ajetin 116 të sures Ta-Ha, tregohet se, shejtani (Iblisi), është armik Ademit (a.s.), nënës sonë Hava dhe i besimtarëve. Dhe, si rezultat i mashtrimit të shejtanit, Ademi (a.s.), gaboi. Për rrjedhojë, ai u privua nga xheneti dhe nga mirësitë që ndodhen në të, duke u zbritur në tokë, e cila është vendi i vështirësive dhe vuajtjeve. Në të njëjtën mënyrë, thuhet se, kush mashtrohet nga shejtani edhe në jetën e kësaj bote, ai do të përballet me shumë vuajtje e vështirësi.

Ndërsa në ajetin 61 të sures Isra, tregohet për sprovën e shejtanit me sexhden ndaj Ademit (a.s.), gjë e cila e shtoi mohimin dhe devijimin e tij. Kjo, sepse duke kundërshtuar Allahun, shejtani nguli këmbë në mosbindje, gjë e cila u bë shkak i mbylljes së derës së pendimit për të. Mirëpo, pasi Ademi (a.s.), u dëbua nga xheneti, gjynahun që bëri, ia atribuoi vetes dhe u drejtua menjëherë tek dera e pendimit, gjë e cila u bë shkak për faljen e tij.

Në ajetin 50 të sures Kehf, Allahu i Madhëruar vë para njerëzve dy zgjedhje. Njëra është rruga që zgjodhën melekët, të cilët iu bindën urdhrit të Zotit të tyre dhe tjetra është rruga që ndoqi shejtani dhe pasardhësit e tij, të cilët e kundërshtuan urdhrin e Tij. Allahu i Madhëruar, kërkon prej nesh që të bëjmë dallimin midis rrugës së mikut dhe asaj të armikut dhe të zgjedhim rrugën e mikut.

Ndërsa në ajetin 34 të sures Bekare, tregohet mendjemadhësia e shejtanit, i cili fundoset në batakun e injorancës dhe mohimit për shkak se e shumëzon me zero dijen e Allahut, i Cili di gjithçka në mënyrë absolute.

Fakti që shejtani nuk ra në sexhde para Ademit (a.s.), ishte shenjë e një mendjemadhësie të fshehtë në personalitetin e tij. Në fakt, për shkak të dijes që zotëronte, ai qëndronte në mesin e melekëve. Për rrjedhojë, gëzonte edhe pozitë të lartë. Dhe, për shkak të diturisë që zotëronte, atij iu rrit mendja dhe nuk pranoi t’i bënte sexhde Ademit (a.s.). Prej këtij fakti, kuptohet se ndonjëherë, dituria dhe pozita nxisin ndjenjën e egoizmit tek njeriu dhe mund ta çojnë atë në humbje të madhe. Prandaj, mund të thuhet se, dituria nuk mjafton për t’u treguar i bindur ndaj Allahut.

Shejtani, ishte prej grupit të xhindëve të krijuar prej flakës së shndritshme e pa tym. Duke u nisur nga kjo, ai bëri me mend një analogji mbi të cilën ngriti pretendimin se flaka e shndritshme e pa tym është superiore ndaj argjilës me të cilën qe krijuar Ademi (a.s.). Sepse atë e mundonte në vetvete iluzioni i qenies së nderuar. Ky fakt, pra, ky mentalitet, tregon se mendja (dija) është e pamjaftueshme për ta rrokur të vërtetën.

Kështu, shejtani i drejtohet Allahut dhe i thotë:

 “…Unë jam më i mirë se ai. Mua më krijove nga zjarri, kurse atë e krijove nga balta”. (A’raf, 12)

Shejtani pa anën prej balte të Ademit (a.s.), por nuk mundi të shihte lartësinë e tij. Ai e pa baltën që i përket kësaj bote, por u tregua i verbër ndaj aspektit shpirtëror që i përket botës tjetër. Ajo çka s’njihte shejtani, ishte pozita e Ademit (a.s.), si “mëkëmbës i Zotit”, sepse ai e kishte vlerësuar Ademin me syrin e egos së vet. Kështu, njohja e tij nuk e kishte kapërcyer dot përbërjen materiale të Ademit (a.s.). Shejtani, këtë kriter e kishte marrë jo prej Zotit, por prej egos së vet. Prandaj edhe veproi në mënyrë subjektive dhe u çorientua. Shejtani, i cili gjer në atë çast nuk ishte përballur me ndonjë sprovë, e cila mund t’i vinte rëndë egos së tij, siç ishte “përulja në sexhde para Ademit”, nuk mundi ta kuptonte as urtësinë hyjnore. Për rrjedhojë, ai u rrëmbye në vorbullën e egos së vet dhe kundërshtoi urdhrin e Allahut!

Melekët dhe xhindët e tjerë që i bënë sexhde Ademit (a.s.), panë se Iblisi, i cili nuk iu bind urdhrit të Allahut, kishte rënë në një gjendje të keqe. Për këtë arsye, për të falënderuar mirësinë e “mundësisë së bindjes ndaj Allahut”, ranë përsëri në sexhde.

Shejtani iu shmang sexhdes ndaj Ademit (a.s.), nga frika e humbjes së epërsisë para tij, duke iu nënshtruar egos së vet të shfrenuar. Mirëpo, me këtë qëndrim ai ra në një gjendje më të keqe nga ajo që kishte frikë.

Ai u dëbua në mënyrë të dhimbshme prej mëshirës hyjnore. Dhe, duke u dëbuar prej mesit të melekëve, ku më parë kishte pozitë të lartë, ai u gremis në gropën e turpit dhe poshtërimit!..

Lidhur me kundërshtimin e shejtanit:

“Allahu tha: “Atëherë, dil prej Xhenetit! Ti je vërtet i mallkuar! Le të jetë mallkimi mbi ty deri në Ditën e Kiametit!” (Hixhr, 34-35)

Kështu, shejtani, duke pretenduar për epërsi ndaj Ademit (a.s.), humbi edhe vendin që gëzonte mes melekëve. Pas kësaj, duke u shqetësuar për jetën e vet, ai iu lut Zotit:

“Zoti im, më jep afat deri në ditën kur ata do të ringjallen!” (Hixhr, 36)

Pas kësaj, atij iu dha leje, si një vullnet hyjnor:

“Zoti tha: “Sigurisht që do të të jepet afat deri në një ditë të caktuar!” (Hixhr, 37-38)

Për shkak se të gjithë njerëzit deri në Ditën e Kiametit do të vijnë në sajë të Ademit (a.s.), tek të gjithë ka një pjesë prej respektit që gëzonte ai. Megjithatë, është fakt se ashtu si Ademi (a.s.), u përball me armiqësinë e shejtanit, ashtu edhe të gjithë njerëzit janë objekt i armiqësisë së tij, sepse për të sprovuar njeriun, kërkohej një nxitës si shejtani, i cili do nxirrte në shesh të gjitha prirjet që zotëronte egoja njerëzore.

Ndodhia e famshme e pemës së ndaluar, ishte e domosdoshme, sepse në sajë të kësaj shejtani do të nxirrte në shesh prirjet e egos njerëzore. Për rrjedhojë, shejtani i ngarkuar me detyrën për të devijuar njeriun, nxit dhe gjallëron dëshirat trupore-egoistike të njerëzimit, duke u bërë pengesë për ngritjen e tij shpirtërore.

Ja, pra, me këtë urtësi, Allahu i ka dhënë afat shejtanit deri në Ditën e Ringjalljes. Përkundër kësaj, Allahu ua ka lënë hapur derën e pendesës njerëzve deri në çastin e vdekjes!

Mirëpo, shejtani, duke ndjerë një siguri në vetvete pas këtij premtimi, filloi t’ia atribuojë Zotit shkakun e revoltës së tij, duke thënë:

“Ai tha: «Për shkak se Ti më flake tej, unë do t’u zë pritë njerëzve në rrugën Tënde të drejtë e do t’u qasem atyre nga përpara dhe nga mbrapa, nga e djathta dhe nga e majta, e kështu Ti do të vëresh se shumica prej tyre nuk të janë mirënjohës!»” (A’raf, 16-17)

قَالَ رَبِّ بِمَا أَغْوَيْتَنِي لَأُزَيِّنَنَّ لَهُمْ فِي الْأَرْضِ وَلَأُغْوِيَنَّهُمْ أَجْمَعِينَ إِلَّا عِبَادَكَ مِنْهُمُ الْمُخْلَصِينَ

“Iblisi tha: «Zoti im, për shkak se më çove në humbje, unë do t’ju zbukuroj atyre (njerëzve) rrugën e gabuar në Tokë dhe të gjithë do t’i shpie në mashtrim, përveç robërve të Tu të sinqertë».” (Hixhr, 39-40)

Ndërsa Allahu i Madhëruar, me qëllim që t’i njoftojë robërit e Tij se si të shpëtojnë prej sherrit të shejtanit, urdhëron në ajetet që vazhdojnë:

(Allahu) tha: «Kjo është rruga Ime e drejtë. Në të vërtetë, ti nuk do të kesh pushtet mbi robërit e Mi, përveçse mbi të humburit, që të pasojnë ty.»” (Hixhr, 41- 42)

 

Share.

Leave A Reply