Besimtarët që duan të arrijnë lumturinë e kësaj bote dhe të botës tjetër, janë të detyruar t’i përdorin jetën, pasuritë dhe të gjitha mirësitë që ua ka falur Allahu, për qëllime të larta dhe për të arritur shpërblime të mëdha. Për një njeri që mendon vdekjen dhe përtej saj, nuk mund të ketë synim dhe qëllim tjetër  më të rëndësishëm veç dëshirës së arritjes së kënaqësisë së Allahut.

Në Kuranin Fisnik urdhërohet:

“Ju, me siguri, do të sprovoheni në pasurinë e në jetën tuaj!..” (Al-Imran, 186)

Për këtë arsye, përdorimi i mirësive pa asnjë qëllim, e çon njeriun në humbje dhe disfatë.

Në një ajet fisnik urdhërohet:

“Atë ditë, askush nuk do ketë dobi, as prej pasurisë, as prej fëmijëve. Përveç atij që vjen tek Allahu me zemër të pastër!” (Shuara, 88-89)

Nëse mirësitë që i jepen njeriut, përdoren me indiferentizëm dhe injorancë, shfaqen probleme, si tek individi, ashtu edhe tek shoqëria. Por, nëse njeriu gëzon zemër të pastër dhe vepron sipas saj, ai do ta gjejë veten në xhenetin e kësaj bote. Në këtë mënyrë, edhe në shoqëri do të mbizotërojë qetësia dhe lumturia.

Ebu Said el-Hudri (r.a.), transmeton:

Një ditë, një beduin e pyet të Dërguarin e Allahut (a.s.):

“O i Dërguar i Allahut, kush është njeri i dobishëm?”

Profeti (a.s.), përgjigjet:

“Ai që lufton me jetën dhe pasurinë e tij në rrugë të Allahut!” (Buhari, Xhihad 2; Rikak 34.)

Sa i bukur është shembulli i sahabit, Mus’ab bin Umejrit (radijallahu anhu):

Ndërkohë që Mus’ab bin Umejri (r.a.), kishte mundësi të mira materiale në Mekë, ai i refuzoi ato dhe u bë mysliman në moshë të re. Prindërit e tij e kërcënuan se do ta privonin edhe prej trashëgimisë. Mirëpo, ai nuk hoqi dorë nga Islami dhe, ashtu i varfër e i vetëm, emigroi në Medine.

Ai ra dëshmor në luftën e Uhudit, duke mbrojtur Profetin (alejhisselam), prej armiqve. Pasi bie dëshmor, një prej melekëve që Allahu i Madhëruar kishte dërguar në ndihmë të besimtarëve, u shfaq në pamjen e Mus’abit (r.a.) dhe mori flamurin që e kishte mbajtur ai në dorë. Profeti (a.s.), i cili ende nuk e dinte se ai kishte rënë dëshmor, i drejtohet flamurtarit dhe e urdhëron:

“Tekadem, ja Mus’ab!”, “Shko para, o Mus’ab!”

Kur meleku dëgjoi këto fjalë, pa drejt Profetit (a.s.), i cili e kuptoi menjëherë se ai ishte një melek dhe se Mus’abi kishte rënë dëshmor! Trupi i Mus’abit (r.a.), gjendet pas betejës. Mirëpo, për ta qefinosur trupin e tij të bekuar nuk u gjend asnjë copë beze.

Mus’ab bin Umejri (r.a.), është një nga personat e zgjedhur që lavdërohen në Kuran me ajetin e mëposhtëm:

“Midis besimtarëve ka të atillë, që e kanë mbajtur besëlidhjen me Allahun. Disa prej tyre kanë dhënë jetën…” (Ahzab, 23)

Gjithashtu, Allahu i Madhëruar urdhëron:

“Në të vërtetë, Allahu ka blerë nga besimtarët jetën dhe pasurinë e tyre, në këmbim të Xhenetit. Ata luftojnë në rrugën e Allahut, vrasin dhe vriten. (Ky është) premtimi i Tij i vërtetë në Teurat, Ungjill dhe Kuran. E kush i përmbahet besëlidhjes më fort se Allahu? Andaj, gëzojuni kësaj tregtie! Kjo është fitorja madhështore.” (Tevbe, 111)

Shkaku i zbritjes së këtij ajeti, shpjegohet kështu në komentimet e Kuranit:

Në “Besatimin e Dytë të Akabes”, ku shtatëdhjetë veta i dhanë besën Profetit (a.s.), Abdullah bin Revaha (r.a.), ka thënë:

“O i Dërguar i Allahut! Ti mund të na vësh çdo kusht që të duash për veten dhe Zotin tënd!”

Profeti (a.s.), tha:

“Kushtet për Zotin tim, janë: ta adhuroni Atë dhe të mos i shoqëroni Atij asnjë ortak (shok). Kurse kushti në lidhje me mua, është: të më mbroni ashtu siç mbroni edhe jetën dhe pasurinë tuaj!”

Sahabët fisnikë, pyetën:

“Nëse veprojmë kështu, cili është shpërblimi ynë?”

“Xhenneti!” – u përgjigj Profeti (a.s.).

“Çfarë tregtie fitimprurëse! Ne as e prishim këtë marrëveshje, as duam që të prishet!” –thanë ata. (Ibn Kethir, Tefsir, II, 406.)

Kjo është jeta e sahabëve; sa shembull i lartë i luftës për hir të Allahut është për ne! Ata i ndërtuan personalitetet e tyre me bukuritë që reflektoheshin prej thellësive të zemrës së Profetit të Allahut, (a.s.). Gjithashtu, ata u zbukuruan me frymëzimin shpirtëror të Profetit (a.s.), sipas gradave të tyre shpirtërore.

Sa ta tërheq vëmendjen fakti se, në Haxhin e Lamtumirës, kanë qenë të pranishëm rreth 120 mijë sahabë. Mirëpo, prej gjithë këtyre sahabëve, vetëm 20 mijë ndodhen të varrosur në Mekë dhe Medine. Kjo do të thotë se, rreth 100 mijë sahabët e tjerë, janë shpërndarë në të katër anët e botës për të lartësuar Islamin dhe fjalën e Zotit! Dhe, vendi i fundit ku kanë mundur të arrijnë, ka qenë edhe vendi ku janë varrosur.

Ata kurrë nuk u tërhoqën nga shpenzimi i pasurive dhe flijimi i jetëve të tyre në rrugën e besimit dhe të virtytit! Sa herë që Profeti (a.s.), u qe drejtuar për ndihmë për hir të fesë, ata kanë shpalosur para tij, të gjitha pasuritë dhe mundësitë që kishin. Gratë e tyre hoqën vathët, byzylykët dhe gjerdanët e tyre, duke i dhuruar ato me gjithë zemër.

– Sumejje (radijallahu anha), flijoi jetën e saj për Islamin, duke u bërë dëshmorja e parë në Islam.

– Motra e Aishes (r.anha.), Esmaja (r.anha), vitet e fundit të jetës ishte verbuar dhe nuk shihte. Djali i saj do të dilte në luftë në rrugën e Zotit dhe kishte veshur një parzmore. Kur Esmaja (r.anha), hodhi dorën e saj mbi trupin e të birit, e kuptoi se ai kishte veshur parzmore. Për këtë arsye, i tha:

“O bir, edhe ti paske veshur parzmore si frikacakët? Hiqe atë!”

– Hansa (r.anha), kishte dhënë katër djemtë e saj dëshmorë në luftën e Kadithijes. Mirëpo, ajo jo vetëm që s’ishte hidhëruar, por ishte krenare se kishte dhënë katër dëshmorë në rrugën e Zotit dhe për këtë falënderonte Allahun.

– Familja e Osmanit (r.a.), dhuroi të gjithë xhevahirët në rrugën e Allahut.

– Kur Omer bin Abdulazizi u bë kalif, e shoqja dhuroi gjithë pasurinë e saj për thesarin e shtetit.

Ja pra, këta janë disa prej personaliteteve të veçanta, të cilët kanë dhuruar gjithçka që kanë pasur e nuk kanë pasur, në rrugën e Allahut.

Gjithashtu, edhe në ditët e vështira të Fushatës së Tebukut, gratë sahabe, sollën dhe vunë para Profetit të gjitha sendet e tyre me vlerë. Madje, një vajzë njëmbëdhjetëvjeçare, e lëndoi veshin e saj, sepse nuk po i hiqte dot vathët që ia kishin vënë qysh në vogëli. Pastaj, i mori vathët të gjakosura dhe i vuri përpara Profetit (a.s.).

*

Në ajetin 103 të sures “et-Teube” urdhërohet:

“Merr sadaka nga pasuria e tyre, me qëllim t’i pastrosh ata dhe t’ua rrisësh veprat e mira! Lutu për ta, sepse lutja jote është vërtet qetësim për ata. Allahu dëgjon dhe di gjithçka.”

Sapo zbriti urdhri; “Merr sadaka nga pasuria e tyre”, midis sahabëve, filloi një fushatë për mbledhjen e pasurisë dhe të gjithë vunë para Profetit (a.s.) gjithçka që kishin. Edhe ata që nuk kishin asgjë për të dhënë, shkuan në pyll, bënë dru dhe fitimet që morën nga shitja e tyre, ia dhanë Profetit (a.s.). Ata nuk i shpenzuan mundësitë e tyre materiale e shpirtërore për kënaqësitë kalimtare të kësaj bote dhe e shpëtuan veten nga varfëria në botën tjetër. Ata jetuan me vetëdijen se, malli dhe pasuria i përkasin Zotit dhe se njeriu është vetëm ruajtësi i tyre për një kohë të caktuar. Ditët e shkurtra të jetës së tyre, i kaluan duke punuar për jetën e pafundme të botës tjetër.

Njëherë, ndërkohë që po mblidheshin ndihma për ushtrinë e cila do të shkonte në fushatën ushtarake të Tebukut, një person prej Ensarëve, Ebu Akil (r.a.), solli rreth pesë kilogram hurma. Në fakt, ai kishte nevojë për to, më shumë se çdokush tjetër. Ai shkoi tek Profeti (a.s.) dhe i tha:

“O i Dërguar i Allahut! Punova gjithë natën duke bartur ujë në kurriz, për dhjetë kilogram hurma. Gjysmën e tyre e ndava për nevojat e shtëpisë time dhe gjysmën tjetër ta solla ty për të fituar kënaqësinë e Zotit tim!” I Dërguari i Allahut (a.s.), i tha:

“Allahu e begatoftë edhe atë që dhe, edhe atë që ndave për vete!”. Pastaj i tha që hurmat që solli, t’i vendoste pranë ndihmave që ishin mbledhur. (Taberi, Tefsir X, 251.)

Ukbe bin Amr (r.a.), thotë:

“Kur zbriti ajeti i sadakasë, filluam të dhuronim nga të ardhurat që fitonim prej punës në mbartjen e ngarkesave. Ndërkohë, erdhi një njeri dhe dhuroi shumë sadaka. Dyfytyrëshit, thanë: “Kërkon të duket!”. Erdhi një tjetër dhe dhuroi rreth pesë kg hurma. Dyfytyrëshit, u hodhën përsëri e thanë: “Allahu nuk ka nevojë për këto pesë kg hurmat e këtij.” (Buhari, Zekat, 10; Muslim, Zekat, 72.) Për këtë arsye, zbriti ajeti 79 i sures et-Teube, ku urdhërohet:

“Sa për ata (hipokritët) që përqeshin dhe tallen me besimtarët, të cilët japin sadaka me vullnet dhe me ata që nuk janë në gjendje të japin gjë përveç (fryteve të) punës së tyre, Allahu do të tallet me ta. Ata do të kenë dënim të dhembshëm.”

Ata që i përdorin jetët, pasuritë dhe mirësitë që u janë dhënë, në mënyrë moskokëçarëse dhe në rrugën e dëshirave e të egos, Allahu i Madhëruar, do t’i pyes: “A nuk të erdhi i Dërguari Im dhe t’i shpjegoi të vërtetat? A nuk të dhashë pasuri e të fala prej mirësive të Mia? Po ti, çfarë ke përgatitur për veten tënde sot?” Njeriu, do të hedhë shikimin djathtas e majtas, por nuk do të gjejë askënd! Do të shohë para vetes, e s’do t’i zërë syri gjë tjetër veç Xhehenemit…

Ata që nuk i llogarisin ditët e jetuara, nuk do të mund të shpëtojnë nga ndëshkimi i atyre ditëve të kaluara në shkujdesje e indiferentizëm. Ata që nuk e kanë fituar kënaqësinë e Allahut në këtë botë, i pret një jetë e frikshme pas vdekjes. Sytë e mbyllur pa besim dhe në indiferentizëm, do të hapen në mbrëmjen e frikshme të varrit.

Në një ajet fisnik, Allahu i Madhëruar, i paralajmëron kështu robërit e Tij:

وَلْتَكُن مِّنكُمْ أُمَّةٌ يَدْعُونَ إِلَى الْخَيْرِ وَيَأْمُرُونَ بِالْمَعْرُوفِ وَيَنْهَوْنَ عَنِ الْمُنكَرِ ۚ وَأُولَـٰئِكَ هُمُ الْمُفْلِحُونَ

“Le të dalë prej jush një grup që të thërrasë në mirësi, të urdhërojë për vepra të mira e të ndalojë prej veprave të shëmtuara! Këta njerëz do të jenë të shpëtuarit.!” (Al-i Imran, 104)

Në këtë ajet, kuptohet qartë se, gjithmonë duhet të ketë ftues, të cilët do të kumtojnë fenë. Në fillim, feja është përhapur në sajë të thirrësve të besimit, prej sahabëve të nderuar. Pas tyre, ka vazhduar të përhapet në sajë të pasuesve të tyre, të dijetarëve të vërtetë, të luftëtarëve trima dhe njerëzve të urtë, të cilët kanë ecur me vendosmëri në këtë rrugë!

Lidhur me këtë çështje, edhe Profeti ynë (a.s.), na ka porositur me këto fjalë:

“Kush nga ju sheh një të keqe, le ta korrigjojë atë me dorën e tij. Nëse nuk ka mundësi për këtë, atëherë le ta bëjë me fjalën e tij. E, nëse nuk ka mundësi as për këtë, atëherë le ta urrejë me zemrën e tij. Mirëpo, kjo është gjendja më e dobët e besimit.” (Muslim, Iman, 78.)

Mirësia më e madhe, është takuaja (devotshmëria). Dita më e mirë për të dashurit e Allahut, është ajo që është më e mirë se e djeshmja. Ashtu siç biem në gjumë, do të vdesim; ashtu siç zgjohemi nga gjumi, do të ringjallemi dhe do të japim llogari për punët tona! Shpëtimi dhe pozitat e larta në botën tjetër, do të jenë vetëm për të devotshmit. Gjithçka rrjedh drejt Allahut në këtë univers ku të gjitha krijesat përmendin vetëm Atë. Dhe, po ashtu edhe kthimi do të jetë vetëm tek Ai.

 

Share.

Leave A Reply