Pasi Musai (a.s.), bashkë me popullin e tij dolën prej Egjiptit dhe shpëtuan prej armikut, ai i tha popullit të tij se do të sillte një libër. Më pas, lë zëvendës vëllain e tij Harunin (a.s.), duke i thënë:

“Ti merru me përmirësimin e gabimeve të këtyre! Ndërsa unë, me urdhër të Zotit tim, po shkoj në malin Tur. Prej andej, do të kthehem me një libër që do të më zbritet prej Zotit tim!”

Mirëpo, populli mosmirënjohës i thotë Musait (a.s.):

“Ne duam bashkë me ty të ketë edhe dëshmitarë prej nesh!”

Për këtë arsye, zgjodhën shtatëdhjetë vetë nga mesi i tyre dhe së bashku shkuan në malin Tur.

Musai (a.s.), iu lut Allahut për “Librin”, që i ishte premtuar. Ndërsa Allahu i Madhëruar, e urdhëroi të mbante tridhjetë ditë agjërim. Këto janë tridhjetë ditët e muajit Dhilkade, muajit të njëmbëdhjetë të kalendarit hënor. Më pas, duke vazhduar edhe me dhjetë ditët e para të muajit Dhilhixhe, ky agjërim u mbajt dyzet ditë. Në këtë mënyrë, Musait (a.s.), iu dha Libri dhe iu caktua detyra e udhëzimit të popullit të vet në rrugë të drejtë.

Allahu i Madhëruar, urdhëron:

“Ne i premtuam Musait se do t’i flisnim pas tridhjetë netësh, të cilat ia shtuam edhe me dhjetë të tjera…” (A’raf, 142)

Musai (a.s.), ishte ftuar në malin Tur-i Sina për dyzet ditë adhurim të gjithanshëm me qëllim që të fitonte pjekurinë e nevojshme për detyrën me të cilën ishte ngarkuar. Gjatë këtyre dyzet ditëve, Musai (a.s.), do të përgatitej për t’u takuar me Zotin. Ne malin Tur-i Sina, ai bëri një jetë larg njerëzve, me qëllim që të largohej prej angazhimeve të kësaj bote, të zhytej në heshtjen e qiejve dhe, në fund, duke arritur Krijuesin Madhështor, të humbte në oqeanin e bashkimit me Të. Kjo, sepse ai kishte nevojë të ndriçonte shpirtin e tij!

Me sa kuptohet, në tridhjetë ditët e para të agjërimit, Musai (a.s.), është lutur dhe ka medituar, me qëllim të pastrimit dhe ndriçimit shpirtëror. Ndërsa në ditët në vijim, ka ndodhur bisedimi me Zotin dhe zbritja e Teuratit (Testamentit të Vjetër). Domethënë se brenda kësaj kohe prej dyzet ditësh,  Musai (a.s.) është lartësuar në një nivel të tillë shpirtëror, që të mund të pranojë shpalljen hyjnore.

Arsyeja që Kurani nuk përdor shprehjen për “dyzet ditë”, por për “dyzet net”, është se dalja e hënës dhe fillimi i ditës (24 orëshit), bëhet natën. Përveç kësaj, në krahasim me ditën, nata ka cilësi të posaçme vetëm për të. Zbritja e Kuranit nga Levhi Mahfudh në qiellin e tokës ka ndodhur natën; Profeti ynë (a.s.), në miraxh është ngritur natën. Madje edhe shpalljet, në përgjithësi i kanë ardhur natën.

Me qëllim që njerëzit e përkushtuar në rrugën e Zotit të mund të arrijnë një mëngjes afiniteti hyjnor, u duhet të kalojnë net të errëta plot mundim dhe vuajtje. Për shkak se frymëzimi dhe begatia hyjnore, në përgjithësi shfaqen gjatë natës, të gjitha mëngjeset e suksesit, pasojnë agimin e netëve plot vuajtje.

Në tefsirin e Ibn Kethirit, thuhet: “Komentuesit e Kuranit, thonë se Musai (a.s.), në Malin Tur-i Sina agjëroi tridhjetë ditë rresht dhe më pas i pastroi dhëmbët me një lëvore peme. Mirëpo, më pas Allahu i Madhëruar, e urdhëroi që ai të shtojë edhe dhjetë ditë të tjera…”

Për shkak se Allahu i Madhëruar i ka folur Musait (a.s.), ai është quajtur “Kelimullah”. Mirëpo, mënyra dhe forma se si i ka folur Allahu Musait (a.s.), është e panjohur. Megjithatë, dihet se asnjë prej atributeve të Allahut nuk u përngjet atributeve njerëzore. Ai di dhe kjo dije nuk është si dija jonë. Ai ka fuqi dhe kjo fuqi nuk i përngjet fuqisë sonë. Ai flet dhe kjo e folur nuk i përngjet të folurës sonë, nuk ka të bëjë me tinguj e mjete për prodhimin e tyre. Tingujt janë gjëra të krijuara, kurse fjala e Zotit nuk është krijesë. Allahu i Madhëruar, urdhëron:

“…Sa i takon Musait, Allahu i ka folur atij drejtpërdrejt.” (Nisa, 164)

Urdhri për luftë dhe shkretëtira Tih

“Kujto kur Musai i tha popullit të vet: «O populli im! Kujtoni mirësinë e Allahut ndaj jush, kur prej jush bëri profetë, bëri sundimtarë dhe ju dha atë që nuk ia kishte dhënë asnjë populli para jush!»” (Maide, 20)

Këto ajete, janë në lidhje me bijtë e Izraelit në kohën e Musait (a.s.). Prandaj, edhe dhënia e mirësive, të cilat nuk u ishin dhënë askujt tjetër para tyre, edhe përcaktimi i tokës së shenjtë si tokë e tyre, janë të vlefshme për atë kohë. Përndryshe, ka qindra ajete dhe hadithe që shprehin se Profeti ynë (a.s.), është një mirësi e pashoqe e Allahut të madhëruar, për të gjithë njerëzimin. Sa për çështjen se kush do ta trashëgojë tokën e shenjtë, përcaktimi i Allahut është kështu:

“Ne shënuam në Zebur, pas Teuratit, që tokën do ta trashëgojnë robërit e Mi të mirë.” (Enbija, 105)

Nga ky ajet kuptohet se, e keqja dhe të këqijtë s’kanë për të qenë gjithmonë dominues; se e mira është thelbësore, kurse e keqja është e përkohshme dhe se, më në fund sundimi do të kalojë në duart e të mirëve. Dhe kjo, parashtron pikëpamjen universale të Islamit në lidhje me jetën e kësaj bote.

*

Musai (a.s.), mori udhën për të çuar popullin e tij në zonën Ken’an. Ata do të vendoseshin në vendin e quajtur Tokë e Premtuar. Musai (a.s.), zgjodhi nga një përfaqësues për secilin krah të ushtrisë dhe i dërgoi për t’u njohur me popullsinë vendëse nën kryesinë e Jusha bin Nunit dhe Kalib bin Juhnes. Grupi që shkoi, pa se popullsia vendëse, ishte shumë e fuqishme. Mirëpo, ata u morën vesh mes tyre, që kur të ktheheshin, këtë të mos ua tregonin popullit të tyre, me qëllim që të mos shkaktonin frikë dhe pesimizëm tek ata. Fundja kështu i kishte paralajmëruar edhe Musai (a.s.), nëse do të gjendeshin përballë një situate të tillë. Mirëpo, përveç Jusha bin Nunit dhe Kalib bin Juhnes, të tjerët nuk e mbajtën fjalën dhe ua treguan njerëzve të vërtetën. Për rrjedhojë, bijtë e Izraelit u tërhoqën nga lufta.

Musai (a.s.), tha:

“«O populli im! Hyni në Tokën e shenjtë që Allahu e ka caktuar për ju dhe mos u ktheni prapa, se atëherë do të ktheheni të humbur!»

Ata thanë: «O Musa! Në atë tokë gjendet një popull i fortë dhe ne nuk do të hyjmë pa dalë ata e, nëse ata dalin, ne atëherë, me siguri do të hyjmë në të.»

Dy burra nga ata që i frikësoheshin Allahut dhe që Ai i kishte pajisur me mirësi, thanë: «Hyni në portën e qytetit! Kur të kaloni nëpër të, me siguri do të jeni fitues. Në qoftë se jeni besimtarë, atëherë mbështetuni tek Allahu!»

Ata thanë: «O Musa! Kurrsesi nuk do të hyjmë atje, derisa aty të gjenden ata. Kështu që shko ti bashkë me Zotin tënd dhe luftoni, se ne do të rrimë këtu».” (Maide, 21-24)

Bijtë e Izraelit, pasi shpëtuan prej faraonit, i kishin harruar ditët e vuajtjeve dhe tashmë ishin mësuar me rehat. Ata i kishin shtuar kërkesat dhe dëshirat për mirësitë e kësaj bote. Ata i kërkonin Musait (a.s.), mana (një lloj ushqimi i ëmbël) dhe mish thëllëze. Dhe, këto të mira u jepeshin për ditë. Përveç këtyre përmenden edhe dymbëdhjetë burime uji të nxjerra nga Musai duke e goditur tokën me shkop! Allahu i Madhëruar, urdhëron:

“Pastaj bëmë që retë t’ju bënin hije dhe ju zbritëm manën dhe thëllëza, duke thënë: “Hani nga ushqimet e mira, që ju kemi dhënë!” (Ata nuk ishin mirënjohës dhe kështu) nuk na bënë keq Neve, por i bënë keq vetes.” (Bekare, 57)

“Kur Musai kërkoi ujë për popullin e tij, Ne i thamë: «Bjeri gurit me shkopin tënd!» Atëherë, nga ai shpërthyen dymbëdhjetë burime, dhe çdo fis e dinte burimin e vet. Ne thamë: «Hani e pini prej begative të Allahut dhe mos bëni të këqija e mbrapshti në Tokë!».” (Bekare, 60)

Bijtë e Izraelit, ishin një popull, dëshirat e të cilit nuk kishin të sosur dhe që nuk dinte të falënderonte. Ata vazhdonin t’i bëheshin peshë profetëve të tyre, duke u treguar edhe mosmirënjohës. Për rrjedhojë, në ajetin e mëposhtëm shprehet qartë mosmirënjohja e tyre:

“Kujtoni kur i thatë: «O Musa! Ne nuk mund të kënaqemi vetëm me një lloj ushqimi, prandaj lutju Zotit tënd për ne të na dhurojë nga ato që jep toka: perime, tranguj, thjerrëza, qepë dhe hudhra!» Ai ju tha: «Vërtet doni të ndërroni atë që është më e mirë me atë që është më e dobët?! Shkoni në qytet, atje do të gjeni atë që kërkoni!»

Ata i kaploi poshtërimi dhe përulja dhe merituan zemërimin e Allahut. Kjo ndodhi, sepse ata i mohonin shpalljet e Allahut dhe i vrisnin të dërguarit pa asnjë të drejtë. Kjo ndodhi, sepse ata kundërshtonin dhe kalonin çdo kufi.” (Bekare, 61)

 

“Musai tha: «O Zoti im! Unë nuk kam fuqi për askënd tjetër veç vetes dhe vëllait tim, prandaj na veço neve prej këtij populli të pabindur!»

Allahu tha: «Ajo (toka e shenjtë) u është ndaluar atyre për dyzet vjet. Ata do të bredhin të çoroditur nëpër tokë, por ty mos të të vijë keq për atë popull të pabindur».” (Maide, 25-26)

“Me të vërtetë, Allahu mori besëlidhjen e bijve të Izraelit dhe nga mesi i tyre caktoi dymbëdhjetë mbikëqyrës dhe u tha: «Unë jam me ju! Në qoftë se do të kryeni namazin, do të jepni zekatin, do të besoni të dërguarit e Mi, do t’i ndihmoni ata dhe do t’i jepni  vullnetarisht hua Allahut, atëherë, patjetër që Unë do t’jua shlyej gjynahet dhe do t’ju shpie në kopshte, nëpër të cilat rrjedhin lumenj. Por, kushdo nga ju që mohon pas kësaj, me të vërtetë, e ka humbur rrugën e drejtë.” (Maide, 12)

Mirëpo, populli i bijve të Izraelit, vazhdoi të tregojë mosmirënjohje ndaj të mirave që u kishte falur Allahu i Madhëruar dhe të kundërshtonte profetin e tyre, Musain (a.s.), që ishte i treti prej profetëve të mëdhenj! Për më tepër, duke e imagjinuar Allahun me cilësi të një krijese të gjallë, ata u thoshin profetëve të tyre:

“Shko ti bashkë me Zotin tënd lufto dhe fito! Më pas do të vijmë ne.”

Për këtë shkak, Allahu i Madhëruar, i dënoi ata të qëndronin dyzet vjet në shkretëtirën Tih, një vend i ngushtë dhe i vështirë. Megjithëse ata përpiqeshin vazhdimisht për të dalë nga ai vend, ata vinin rrotull po aty në një vend, derisa lindi dhe u rrit një brez i ri.

Më në fund, me këtë brez të ri besimtar dhe të gjallë, ata dolën fitues mbi popullin vendës, që ishin të fortë dhe mizorë. Pas kësaj bijtë e Izraelit hynë në tokën e premtuar. Ata morën vendet në bregun lindor të lumit Sheria dhe u vendosën në atë rajon. Në këtë mënyrë u realizua edhe premtimi i  Musait (a.s.). Në këtë kohë, ndërroi jetë edhe Haruni (a.s.).

 

Share.

Leave A Reply