Akoma në gjumë prej sëmundjes - Mirësia Islame

Akoma në gjumë prej sëmundjes

Muhammed El-Gazali Pasi mbajta një bisedë përpara një auditori të madh prita të dëgjoj pyetjet e njerëzve dhe çfarë kisha ndikuar tek ata. Mendova se pyetjet do të ishin rreth konfliktit të Gjirit Persik, sepse edhe fjala ime ishte për…


Publikuar:

Muhammed El-Gazali

Pasi mbajta një bisedë përpara një auditori të madh prita të dëgjoj pyetjet e njerëzve dhe çfarë kisha ndikuar tek ata. Mendova se pyetjet do të ishin rreth konfliktit të Gjirit Persik, sepse edhe fjala ime ishte për njërin prej qyteteve të këtij Gjiri; për situatën tepër të dhimbshme të saj dhe ndikimet që la pas, të cilat tejkaluan vendet pjesëmarrëse, duke u shpërndarë në të gjithë popullatën islame kudo në çdo vend.

Por, pyetja që më befasoi ishte në një drejtim tjetër dhe numri i atyre që pyetën ishte i madh, sa që ishte e pamundur t’i anashkaloja.!

Njerëzit më pyetën: A e dinë shpirtrat se si jemi ne? Dhe, të vdekurit tanë prej të afërmve dhe miqve a na i shikojnë punët tona dhe a kërkojnë falje për gjynahet tona?…

U vonave në përgjigje duke urryer pyetjen dhe pyetësit. Njerëzit janë të zënë me çfarë ka pas materies dhe jo me vetë materien; janë të zënë me botën e padukshme dhe jo me botën e dukshme. Sikur ata të kenë përfunduar çështjet e prekshme dhe tani nuk u ka mbetur gjë tjetër, përveçse të merren me çështje të tjera…!!

Duke u rënë tërthorazi tyre thashë: Në qoftë se juve ju preokupon kërkimi i faljes për gjynahet, atëherë melekët, siç thotë Kur’ani, kërkojnë falje për ju: “Zoti ynë, çdo gjë e ke përfshirë me mëshirë dhe dituri; falu gjynahet atyre që janë penduar dhe pasuan rrugën Tënde.”[1] Madje, puna është edhe më e madhe se kaq, sepse “krijesat më të larta – meleul eala” i vështrojnë banorët e pafat të këtij planeti që bëjnë gjynahe dhe shpresojnë te Mëshiruesi që ata t’i falë: “Qiejt atje lart gati sa nuk pëlcasin dhe melekët i bëjnë tesbih (lavdërojnë) duke falënderuar Zotin e tyre dhe kërkojnë falje për ata që janë në Tokë.”[2]

Pyetësit thanë: Këtë e dimë dhe nuk po të pyesim për të. Ne po ju pyesim për Pejgamberin tonë, njerëzit e mirë të këtij ummeti, për familjarët dhe të afërmit tanë të mirë. A janë ata të gjallë dhe a e dinë gjendjen tonë? A interesohen për punët tona dhe a bëjnë lutje për ne? Përsëri u zura ngushtë me këtë pyetje të urryer dhe u thashë: Se, ata janë të gjallë, për këtë nuk ka aspak dyshim! Por, ata janë të gjallë te Zoti i tyre, ndërsa a janë ata që interesohen dhe preokupohen për punët tona, çfarë kemi bërë dhe çfarë kemi lënë pa bërë “Çdo njeri është peng i asaj që ka punuar”[3].

Njerëzit në dynja nuk kanë qenë që e dinin të fshehtën (gajbin), as që do ta dinë atë pas vdekjes së tyre dhe nuk do ta dinë përfundimin e njerëzve të tjerë, përveçse kur ata do të kalojnë pranë tyre në botën tjetër. Prandaj është më mirë për ju, o popullatë myslimane, të rregulloni veten, t’i përvisheni punëve tuaja dhe të drejtoheni nga kënaqësia e Zotit, në vend që të merreni me këtë çështje, e cila nuk ju intereson.

Në këtë moment u ngrit një fetar, shejkh me bindje të fortë ne veten e tij duke thënë: Bile, shpirtrat  e dinë se në çfarë gjendje jemi dhe na vështrojnë neve; dhe i pari prej këtyre shpirtrave është i Dërguari më i madh, i cili ka thënë: “Jeta ime është më e mirë për ju dhe vdekja ime është më e mirë për ju. Punët tuaj më shfaqen mua dhe kur ju shoh ndonjë të keqe i kërkoj Allahut falje për ju”; në librin “Er-Rruh – Shpirti” të Ibnul Kajimit ka shumë argumente në lidhje me këtë që po them.

Edhe një herë tjetër më shikoje se si rrëshqas në një debat shterpë të atij lloji që e urrej. Por, patjetër duhet të sqaroj, prandaj i drejtohem shejkhut kundërshtues: Në hadithin e saktë ka ardhur se: “Disa njerëz prej shokëve të të Dërguarit të Allahut, të afërm të tij, tërhiqen larg nga ai, në Ditën e Llogarisë, ndërsa ai thotë: “Shokët e mi, shokët e mi; ku po i çoni shokët e mi?” I thuhet: “Ti nuk e di se çfarë kanë bërë pas teje?” Ky tekst tregon se ai nuk e di gjendjen e njerëzve më të afërm të tij, ndërsa hadithi yt, të cilin e përmende nuk vlen asgjë. Libri “Er-Rruh – Shpirti” i Ibnul Kajimit, po qe se do të vërtetohej se është i tij, është libër opinionesh dhe tregimesh, prej të cilit nuk ndërtohet ndonjë gjykim fetar.

Filloi zhurma, të cilën e kisha frikë, sepse fetaristi, shejkhu dhe grupi i tij nuk e pëlqyen thënien time. Nuk më shqetësoi mospëlqimi i tyre, por ajo që më shqetësoi është fakti se njerëzit janë në një luginë dhe ne jemi në një luginë tjetër; debatojnë për çështje në të cilat nuk ka dobi dhe as nuk kanë përgjegjësi për to, pastaj ndahemi për shkak të tyre të konfliktuarë, në kohën që armiqtë e Islamit përpiqen ta zhdukin atë së bashku me ummetin e tij.

Ngjarje e ndodhi të mëdha kanë kaluar për ne, të cilat duhet të na kishin zgjuar nga gjumi dhe të na e kishin prishur qetësinë e pavëmendjes. Por, siç duket sëmundjet e vjetra akoma vazhdojnë të na shkatërrojnë e të na konfiktuojnë njëri me tjetrin, duke bërë që disa njerëz të luftojnë për shkak se nuk lejohet që edhe një qime e vetme të hiqet prej mjekrës; ndërsa harrojnë dredhitë e mashtrimet që tundin e lëkundin shtetet e njerëzit.

Përshtati në shqip: Lavdrim Hamja


[1] Gafir: 7.

[2] Shura: 5.

[3] Tur: 3.

Copyright © 2026 - Shoqata V.H.K Istanbul | Ndalohet përdorimi dhe riprodhimi i përmbajtjes së kësaj faqeje pa leje dhe autorizim