Ateistët e rinj, vendparkimi dhe një vrasje
Ibrahim Kallën Më 12 shkurt, Craig Stephen Hicks, një i bardhë dhe i vetëpërshkruar ateist, vrau në mënyrë brutale Deah Barakat-in, 23 vjeç, Yusor Abu-Salha-në, 21 vjeçe, dhe Razan Abu-Salha-në, 19 vjeçe, që të tre studentë muslimanë në Universitetin e…
Publikuar:

Ibrahim Kallën
Më 12 shkurt, Craig Stephen Hicks, një i bardhë dhe i vetëpërshkruar ateist, vrau në mënyrë brutale Deah Barakat-in, 23 vjeç, Yusor Abu-Salha-në, 21 vjeçe, dhe Razan Abu-Salha-në, 19 vjeçe, që të tre studentë muslimanë në Universitetin e Karolinës së Veriut në Chapel Hill. Hicks-i u dorëzua pas vrasjes me “stil ekzekutimi”. Eshtë në vijim një hetim, por të gjithë treguesit, siç bëhet e qartë nga deklarimet dhe postimet e Hicks-it në rrjetin e internetit, bëjnë me dije për një krim për shkak të urrejtjes kundër muslimanëve. Pjesa më e madhe e organeve mediatike amerikane e raportuan fillimisht ngjarjen si vrasje të zakonshme. Qarkulloi historia e një grindjeje për vendparkimin për ta zvogëluar ndikimin e krimit. Zyrtarët nuk bënë asnjë deklaratë për tre ditë me radhë. Nuk pati asnjë mbulim të zgjeruar të ngjarjes, apo ndonjë analizë të qenësishme mbi shkaqet dhe pasojat e saj.
Në kundërpërgjigjje, qytetarë, grupe të të drejtave civile, udhëheqës bashkësish dhe përdorues të medias sociale ngritën shqetësimin mbi atë çka dukej të qe një heshtje e qëllimshme për incidentin e tmerrshëm. Shumë njerëz i kritikuan organet kryesore mediatike për shpërfilljen apo nënvlerësimin e vrasjes. Një pjesë e mirë ngritën pyetjen nëse reagimi zyrtar dhe publik do të kishte qenë i njëjtë sikur viktimat të ishin hebrenj apo kristianë të bardhë. Pa dyshim që do të kishte qenë ndryshe! Po qe se vrasësi do të ishte musliman dhe viktimat të ishin hebrenj apo krishterë, ne do të kishim parë mbulimin minutë pas minute të ngjarjes, tërë hollësitë e skenës së krimit, identitetin e vrasësit, motivet, historinë familjare, fenë, librat e lexuar, postimet në Twitter dhe në Facebook, e kështu me radhë. Ekspertët e të ashtuquajturit terrorizëm do ta kishin ndarë “urtësinë” e tyre me botën mbi atë se si ky nuk ishte një incident i izoluar, por pjesë e një rrjeti në rritje radikalësh që synojnë të shkatërrojnë qytetërimin perëndimor. Do të ishte identifikuar si incident terrorist përpara nxjerrjes së njoftimeve zyrtare.
Por jo! Fjala terrorizëm nuk u përdor madje për të përshkruar vrasjen me stil ekzekutimi të tre studentëve muslimanë. Nuk pati praktikisht asnjë diskutim mbi identitetin apo historinë e vrasësit, me përjashtim të një numri të vogël deklaratash pështjelluese nga anëtarët e familjes dhe ish-bashkëshortja e tij. Historisë së vendparkimit iu dha më shumë besueshmëri se motivit të krimit për shkak të urrejtjes, me gjithë faktin se Hicks-i thoshte në faqen e tij në Facebook se, “Kur vjen puna te fyerjet, feja juaj (Islami) e nisi këtë, jo unë. Nëse feja juaj e mban mbyllur gojën e saj të madhe, kështu do bëj dhe unë.” Askush nuk pyeti pse një ateist i vetëdeklaruar do të fyhej nga Islami në veçanti për asnjë arsye tjetër veç urrejtjes së tij për të gjitha fetë. Ç’ka ndryshe Islami për “ateistët e rinj”?
Kjo është pika ku Hicks-i kthehet nga literatura fshikulluese antiislame dhe antimuslimane prej ateistëve të tillë të rinj si Richard Dawkins, Christopher Hitchens dhe Sam Harris. Të maskuar si ateistë racionalistë dhe shkencorë, sulmet e tyre mbi Islamin janë midis komenteve më të shtrembëruara, më të mbushura me urrejtje dhe më raciste që mund të gjeni mbi ndonjë fe apo grup. Ajo është më militante dhe më agresive se goditja neonaziste dhe e së djathtës ndaj Islamit. Ajo mbron fanatizmin dhe urrejtjen antiislame në emër të arsyes dhe shkencës. Siç vë në dukje Werleman-i, ateistët janë distancuar tashmë nga ky grup.
Ata besojnë se Dokins-i, Hitchens-i, Harris-i, e të ngjashmit me ta, e përligjin racizmin dhe diskriminimin e individëve muslimanë, dhe kjo nuk ka të bëjë aspak me ateizmin e vjetër. Ideologjia e tyre fanatike është e karakterizuar nga “antiteizmi”, pra, jo vetëm nga hedhja poshtë e fesë, por nga luftimi në mënyrë militante kundër atyre që kanë një besim fetar. Sido që urrejtja e tyre ngjan të jetë drejtuar ndaj Islamit dhe muslimanëve më shumë se ndaj çdo feje tjetër. Ata e denoncojnë dhe e demonizojnë Islamin mbi baza ideologjike dhe politike, duke i shërbyer një axhende qartësisht të ngushtë politike. Kjo është arsyeja pse Chomsky, vetë një ateist, vë në diskutim motivet politike të ateistëve të rinj dhe u kërkon atyre të shohin në pasqyrë.
Unë personalisht nuk kam problem me një debat serioz intelektual mbi Islamin, Krishterimin ose Judaizmin, dhe kritikave të bëra ndaj tyre. Por duhet përcaktuar vija ndarëse ku kritika bëhet fyerje, e ku fyerja kthehet në urrejtje dhe dhunë. Raste të shumta vënë në pah lidhjen tejet të rrezikshme midis ligjërimit të urrejtjes islamofobike dhe dhunës.
Një nga shembujt e qartë që tregojnë lidhjen midis literaturës islamofobike dhe dhunës është Anders Breivik, i cili më 22 korrik 2011 hodhi lëndë plasëse në ndërtesat qeveritare në Oslo, duke vrarë tetë njerëz. Breivik e vazhdoi kasaphanën e tij në ishullin e Utojës (Utoya), dhe vrau 69 të rinj, një nga një. Manifesti i tij prej 1500 faqesh, i quajtur, “2083: Një deklaratë europiane e pavarësisë”, zbulon thellësinë e frikshme të racizmit dhe urrejtjes ndaj Islamit. Manifesti i tij është i mbushur me citime dhe referenca nga ato çka pranohen si sulme të linjës së përgjithshme mbi Islamin dhe muslimanët në shkrimet e islamofobëve amerikanë dhe europianë. Nga grupi PEGIDA në Gjermani te Kur’ani që djegin pastorët në SHBA, grupet e urrejtjes antimuslimane e shfrytëzojnë këtë literaturë për të përligjur racizmin dhe fanatizmin e qartë. Neni i 20-të i Konventës Ndërkombëtare mbi të Drejtat Civile dhe Politike ka vënë tanimë caqe për format e fjalës që mbrojnë “urrejtjen kombëtare, racore apo fetare, që përbën nxitjen për diskriminim, armiqësi dhe dhunë”. Shumë konventa të tjera ndërkombëtare e dënojnë dhe e ndalojnë fjalën e urrejtjes si krim urrejtjeje. E keqja është se ky parim vështirë të vihet në zbatim për rastet e fjalës së urrejtjes antimuslimane.

