Sëmundjet e zemrës - Mirësia Islame

Sëmundjet e zemrës

DëgjoArtikullin Adhurimi i vërtetë ndaj Allahut është të gërmosh në vetën tënde dhe të mos lësh gjë të shtrembër, përveç se e ke drejtuar, të mos gjesh të keqe, përveç se e ke fshirë dhe të mos gjesh sëmundje kronike,…


Publikuar:

Dëgjo
Artikullin

Adhurimi i vërtetë ndaj Allahut është të gërmosh në vetën tënde dhe të mos lësh gjë të shtrembër, përveç se e ke drejtuar, të mos gjesh të keqe, përveç se e ke fshirë dhe të mos gjesh sëmundje kronike, përveç se kërkon ta shërosh gjatë gjithë kohës, ditë natë duke mos vdekur, përveç se i pastër prej saj, ose duke luftuar ta mposhtësh atë.

Vetëkënaqësia është shenjë e të vegjëlve dhe të mbyllësh sytë ndaj saj, ndërkohë që i bën katër ndaj gabimeve të të tjerëve është rrugë e humbjes!

Kam parë disa grupime fetare, të cilat nuk rendin duke numëruar gabimet e të tjerëve, ndërsa në të njëjtë kohë ndaj gabimeve të tyre rrinë shumë larg, pothuajse e konsiderojnë veten të pagabueshëm!

Të krenohesh me të vërtetën është një gjë dhe vetëkënaqësia është një gjë tjetër! Të krenohesh me të vërtetën është ndjesi e mirësisë së Allahut, madhështi e suksesit të dhuruar, dëshirë për të përhapur këtë të vërtetë, në mënyrë që askush të mos privohet nga ajo dhe keqardhje ndaj atyre që largohen dhe privohen prej saj.

Ndërsa vetëkënaqësia, ajo është mendjemadhësi me të vërtetën ndaj atyre që nuk e njohin dhe dëshirë e çmendur për t’i shkatërruar  dhe inat për ta e shoqëruar me harresë ndaj gabimeve të tyre të fshehura dhe vepra të shoqëruar me epshe.

Mendo pak rreth këtij dialogu: Një njeri i tha një tjetri: – Unë të dua për hir të Allahut! Tjetri i tha: – Sikur të dish për mua çfarë unë di për veten time, do të më kishe urryer për hir të Allahut!!

Njeriu ia ktheu: – Sikur të dija për ty çfarë di ti për veten tënde, atëherë unë do të isha i zënë me ato çfarë di për veten time…

Besimtarin e mençur e zënë gabimet e tija dhe nuk merret me të metat e njerëzve. Ai e di se është i nevojshëm për Mëshirën e Lartë dhe në qoftë se ka mirësi më tepër se ata, atëherë kjo i konsiderohet barrë, jo vlerë.

Dituria e tepërt kërkon përpjekje më të mëdha, jo zgjatje ndaj krijesave dhe pusi ndaj tyre, sepse ka ardhur në hadith: “Një njeri tha: – Pasha Allahun, Allahu nuk e falë filanin! Allahu tha: “Kush është ai që ndërhyn në punët e Mia? Unë e kam falur atë dhe ta kam zhvlerësuar punën tënde”.

Kujtoj kur një djalë i ri i zemëruar, apo duke më qortuar mu afrua dhe më tha: – Ti qëndron me studentë me mjekra të rruara dhe studente të pambuluara me shami, njerëzit të shikojnë të buzëqeshur dhe jo të vrenjtur dhe nuk dëgjojnë prej teje asnjë urdhër, apo ndalesë. A nuk ka shfajësim për urrejtjen dhe zhvlerësimin tënd dhe ti  sillesh në këtë mënyrë?!

I thash: – Nuk e besoj që të vrenjturit është prej kushteve të thirrësve. Unë, së pari u shpjegoj gjërat elementare të Islamit, në besim dhe në moral. Në qoftë se fara është e mirë edhe frutat do të vinë në kohën e tyre! Ditën që njerëzit do ta njohin Zotin dhe lidhen me Të mbi parimin e dëgjimit dhe të bindjes, atëherë ajo çfarë ti kërkon, madje edhe më shumë se çfarë kërkon do të realizohet…!

Ndërsa çështja e zhvlerësimit tim, nuk di se çfarë të them për të? E falënderoj Allahun, i Cili ka lëshuar perden e Tij mbi mua dhe nuk ju ka dhënë mundësi ndaj meje!.

Ju keni epsh që krijesat të diskreditohen, në mënyrë të kënaqni veten tuaj dhe ky epsh është sëmundje më e ndytë se sa gjynahet, me të cilat i kritikoni njerëzit.

O biri im, kam frikë se me këto qëllime të errëta do të bëheni një keqe për të tjetër!

Një gjynahqar zemërthyer është më i ndershëm se sa një predikues që mbikëqyr njerëzit.

Shejkh Muhamed El-Gazali

Përktheu
Lavdrim Hamja

Copyright © 2026 - Shoqata V.H.K Istanbul | Ndalohet përdorimi dhe riprodhimi i përmbajtjes së kësaj faqeje pa leje dhe autorizim