A kanë muslimanët të drejtën e njëjtë për fjalën e lirë? - Mirësia Islame

A kanë muslimanët të drejtën e njëjtë për fjalën e lirë?

Profesori Xhulian Petli (Julian Petley) i Universitetit të Brunelit në Londër përmend në librin e tij, Censurimi i Fjalës (Censoring of Word), se “të gjitha vendet demokratike kanë ligje që e kufizojnë lirinë e medias në një mënyrë a në…


Publikuar:

Profesori Xhulian Petli (Julian Petley) i Universitetit të Brunelit në Londër përmend në librin e tij, Censurimi i Fjalës (Censoring of Word), se “të gjitha vendet demokratike kanë ligje që e kufizojnë lirinë e medias në një mënyrë a në një tjetër (Mbretëria e Bashkuar ka mbi 60)”.

Andrea-Tereza Nitisor thotë te, “Thënia e së përçmueshmes: Blasfemia në letërsi” (Speaking the Despicable: Blasphemy in Literature): “Ligjet e blasfemisë ekzistojnë ende në kodet penale të shumë vendeve, përfshirë shtetet europiane që ngrejnë lart vlerat demokratike shekullare.”

Paragrafi 295-A i kodit penal të vitit 1860, që e përdorin qeveritë e Bangladeshit, Indisë dhe Pakistanit për të ndaluar fjalë të shkruara apo autorë, u propozua dhe u fut nga kolonizatorët britanikë gjatë periudhës koloniale. Të gjitha këto fakte nuk sugjerojnë se Perëndimi është vendi i fjalës së lirë të pakufizuar, apo se është mbrojtës i saj.

Organet mediatike perëndimore kanë përgjithësisht një politikë të vazhdueshme të mospërfoljes së Judaizmit dhe Krishterimit, e të simboleve të tyre të shenjta. Për më shumë, pjesa më e madhe e vendeve europiane kanë ligje që e trajtojnë si kriminale mohimin e Holokaustit dhe e ndalojnë gjuhën e urrejtjes (veçanërisht kundër hebrenjve). Një gjykatë e Vjenës e dënoi në vitin 2006 me tre vite burg akademikun britanik Dejvid Irving (David Irving) për mohimin e holokaustit të hebrenjve të Europës.

Rusia ka ndaluar së fundi librin e Ali Muhammed es-Salabit, Ebu Bekër Siddiki, Kalifi i Parë. Ministria e Drejtësisë e vendit ka vënë mbi dy mijë tituj librash në listën e zezë gjatë dekadës së fundit, duke përfshirë një numër librash klasikë islamë.

Shqyrtimi i mësipërm tregon se kufizimet e fjalës së lirë nuk janë një monopol musliman, teksa ato ekzistojnë në shumë vende jomuslimane. Megjithatë, në ligjërimin mbi ndalimin e fjalës së lirë dhe dënimin intelektual dallon në mënyrë mjaft të spikatur një panoramë me dy anë të saj, liri absolute e shprehjes në vendet perëndimore, dhe kufizim i saj në shoqëritë muslimane.

Çështja nëse liria e shprehjes duhet të jetë absolute, apo duhet të ketë një lloj caku në ushtrimin e saj, ka prodhuar një diskutim të gjallë përgjatë kohërave. Studiuesit klasikë britanikë që luftuan intelektualisht kundër censurës dhe i bënë jehonë lirisë së shprehjes nuk e mbështesin ushtrimin e pakufizuar dhe të papërgjegjshëm të fjalës së lirë.

Xhon Milton [John Milton] (1608-1674) mbrojti fjalën e lirë dhe shkruajti Areopagjitikën (Areopagitica) për t’iu kundërvënë Rregullit të Licensimit, mbytës nga pikëpamja intelektuale, të kaluar nga qeveria britanike në qershor të 1643-shit. Megjithatë, ai nuk e mbështeti të drejtën e pakushtëzuar për lirinë e shprehjes, dhe u kërkoi autoriteteve politike e fetare të jenë të vëmendshme ndaj keqpërdorimit të saj të mundshëm. Ashtu siç ai shprehet,

“Unë nuk e mohoj, por se ka rëndësi të madhe për Kishën dhe Komënuelthin për të patur një sy vigjilent si librat ulin veten, si dhe njerëzit; dhe paskëtaj për t’i kufizuar, për t’i burgosur dhe për t’u dhënë hakun si duhet si keqbërës.”

Një tjetër kampion i fjalës së lirë, Xhon Stuart Mill [John Stuart Mill] (1806-1873) “e përkufizon lirinë si të drejtën e  individëve për të menduar dhe vepruar siç dëshirojnë, me kusht që të mos dëmtojnë askënd tjetër duke vepruar kështu.” (Petley, fq. 46)

Në ditët e sotme, shkrimtari egjiptian dhe laureati i çmimit Nobel, Nexhib Mahfuzi (1911-2006), i përshkruan kështu caqet e lirisë së shprehjes në një intervistë me Muhamed Salmaviun, “Ne duhet të bëjmë dallimin midis fjalës së lirë dhe mungesës së respektit për simbolet fetare. Për shembull, çdo njeri ka të drejtën për të shtrirë krahët, por jo aq sa të godasë fytyrën e personit pranë tij.” (Al-Ahram Weekly, shkurt 2006)

Unë bëj një analogji të ngjashme më poshtë, që mund të ndihmojë në sqarimin më tej të këtij debati. Drejtuesit e makinave duhet të ndjekin rregullat e trafikut. Ata supozohet të ndalojnë kur dritat e trafikut janë në ngjyrë të kuqe dhe të lejohet të lëvizin kur kthehen në ngjyrë jeshile. Por ky rregull nuk është absolut. Sepse edhe nëse drita bëhet jeshile, por përpara ka makina që nuk lëvizin, drejtuesi i mjetit pas nuk mund të ushtrojë të drejtën e tij për t’u nisur. Domethënë, ai apo jo supozohet të marrë në konsideratë praninë e makinës ose makinave përpara para se të ushtrojë të drejtën për t’u nisur edhe kur dritat e trafikut janë në ngjyrë jeshile.

Shkrimtarëve dhe artistëve u është dhënë e drejta e lirisë së shprehjes, por në të njëjtën kohë ata duhet të kenë në konsideratë të drejtën e njerëzve të tjerë për të qenë ndryshe dhe për të mos u cenuar apo lënduar nga ushtrimi i papërgjegjshëm i kësaj lirie. Me fjalë të tjera, shkrimtarët dhe artistët duhet t’i respektojnë plotësisht ndjenjat dhe vlerat kulturore të njerëzve të tjerë, si dhe të drejtën e tyre për të shprehur pëlqimin për sisteme të tjera besimore.

Prandaj, e drejta e fjalës së lirë është mbase një virtyt i dyshimtë. Thënë ndryshe, shkrimtarët dhe komentuesit mund të kenë të drejtën për të thënë atë që duan, dhe artistët për të shprehur atë që mendojnë ose për të cilën janë kureshtarë. Por ata janë moralisht të detyruar të ruajnë një shkallë frenimi dhe autocensure, e të marrin në konsideratë vlerat socio-fetare dhe moralitetin konvencional që njerëzit i mbajnë si të çmuara në një mjedis të caktuar kulturor. Një libër apo një pjesë artistike që fyen pikëpamjet, besimet, bindjet dhe praktikat kulturore të ruajtura prej kohësh të njerëzve, dhe që kështu mund të nxisë protesta të dhunshme në rrugë dhe të shkaktojë të vdekur, është mbase më mirë të mos shkruhet apo krijohet fare.

Ndoshta debati nëse liria e shprehjes është absolute apo jo mund të mbetet për shumë kohë një çështje e diskutueshme. Megjithëkëtë, është thuajse e sigurt tani se muslimanët janë aktualisht viktimat kryesore të një hipokrizie të konceptueshme në ligjërimin e fjalës së lirë. Ndërsa shoqëritë muslimane janë përfolur për një mungesë të perceptuar të lirisë së shprehjes, muslimanët nuk kanë të drejtën e njëjtë për lirinë e shprehjes. Këtë mund ta sqarojë diskutimi vijues.

Studies të spikatur që janë kundërshtarë të ligjeve kundër mohimit të Holokaustit përfshijnë shumë akademikë dhe komentues perëndimorë jomuslimanë. Eshtë mbase e drejta e tyre legjitime intelektuale për të kërkuar dekriminalizimin e mohimit të Holokaustit; e një qëndrim i tillë akademik nuk dëmton askënd. Ama, sikur lista e komentuesve të dalluar që u janë kundërvënë ligjeve kundër mohimit të Holokaustit të përfshinte dijetarë të njohur islamë, reagimi i institucioneve qeverisëse dhe i mediave kryesore perëndimore do të kishte qenë në mënyrë të kuptueshme i ndryshëm.

Le të shqyrtojmë një tjetër shembull. Pak pas rënies tragjike të kullave binjake në Nju Jork në vitin 2001, shkrimtarja britanike dhe fituesja e çmimit Nobel, Doris Lesing [Doris Lessing] (1919-2013) bëri një deklaratë karakteristikisht ikonoklastike, “Nuk ishte as aq e tmerrshme, as aq e jashtëzakonshme sa mendojnë amerikanët.” Ajo nuk pranoi të ndjekë linjën e institucioneve mediatike dhe politike perëndimore, dhe ushtroi të drejtën e saj për të patur një pikëpamje të ndryshme. Por imagjinoni sikur një dijetar musliman me të njëjtën peshë si Lesing (Lessing) të mbante një qëndrim të tillë intelektual jokonvencional! Ç’do të qe jehona dhe klithma e medias!

Pas tragjedisë së kohëve të fundit të Sharli Hebdo-së (Charlie Hebdo), shumë komentues patën kurajën për të kritikuar politikën editoriale të revistës, të përfoljes e shpifjes për Islamin dhe muslimanët. Përsëri, sikur shumica e komentuesve kritikë ndaj Sharli Hebdo-së (Charlie Hebdo) të ishin muslimanë në një kohë të tillë të ndjeshme, shumë analistë islamofobë do të kishin dalë menjëherë në përfundimin se ndjekësit e Islamit janë patologjikisht kundër lirisë së shprehjes dhe se diçka nuk po shkon seriozisht siç duhet me fenë.

Po ashtu mos harroni se ndalimi nga qeveritarët rusë i mbi dy mijë titujve nuk ka provokuar gjyqin e fesë së tyre. Por Islami është rregullisht në gjyq për çdo mbrapshti të kryer nga ndonjë prej ndjekësve të tij. Për më tepër, slogani i fjalës së lirë është aktualisht dendur një përligjje për leje për të denigruar Islamin dhe për të karikaturizuar ithtarët e tij. Për hir të një kulture intelektuale të shëndoshë globalisht, zhveshja nga hipokrizia dhe standardet e dyfishta në ligjërimin e fjalës së lirë është një nevojë e ngutshme dhe e domosdoshme prej kohësh.

Copyright © 2026 - Shoqata V.H.K Istanbul | Ndalohet përdorimi dhe riprodhimi i përmbajtjes së kësaj faqeje pa leje dhe autorizim