Pa fe, s’ka atdhe! - Mirësia Islame

Pa fe, s’ka atdhe!

Feja, asnjëherë, askund nuk duhet të jetë diskutabile, gabojmë shumë nëse mendojmë ndryshe, ngase është: traditë, kulturë dhe civilizim ndër shekuj dhe mbi të gjitha: vlerë,  pasuri dhe ushqim shpirtëror i një populli, siç është edhe për ne. Populli ynë…


Publikuar:

Feja, asnjëherë, askund nuk duhet të jetë diskutabile, gabojmë shumë nëse mendojmë ndryshe, ngase është: traditë, kulturë dhe civilizim ndër shekuj dhe mbi të gjitha: vlerë,  pasuri dhe ushqim shpirtëror i një populli, siç është edhe për ne.

Populli ynë i përvuajtur në shekuj

E kaluara jonë si popull është e dhimbshme, sidomos thuajse tërë shekulli XX ishte mjaftë i rëndë dhe i mundimshëm, që na la shumë pasoja. Gjyshërit dhe baballarët tanë ishin ata që u ballafaquan dhe i bënë ballë çdo sfide të pushtuesve dhe sunduesve sllavë. Një gjë të tillë e përjetuam edhe ne, në ndryshimet që po ndodhnin në Jugosllavinë komuniste, të cilat na kushtuan mjaftë shtrenjtë edhe në fundin e qerekshekullit të XX. Neve, “popullin jetim të Kosovës”, pas robërimit 100 vjeçar dhe pas luftës me: Slloveninë, Kroacinë, Bosnjen-na lanë për në fund, “në vend të bakllavës”. Ne, s’patëm dijtë të mendojmë për ta shkelë e robëruar dikënd.

Ishim të robëruar, të sakatosur e të syrgjynosur, por të fortë, qëndruam si burrat. E kuptonim hallin e njëri-tjetrit dhe i dilnim zot njëri-tjetrit, gëzim e hidhërim i ndanim sëbashku. Po, Feja jonë kështu na mëson. Gjithëherë na mbante gjallë shpresa, se do të vijë ndonjëherë liria edhe për ne.

Fillimi i shekullit XXI ishte vendimtar, sepse pas përpjekjeve tona të mëdha dhe të vazhdueshme, e arritëm atë që e deshëm shumë.

Çdo kush ka të drejtë të jetojë i lirë, se çdo kënd të lirë e krijon dhe e dëshiron Allahu xh.sh., të lirë për të jetuar, punuar e vepruar, por, jo të shfrenuar.

“Popullit qiellor”, dënimi Allahut i erdhi edhe nga qielli!

“Ata”, vazhdimisht e llogaritnin veten e tyre: “popull qiellor”, “i përparuar”, që “e respekton fenë”,[1] etj…, por në Kosovë, i pamë shumë mirë se kush ishin. Një popullatë të pambrojtur, në vendin e vet, që s’i bëri keq askujt: e torturoi, e masakroi në mënyrë më barbare në sy të Evropës, e të gjithë botës. Të gjithë e shihnin azganllëkun  dhe kasaphanën e tyre, duke mos e kursyer askënd, bile as gratë, të miturit, fëmijët e pleqtë. Krejt këto i bënin nën bekimin e “Gospodin Pavles” dhe klerikëve të tjerë kishtar. Nëpër kisha e merrnin kurajon dhe energjinë.[2] “Ata”, dëshmuan se janë rrenacakë, komitë të mëdhenjë, e gjakpirës të shekullit të XX-të. Ne, s’kishim kah t’ia mbanim, filluam të rrudhemi, të strukemi, si fëmiu jetim-pa nënë, e të çuditemi me “marifetet e tyre” që po i bën ndaj nesh. Megjithëatë, prehjen e gjenim diku të ngrohtë, o vëlla, vetëm aty ku e kemi për herë: në xhami, mejtepe e medrese. Bënim qare, për të mbetur gjallë. Kohë pas kohe tubonim nëpër xhami edhe mjete materiale për të intervenuar në zona më të rënduara. Edhe shkollimit ia gjetëm zgjidhjen, se “ata” edhe nga objektet shkollore na përzun. Në xhami dhe mejtepe e vazhduam edhe shkollimin. Na u rëndua shumë gjendja, zum në mur të gjithë. Duhej t’ia bënim diqysh, na u deshtë të përgatitemi për t’i bërë rezistencë “atij shkau”. Djem e vajza, mezi siguruam nga një pushkë për ta qit në krah, e për t’i thënë ndal më “atij dinosauri”, se u bë boll e jotja, shumë e teprove. Po, hoxhallarët, si për herë, në shërbim të popullit, duhej menduar edhe luftëtarëve të lirisë (UÇK-së) për t’iu prirë e shërbyer. Po, xhamitë edhe hoxhallarët të popullit janë, s’ka si të mendohet ndryshe. Po, hoxhallarët i shihje gjithkund, e edhe organiztorë: në demonstrata,[3] protesta,[4] po edhe në ballë të luftës. Kësaj toke ia falën jetën, e e stolisën me gjakun e tyre të njomë. U martirizuan me martirët, ranë shehidë me shehidët.[5] Të tjerët mbetën gjallë e krenarë sëbashku me ne, duke shijuar pakëz liri.[6]

“Ky”, ishte “ai populli përparimtar” e “fetar i fesë së tyre”. “Populli qiellor”, që dënimi   i Allahut u erdhi, pikërisht edhe nga qielli. “Ky” ishte, që më pastaj u mundua dhe po mundohet t’i zhdukë gjurmët e egra që i bëri tek ne, dhe pa fije të turpit të thotë se: “ne s’jemi fajtorë”, ne prapë jemi “serbët e civilizuar”. Fajtorët janë ata, shqiptarët, të vendit të tyre që i përdhunuam ne. Në këtë botë mund të mashtrojmë dhe ta shkelim më të dobtin, por jemi thellësisht të bindur se për ato veprime të tmerrshme që u bënë tek ne, një ditë në Ditën e Gjykimit, është i Gjithfuqishmi Allah, që ka për t’ua dhënë hakun e merituar të gjithë akterëve keqbërës.

“Lufta mbaroi”!? 

“Ata dindushmanë” u shporrën për gjithmonë nga këtu, të pikëlluar, se nuk arritën me metodat çnjerzore ndaj nesh, ta realizojnë ëndrrën e tyre të kahmotshme-për të bërë spastrimin etnik të popullatës sonë dhe për ta zaptuar tokën tonë.

Ne, filluam të nxitojmë se nuk e dinim ç’ish liria. Paksa, filluam si: “pula pa krye”, a po ndoshta, nuk kishim përvojë të ecnim ngadalë e me hapa të sigurtë në liri.

Disa gjëra filluam t’i harrojmë dhe t’i qesim pas shpine. Autoritetin dhe kontributin e disa njerëzve tanë e keqpërdorëm, të cilët asnjëherë nuk vrapuan dhe nuk vrapojnë pas votave, se nderi i tyre nuk ua lejon. Hoxhallarët i lamë anash, jashtë ndonjë përkujdesje eventuale të institucioneve shtetërore. Harruam, se pak më parë ata ishin bashkë me ne, atëherë kur na u deshtën për t’u organizuar e për të luftuar. Xhamitë, harruam se çfar roli luajtën: para, gjatë luftës dhe pas luftës. Harruam, se ato na i qelën sytë atëherë, kur “ata” deshtën të na i mbyllin. Kurse, Medreseja, harruam se priste e përcillte, gati për ditë udhëheqësit tanë, me zemër gjërësi, me ato kushte, aq sa i kishte: “Bukë, e kripë, e zemër”. [7]

Duke thënë: “të mos shkelim mbi gjakun e dëshmorëve tanë”, ne sikur po e nëpërkëmbim për ditë atë gjak të shtrenjtë. Me të plagosurit, e veteranët e luftës sonë, gati askush nuk merret seriozisht me ta, bile nganjëherë dëgjojmë ndonjë pëshpërimë, duke i sharë e fyer, kurse ata të shkretët më shumë e dinin që do të mbytëshin se sa do të mbesin gjallë, vetëm e vetëm për t’i dalë zot vendit e popullit të tyre. Megjithëatë, ata e dinë fort mirë se Allahu xh.sh. nuk do t’ua humbë mundin e tyre. Gjërat, asnjëherë nuk duhet të ngatërrohen, duhet ndar shapi prej sheqerit. Nëse dikush luftoi për pushtet ose për ndonjë qëllim tjetër, s’do të thotë se të gjithë menduan dhe mendojnë kështu.

Gabimet po na kushtojnë, e do të na kushtojnë

Gabime u bënë, e po bëhen. Pas luftës, paksa i ngatërruam gjërat, nganjëherë na rrëshqitën edhe këmbët. Nuk e kuptonim çka po ndodh në Kosovën tonë. Kush pati mundësi veproi: misionarë, shoqata, organizata të ndryshme, qeveritare e joqeveritare, të huaj e të vendit, të cilët fondet e tyre i investuan në gjëra të nevojshme e të panevojshme. Çdo kush u mundua ta shfrytëzojë zbrazëtinë e mosfunksionimit të organëve shtetërore të Kosovës. Askush nuk mundi t’i kontrollojë, ngase shumë aktivitete u zhvilluan kinse: “në saje të ndihmës ndaj popullatës tonë të dalë nga lufta”, dhe edhe për këtë arsye, nuk ia merrte mendja dikujt që ta pengojë dikënd. Edhe formimi i partive të shumta dhe përçarjet politike e bënë të vetën…, u bënë eksperimente të ndryshme me ne. Dikush tjetër synonte vetëm pasurimin e vet, me nder e pa nder. U krijua një kaos dhe shumica e popullatës mbeti e shtangur dhe e hutuar. Pas pak, filluan të dëgjohen disa shushurima, që nuk i patëm dëgjuar më herët:

Thanë: po shpërndahen prezervativë falas, kuptohet për ta degjeneruar rininë e pastër të Kosovës. Më vonë e themeluan edhe shoqatën e homoseksualëve të Kosovës, po shpërndahen fletushka, libra e ndihma, pa përjashtuar edhe mundësinë se aty do të gjendej ndonjë simbol i krishterë (kishë apo kryq). Mbulesa e vajzave tona shpesh ishte temë diskutimi, e asnjëherë zhveshja dhe lakuriqësia…, e çka jo tjetër. Dëgjonim gjëra të tmerrshme. Filluan të fyhen rëndë ndjenjat tona. Ne, popullatë e varfër, por dinjitet e terbije patëm gjithmonë. Kudo që shkuam për të siguruar kafshatën e gojës dhe për t’i ndihmuar familjes, në: Gjermani, Austri, Zvicër, Itali, e gjetiu, bëmë vend dhe shërbyem si njerëz, asnjëherë nuk na pengoi përkatësia nacionale e fetare e dikujt tjetër.

U formua Parlamenti i Kosovës dhe Kosova fitoi edhe pavarësinë e shumëpritur

Pas luftës na u desht të votonim dhe të zgjidhnim udhëheqësit tanë, dhe si qytetarë të vendit-votuam me dëshirë të madhe e respekt për njerëzit tanë. Të gjithë me mallëngjim e pritëm edhe  lajmin, për formimin e Parlamentit të Kosovës, por ishte edhe periudhë tranzicioni. Bëheshin lëshime edhe në Parlament, por mendonim se posa të shpallet Pavarësia gjërat do të rrjedhin ndryshe. U shpall edhe “Pavarësia e Kosovës”, ky një akt madhor për popullatën tonë. Disa ligje që u miratuan i dimë, e disa nuk i dimë. Disa ligje janë për të mirë, e disa për të keq. Çdo kush që udhëheqë, duhet t’i ketë të qarta vizionet dhe përgjegjësitë ndaj atyre që morën besimin-votuesve. Nuk është aspak e drejtë që të bëhemi argat të dikujt tjetër, për t’u shkelë vlerat e mirëfillta të popullit të cilit i takojmë, edhe nëse shkon në disfavor të pozitës udhëheqëse. Nëse na u dashtë të sakrifikojmë, sakrifikuam, dikush më shumë e dikush më pak. Nëse përsëri lypset një gjë e tillë, prap duhet të jemi të gatshëm. Në liri të gjithë janë të barabartë. Shumica e popullatës mbeti dhe është e zhgënjyer. Vitet po ecin dhe për shumë kënd gjërat nuk po ndryshojnë, bile në disa raste gjërat na u kthyen bumerang. Thuajse Kosova duhet të mbetët vetëm në duar të disave dhe të bëjnë matrapazllëke ashtu qysh ua kënda atyre. Ani pse populli nuk bën zë, se është i mësuar të durojë, por gjërat vërtetë nuk duhet të teprohen. Në fakt, ne jemi një shtet i ri, i posa formuar, për fat të keq jemi mbrapa të tjerëve. Nëse duam të arrijmë, duhet të shikojmë të tjerët si ecën dhe përparuan. P.sh. gjermanët pas luftës së dytë botërore, të gjithë një kohë të gjatë ishin ushqyer vetëm me kompira, vetëm për ta forcuar shtetin e tyre,  dhe edhe sot i shohim se sa të përkushtuar janë ndaj vendit-shtetit të tyre. Ngjashëm edhe italianët, të cilët ishin mësuar të hanin çdo gjë, nga bimët e frutat, e ushqime të tjera, vetëm e vetëm për t’u bërë më të fortë. Kurse tek ne, dikush u pasurua shumë, e dikush mbeti pa asgjë-kështu nuk ka drejtësi, nuk na shkojnë punët mbarë.

Feja, nuk është lojë, as material që blehet, as që shitet

Si qytetar dhe fetar-i Fesë Islame të cilës i takoj, me mjaft kujdes jam munduar të përcjelli vendimet e udhëheqësve tanë sa i përket çështjes së fesë, këtu është poenta kryesore. Pavarësia e Kosovës u shpall që katër vite dhe do të shohim se në nene e ligje të ndryshme, feja-sidomos Islame çuditërisht është anashkaluar. Ende nga ndonjë udhëheqës i yni nuk dëgjuam që të ketë reaguar seriozisht në këtë drejtim, ose reagimi i dikujt do të haset në veshë të shurdhër, s’merret asnjë vendim konkret. Kë e përfaqësojnë atëherë ata, nuk ju vjen turp që 96 % e popullatës së tyre i përkasin Fesë Islamie, kjo u dëshmua edhe në regjistrimin e fundit të popullsisë në Kosovë. Kjo është dashur të dihet edhe më herët. A mos ndoshta, ata udhëheqës patën qëllimin të na i marrin votat dhe ta kënaqin vetën e tyre me lukse, dhe kështu t’i realizojnë epshet e tyre të shfrenuara?! Jo, populli ynë është gjallë dhe pikërisht është ky popull-xhemat i xhamive tona që i pruri aty ku janë. Por, nuk luhet hajgare me këtë xhemat:

1. Feja-Islame është program hyjnor që e zgjodhi Allahu xh.xh. për njerëzimin mbi sipërfaqen e tokës, nuk duhet lënë si gjë e dorës së dytë apo të tretë, ose nuk duhet lënë anash, sepse ne jemi njerëz, pavarësisht pse ndonjë udhëheqës i yni nuk ka njohuri në këtë drejtim. Le të mësojë e të studiojë më mirë, nuk mund të jemi ne më të mençur se Allahu xh.xh., estagfirullah. Ligjet tona (të tyre) asnjëherë nuk mund të jenë më të mira se ligjet e Kuranit Famëlart.

2. Feja, asnjëherë, askund nuk duhet të jetë diskutabile, gabojmë shumë nëse mendojmë ndryshe, ngase është: traditë, kulturë dhe civilizim ndër shekuj dhe mbi të gjitha: vlerë,  pasuri dhe ushqim shpirtëror i një populli, siç është edhe për ne. Po të shpreheshim konkretisht, do të ishte një lloj, si të diskutohet për bukën ose ujin, kur duam të flasim për ushqimet tona ditore të zakonshme. Pra, asnjë ditë s’mund të jetojmë pa ngrënë bukë e pa pir ujë. Çdo kush e ka fenë e vet, ashtu si e ka. Edhe ne në Kosovë: jemi kështu si jemi, neve na pëlqen kështu, jemi shumë të kënaqur dhe fatlum-që jemi muslimanë (po them për ata që janë muslimanë). E kemi përkatësinë tonë nacionale dhe fetare, që identifikohemi si popull. Askush nuk ka të drejtë të na i cenojë këto, por le t’i ketë të qarta dhe të na i respektojë. Vetëm kemi nevojë për liri të mirëfilltë, e jo për ngërrç fetar-jetësor të pakuptimt. Në anën tjetër, nëse dikush e ka infektuar veten e tij me ateizëm dhe është në funksion ose udhëheqës, tash s’mund ta marim në qafë shumicën e popullit që jeton me fenë të cilës i takon. Ky është absurditet. Gjynah i madh është ky, krim dhe sherr.

3. Si popull, tradicionalisht identifikohemi me shumë fe, po edhe fraksione fetare. Toleranca dhe respekti ndërfetar në vendin tonë dhe në përgjithësi te shqiptarët janë shumë më të shprehura se dikund tjetër. Asnjëherë këtu s’kemi patur përçarje apo grindje mes feve. Se sa është e madhe kjo tolerancë, këtë e dëshmon edhe Katedralja Katolike,  për një numër të vogël besimtarësh katolikë në Kosovë, e cila është ndërtuar në zemër të Prishtinës, dhe që për hatër të saj u rrënua edhe shkolla më e njohur në Prishtinë. Në anën tjetër, selia e BIK-së-për shumicën e popullatës islame, Medreseja dhe Fakulteti Islam janë në pjesët periferike të Prishtinës. Ose për ta parë më konkretisht tolerancën fetare në Kosovë, duhet të shkojë në mes të Prizrenit-në Shadërvan, atje do t’i shehë të gjitha fetë pranë njëra tjetrës: xhamitë pranë teqeve dhe pranë kishave (katolike dhe ortodokse), etj.. Çdo kush e ka rrugën e lirë dhe të drejtën e tij.

4. Bindja fetare, pavarësisht sa është e qëlluar, është e drejtë e individit, ashtu siç është e drejt e dikujt për t’mos besuar. Në çdo shtet të zhvilluar feja e ka autoritetin dhe vendin e vet të merituar, cilado fe qoftë. Tek ne në Kosovë, nuk po kuptojmë se çka po synojnë disa, e edhe udhëheqës. A po, mos ndoshta dojnë që të bëhemi më të mençurit në botë?!

5. Pa dashur të injorojmë fetë e tjera dhe fraksionet e tyre në Kosovë, dhe duke patur konsideratë ndaj tyre, Feja Islame është ajo që dominon. Shumica e popullatës ka prijësit-imamët e tyre të shkolluar, ashtu siç i kanë edhe fetë e tjera. Na duhet vetëm të zhvillohemi edhe më tepër dhe të përparojmë.

6. Lënda fetare nëpër shkolla-për të gjitha fetë është nevojë e kahmotshme dhe ky proces i pazbatuar, tashmë është i vonuar.

7. Duke pas parasysh natyrën e femrës që e krijoi Allahu xh.xh.-mbulesa e trupit të femrave është: armë mbrojtëse e moral, karakter e njerëzi, nuk është asnjëherë prapambeturi. Në Islam mbulesa e trupit është obligative edhe për meshkujt, jo vetëm për femrat. Mbulesën e trupit, ne shqiptarët e kemi edhe traditë kombëtare. Njeriu me trup të mbuluar është elegant dhe me tipare njerëzore. Njeriu i veshur mirë, duket edhe më mir. Deri më tash asnjë diplomat, të vendit e të huaj, nuk e pamë dhe nuk e shohim të del para masës dhe kamerave me veshje joserioze, apo gjysmëveshje. E që ndoshta këtë e bëjnë, jo pse i ka urdhëruar Zoti i tyre. Atëherë, pse vallë, ta vëmë në pikëpyëtjë mbulesën e trupit!? Si ka mundësi që femrat të mos vishen ashtu si ka hije? Prandaj, të diskutohet për diçka që është për të mirën tënde, kjo është hata e madhe. Zoti na ruajtë. A po ndoshta jemi sëmurë në shpirt, e s’po e kuptojmë. Ata duhet t’i preokupojë gjendja e rinisë sonë, e edhe neve që po shkon drejt degjenerimit dhe shkatërrimit nëpër: internete, seriale, bare e lokale të natës, të zhytur në drogë e prostitucion, të sëmurë nga sida, e Hepatiti B,[8] etj…., gati askush nuk qan kokën për këto. Në fund të fundit, duhet ditur se Islami gjithmonë fton në moral, karakter, dinjitet e njerëzi.

8. Është qesharake për ne-për masën islame në Kosovë të prijë një këso femër presidente, që nuk e dimë hiq se si erdhi aty, e cila aspak nuk i kushton rëndësi para masës dhe kamerave veshjes së saj, e që i ngjanë një veshjeje që më vjen turp të them se çfar është ajo…. Kurse në anën tjetër, koleget e saj që janë të huaja, gjithëherë në televizion i shohim më të veshura se ajo. P.sh. Kancelarja gjermane Merkel dhe zonja Klinton. A thua nuk i sheh shoqet e saja se si duhet dalë para njerëzve-me trup të mbuluar mirë, si njeri? Ose, kjo presidentja jonë shkon takohet me prijës të vendeve arabe, të cilët (burrat) traditë e kanë të vishen  me një lloj veshje si fustanët e gjatë, ashtu si i njohim ne dhe me shami, kurse kjo “honmi” jonë, femër, për fat të keq, del me fustan të shkurt dhe  pa shami. Presidentja jonë, i bën edhe disa gabime tjera trashanike nga padituria dhe fjalët e papeshuara të saj. Në një tubim paskësh deklaruar: …“ne shqiptarët, Kanunin e Lek Dukagjinit e kemi sheriat…”, etj. etj.. Me këtë presidente na kan korit, po ndoshta s’do të qëndrojë shumë në këtë post. Inshaallah na vjen dikush tjetër ma i hajrit, që është i përgjegjshëm dhe i vetëdijshëm se kënd e përfaqëson.

9. Le të kenë kujdes udhëheqësit tanë gjatë miratimit të ligjeve, sepse ne shumica jemi muslimanë. Të miratosh diçka kundër mbulesës së vajzave nëpër shkolla, ose të stimulosh apo miratosh diçka për homoseksualizëm, atëherë, bëhemi të denjë për ndonjë dënim hyjnor nga Allahu xh.sh. që mund të na përfshijë ata bashkë me ne që i prum aty ku janë, e po veprojnë kundër interesave dhe ndjenjave tona fisnike.

10. Shpresojmë që në të ardhmen populli-xhemati ynë do të vendosë më seriozisht se kush e meriton të na prijë. Inshaallah kurrë nuk do të kemi aparat qeverisës që mund t’ia shohim sherrin si në Shqipëri gjatë diktaturës së Enver Hoxhës, e në disa vende të tjera.

Nëse nuk kuptohen seriozisht këto që thamë, atëherë, do t’jemi të rrezikuar, jo vetëm si fe, por kështu, përgjithësisht si popull do të humbim shumë dhe do të fundosemi në pafundësi. Allahu na ruajtë nga të ligat dhe na ndihmoftë në të mbarat.

Përfundim

Sot, e kemi shtetin tonë. Inshaallah, do të jemi prej atyre  që do të kontribuojmë për vendin tonë dhe si gjeneratë e parë e formimit dhe sëndërtimit të shtetit, të jemi një shembull i mirë dhe bazë e fortë e gjeneratave që po vijnë pas nesh, dasht Zoti për t’na nderuar, e jo për t’na mallkuar. Tashmë jemi të lirë dhe përgjegjësitë ndaj vendit tonë për të ardhmen janë edhe më të mëdha se kurdo herë më parë, ato veç tjerash na obligojnë që të jemi edhe më të kujdesshëm për traditën dhe kulturën fetare të vendit tonë, që na mbajtën gjallë si popull dhe na shpëtuan nga sllavët.

Në fund u themi udhëheqësve tanë: Pasiqë mirësia dhe fuqia ekzistojnë, a do të mundemi ta ringjallim me sinqeritet mirësinë dhe ta nxjerrim fuqinë prej thellësive për ta ngritur famën e popullit tonë?

Populli ynë, ende është i fuqishëm, pra duhet t’ua tërheqim vërejtjen ashtu si duam ne, e jo si mendojnë ata.

Pasiqë populli iu ka besuar, ju votoi dhe ju ndihmoi, atëherë kjo moskonsideratë ndaj vlerave të popullit është prerje e dorës së tij (popullit) dhe thikë në zemër. Mos e preni dorën që ju ndihmon dhe mos e shponi zemrën që ju don!

Ai që nuk mëson nga përvoja, është i marrë. Ai që nuk preket nga ngjarjet e hidhura, është i dobët. Ai që vrapon pas epshit është vetvrasës; si mund të na prijë ai që ndoshta është prej tyre?

Ju drejtohemi me fjalët më të arta që Allahu xh.sh. na porositë në Kuranin Famëlart:

“Pra, kini frikë Allahun e më dëgjoni mua. E mos shkoni pas atyre që janë të pafrenuar (që e teprojnë me vepra të këqia). Të cilët në tokë bëjnë shkatërrime, nuk bëjnë mirë”. (Esh-Shuaraë, 150-152).

Transmeton Zejneb binti Xhahshi, se në një rast e ka pyetur Muhamedin a.s.: “O i dërguar i Allahut, a mund të ndëshkohemi derisa në mesin tonë ka të mirë?” Ai tha: “Po, nëse shumohet e keqja”. (Hadith)     


[1] Shih: http:// www.geocities.com/byzantion 2001/Pravednikistorija.html , si dhe

Fikret Karcic “Muslimani Balkana-Istocno pitanje u XX vijeku”, Tuzla 2001, fq.115-152.

[2] Prof. Isa Bajçinca “Kur digjen librat…”- në Monografnë: “Barbaria serbe ndaj monumenteve islame në Kosovë”, fq. 309, botoi Kryesia e Bashkësisë Islame të Kosovës, shtëpia botuese “Dituria Islame”, Prishtinë 2000.

[3] Gjatë viteve 1988/89 organizatorë të demnostratave për nxënësit e Medresesë “Alauddin” të Prishtinës ishin: Mustafë Veseli nga Reçani i Suharekës, të cilin gjatë një demonstrate për mbrojtjen e Kushtetutës së Kosovës e mbytën forcat policore të Sërbisë, më: 27. 03. 1989 në Prishtinë. Shih Monografinë: “Imamët Dëshmorë-Shehidë në luftën e fundit në Kosovë 1989/1999”, fq. 59, botoi Kryesia e Bashkësisë Islame të Kosovës, shtëpia botuese “Dituria Islame”, Prishtinë 2010.

Kurse tjetri organizator ishte Muhamed Biçku nga Hogoshti i Kamenicës, të cilin poashtu e mbytën forcat ushtarake të Sërbisë, më: 29. 07. 1991 në Dugosellë të Kroacisë gjatë shërbimit ushtarak të tij. Po aty, fq. 53.

[4] Vet ishim dëshmitarë të asaj periudhe 1989-1999. Gjatë studimeve në FSI të Prishtinës, më: 01. 10. 1997, u patëm organizuar në fakultetin tonë për t’iu bashkangjitur protestës së studentëve të UP-së- së Kosovës, kurse iniciatori kryesor i FSI-së ishte Fadil Rashiti nga Petrova e Shtimes. Fadili ishte edhe pjesmarrës aktivë në radhët e UÇK-së, e që më vonë ra heroikisht, duke luftuar kundër çetnikëve serbë më: 14. 12. 1998 në Gorozhup. Po aty, fq. 31.

[5] Shih: Imamët, nëpunësit, ish nxënësit dhe nxënësit e Medresesë “Alauddin”-Prishtinë të vrarë e të zhdukur, gjatë viteve 1989-1999, Monografi: “Barbaria serbe ndaj monumenteve islame në Kosovë”, fq. 297-301.

[6] Disa prej hoxhallarëve gjatë luftës në Kosovë ishin ushtarë të UÇK-së, disa prej tyre kishin edhe detyra udhëheqëse-komandantë, të cilët u mbytën, e disa prej tyre shpëtuan dhe ende janë gjallë, për të cilët shpresojmë se do të bëhen evidenca dhe trajtesa më serioze.

[7] Edhe Kuvendi i Parë i LDK-së u mbajt në Medresenë “Alauddin” në Prishtinë, më: 05. 05. 1991.

[8] Ass. Dr. Ferid Agani “Vartësia nga substancat psikoaktive, kancer i shoqërisë kosovare”, Revista “Dituria Islame” Nr. 137, fq. 53, boton Kryesia e Bashkësisë Islame të Kosovës-Prishtinë.

Kasam Muhameti

Teolog-imam në xhaminë “muderris Rexhep Ismaili”, Bresanë-Sharr (Dragash)

Copyright © 2026 - Shoqata V.H.K Istanbul | Ndalohet përdorimi dhe riprodhimi i përmbajtjes së kësaj faqeje pa leje dhe autorizim