Punësimi i femrës sipas pikëpamjes së Sheriatit Islam - Mirësia Islame

Punësimi i femrës sipas pikëpamjes së Sheriatit Islam

Femra si partner i domosdoshëm për të vazhduar jeta e kësaj bote është trajtuar në mënyra të ndryshme tek popujt e ndryshëm. Sipas hebraizmit femra është fajtore për mëkatin e parë dhe se ajo është shkaktare për atë që Adami…


Publikuar:

Femra si partner i domosdoshëm për të vazhduar jeta e kësaj bote është trajtuar në mënyra të ndryshme tek popujt e ndryshëm. Sipas hebraizmit femra është fajtore për mëkatin e parë dhe se ajo është shkaktare për atë që Adami të ha nga pema e ndaluar. Kjo ngase sipas Dhiatës së Vjetër Zoti e pyeti Adamin dhe ai u përgjigj: “Mos vallë ke ngrënë nga pema që unë të kisha urdhëruar të mos haje?”. Njeriu u përgjigj: “Gruaja që ti më vure pranë më dha nga pema dhe unë e hëngra”. (Zanafilla 3: 11- 12). Ndërsa sipas krishterimit burri është lavdia e Perëndisë kurse gruaja është lavdia e burrit!

Ndërsa sipas islamit gruaja është e para që e ka besuar mesazhin e të Dërguarit s.a.w.s, në kohën e të Dërguarit s.a.w.s. ka marrë pjesë në ekspedita ushtarake, ka mbajtur ligjërata në xhami para grave tjera. Pos kësaj ajo ka pasur të drejtën e reagimit në ndonjë çështje që nuk i është dukur e drejtë, sikur që ka ndodh që gruaja të reagoi ndaj vendimit të Umerit r.a. i cili deshi të caktoi maksimumin e sasisë së mehrit. Por, ja që Umeri r.a. kur e pa se ajo kishte të drejtë tha: Omeri gaboi ndërsa gruaja ka të drejtë. 

Pra, Zoti i Madhërishëm krijoj krijesa të shumta dhe të llojllojshme dhe për secilën krijesë caktoi detyrën dhe funksionin që do ta kryej në këtë jetë. Prandaj edhe për njeriun caktoi detyrat që duhet t’i kryej në këtë jetë, e që detyra parësore e kësaj qenie të dalluar është adhurimi ndaj Allahut të Lartësuar. “Nuk krijova xhinet dhe njerëzit pos që të më adhurojnë”[1].

Dihet se Allahu i Madhërishëm të gjitha krijesat e gjallë i krijoj të gjinisë mashkullore dhe asaj femërore dhe secilës gjini i përcaktoj veçorit dhe mundësit e zbatimit të disa obligimeve dhe funksioneve në këtë jetë.

Pa dyshim se mashkullin i përkasin të drejta dhe obligime të veçanta ashtu si i përkasin e femrës, por në parim është se natyrshmëria  e mashkullit është më se përshtatshme për zbatimin e obligimeve jashtë shtëpisë ndërsa natyrshmëria e femrës është që t’i kryej obligimet brenda shtëpisë. 

Në këtë rast mund të parashtrohet pyetja se a lejohet femra të punësohet dhe nëse po ku dhe në çfarë profesione?

Pa dyshim se femra sipas sheriatit islam është e barabartë më mashkullin dhe se konsiderohet si partneri kryesore për vazhdimësinë e llojit njerëzor, andaj feja islame i kushton shumë rendësi femrës dhe ruajtjes së saj prej ekspozimit të rreziqeve që mund ta godasin. Në përgjithësi dijetarët janë të pajtimit se femrës i lejohet të punësohet dhe të punoj por duke kërkuar që të plotësohen disa kushte dhe rregulla.

Angazhimi i femrës me punët e shtëpisë:

Në parim detyra e saj parësore dhe kryesore është angazhimi i saj në shtëpi, kjo është ngase studimet e shumta rreth kësaj çështje argumentojnë se natyrshmëria dhe veçorit që i ka lloji i gjinisë femërore duhet edhe t’i jepet mundësia e zbatimit të punëve. Gruaja nëse angazhohet në kryerjen e obligimeve të brendshme të shtëpisë dhe se këtë detyrë e kryen në mënyrën më të mirë të mundshme do të jetë më mirë për të dhe për gjithë familjen. Thënë të drejtën femra nëse angazhohet me kryerjen e obligimeve familjare duke u kujdesur për fëmijët dhe edukimin e tyre, asaj nuk do t’i mbetet kohë për të kryer punë të tjera, ngase gruaja e cila punon edhe jashtë shtëpisë nuk do t’i mjaftoj kohë për familjen dhe fëmijët e saj.  Andaj, nëse ajo i le pas dore disa obligime ndaj fëmijëve dhe familjes, pa dyshim se familja e atillë do të jetë e pasuksesshme[2]. Pra, sipas kësaj është më se e qartë se puna kryesore dhe vendi ku gjithmonë do të jetë e suksesshme femra është angazhimi i saj me punët e shtëpisë, ngase nëse ajo i kryen obligimet e saj me suksese atëherë pa dyshim se familja e tillë do të jetë e suksesshme dhe shumë e lumtur. 

Angazhimi i femrës jashtë shtëpisë:

Ajo që u përmend më lartë nuk nënkupton atë se femra e ka të ndaluar që të punësohet edhe jashtë shtëpisë, por ne themi: punët e femrës jashtë shtëpisë ndahen në dy grupe:

1. Angazhimi në ato punë që duhet doemos me i zbatuar femra si p.sh. angazhimi si mami, mjekimi gjinekologjik i femrave, të dhënit mësim në shkollat e veçanta për femra. Prandaj, mu për këtë shoqëria myslimane duhet të angazhohet për të përgatitur kuadër për t’i kryer këto profesione, me qëllim që shoqërisë t’i lehtësohet jeta. Dijetarët konsiderojnë se është farzi kifaje (obligim kolektiv) për tu angazhuar që në shoqëri të ketë femra që i kryejnë këto angazhime.

2. Angazhimi i femrës në punët që munden t’i kryejnë meshkujt si p.sh. në punët e bujqësisë, industrisë dhe tregtisë. Në këtë rast lejohet që femra t’i kryej këto lloje të punëve varësisht prej mundësive të saja fizike, por duhet plotësohen disa kushte.

Kushtet që duhet të plotësohen për tu punësuar femra:

Për tu lejuar që femra të punoj qoftë për ato punë që janë të domosdoshme që të kryhen prej saj, apo qoftë të jenë punë që nuk është e domosdoshme t’i zbatoj ajo, duhet të plotësohen këto kushte:

1. Të merret leje prej prindërve apo kujdestarit që kujdeset për të, e po qe se është e martuar duhet të ketë lejen prej bashkëshortit. Kërkimi i lejes prej prindërve është edukatë fetare ngase kërkohet doemos respektimi i prindërve, ndërsa kërkimi i lejes prej bashkëshortit është kërkesë që e kërkon gjykata islame.

2.  Të mos ketë përzierje dhe vetmi me meshkujt e huaj, ngase kjo përzierje ndikon negativisht në aspektin e moralit.[3]  Kjo është kështu ngase i Dërguari s.a.w.s. ka tërhequr vërejtjen duke thënë: “Të mos vetmohet mashkulli me një femër të huaj ngase shejtani është i treti në mesin e tyre”.

3. Të mos shpalos bukurit e saja. Nga kjo kuptohet që femra e cila është e angazhuar duhet të ruhet që të mos i zbuloj bukurit e saj dhe që të mos jetë nxitëse e të tjerëve.

4. Që për shkak të orarit të punës të mos ketë kohë në kryerjen e obligimeve. Po qe se femra është shumë e angazhuar s a që nuk i mbetet kohë për tu kujdesur për familjen dhe fëmijët, atëherë ajo duhet të shkurtoj orarin e punës apo ta braktisë krejt[4].

5. Që femra të jetë e stolisur me devotshmëri ndaj Allahut të Lartësuar, ngase kur kjo është e devotshme e ruan vetën prej të këqijave dhe nuk nxitë të tjerët kah e keqja.

6. Që femra të jetë e veshur me mbulesën islame, duke mos shpalosur para të huajve pos atë që është e lejuar. “Thuaju besimtarëve të ndalin shikimet (prej haramit), t’i ruajnë pjesët e turpshme të trupit të tyre se kjo është më e pastër për ta. All-llahu është i njohur hollësisht për atë që bëjnë ata.”[5]

Pra këto janë kushtet që duhet t’i plotësoj femra që angazhohet të punoj  nëse do që të arrij kënaqësinë e Allahu në këtë botë dhe lumturinë në botën e amshueshme .

Përfundim:

Si përfundim mund të përmendim atë se femra sipas islamit ka të drejtë të punësohet nëse i plotëson kushtet e përcaktuar dhe të përmendura më lartë. Pos kësaj duhet t’i përmendim edhe disa pika me rëndësi që i ka përmendur prof.dr. Abdul Kerim Zejdani[6]:

1. Ajo e gëzon të drejtën për të jetuar, ngase ajo është e mbrojtur sikurse burri, andaj për këtë e ka ndaluar feja islame varrosjen prej së gjalli, ka obliguar zbatimin e masës ndëshkuese me mbytje ai që e mbytë gruan me paramendim. Këto rregulla vlejnë ashtu siç vlejnë edhe për mashkullin. 

2. Ajo meriton respektin, ngase edhe ajo është njëri. Allahu i Lartësuar ka thënë: “Ne vërtet nderuam pasardhësit e Ademit (njerëzit)”[7].

3. Ajo ka të drejtë të fitoj pasuri në format dhe rrugët e lejuara. Femra e ka të drejtën e fitimit të drejtave materiale dhe atyre jo materiale, njëjtë sikurse edhe mashkulli.  Të drejtën e e fitimit dhe të trashëgimisë feja islame e ka miratuar, pasi që në kohën e injorancës ishtin të ndaluara këto të drejta. Allahu i Lartësuar ka thënë: “Meshkujve ju takon pjesë nga pasuria që e lënë prindërit e të afërmit (pas vdekjes), edhe femrave ju takon pjesë nga ajo që lënë prindërit e të afërmit, le të jetë pak ose shumë ajo që lënë, ju takon pjesë e caktuar (nga Zoti).”[8]. Përderisa femra është e aftë në aspektin psikik dhe dinë të administroj parat, ajo është e lirë të veproj si të do me parat e saj pa i marrë leje askujt.

4. Ajo ka të drejtën e marrjes së mehrit  në aktin e martesës. Allahu i Lartësuar ka thënë: “Grave jepuani dhuratën e kurorës së tyre (niqahin) më të mirë”[9]. Ajo e ka të drejtën e furnizimit nga bashkëshorti: “I ati i fëmijës është i obliguar për furnizimin dhe veshmbathjen e tyre (gruas) ashtu si është rregull.”[10]. E drejta për të merituar furnizimin edhe për fëmijët e saj është ana prindërore e saj si nënë.

5. Ajo e ka të drejtën e përkujdesjes së fëmijës nëse ndodhë ndarja e saj nga bashkëshorti. 

6. Ajo ka të drejtë të studioj shkencat e dobishme më mënyrën që i përshtatet natyrshmërisë së saj dhe me kusht duke iu përmbajtur rregullave të domosdoshme islame.  Shkenca e cila i bënë asaj më së shumti dobi është studimi i sheriatit islam, i asaj që është hallall dhe asaj që është haram.  Sa i përket studimit të shkencave të ndryshme është çështje e lirë e robit (mubah), pra nëse femra dëshiron të mësoj ndonjë prej shkencave nuk ka kurrfarë pengese,  por me kusht që të kihen parasysh rregullat dhe kushtet që parasheh feja islame me qëllim të ruajtjes së femrës.  Po ashtu duhet të dijë femra atë se çfarë i përshtatet natyrshmërisë së saj, ta përforcoj specializimin e saj të natyrshëm për edukimin e fëmijëve dhe ruajtjen e shtëpisë, të mësoj artin e rrobaqepësisë, përgatitjes së ushqimit dhe bazat e edukimit të fëmijës e të ngjashme.  Kur ajo të dëshiroj shtimin e njohurive, nuk ka kurrfarë pengese por më kusht që mësimi të mos ndikoj që ajo të shpreh neglizhencë ndaj detyrave të saj si bashkëshorte dhe si nënë. Po ashtu lejohet shtimi i njohurive me kusht që mësimi të realizohet me mënyra të lejuara dhe se nuklejohet përzierja me shekuj duke u arsyetuar se është duke mësuar, nuk lejohet me i zbuluar bukurit para meshkujve. Të gjitha këto veprime e të ngjashme janë të ndaluara dhe nuk lejohen duke thënë se është çështje kërkimi të diturisë. 

8. Sa i përket të drejtës politike si: të angazhuarit me çështje të përgjithshme dhe pjesëmarrja në zgjedhje. Kjo çështje shpjegohet kështu:

Të brengosurit për çështjet e përgjithshme të myslimanëve, është e drejtë e saj, jo vetëm kaq por edhe e ka obligim brengosjen për çështjet e myslimanëve.  Në hadithin e të Dërguarit s.a.w.s. qëndron: “Ai i cili nuk brengoset për çështjet e myslimanëve nuk është prej tyre”. Prej çështjeve të përgjithshme të myslimanëve është ajo që është në dobi të tyre apo ajo që u sjell dëm atyre. Si karakteristik e kësaj brenge është të menduarit për punët e myslimanëve, përhapja e koncepteve islame që kanë të bëjnë me gruan, burrin, fëmijët, të afërmit dhe fqinjët. Po ashtu e drejtë e gruas është që të shpreh mendimin e saj në çështjet e përgjithshme, që të jap këshilla sipas mundësive të saja të natyrshme p.sh.  me shkrime, punime autoriale, me pjesëmarrje nëpër tubime të grave, duke iu dhënë mësime atyre, duke përhapur moralin e  mirë në mesin e grave,  duke i nxitur gratë tjera për t’i kryer obligimet e tyre, duke i penguar ato nga punët  e këqija etj. Allahu i Lartësuar ka thënë: “Besimtarët dhe besimtaret janë të dashur për njëri-tjetrin, urdhërojnë për të mirë, e ndalojnë nga e keqja”[11].


[1] Edh-Dharijat: 5

[2] Alij el-Ensariju: El-Mer’etu Te’alimuha ve ameluha fi Sheriatil Islamijjeti, fq. 65.

[3] Po aty 85

[4] Mekijjetu Mirza: Mushkiletul Mer’etil Muslimeti , fq. 300

[5] En-Nur: 30

[6] Dr. Abdul Kerim Zejdani, Usulu Daveti

[7] El-Isra: 70

[8] En-Nisa: 7

[9] En-Nisa: 4

[10] El-Bekaret: 233

[11] Et-Teubetu: 71

Copyright © 2026 - Shoqata V.H.K Istanbul | Ndalohet përdorimi dhe riprodhimi i përmbajtjes së kësaj faqeje pa leje dhe autorizim