Përsiatje për shoqërinë, bashkësinë dhe vetminë - Mirësia Islame

Përsiatje për shoqërinë, bashkësinë dhe vetminë

DëgjoArtikullin Shoqëria është një shumë e jashtme individësh mbi baza të pastra interesi, kurse bashkësia është një grupim njerëzish të bashkuar nga një lidhje metafizike, e cila forcon vazhdueshëm ndenjën e përkatësisë. Shoqëria është e bazuar mbi nevojat materiale, pra…


Publikuar:

Dëgjo
Artikullin

Shoqëria është një shumë e jashtme individësh mbi baza të pastra interesi, kurse bashkësia është një grupim njerëzish të bashkuar nga një lidhje metafizike, e cila forcon vazhdueshëm ndenjën e përkatësisë.

Shoqëria është e bazuar mbi nevojat materiale, pra mbi interesa. Nga ana tjetër, bashkësia bazohet mbi nevojën shpirtërore, pra mbi qëllime/aspirata. Në shoqëri njerëzit janë anëtarë anonimë, që lidhen dhe ndahen në varësi të interesit. Ndërsa në bashkësi njerëzit janë vëllezër, të lidhur nga mendimet e përbashkëta, nga besimi te njëri-tjetri ose nga ndenja e natyrshme që janë një. Shoqëria ekziston meqë, duke jetuar brenda saj, i arrijmë më lehtë të mirat materiale, nëpërmjet të cilave sigurojmë ekzistencën.[1] 

Pra, përmes shoqërisë sigurojmë ekzistencën, ashtu si çdo gjallesë, ndërsa përmes bashkësisë arrijmë mirëqenien. Domethënë, qenia nuk mund të jetë mirë pa një bashkësi. Trualli më i natyrshëm për t’u përmbushur qenësisht është diku ndërmjet vetmisë dhe shoqërisë, pavarësisht nevojës së përkohshme herë për vetminë e herë për shoqërinë, e cila, siç na mëson përvoja, nuk zgjat shumë, pasi që të dyja janë gjendje in extremis.

Fëmija nuk mund të jetojë pa ndihmën e të tjerëve, kurse të mëdhenjtë nuk mund të jetojnë normalisht pa u bashkuar me të tjerët – pikërisht këtu është burimi i shoqërisë në kuptimin e përjashtëm dhe, së këndejmi pastaj edhe burimi i socializmit dhe i idesë shoqërore. Orvatjet e njeriut për të jetuar në shoqëri nuk burojnë nga qenia e tij e njëmendtë, por nga domosdoshmëria si qenie-në-botë. Nuk kërkohet socializmi si i tillë, por dobia që ai sjell, pat thënë Hobbes-i. Në shoqëri sundojnë ligjet e më të fortit dhe ato të nënshtrimit, ose, në rastin më të mirë, ligjet e ekuilibrimit të interesave. Drejtësia, ndihmesa e ndërsjellë, solidariteti dhe vëllazëria janë të mundura vetëm në rastin e bashkësisë. Shumë prej mosmarrëveshjeve janë pasojë e korkolepsjes së këtyre dy nocioneve.[2]  

Jezui flet për dashurinë ndërmjet njerëzve – dhe ka të drejtë. Hobbes-i flet për luftën e të gjithëve kundër të gjithëve (ose Marxi për përplasjet e pafundme) – dhe ka të drejtë. Por, Jezui e ka fjalën për bashkësinë e njerëzve, kurse Hobbes-i dhe Marxi për shoqërinë. Adam Smith-i zbuloi simpatinë dhe instinktin për hakmarrje, si forca që rregullojnë marrëdhëniet ndërmjet njerëzve. Por, simpatia dhe instinkti për hakmarrje janë forca që mbretërojnë në bashkësi, e jo në shoqëri.[3]

Në procesin e ndërtimit të shoqërisë, qytetërimi shkatërron dhe këput lidhjet e brendshme, vetjake dhe të drejtpërdrejta ndërmjet njerëzve, dhe kësisoj vendosen marrëdhënie të përjashtme, anonime e të tërthorta midis tyre. Të parat janë të mishëruara te lidhjet familjare dhe farefisnore, te ritet e përbashkëta të lindjes, martesës dhe vdekjes, ose te ndihma e drejtpërdrejtë (e ndërsjellë) dhe te brenga e njeriut për njeriun. Në vend të këtyre lidhjeve, që e bëjnë njeriun njeri, qytetërimi krijon ente për përkujdesje, dhe brengën e lë në dorë të nëpunësve, që gjithashtu edhe ata kanë brengat e tyre! Kundruall familjes dhe bashkësisë shpirtërore (xhemati në Islam) qëndrojnë kolektivet prodhuese dhe shteti – pra, institucionet e tij, si shprehje e interesave objektive të anëtarëve të tij. Flitet për shpirtin kolektiv, por ai nuk ekziston. Qytetërimi nuk është në gjendje t’i japë kolektivit atë që nuk e ka vetë. Në fakt, kolektivi është shuma e thjeshtë e anëtarëve të tij, që zakonisht nuk njihen me njëri-tjetrin dhe janë gjithmonë të huaj për njëri-tjetrin. Në një tërësi ata i lidh procesi i prodhimit, godina e fabrikës ose toka bujqësore teksa punojnë; pra, një faktor i jashtëm. Këtu nuk ekzistoj Unë, as  Ti, sepse të gjithë jemi Ata. Ky fakt mund të shpjegojë paradoksin e vetmisë nëpër qytetet e zgjeruara me popullsi të madhe.[4]

Afria e njeriut me njeriun është një kategori shpirtërore, jo hapësinore – dhe këtë e dëshmojnë me të gjithë kthjelltësinë e tyre lojërat e ndryshme që luhen vetëm. Në të tilla lojëra njerëzit ndihen si në shkretëtirë, edhe pse mund të jenë shumë vetë të grumbulluar në një sallë.  Ekziston kolektivi, por nuk ka bashkësi – comunitas. Në qoftë se kremtet fetare – ku lutej e luhej – i afronin njerëzit, mbledhjet politike dhe ato për prodhimin e të ardhurat, ose – siç quhen – “mbledhjet e kolektivit” duket sikur i ndajnë edhe më shumë njerëzit. Në thelb kjo është një përçarje, pasi ndarje të tilla sa vinë e përsëriten në forma të ndryshme.

Sipas të dhënave nga kronikat gjyqësore të një qyteti të madh ballkanik, një e treta e të gjitha proceseve penale për shkak të fyerjeve dhe shpifjeve zë fill në të tilla mbledhje.

Bashkësia e vërtetë mund të themelohet vetëm mbi baza dashurie, simpatie, bashkëpërjetimi dhe altruizmi, pra në bazë të disa ndjenjave që i njeh vetëm religjioni. E kundruar hollë-hollë, drejtësia nuk është e domosdoshme për të ekzistuar shoqëria; porse, nga ana tjetër, është një kusht i domosdoshëm për të mbajtur bashkësinë. Rezulton që është e mundur të imagjinohet një shoqëri e fortë dhe e sistemuar, e mbështetur mbi një pabarazi të plotë (le të kujtojmë Republikën e Platonit, komunizmin e tij elitar); domethënë, mbi një padrejtësi gjithëpërfshirëse. Pavarësia e shoqërisë nga ideja morale pikaset edhe te fakti se të gjitha shoqëritë janë jomorale në sjelljen e tyre; kjo sepse shoqëria është një strukturë dhe nuk u nënshtrohet kushteve të qëndrueshme morale, por, para së gjithash, atyre fizike.

Ky ligj ka një vlerë absolute, për aq sa njeriu është kafshë, qoftë edhe më e përkryera. Sa më pak kafshë të jetë njeriu, aq më pak vlen ky ligj. Si përfundim, shoqëria fundoset me të gjitha ligjet e saj në çastin kur njeriu bëhet personalitet, praktikisht në çastin e humanizimit të një turme, grupi apo shoqërie. Në këtë çast nis jeta e bashkësisë.

Mirëpo, ligji për të cilin po flasim shpreh vetëm pamjen teorike të gjërave. Shoqëria e kulluar/ideale dhe bashkësia e kulluar ekzistojnë vetëm në parim. Në jetën e jetuar çdo shoqëri merr karakteristikat e bashkësisë, sepse përbëhet nga njerëzit dhe, për më tepër, nga njerëzit e vërtetë. Ajo nuk mbetet vetëm një shoqëri/utopi, por fillon të manifestojë një përmasë njerëzore – deri në një farë mase bëhet bashkësi. Kjo ndodh edhe vice versa: ndoshta bashkësitë e para të krishtera janë shembulli më i mirë i bashkësive shpirtërore, mirëpo ndër to nisën të aplikohen drekat e përbashkëta (agape), që përfaqësonin edhe disa nota sociale. Këto dhe fakte të tjera për disa u bënë shkas që fillesat e Krishterimit t’i përcaktonin si lëvizje sociale[5]; kurse barazinë e krishterë e morën si një lloj komunizmi. Por, duhet thënë se kjo është e gabuar, dhe një shenjë e mosnjohjes së thelbit të fenomeneve.

Nëse do kishte vend për një ushtrim matematikor, e gjithë jeta e njeriut, po të mblidhet qëndrimi në vetmi dhe në shoqëri, ka si përfundim bashkësinë.

Siç edhe e prekëm, jeta vetëm në shoqëri, apo vetëm në bashkësi, apo vetëm në vetmi nuk është e mundur, sepse vetë njeriu nuk është i mundur këtu dhe tani.

Nëse arrijmë të njohim apo qoftë edhe të nuhasim thelbin e këtyre tre gjendjeve, atëherë jemi duke ecur në rrugën e plotësimit qenësor.

Edison Çeraj


[1] Izetbegović, A. (2009) Islami ndërmjet Lindjes e Perëndimit, f. 168. Shkup: Logos-A.

[2] Po aty (f. 168-169), por e perifrazuar dhe me ndërhyrje komentuese.

Si ilustrim për kundërtinë mes shoqërisë dhe bashkësisë, le të kujtojmë këtu një fenomen me shumë rëndësi në Amerikë, që është shfaqur veçanërisht pas viteve ’40. Fjala është për një valë të fortë etnie dhe pluralizmi kulturor, e cila është përhapur gjithandej. Stimuli më i thellë i kësaj vale – siç shpjegon Victor Turner – është gjurmimi i bashkësisë dhe nevoja për bashkimin spontan – comunitas. Comunitas-i – vazhdon Turner-i – është një bashkësi spontane dhe e vetvetishme. Ai është një “antistrukturë”, dhe i kundërvihet që në thelb strukturës shoqërore, “ashtu siç i kundërvihet antimateria hipotetike materies”. “Bashkësia është në qendër të religjionit, të letërsisë, dramës dhe të arteve pamore; kurse gjurmët e saj (të ngulitura thellë) mund të hasen te ligjet, tek etika, madje edhe në ekonomi”, shprehet Turner-i. Ndërkaq, Dillon Riply, sekretari i Institutit Smithsonian, shpjegon: “Nuk ka kundërmjete të suksesshme për standardizimin e kulturës masive, mirëpo festivalet e jetës popullore ndihmojnë mbajtjen e strukturës së pluralizmit kulturor dhe larminë llamburitëse. Ato zbulojnë dhe përtërijnë bashkësitë që janë mbrojtëse të fuqishme të individit nga bota e mega-shtetit dhe e mega-korporatave.” Me sa duket, qe e nevojshme të zhvillohej një shoqëri si ajo e Amerikës në mënyrë që njerëzit të kuptonin disa ndryshime qenësore ndërmjet shoqërisë dhe bashkësisë, si dhe veçanërisht faktin se zhvillimi i shoqërisë nuk të çon te bashkësia – përkundrazi. Kjo lëvizje masive për hulumtimin e rrënjëve (Halley, Rrënjët) dhe përtëritjen e traditës, që u shfaq në mënyrë fare spontane në vitet gjashtëdhjetë në Amerikë, mori një shtytje të fortë kur protagonistët e saj ia dolën të organizojnë miratimin e një ligji të veçantë për inkurajimin e etnicitetit (Ethnic Encouragement Act). 

[3] Po aty, f. 169.

[4] Po aty (f. 169-170), gjithashtu e perifrazuar dhe me ndërhyrje komentuese.

[5] Ja çfarë lexojmë te Aktet e Apostujve (kap. 2, vargjet 42-47 dhe kap. 4, vargjet 32-35): “Të gjithë ata që ishin besimtarë u bashkuan dhe e bënë gjithçka bashkë. Ata shisnin pronat për t’i ndarë me të tjerët sipas nevojave të secilit…” Këto vargje të kujtojnë formulimin e Etienne Cabet-it, i cili, ne shekullin e nëntëmbëdhjetë e përcaktonte kështu bashkësinë e utopistëve: “Secili sipas aftësive, secilit sipas nevojës”, fjalë të përsëritura më vonë edhe nga Stalini.

Copyright © 2026 - Shoqata V.H.K Istanbul | Ndalohet përdorimi dhe riprodhimi i përmbajtjes së kësaj faqeje pa leje dhe autorizim