A ka Europa një problem inkuizicioni?
Zvicra ndaloi ndërtimin e xhamive, Spanja dhe Italia kanë vendosur kufizime të rënda për lejet mbi ndërtimin e xhamive të reja, dhe Austria adoptoi një ligj për të ripërkufizuar statusin e Islamit dhe të muslimanëve në vend. Franca i ka…
Publikuar:

Zvicra ndaloi ndërtimin e xhamive, Spanja dhe Italia kanë vendosur kufizime të rënda për lejet mbi ndërtimin e xhamive të reja, dhe Austria adoptoi një ligj për të ripërkufizuar statusin e Islamit dhe të muslimanëve në vend.
Franca i ka shtrirë ndalesat te hixhabi, nikabi, e tani te burkini, dhe mbikëqyrja masive e muslimanëve në tërë kontinentin ngre një pyetje të rëndësishme: A do të ketë gjithmonë Europa një problem inkuizicioni kur merret me shtetasit e vet muslimanë?
Rrjedha aktuale e politikave që i vënë në shenjë muslimanët anekënd Europës të kthen prapa, në një periudhë më të hershme dhe më të errët në historinë e gjatë të kontinentit, në inkuizicionin spanjoll.
Kujtim i së shkuarës
Sigurisht, Inkuizicioni përfshiu konvertimin e detyruar në Krishterim për muslimanët, hebrenjtë dhe ca krishterë, të cilët Kisha Katolike i pa si heretikë, si dhe përjashtimin për ata që refuzuan apo që në fshehtësi vazhduan të praktikojnë.
Inkuizicioni ishte një strukturë shtypëse rregullatore që i qeverisi hapësirat dhe trupat e muslimanëve dhe hebrenjve, me kufizime të vëna në veshje, në ushqim, higjienë dhe lëvizje.
Rregullimi përfshinte konsumimin e shtrënguar publik të mishit të derrit për të demonstruar një ndarje nga mbajtja e kërkesava kosher dhe hallall.
Kërkesën për t’i mbajtur hapur dyert dhe dritaret e shtëpive të premten dhe të shtunën, kështu që mbikëqyrësit e inkuizicionit të mund të shihnin që nuk po kryheshin aktivitete fetare apo larje rituale për falje.
Në kulm të kësaj, hebrenjtë dhe muslimanët iu nënshtruan dhunës së organizuar të shtetit, torturës dhe sundimit të terrorit, që pati si përfundim dëbimin masiv nga Spanja në vitin 1492.
Moriskot, muslimanët të cilët e përjetuan konvertimin katolik me forcë por qëndruan në Spanjë, u dëbuan në 1609-n, dhe përfunduan në Afrikën e Veriut.
Përgjigjja e pritshme e industrisë së islamofobisë ndaj krahasimit të ngjashmërive midis Inkuizicionit dhe asaj që po ngjet sot do të jetë mospranimi, dhe ndoshta konsiderimi i gabuar, sepse Europa po përballet me terroristët muslimanë dhe me kërcënimet për sigurinë.
Ndërsa pranoj se Europa po përballet me sulme terroriste, përqendrimi vetëm te muslimanët, kur të tjerë terroristë janë njëlloj kërcënim, është problematik. Ai tregon një tendenciozitet të qartë përzgjedhës mbi bazën e identitetit të supozuar europian.
Rregullimi i trupave
Politika shtypëse dhe struktura rregullatore të adoptuara nga vendet europiane u diktuan gjithashtu gjatë periudhës së gjatë koloniale.
Si një femër apo mashkull musliman duhet të vishej, të vepronte, të hante e të “qe i civilizuar” u shkrua me gjakun e shumë shtetasve muslimanë në Afrikën e Veriut, në nënkontinentin indian, në Afrikën Nënsahariane, e në pjesën qendrore të sotme të botës arabe.
Rregullimi i hapësirës dhe trupit të shtetasit musliman është ndërthurur në mënyrë epistemike në ligjërimet e shkuara dhe të tashme europiane.
Vlerësimi i Europës se rregullimi dhe administrimi i hapësirave dhe trupave të tyre po ndërmerret në mbrojtje të shekullarizmit dhe demokracisë është i gabuar kur matet me parimin e lirisë dhe zgjedhjes individuale.
Këtu stereotipet historike mbi muslimanët dalin në sipërfaqe edhe një herë, duke i lejuar europianët ta legjitimojnë rregullimin në mbrojtje të një të drejte të femrës muslimane për të zgjedhur, si dhe të çlirimit të saj nga shtypja e mashkullit të keq dhe të paqytetëruar.
Ky argument europian i vjetëruar dhe i tejpërdorur po i mëshon përsëri tropit të meshkujve të bardhë që i shpëtojnë femrat zijoshe nga e keqja dhe dhuna e meshkujve zijoshë. Debatet rreth hixhabit të femrave muslimane në Europë janë kapitulli i fundit i një libri racist të mirëdokumentuar që u mohon femrave lirinë e zgjedhjes në jetën e tyre normale të përditshme.
Ndryshim shoqëror
Këtu, ashtu si në kohën e inkuizicionit spanjoll, Europa është në mesin e kundërshtimit masiv demografik, politik, social, ekonomik dhe fetar, që po projektohet me muslimanët si tjetri dallues.
Hebrenjtë qenë vënë në shenjë për një kohë të gjatë në Europë si koka turku për sfidat dhe dështimet e brendshme apo të jashtme, dhe tani muslimanët po fajësohen me shpresën që të bëhen të heshtin të gjitha pikëpamjet kundërshtuese mbi atë se ç’lloj shoqërie do të ketë Europa në të ardhmen.
Kufizimet sot janë imponuar në emër të shekullarizmit europian apo të mbrojtjes së tij, por objektivi mbetet shtetasi musliman, ashtu si 60 vite më parë ishte shtetasi hebre. Nisja e një inkuizicioni fundamentalist shekullar ndryshon pak nëse pasoja është e njëjtë për viktimat.
Fundi i kryqëzatave, vdekja e një të tretës së popullsisë europiane gjatë Murtajës së Madhe, paqëndrueshmëria politike dhe konfliktet fetare ishin faktorët kyç shtytës për valët e ndryshme të inkuizicionit anembanë Europës.
Tani nxitjet përfshijnë emigracionin, ndërhyrjen e Irakut, luftën civile siriane, paqëndrueshmërinë ekonomike dhe idetë e ndryshme mbi projektin europian. Inkuizicioni mbi subjektin musliman është një mënyrë e lehtë për ta vënë në diskutim identitetin e Europës në mes të krizave shoqërore, politike dhe ekonomike.
Një identitet europian?
Inkuizicioni dëshmoi ndërtimin e një identiteti të dalluar europian, të sjellë rreth bardhësisë dhe të bashkuar me Krishterimin, që nënkuptonte flakjen jashtë të tjetrit, hebreut dhe muslimanit, për të arritur te “pastërtia e racës”, apo te “i pastër për burimin” epistemik.
Europa kaloi më pas nëpër luftëra të mëdha fetare, politike dhe ekonomike, midis Protestantizmit dhe Katolicizimit për atë se vizioni i cilës shoqëri do të mbizotëronte. Inkuizicioni ishte një instrument për të mbrojtur rendin ekzistues dhe për t’i dhënë mbështetje ortodoksisë katolike.
Europa e sotme është në mesin e një krize identiteti të përqendruar rreth projektit të Bashkimit Europian dhe pyetjeve se cili duhet t’i përkasë atij dhe cili duhet lënë jashtë.
Ortodoksia shekullare dhe ekonomike po përdoren për të përcaktuar anëtarësinë dhe përkatësinë në projektin europian.
Pyetja e vërtetë që mund të bëhet kërkon të sqarojë në është Europa në gjendje të jetojë me një tjetër të brendshëm të ndryshëm e ta përfshijë atë?
Historia e Europës deri tani është dëshmi e paaftësisë për të bërë kështu për çdo periudhë të vijueshme. Muslimanët e sotëm janë hebrenjtë e Europës të një të shkuare jo aq të largët, dhe koha ka për të treguar nëse e njëjta pasojë është rrjedha e diktuar për të ardhmen. Shpresoj të mos jetë kështu!

