Tjetri midis urrejtjes dhe adhurimit - Mirësia Islame

Tjetri midis urrejtjes dhe adhurimit

Së pari, një tjetër është një unë përballë meje, ose kështu duhet të jetë. Ashtu si unë, edhe tjetri ka disa përkatësi kyçe: një racë, gjuhë, karakter dhe, mbi të gjitha, përkatësinë më përfaqësuese dhe më domethënëse, atë fetare (apo…


Publikuar:

Së pari, një tjetër është një unë përballë meje, ose kështu duhet të jetë. Ashtu si unë, edhe tjetri ka disa përkatësi kyçe: një racë, gjuhë, karakter dhe, mbi të gjitha, përkatësinë më përfaqësuese dhe më domethënëse, atë fetare (apo jo…?), se kjo është e vetmja përkatësi që i jep njeriut mundësinë të ketë një botëkuptim për jetën, gjë që nuk ngjet assesi me përkatësi të tjera (cilado qoftë ajo), të cilat janë të pjesshme (asnjëherë holiste, sado që ka individë dhe popuj që ngulmojnë për një gjë të tillë), të destinuara të mbeten brenda kohës dhe hapësirës, dhe si të tilla të pamjaftueshme për t’i vështruar dhe menduar për të qenë të mjaftueshme.

In medias res

Përgjatë kohëve të fundit, herë në intervale të caktuara e herë çrregullt deri në shtysë për limonti, është shkruar e diskutuar sa nëpër gazetat e përditshme e sa në mediat elektronike për dukurinë e ndikimit të kulturës osmane dhe turke në vendin tonë, përkatësisht mbi të ashtuquajturin neo-otomanizëm. Duke mos dashur të futem asfare me hap zyrtar në këtë diskutim, pasi mendoj se akoma nuk ka marrë atë drejtim të shëndetshëm që do krijonte mundësinë e natyrshme për t’iu qasur në një trajtë sa më të shëndetshme dhe mundësisht sa më largpamëse, pra, larg të qenurit i vënë përfund nga emocionet dhe firma rutinë për pagën e radhës. Kjo sepse, sikurse ndodh shpeshherë tanimë në këtë mejdanin tonë të ngjyrosur plot shajni e të zhvilluar si një kurs për të trajnuar gjahtarë me gjak të ri, diskursi merr gjithnjë dy prirjet in extremis: pirrja që shfaq vetëm urrejtje ndaj këtij ndikimi, dhe tjetra që e pranon pa kushte dhe i thur vetëm lavde e i njeh vetëm të mira, sikur të kish zbritur kryefund nga qielli.

Domethënë, ajo që mungon dukshëm ose që është privuar të ketë të njëjtën hapësirë publike si dy të tjerat, është pikërisht qasja e matur ose e mesme që synon të nxjerrë në pah si aspektet e mira dhe të këqija të dukurisë, ngaqë nuk lipset asnjë lloj mundi akademik a shkencor për të kuptuar që nuk mund të ekzistojë një kulturë, qoftë në të shkuarën e qoftë sot, e cila të jetë tërësisht negative apo e pavlerë, sikundërse nuk mund të ketë kulturë që të jetë e gjitha pozitive dhe vetëm me vlera. Me pak fjalë, çdo kulturë ka anët e mira/të dobishme dhe ato të këqija/të dëmshme.

Kjo e thënë në parim, pa dashur t’i futemi relativizmit kulturor, ku një çështje e caktuar qëllon të jetë me vlerë për një kulturë, kurse për një tjetër e pavlerë dhe problematike, gjë krejt normale kjo, për aq sa nuk kemi të bëjmë me çështje bazike të njerëzores – e megjithatë edhe në këtë pikë ekzistojnë dallimet, pasi të tilla paskan qenë ligjet e vendosura në natyrën e njeriut, dhe nuk mbetet tjetër vetëm se secili të mënjanohet natyrshëm me të vërtetën apo të vërtetat e tij e t’i ruajë ato, për aq beson se ato i ujisin fillin e të qenurit.

Pra ligjësitë janë të tilla: kulturat ndikohen nga njëra-tjetra, deshëm apo nuk deshëm ne – kjo nuk varet aspak nga ne – pasi, në kryeherë kjo ndodh me individin, i cili në varësi të disa elementeve qëllon të ushtrojë ndikim për mirë ose për keq, mjaft të çojmë nëpër mend – nëse do u referohemi shembujve të ndikimit për mirë – një personalitet të caktuar nga një fushë dijeje si filozofia, letërsia apo arti, e do shohim se ai nuk i përket më vetëm kulturës nga e cila ka dalë, por mbarë njerëzimit. A nuk ka ndodhur kjo me poetë/shkrimtarë si Homeri, Dante, Rumiu, Shakespeare, Tagore, Kafka etj. A nuk ka ndodhur e njëjta gjë me filozofë/mendimtarë si Platoni, Aristoteli, Averroe (Ibn Rushdi), Thoma Akuini, Kant-i, Heidegger-i e kështu me radhë.

Mendoj se problemi kyç tek i cili lipset të përqendrohemi është se si bashkëveprojmë ne me kulturat e tjera? A e ruajmë sa duhet autentiken tonë nga cenimet tjetërsuese kur ndikohemi nga një kulturë e caktuar? Sa kemi bërë ne për të ruajtur një ndikim që duhet ruajtur nga një kulturë? Nga ana tjetër, sa jemi përpjekur të përmirësohemi nga një ndikim negativ apo problematik i një kulture? A nuk është e vërtetë që shumë e shumë ndër ne ushqejnë një kompleks problematik inferioriteti karshi kulturës perëndimore në veçanti, duke konsideruar të mirë çdo gjë që vjen nga Perëndimi, duke e marrë atë si etalon për çdo gjë, që nga mënyra se si lidhim lidhëset e këpucëve e deri te mënyra se si mendojmë, dhe kështu Perëndimi është shndërruar me kohë në një perëndi, thjesht na është dashur t’i heqim m-në fundore pas një reflektimi me orar e të gjymtuar që kaluam për 45 vite në komunizëm.

Nga ana tjetër, a nuk është po ashtu e vërtetë që shumë e shumë ndër ne janë të mbushur me paragjykime nga më të çuditshmet e deri tek ato më qesharaket për kulturën osmane apo turke në veçanti?

Po sikur të ndërmendim pak çështjen e gjuhës sonë, që është elementi kyç më përbashkues, – dritarja kryesore prej së cilës tjetri vështron dhe njeh kulturën tonë – e të hedhim shikimin se sa e zotërojnë atë sa e si duhet, le të themi, grup-moshat e reja? Fatkeqësisht do vëmë re fare lehtë që pjesa dërrmuese nuk dinë as të ndërtojnë një fjali si duhet!

Pra, së pari, ajo që duhet bërë është rikthimi i vazhdueshëm i vëmendjes nga vetja, pasi në thelb, nuk na e ka fajin askush, fjala vjen, për një problem, të metë apo cen të caktuar që kemi, sepse mbi të gjitha jemi ne përgjegjës për atë që ndodh apo nuk ndodh në mesin tonë, pa mohuar assesi pjesën e përgjegjësisë që u takon të tjerëve.

Përpara se të qasemi ndaj tjetrit duhet të njohim mirë veten, se përndryshe nuk kemi zgjidhje tjetër: ose do u thurim lavde të tjerëve ose do i urrejmë.

Domethënë, njohja dhe bashkëveprimi i matur me tjetrin vjen vetëm pasi kemi (vetë)dijen e mjaftueshme për veten.

Edison Çeraj

Copyright © 2026 - Shoqata V.H.K Istanbul | Ndalohet përdorimi dhe riprodhimi i përmbajtjes së kësaj faqeje pa leje dhe autorizim