Transplanti ideor
DëgjoArtikullin Era e ndryshimeve të fundviteve ’80, të shekullit XX, që preku Europën Lindore, nuk mund të mos shkaktonte turbullime dhe ndryshime edhe në hapësirat shqiptare, qofshin pjesë e shteteve ballkanike apo në Republikën e Shqipërisë. Ndryshimet që po ndodhnin,…
Publikuar:

Dëgjo
Artikullin
Era e ndryshimeve të fundviteve ’80, të shekullit XX, që preku Europën Lindore, nuk mund të mos shkaktonte turbullime dhe ndryshime edhe në hapësirat shqiptare, qofshin pjesë e shteteve ballkanike apo në Republikën e Shqipërisë. Ndryshimet që po ndodhnin, ngjallën shpresat e masës së përvuajtur të njerëzve për hedhjen pas të së shkuarës 45-vjeçare dhe fillimin e një ere të re për të ndërtuar dhe jetuar jetën me dinjitet në vendin e tyre, në kombin e tyre. “Liri – Demokraci”, “Ta bëjmë Shqipërinë si gjithë Europa”, e plot sllogane të tjera, ngrinin dhe mbanin gjallë shpresat për një Shqipëri ndryshe, ku dinjiteti i gjithësecilit si qenie njerëzore dhe jo si një kavie apo levë, do të vendosej përputhshmërisht me meritokracinë dhe jo nëpërmjet sistemit të patronazhit, nepotizmit, nomenklaturës politike.
Transformimet ishin jo të lehta, madje një operacion i vështirë që s’mund të shmangej. Axhenda e klasës politike, sidomos pas makabritetit ’97, u përcaktua integrimi euroatlantik. Rotacioni i 2005-ës e përforcoi edhe më tej këtë prirje, e cila përbënte dhe vazhdon të përbëjë një sfidë të hapur për klasën politike të Republikës së Shqipërisë. Në emër të integrimit europian janë ndërmarrë dhe vazhdojnë të ndërmerren reforma, në mënyrë që të përplotësohen standartet e kërkuara nga organizmat e BE. I gjithë kuadri ligjor vazhdon të përafrohet me kuadrin ligjor të vendeve të BE, që janë më të zhvilluar dhe përparuar në këtë drejtim dhe jo vetëm.
Duke shpresuar në ecjen me hapa galopantë drejt përafrimit me vendet e zhvilluara të Europës Perëndimore, janë sjellë dhe vazhdojnë të importohen praktika të cilësuara si më të përparuarat dhe më bashkëkohoret, duke synuar kësisoj implementimin e një sistemi që do të jetë dorëzanë për respektimin e dinjitetit të njeriut dhe meritokracinë. Deklarata, konferenca, takime të vazhdueshme thuhen e mbahen vetëm e vetëm për të na përforcuar bindjen dhe sigurinë se jemi në rrugën e duhur të ngritjes së sistemit të sipërpërmendur. Aq të shpeshta dhe magjepsëse janë këto deklarata, saqë shpeshherë dhe jo rrallë të duket se vërtet këtu, në këtë vend, meritokracia është në kulmin e lulëzimit. Kësisoj, ajo çfarë në të vërtetë është ngritur në sistem, për këdo që dita më ditë është në kontakt direkt apo indirekt me sistemin, është kryekëput tjetërfarë nga sa përçohet gojarisht.
Duke synuar përputhshmërinë me praktika më të avancuara, në vend të meritokracisë dhe efikasitetit që buron prej saj, kemi përqafur shabllonizmin dhe artifica të nduarduarshme që përdoren dhe instrumentalizohen makiavelisht prej atyre që kanë të drejtën e marrjes së vendimeve dhe e gjithë kjo e fundit, në emër të përmbushjes së standarteve që do të na hedhin në prehërin e integrimit dhe lartësimit të dinjitetit si individë dhe si komb. Jo më larg se 20 – 25 vjet të shkuara besuam se ishim fanar ndriçues i socializmit në botë, sot besojmë se po demokratizohemi gjithnjë e më shumë mbi themelet 45-vjeçare dhe qerestesë së brishtë demokratike.

