A është mëkat të biesh në dashuri?
“Sot do ta mund egon time dhe do ta fali namazin në kohë! Kam abdest dhe në qoftë se do ta ruaj abdestin deri në kohën e drekës dhe të iqindisë mund të falem.”-tha. Klientët vinin me radhë për të…
Publikuar:

“Sot do ta mund egon time dhe do ta fali namazin në kohë! Kam abdest dhe në qoftë se do ta ruaj abdestin deri në kohën e drekës dhe të iqindisë mund të falem.”-tha.
Klientët vinin me radhë për të kryer punët e tyre. I ra butonit për të pritur klientin e radhës dhe shikoi që drejt saj po vinte një djalosh i gjatë dhe simpatik. I dorëzoi dokumentin. Teksa Amina po shikonte në kompjuter, i riu i tha me një zë të ëmbël:
“Ndoshta e dini edhe ju, po kjo ngjyrë e flokëve ju shkon shumë. Me siguri i keni lyer së fundmi!..”
Amina u habit pak nga ky kompliment i papritur, sepse nuk e kujtonte fare këtë djalë, por nga e dinte ai faktin që ajo i kishte lyer flokët kohët e fundit.
“Po këto ditë i kam lyer. Siç duket ju jeni një nga klientët e rregullt të kompanisë sonë.”
“Po, jam një klient i rregullt, por ju si duket nuk më keni vënë re më përpara… Kurse unë, sa herë që vij në këtë bankë përpiqem të të shikoj ty.”
Amina u mundua që të përshpejtonte llogaritë dhe i tha:
“Urdhëroni zotëri, transferta u krye me sukses.” Djali, i sigurt në vetvete, i tha:
“A mund të pimë një kafe sot pasdite?”
Amina nuk foli. Shtypi butonin për të thirrur klientin e radhës dhe tha:
“Le të vijë tjetri…”
Djali tha: “Dakord, e mora mesazhin tënd!”, dhe u largua me një buzëqeshje çapkëne në fytyrë. Amina buzëqeshi duke shikuar djalin që po largohej, i kishin pëlqyer shumë këto komplimente me të cilat nuk ishte e mësuar.
Deri në pushimin e drekës mendoi për djalin. Ajo e kishte mbajtur mend emrin e djalit dhe bile e kishte shënuar diku nga frika që mund ta harronte. Emri i tij ishte Ozgyr… Një djalë që i bënte kompliment vajzës që shikonte për herë të parë mund të ishte shumë çapkën. Në fakt i kishte vënë në dukje faktin që kishte kohë që po e ndiqte.
Ora ishte 12:00 dhe sapo kishin hyrë në pushimin e drekës. Amina këtë radhë zgjodhi namazin. U tha shoqeve që të kalonin përpara sepse do t’i arrinte. Shkoi në katin e bodrumit, dhoma ishte bosh dhe ajri ishte shumë i rëndë. Disa nga punonjësit faleshin aty nganjëherë. Mori kartonin që ndodhej në tokë, u drejtua nga kibla dhe lidhi duart duke thënë: “Allahu Ekber”
Për 5-6 minuta e kishte përfunduar namazin dhe u nis me nxitim drejt lokalit ku e prisnin shoqet. Ishte e qetë, sepse e kishte falur namazin, por nuk kishte marrë ndonjë kënaqësi prej tij. Kënaqësia e namazit të sabahut që kishte falur një ditë më përpara ishte krejt tjetër.
U takua me shoqet dhe filluan të flisnin për temat e përditshme, pastaj ajo filloi t’u tregonte për Ozgyrin. Shoqet filluan të luanin me të:
“Oooo zonjushë Amina i hapi velat drejt oqeanit të dashurisë!”
Amina pak e turpëruar dhe pak e zemëruar iu përgjigj:
“Sa shumë që e zgjatët edhe ju!.. Nuk do t’ju tregoj më asgjë!..”
Të gjitha së bashku filluan të qeshnin dhe u drejtuan për në punë duke luajtur me njëra- tjetrën. Të gëzuara po hynin në bankë kur u përballën me një postier që mbante një tufë me lule në dorë. Postieri lexoi dhe një herë kartvizitën:
“Kush është Amine Ballkanllë?”
Amine iu përgjigj: “Unë.”
Postieri i zgjati një letër dhe i tha:
“A mund të nënshkruani këtë dokument i cili tregon që i ke marrë lulet…”
Amina e pyeti: “Dakord, por kush m’i ka dërguar?”
Postieri i tregoi një zarf që ndodhej mbi lule dhe i tha: “Në fakt, nuk ka lënë emër.”
Amina e falënderoi postierin, duke menduar se emri i dërguesit do të ishte i shkruar brenda zarfit. Shoqet e inkurajonin që ta hapte zarfin sa më shpejt. Amina i vendosi lulet në tryezë dhe hapi zarfin. Brenda tij ndodhje një shënim i shkurtë:
“ Në nder të takimit tonë të sotëm, Ozgyr.”
Tashmë çdo gjë u bë e qartë. Ndërkohë Amina nuk do të shpëtonte lehtë nga shakatë e shoqeve. Lulet ishin shumë të bukura, ishin orkide, të cilat ajo i donte aq shumë… Në atë moment ra telefoni, ishte Ozgyri.
“Uroj që t’ju kenë pëlqyer lulet.”
“Ishin shumë të bukura, por nuk kishit pse të mundoheshit, pastaj ne akoma nuk jemi njohur…”
“Tashmë e kam fituar të drejtën e një kafeje, apo jo?”
“Nuk e di…”
“Nuk pranoj asnjë justifikim, të pres para bankës në orën 17:00.”
“Dakord, vetëm një kafe për të falënderuar për lulet…”
“Mezi po e pres pasditen.”
“Dakord, në pesë…”
Ozgyri lëshoi një pasthirrme kënaqësie dhe shtoi:
“Jam duke fluturuar!..”
Amina ishte shumë e habitur nga çdo gjë që kishte ndodhur. Pasdite do të takohej me një njeri që e kishte takuar vetëm këtë mëngjes. Çdo gjë kishte ndodhur shumë shpejt. Ishte shumë e emocionuar. Sikur e dëgjonte zhurmën e gjakut teksa rridhte në damarë.
Faturat e klientit të radhës e shkëputën prej mendimeve. Po, jeta vazhdonte rrjedhën e saj të zakonshme.
Nuk kaloi shumë kohë, kur Rejhana me një filxhan çaji në dorë iu afrua Amines:
“Urdhëro e dashur, të kam sjell çaj, sepse tashmë jemi kushërira!”
Amina u habit nga këto fjalë:
“Nga doli kjo?”
“Ozgyri të është vënë pas, tashmë nuk ke shpëtim!..”
“Ku e njeh ti Ozgyrin?”
“Ai është kushëriri im. Të ka parë ty kur ka ardhur në bankë dhe i ke pëlqyer shumë. Më pyeti mua dhe kur i thashë që të dua shumë dhe që je vajzë e mirë ai vendosi të njihej me ty.”
“Çfarë njeriu është Ozgyri?”
“Çfarë të të them… Është simpatik dhe i pasur. Babai i tij është shumë i pasur, kanë një firmë ndërtimi. Flet bukur. Në momentin që i fiksohet dikush bën çdo gjë për t’ia arritur qëllimit.”
“Do të thuash që është pak çapkën!..”
“Le të jetë, ç’të keqe ka… Pastaj ai më tha që ty të shikonte me sy tjetër. Sipas tij ka dy grupe vajzash: vajzat me të cilat mund të dëfrehesh dhe vajzat me të cilat martohesh… Ty të shikon si të grupit të dytë.”
“Edhe ti, na u fejove me shikim të parë!..”
“Do ta shohësh… Kur do të takoheni ju të dy?”
“Sot pas pune… Vetëm do të pimë një kafe… Mos e zmadho punën kot së koti.”
“Po sigurisht, vetëm kafe.”
Pas kësaj bisede, Rejhana u largua duke buzëqeshur.
Amina e kuptoi se tashmë kishte rënë në grackë. Shoqet ia kishin punuar, por sikur ky ndryshim do t’i bënte mirë edhe vetë asaj. Këto dy-tre javët e fundit ishte mbytur me probleme dhe pak ndryshim do t’i bënte mirë, prandaj ajo nga njëra anë zemërohej me Rejhanen, po nga ana tjetër ishte e lumtur. I kishte ardhur fati tek dera. Ozgyri ishte shumë simpatik dhe nuk ishte një person që mund të refuzohej… Ishte edhe i pasur… Pse të mos e mendonte seriozisht?..
Në një kohë kur fluksi i klientëve u qetësua disi ajo shkoi që të falte namazin e iqindisë. Edhe duke u falur mendja i rrinte tek takimi i pasdites. Amina e emocionuar shkoi në banjë për të rregulluar flokët. Doli nga banka dhe shkoi drejt vendit të takimit duke u munduar që ta fshihte nxitimin. Ozgyri kishte përgatitur një tavolinë të këndshme. Në kafene qëndruan një ose dy orë; bënë shaka me njëri- tjetrin, qeshën dhe lanë një takim tjetër.
Amina që sapo kishte marrë rrogën, shkoi në një qendër tregtare dhe bleu gjithë ato gjëra. Bleu një fund, një palë këpucë, një bluzë. Në këtë mënyrë harxhoi pothuajse gjysmën e rrogës. Tashmë kishte ardhur koha për t’u kthyer në shtëpi. Ra telefoni. Ishte zonja Saxhide.
“Alo, mësuese si jeni?”
“Faleminderit Zotit mirë jam. Po ti si je e dashur Amina?”
“Edhe unë mirë jam. Kam për t’ju treguar disa gjëra. Nëse jeni lirshëm, a mund të vij tek ju për pak kohë?”
“Patjetër, po të pres.”
“Dakord për 15 minuta vij.”
Amina telefonoi dhe nënën e vet për t’i treguar që do të vononte pak, sepse do të shkonte tek zonja Saxhide.
Nëna, zonja Aishe, i tha:
“Dakord por mos u vono shumë!..”
Zonja Aishe, pasi e mbylli telefonin, i tha të shoqit:
“Shyqyr Zotit, tashmë ka filluar të shoqërohet me njerëz të mirë. Ajo është duke u falur rregullisht. Faleminderit zonjës Saxhide!..”
I shoqi rënkoi dhe tha:
“Ah sikur përveç këtyre edhe të mbulohej… Kam shumë frikë se mos shokët tallen me mua për shkak se vajza ime është e zbuluar…”
“Dalëngadalë do të vijë edhe ajo. Çdo gjë ka kohën e vet. Mos i bëj presion…”
Amina me qeset e mbushura me blerjet e reja i ra derës së zonjës Saxhide. Ajo e hapi derën duke buzëqeshur dhe teksa po përpiqej ta ndihmonte me çantat i tha:
“Ti paske blerë të gjithë dyqanin!..”
Amina, duke hyrë brenda, i tha:
“Kam marrë rrogën sot. Gjithë muajin punojmë, a nuk është mirë që nganjëherë të shpërblejmë veten në këtë mënyrë?! Unë jam shumë e lumtur kur blej gjëra të bukura. Blej, blej dhe nuk ngopem dot. Më beso që sikur të më pyesësh se sa këpucë ke, nuk do të mund t’ju jap një përgjigje të saktë. Gjërat e vetme që më pëlqejnë janë pazari dhe rregullimi i flokëve. Ne punojmë aq shumë, ç’të keqe ka të harxhojmë për të lumturuar veten?”
Pa pritur përgjigjen e zonjës Saxhide, ajo shtoi:
“Për më tepër që ndjekja e modës është shumë e vështirë… Sapo unë blej diçka, del një modë e re dhe më duhet të blej gjëra të reja… ”
Amina e shikoi që zonja Saxhide ishte bërë shumë serioze dhe i tha:
“Më fal, nuk ju lashë radhë për të folur. Po ju çfarë mendoni në lidhje me këtë temë?”
“Blerjet nuk kanë fund e dashur Amina, por për të gjitha këto kemi për të dhënë llogari një ditë. Më erdhi në mendje një ajet i Kuranit: ‘Hani, pini, por mos shpërdoroni!’
“Pse edhe ky është shpenzim? Unë nuk jam duke i hedhur në kosh paratë… Unë po shpenzoj për gjëra të cila do t’i vesh.”
“Në momentin që ajo nuk është një gjë e nevojshme, sigurisht që quhet shpërdorim. Në qoftë se ti ke me dhjetëra palë këpucë në shtëpi dhe në qoftë se dollapi yt është i mbushur me rroba, sigurisht që të gjitha blerjet e tjera janë shpërdorime të panevojshme. Ajo që ti quan modë nuk është asgjë tjetër veçse një lojë e sistemit kapitalist. Çdo vit ndryshojnë modelet dhe ngjyrat e preferuara dhe njeriu që nuk e ndjek këtë ndryshim etiketohet. Ti je e detyruar të blesh gjëra të reja, gjëra të modës, por edhe në qoftë se i harxhon të gjitha fitimet e tua për këtë gjë, përsëri nuk do të arrish që ta ndjekësh modën. Po më vjen në mendje një ajet tjetër: ‘Dorëshpuarit me të vërtetë janë vëllezërit e djallit.’
“A ka me të vërtetë një ajet të tillë? Është hera e parë që po e dëgjoj. Në fakt, kam dëshirë ta lexoj Kuranin nga fillimi deri në fund, por nuk me është krijuar mundësia.”
“Amina, çfarë do të bëje ti sikur një njeri shumë i dashur të dërgonte një letër?”
“Do e lexoja menjëherë.”
“Po në qoftë se kjo letër është shkruar në një gjuhë të cilën në fillim ti nuk e kupton dot…”
“Do të gjeja një njeri që di ta lexojë.”
“Edhe Kurani i Lartë është i tillë… Allahu me anë të Kuranit na ka dhënë të gjitha njohuritë e nevojshme, njohuri të cilat do t’i përdorim gjatë gjithë jetës. Ai është si një letër që na ka dërguar Krijuesi dhe ne menjëherë do të mundohemi ta lexojmë atë. Në momentin që hasim në diçka që nuk e kuptojmë, pyesim dikë tjetër. Lexojmë shpjegimin e ajeteve.”
“Në fakt unë mendoj që në Kuran flitet vetëm për Xhenetin dhe Xhehnemin, prandaj kam menduar që nuk është problem edhe në qoftë se nuk e lexoj.”
“E dashur Amina, nuk është ashtu siç thua ti. Kurani nuk është një libër që fiton vlerë vetëm pas vdekjes!.. Ai ka zbritur për këtë botë, Ai është një libër i cili ua përcjell mesazhet e Allahut njerëzve të kësaj bote!.. Ai është një hartë që na tregon neve rrugën për të arritur kënaqësinë e Zotit dhe për të gjetur shpëtimin… Çdo rrugë është e gabuar, përveç asaj që na dikton Kurani. Allahu na i ka shpjeguar rregullat e fesë sonë në një mënyrë të pranueshme nga zemra dhe të kuptueshme nga mendja. Nganjëherë na ka dhënë shembuj nga popujt e tjerë. Nganjëherë ka folur për shkatërrimin e kësaj bote në Ditën e Kiametit… Disa herë ka folur për mirënjohjen e njerëzve e herë të tjera ka folur për mosmirënjohjen e tyre… Shkurtimisht, mund të themi që Kurani ka treguar historinë tonë, jetën tonë… Krijuesi ynë na ka treguar për popujt para nesh dhe për ato që do të ndodhin pas nesh… Kurani është thesari më i saktë dhe më i kuptueshëm i diturisë…”
“Në qoftë se çdo gjë ndodhet e shkruar në Kuran, pse duhen pejgamberët?”
“Sipas teje, si është lidhja e njerëzve me librat… Edhe në rastin kur një libër shkruan dijet më të sakta, a është më e lehtë që të mësosh nga ai libër apo të mësosh nga shpjegimi i një mjeshtri i cili e ka provuar atë gjë. Shumë nga zanatet mësohen nga mjeshtri më mirë se sa mësohen në shkollë, sepse njeriu është i krijuar i tillë që e ka më të lehtë të mësojë duke shikuar, duke jetuar dhe duke imituar diçka. Librat le të thonë ç’të duan, mënyra më e mirë që një njeri të mësojë është duke shikuar një shembull. Kjo është arsyeja që Allahu (xh.sh.), na ka dërguar Pejgamberin dhe e ka bërë Atë një Kuran të gjallë. Sahabët para se të lexonin Kuranin kanë vëzhguar sjelljet e Pejgamberit tonë të nderuar, ata kanë pëlqyer moralin e lartë të Resulullahut. Ne duhet të bëjmë të njëjtën gjë, jeta jonë duhet ndërtuar në bazë të rregullave të Kuranit dhe të Sunetit. Moda e vetme që duhet të ndjekim është feja jonë, pra Kurani dhe Suneti… Çdo rrugë tjetër përveç kësaj është me të meta dhe me gabime, sepse burimi i Kuranit dhe Sunetit është hyjnor. Ato janë rregulla që i ka vënë Allahu (xh.xh.)…”
“Kur vij tek ju edhe gëzohem shumë, por edhe turpërohem shumë…”
“Pse?”
“Gëzohem, sepse gjithmonë mësoj diçka të re dhe më ndryshon këndvështrimi për jetën. Turpërohem, sepse e kuptoj injorancën dhe mangësitë e mia dhe vë re se sa e pakuptimtë është jeta ime.”
“Estagfirullah… Secili nga ne di disa gjëra dhe nuk di shumë të tjera… Të gjithë kemi nevojë që të mësojmë gjëra të reja. Oqeani i diturisë është i pafund…”
“Mua më shumë më vjen keq për faktin që nuk e dua Resulullahun aq sa duhet. Ai ka ardhur për ne, për të na shpëtuar nga gabimet… A nuk duhet ta duam shumë Atë?”
“E dashur Amina, fillimi i çdo gjëje është dashuria… Njeriu do atë që njeh. Sa më shumë që ta njohësh një njeri, aq më shuam e do atë. Nuk mund ta jetosh Islamin, në qoftë se nuk e njeh dhe nuk e do Resulullahun… Sipas transmetimit të Hazreti Omer bin Hattab, i Dërguari i Allahut e ka pyetur atë se sa e do. Ai i është përgjigjur me sinqeritet:
“Betohem në Allah se përveç jetës sime Ti je më i dashur për mua se çdo gjë tjetër!”
Pas këtyre fjalëve, Resulallahu i ka thënë:
‘Në qoftë se nuk më doni mua më shumë se egon tuaj, të parët tuaj, prindërit tuaj, fëmijët dhe të gjithë njerëzit e tjerë; ju nuk e keni të plotë besimin tuaj!..’
Hazreti Omeri e ka rregulluar menjëherë gabimin e bërë me fjalët:
“Betohem në Allahun që ka dërguar Kuranin se Ti më je më i dashur se vetë jeta ime!”
Në një hadith tjetër Resulullahu ka thënë:
“Nuk quhesh besimtar i plotësuar, në qoftë se nuk do më shumë se çdo gjë Allahun dhe të Dërguarin e Tij.”
Shprehja që herë pas here përdorej nga sahabët: “Nëna dhe babai im t’u bëfshin kurban!”, ka dalë nga kjo ide. Ta duash Pejgamberin më shumë se çdo gjë, është një nga rregullat e fesë sonë. Dashuria për Resulullahun duhet të jetë më e fuqishme se dashuria që ndjejmë për njerëzit e tjerë. Në ajetin kuranor thuhet: “I Dërguari është më i afërt për besimtarët, sesa ata për njëri- tjetrin.” (El- Ahzab, 6 ) ”
“Nuk di se çfarë të them. Sot jam dashuruar me një njeri që e shikova për herë të parë. Tani që ju po flisni, unë po mendoja dhe pyeta veten se a e dua unë Pejgamberin më shumë se çdo gjë tjetër… Nuk dua t’ju gënjej; unë nuk e dua dot Pejgamberin ashtu siç më treguat ju… Nuk e dua më shumë se jetën time… Të lutem më mëso se si ta dua Pejgamberin… Çfarë duhet të bëj për ta arritur këtë gjë? Çdo pjesë e jetës sime nuk është asgjë tjetër veçse gërmadhë…”
Me lot që i rridhnin nëpër faqe Amina vazhdoi të fliste:
“Namazi im nuk është i plotë, as besimi im… Kur jam këtu me ju jam në një botë tjetër, kur jam në punë jam në një botë tjetër… Çfarë do të bëhet me mua?!”
Zonja Saxhide e mori pranë dhe e përqafoi:
“Gjendja jote e tanishme tregon për hapin e madh që ke ndërmarrë… Çdo gjë do të vijë me kohën… Ne do ta ndihmojmë njëra- tjetrën. Pastaj shiko, po afrohet ditëlindja e Profetit… Urojmë që Pejgamberi do të lindë edhe në zemrën tënde… E dashur Amina, ulu pak këtu dhe qetësohu!.. A nuk ke menduar asnjëherë për arsyen që Allahu e ka krijuar zemrën tonë?”
Amina me sy të njomur buzëqeshi dhe tha:
“Mendoj se për t’u dashuruar, apo jo?!”
Zonja Saxhide i tha me shumë seriozitet:
“Po, ashtu është!..”
“Me të vërtetë, është hera e parë që di diçka. Atëherë unë sot i paskam dhënë vendin e vet zemrës, unë sot jam dashuruar me një djalë!”
Zonja Saxhide u trondit shumë nga këto fjalë dhe për disa çaste nuk reagoi fare. Amina e pyeti plot dyshim:
“A është mëkat të biesh në dashuri?”
Halime Demireshik

