Bejtu’l Hikme
Bejtu’l-Hikme (Vatra e Urtësisë) është emri i një qendre kërkimore shkencore e nivelit të lartë, si dhe e përkthimeve, e historisë së kulturës dhe shkencës Islame në Mesjetë. Nuk dihet saktësisht se kush mund ta ketë filluar ndërtimin e kësaj…
Publikuar:

Bejtu’l-Hikme (Vatra e Urtësisë) është emri i një qendre kërkimore shkencore e nivelit të lartë, si dhe e përkthimeve, e historisë së kulturës dhe shkencës Islame në Mesjetë.
Nuk dihet saktësisht se kush mund ta ketë filluar ndërtimin e kësaj qendre, por shumica e burimeve tregojnë se Bejtu’l-Hikme e ka zanafillën që nga shekulli VIII me Kalifin e dytë abasit, Ebu Xhafer el-Mensurin. Për arsye se Kalifi Mensur pëson një sëmundje në stomak, ai fton në Bagdad mjekun kryesor të akademisë se Xhundishapurit (sot pjesë e Iranit), akademi e cila ishte qendër e rëndësishme mjekësore. Brenda shtatë viteve që mjeku qëndron pranë Kalifit, mendohet të ketë përkthyer në arabisht shumë vepra lidhur me mjekësinë. Ky rast, mendohet të ketë qenë kontakti i parë kulturor me Xhundishapurin dhe kontakti i parë me shkencën në mënyrë institucionale. Më pas, me largimin e mjekut nga pallati mbretëror i Kalifit, ftohen mjekë të tjerë nga Xhundishapuri, që të vazhdojnë veprimtarinë si mjekë të oborrit mbretëror dhe të vazhdojnë kërkimet në fushën teorike të mjekësisë.
Me sa duket, një lëvizje e tillë duhet të ketë ngjallur kureshtjen e Ebu Xhafer el-Mensurit, sepse më pas ai mbledh nga shtete të ndryshme në sarajin e tij edhe ekspertë të matematikës, astronomisë e mjekësisë. Kështu, në kohën e tij, përkthehen vepra të fushave të ndryshme nga shumë gjuhë, si greqishtja, persishtja dhe sanskritishtja. Në këtë mënyrë hidhen hapat e parë dhe shumë seriozë për krijimin e qendrës shkencore të quajtur Bejtu’l-Hikme.
Në kohën kur Kalif bëhet Harun er-Rashidi, një nga veprimet e para që ai bën është fushata për mbledhjen e shkencëtarëve dhe të veprave të ndryshme shkencore në territorin ku shtrihej pushteti i tij. Më pas, ai rigjallëron veprimtarinë e përkthimeve, e cila ishte dobësuar kohët e fundit, gjatë qeverisjes së babait të tij, Ebu Xhafer el- Mensurit. Është fakt historik që Harun er-Rashidi kishte shpallur se në këmbim të parave që duhej të paguanin ata që kishin për të dhënë xhizje, pranonte edhe libra.
Në kohën e Kalifit tjetër abasit, Me’munit, Bjetu’l-Hikme pëson shumë ndryshime. Ai e risistemon atë. I shton edhe një qendër observimi, si dhe hap një pjesë të bibliotekës për publikun, pra ndërton një sallë leximi. Një tjetër veçori ishte se në kohën e tij, në atë sallë filluan të organizoheshin tubime dhe diskutime shkencore, në shumicën e të cilave merrnin pjesë edhe vetë Kalifët.
Transformimi kulturor
Librat që u sollën në Bejtu’l-Hikme
1. Nga bota e mendimit grek
Gjatë ekspeditave me Bizantin, Me’muni merr në qytetin e Ankarasë dhe Ammurije shumë dorëshkrime mbi matematikën, mjekësinë dhe shkencën e logjikës, të cilat i sjell në Bagdad për t’ i vendosur në Bejtu’l-Hikme.
Mes librave që sjell Kalifi ishin edhe veprat e Platonit, Aristotelit, Hipokratit, Ptolemeut, si dhe mjaft vepra të tjera të mendimtarëve grekë.
2. Nga bota e mendimit pers
Mënyra e mbërritjes së veprave perse në Bejtu’l-Hikme
është realizuar më shumë nëpërmjet ardhjes në Bagdad të dijetarëve persë. Ata sollën me vete libra të fushave të ndryshme, si: astronomi, inxhinieri të ndryshme, gjeografi, letërsi, histori, politikë dhe tregime.
3. Nga kultura e shkruar në gjuhën sanskrite
Gjatë periudhës së sundimit të abasive, regjistrohen tre vizita të grupeve shkencëtarësh nga India, një në kohën e kalifit të parë abasit, Ebu’l-Abbasit, tjetra në kohën e Mensurit dhe një tjetër në vitin 774. Për aq kohë sa ata qëndrojnë në Bagdad, bëhen shumë tubime shkencore, në të cilat marrin pjesë edhe dijetarë bagdadas. Kontributi i tyre njihet më shumë në fushën e matematikës, astronomisë, mjekësisë dhe të etikës.
Mënyra e funksionimit e Bejtu‘l Hikmesdhe veprimtaria e saj
Sektori i bibliotekës:
Bejtu’l-Hikme mendohet të ketë patur afro një milion libra në fondin e tij. Një bibliotekë me një kapacitet të tillë, që për kohën ishte diçka e jashtëzakonshme, kërkonte një organizim të mirë për t’i ruajtur librat dhe për t’i hapur ndaj lexuesit. Prandaj, nuk është shumë e vështirë të mendohet se personeli i saj duhet të ketë qenë i madh.
Një prej detyrave të këtij sektori ishte përgatitja e katalogut të bibliotekës, me qëllim që të arrihej sa më shpejt tek libri i kërkuar.
Sektori i përkthimeve:
Sektori i përkthimeve në Bejtu’l-Hikme, nuk ishte i pavarur nga biblioteka. Përkthimet realizoheshin në ambientet e bibliotekës, por secili grup përkthyesish qëndronte në dhoma të veçanta. Përkthyesit e persishtes mblidheshin në një vend, të greqishtes në një dhomë tjetër, ata të surianishtes në një tjetër, e kështu me radhë. Në krye të secilit grup ishte edhe kryepërkthyesi, përgjegjësi i librave që përktheheshin nga grupi i tij.
Sektori i qendrës së observimit:
Në kohën e Kalifit Me’mun ishin ndërtuar dy qendra observimi: njëra në zonën e Shamit dhe tjetra në Bagdad, në Bejtu’l-Hikme. Me ndërtimin e qendrave të observimit, veprimtaria e Bejtu’l-Hikmes zgjerohet nga aspekti fizik dhe funksional. Kjo ishte një prej veçorive, e cila bënte që Bejtu’l-Hikmen të ishte edhe një qendër kërkimore. Pra, në Bejtu’l-Hikme nuk bëhej vetëm përkthim, por ekspertët e kësaj qendre fillimisht bënin mbledhjen e të gjitha të dhënave shkencore lidhur me astronominë, duke filluar që prej kohës së sumerëve e gjer në atë kohë. Këto të dhëna përktheshin nga sektori i përkthyesve, ndërsa më pas bëheshin hulumtimet e duhura.
Struktura burokratike në Bejtu‘l Hikme
1. Personeli akademik
a. Sahibu’l Bejtu’l-Hikme dhe Hazinët
Sahibu’l Bejtu’l-Hikme merrej më shumë me drejtimin e Bejtu’l-Hikmes. Ndërsa hazinët ishin përgjegjësit e sektorit që mbulonin, si dhe redaktorë të librave që përktheheshin. Po ashtu, hazinët merreshin me përcaktimin e librave që do përktheheshin, bënin klasifikimin e tyre dhe mbanin shënimet nëpër katalogë. Krahas këtyre, hazinët dërgoheshin edhe si ambasadorë kulturorë në shtete të tjera.
b. Përkthyesit
Pjesa më e madhe e personelit të Bejtu’l-Hikmes përbëhej nga përkthyesit. Këta përkthenin në mënyrë individuale ose në grup. Përgjithësisht, përkthimet bëheshin nga greqishtja, persishtja, sanskritishtja, surianishtja, ibanishtja, koptishtja, nebatishtja, sudanishtja dhe latinishtja.
c. Mustensih-ët
Mustensih-ët kishin për detyrë të shumëfishonin librat, duke i rishkruar ato. Ata dërgonin në vende të ndryshme disa kopje të librave që përktheheshin; po ashtu ata ishin përgjegjësit e ruajtjes së veprës origjinale dhe të tre kopjeve të tjera në Bejtu’l-Hikme.

