Parimet e Botëkuptimit Islam: Parimi i Rregullsisë
E patëm shpjeguar në fillim se që një pikëpamje të mund të konsiderohet botëkuptim, duhet të ketë nga një përgjigje më vete për çdo pyetje që mund të shkojë ndërmend dhe se përgjigjet duhet të jenë jokontradiktore mes tyre. Sa…
Publikuar:

E patëm shpjeguar në fillim se që një pikëpamje të mund të konsiderohet botëkuptim, duhet të ketë nga një përgjigje më vete për çdo pyetje që mund të shkojë ndërmend dhe se përgjigjet duhet të jenë jokontradiktore mes tyre. Sa për botëkuptimin islam, patëm paraqitur me hollësi se ka një gjerësi të tillë, por edhe se është një sistem konkluzione vlerash me burim hyjnor. Ndërkaq, është e padyshimtë se megjithë që në emërtim përmban fjalën “botë”, pikëpamjet e tij përfshijnë tërë jetën dhe universin. Sepse është një postulat se pyetjet që mund t’i vijnë njeriun ndërmend, s’janë të kufizuara vetëm me këtë botë.
Tashmë është konfirmuar përfundimisht me anë të studimeve të njëpasnjëshme gjer në ditët e sotme të shumë filozofëve dhe shkencëtarëve të shkencave të natyrës, se Universi dhe të gjitha qeniet që ndodhen në të, nga atomet, gjer në yjet e pafund që mbushin kozmosin, ekzistojnë sipas një sistemi dhe rregullsie të caktuar. Prandaj është e pamundur që ky përfundim t’i dedikohet një rastësie të verbër. Shumica e dijetarëve që e kanë parë këtë gjë, nuk kanë treguar dot lëkundje në pranimin e faktit që Universi është krijuar nga një qenie e përkryer e aftë për të bërë llogari.
Kurse shumë pak nga filozofët dhe dijetarët e shkencave të natyrës, megjithëse ato që mund të dinë janë asgjë në krahasim me ato që mund të mos dinë, krenarë për diturinë dhe mendjen e tyre të mangët, thonë se këtë rregull të përkryer dhe madhështor në Univers, për shkak të disa të vërtetave ende të pazbuluara, nuk munden ta shpjegojnë me një shkak mekanik dhe mjaftohen duke deklaruar se kjo mund të bëhet e mundur në të ardhmen. Mirëpo patëm parashtruar përmbledhtazi më parë se, qysh nga Aristoteli, janë shumë filozofë që kanë pranuar se nuk mund të përfytyrohet dhe pranohet se lëvizja në Univers të ketë filluar pa një “shtytës të parë” ose që kanë pranuar se Gjithësia ka një “krijues të aftë” duke u nisur nga ideja e amshueshmërisë tek njeriu ose duke përdorur cilësi të tjera. Megjithëkëtë, le të vazhdojmë edhe pak me shpjegimin mbi rregullin dhe rregullsinë që sundojnë në Univers.
Në sajë të mundësive të teknikës së sotme të zhvilluar, dihet se në Univers ekzistojnë më shumë se njëqind miliard galaktika dhe se çdo galaktikë përmban qindra miliarda yje si dielli ynë. Dielli është një yll me madhësi mesatare në galaktikën e quajtur “Kashta e Kumtrit” ose “Rruga e Qumështit”. Ai ndodhet 150 miliard km. larg nga Toka e cila është një planet i tij. Po qe se kjo distancë do të shkurtohej, e gjithë bimësia e Tokës do të thahej, do të përcëllohej dhe do të shkatërrohej. Atëherë, edhe njerëzit dhe kafshët që thithin vetëm oksigjen dhe nxjerrin gaz karbonik, meqë në mungesë të bimëve, gazi karbonik nuk do të thithej prej tyre dhe nuk do të zëvendësohej me oksigjen gjithashtu në sajë të frymënxjerrjes së tyre, do të shkaktonin mbarimin e oksigjenit dhe shuarjen e jetës. Por edhe nëse Dielli do të largohej pak nga Toka, gjithçka në tokë do të ngrinte dhe do të merrte furd. Ose, nëse boshti i Tokës nuk do të formonte një kënd prej 23,5 gradë ndaj rrafshit horizontal, nuk do të ndodhte ndërrimi i stinëve, kështu, disa vende do të kishin gjithmonë verë e disa të tjera, gjithmonë dimër!
Në Kur’anin e Shenjtë deklarohet se çdo gjë është krijuar me një masë dhe ekuilibër të caktuar. Kjo shpreh sundimin e një llogaritjeje marramendëse. Le ta provojmë këtë vetëm me një shembull.
Në Univers ekziston ligji i tërheqjes dhe shtytjes universale, e thënë ndryshe, Ligji i Gravitacionit Universal. Gravitacioni që sundon mbi çdo trup fizik, nga bërthama e atomit e gjer te yjet në kozmos, si dhe ekuilibri që sigurohet në sajë të gravitacionit, janë i vetmi burim i harmonisë në Univers. Ndërkaq, forca tërheqëse është shprehje e prirjes së bashkimit dhe njësimit (unifikimit) dhe shkaku i kësaj është se esenca e qenies (ekzistencës) është një e vetme, “unike”. Ky fenomen është një ligj i krijimit që përfshin të gjithë trupat dhe qeniet, ose domosdoshmëri e rregullit hyjnor. Bërthama e atomit është në gjendje të tkurrur e të mbledhur. Kur’ani e shpreh këtë me fjalën “hunnes”. Kjo gjendje është e kundërta e gjendjes në lëvizje. Kurse gjendja e lëvizjes është shprehur me fjalën “xharije” (e lëvizshme, e rrjedhshme) që rrjedh nga fjala “xherejan” (rrymë). Bërthama e tkurrur dhe e mbledhur e atomit i tërheq elektronet për tek vetja duke u përpjekur për t’i njësuar (unifikuar) ato me vetveten. Kurse elektronet i kundërvihen forcës tërheqëse të bërthamës me anë të forcës shtytëse të tyre që lind nga lëvizja rrotulluese e tyre. Kjo situatë vlen edhe për diellin. Edhe dielli përpiqet t’i tërheqë tek vetja dhe t’i unifikojë me vetveten planetet që sillen rreth tij. Sepse, si atomi, edhe dielli është i tkurrur dhe me dendësi shumë të madhe. Kurse planetet, porsi elektronet, në sajë të lëvizjes së tyre, i kundërvihen – në masë të caktuar – forcës tërheqëse të diellit, për pasojë, vazhdojnë të lëvizin nëpër trajektoret e tyre në largësi të caktuar nga dielli.
Pavarësisht nga kjo tërheqje, mosbashkimi i elektroneve me bërthamën dhe i planeteve me diellin ndodh në sajë të ekuilibrit të përshtatshëm hyjnor mes tërheqjes dhe shtytjes. Po qe se do të prishej ky ekuilibër, tërë ekzistenca, duke filluar nga atomet, do të shkatërrohej.
Le ta prekim edhe një çështje tjetër me rëndësi që ka lidhje me ligjin e tërheqjes universale që përfshin tërë Universin.
Zoti ka shtresuar përreth globit tokësor atmosferën me një trashësi prej rreth dhjetë mijë kilometrash, të përbërë prej gazrash të ndryshëm. Dhe ajo që e mbron atmosferën me një dendësi të caktuar dhe gjer në një largësi të caktuar, është forca tërheqëse në qendër të tokës. “Tërheqja e tokës” e zbuluar për herë të parë nga Isak Njutoni (Isaac Newton, 1642-1727) zotëron një ekuilibër të tillë, që, në sajë të këtij ekuilibri, kryen dy detyra të mrekullueshme që e bëjnë të mundur jetën mbi tokë.
1) Po qe se tërheqja e tokës do të ishte pak më e fuqishme se ç’është, do ta mblidhte rreth vetes atmosferën, pra, do ta dendësonte aq sa ta shndërronte në një masë me trashësi rreth disa centimetrash. Në ato kushte, as njerëzit dhe kafshët nuk do ta gjenin dot oksigjenin që e kanë njërin nga katër elementët bazë të jetesës, as bimët gazin karbonik për të cilin kanë nevojë.
Në të kundërt, po ta supozonim se tërheqja e tokës do të ishte aq sa në hënë, atëherë, atmosfera do të shpërndahej në kozmos dhe jeta përsëri do të bëhej e pamundur. Nuk duhet harruar se është, gjithashtu, tërheqja e tokës që formon peshën ose rëndesën e trupave. Në sajë të tërheqjes së tokës mbahen detet, oqeanet, të gjitha ujërat, njerëzit dhe kafshët dhe çdo gjë pas tokës e cila vozit si anije në boshllëk. Kështu, pra, tërheqja e tokës është vlerësuar në një masë të caktuar. Po qe se një trup me peshë një kilogram në tokën tonë do të çohej, për shembull, në Mars, atje do të rëndonte gjer në 170 kg. Por po qe se i njëjti trup do të çohej në hënë, do të fluturonte mbi të si pendë zogu! Domethënë, atje ku ka jetë, tërheqja gravitacionale është vlerësuar në atë masë që ta bëjë të mundur jetën. Po të ishte në Tokë sa ç’është në Mars, në tokë nuk do të kishte jetë!
2) Çdo ditë, nga kozmosi drejtohen për në tokë miliona meteorë. Jo, s’është gabim, miliona meteorë! Mirëpo, sapo i afrohen Tokës në një largësi të caktuar, ndryshojnë drejtim sikur të ishin përplasur në një mur të çeliktë, prandaj nuk bien në tokë, nuk përplasen me Tokën! Edhe pa këtë lloj mbrojtjeje, jeta në tokë do të ishte e pamundur. Kur shkohet në hënë, vihet re se, meqë nuk e ka një mbrojtje të tillë, sipërfaqja e saj është tërë gropa dhe vrima nga përplasja e meteorëve.
Në Kur’anin e Shenjtë, Zoti thotë:
“Dhe e bëmë qiellin një tavan të mbrojtur.”
Vetëm se qielli, domethënë efekti mbrojtës i atmosferës nuk është vetëm ndaj bombardimit meteorik.
Nga dielli në tokë nuk vjen vetëm nxehtësi dhe dritë, por edhe një erë (stuhi) radioaktive e përbërë prej protonesh dhe elektronesh. Edhe kjo erë (stuhi) përplaset mbi një sferë magnetike gjashtëdhjetë mijë km. nga toka dhe kthehet prapë. Këtë fushë ose sferë magnetike e krijon, gjithashtu, tërheqja gravitacionale e tokës. Sot, kjo sferë mbrojtëse quhet “Brezi Van Allen”. Jo vetëm rrezet që vijnë nga dielli, por edhe rrezet kozmike vdekjeprurëse që dërgohen në tokë nga yjet e tjerë të kozmosit, eliminohen ose largohen në sajë të fushës magnetike të krijuar nga gravitacioni tokësor rreth tokës, domethënë, në sajë të “Brezit Van Allen”.
Mesatarja e nxehtësisë në kozmos është -270 centigradë. Duke e penguar kthimin e shpejtë të energjisë që vjen nga dielli, në kozmos, atmosfera e bën tokën të jetueshme. Veç kësaj, ajri i ngrohur shumë me anë të lëvizjes së masave ajrore të atmosferës, sipas kushteve të shtypjes atmosferike të lartë e të ulët, bartet në zonat që ngrohen më pak duke krijuar një farë ekuilibri. Po qe se sillen ndërmend ngrohja globale si pasojë e shpimit të “shtresës së ozonit” në atmosferë si rezultat i shpërdorimit egoist dhe të papërgjeëjshëm të dhuntive të Allahut sot, si dhe frika që ndjehet nga thatësira për këto shkaqe, kuptohet më mirë rëndësia e rregullit dhe rregullsisë që sundon në Univers.
Siç dihet, çdo gjë është krijuar nga uji. Eshtë e çuditshme se, megjithëse uji është i formuar nga oksigjeni i ndezshëm dhe hidrogjeni ndezës, karakterizohet nga cilësia si shuarës i flakës. Nga dy trupa të gaztë është formuar një trup i lëngshëm. Eshtë gjithashtu e çuditshme që, ndërsa uji zbërthehet në oksigjen dhe hidrogjen, nga oksigjeni dhe hidrogjeni nuk sintetizohet dot ujë!
Sot, më në fund, është vërtetuar se lënda themelore e jetës është DNA-ja. Ndërkaq, lënda që siguron vazhdimësinë e veprimtarisë së DNA-së, është ura e hidrogjenit e quajtur “glesant hidrogen”. Duke bërë ndryshime të shpeshta, kjo “urë” ngre lidhje të reja dhe, në këtë mënyrë, tejçon aftësinë jetësore ose vitalitetin. Por për ta bërë këtë, ka nevojë për ujë ose, e thënë më saktë, është e kushtëzuar nga prania e ujit. Sepse ky hidrogjen del gjatë ndarjes së ujit në jone dhe përdoret. Kjo do të thotë se asnjë gjallesë nuk mundet ta vazhdojë jetesën pa ujë. Ajo e humbet aftësinë e lëvizjes dhe riprodhimit. Po qe se uji nuk e nxjerr hidrogjenin nga jonet që ndahen prej tij, dhe nuk e jep, shifra e gjallë nuk hyn në veprim.
Kështu, pra, po qe se uji nuk do të zbritej nga qielli me masë dhe në sasi të caktuar, uji që është burim jetese, do të bëhej shkak fatkeqësie!
Në Kur’anin e Shenjtë thuhet:
“Ai (Allahu) që e ka zbritur ujin nga qielli sipas një mase. Me këtë ujë (që zbritëm), i dhamë jetë një vendi të vdekur. Ja, kështu (do të merrni jetë, do të ringjalleni dhe) do të nxirreni edhe ju!”
Në botën tonë bien 500 miliard metërkub reshje në vit. Po kaq avull uji ngjitet në qiell. Me shprehjen kur’anore, retë sa male me avuj uji shërbejnë si sera për tokën dhe sigurojnë jetueshmërinë e klimës. Eshtë e çuditshme që këto re avujsh uji, megjithëse janë të përbëra prej grimcash uji, nuk ngrijnë e bien poshtë as në minus tridhjetë gradë. Mirëpo uji ngrin në zero gradë. Rënia në tokë, në një mënyrë që të mos i shkaktojnë dëm jetës, e shiut dhe veçanërisht e grimcave të borës, është vepër e vlerësimit dhe maturisë hyjnore të theksuara në ajetin kur’anor. Edhe në motin më të ftohtë, madje, retë e avujve të ujit nuk ngrijnë aq sa të formojnë blloqe akullnajash e të rrëzohen pastaj mbi tokë! Dhe, nëse kjo nuk është një rregullim hyjnor, ç’është?
Në ajetin që cituam më sipër, Zoti pohon se ringjallja e njeriut me qëllim për t’u marrë në pyetje e për të dhënë llogari, do të bëhet me anë të ujit po ashtu siç merr jetë natyra me anë të ujit. Siç dihet, një gotë ujë mjafton për të gjallëruar dhjetë milion DNA. Në trupin e njeriut ekziston një qelizë e vetme në kockën (eshtrën) e bishtit, e cila nuk dekompozohet e nuk humbet. Në hadithe është deklaruar se, para se Israfili t’i bjerë Bririt për t’u ringjallur njerëzit e për t’u mbledhur në sheshin e llogaridhënies, në botë ka për të rënë shi për dyzet ditë me radhë. Sipas kësaj, kuptohet se, siç thuhet në ajetin kur’anor, ringjallja e njerëzve do të bëhet me anë të ujit.
Ndërsa të gjithë trupat bymehen kur ngrohen dhe tkurren kur ftohen, uji shfaq një natyrë përjashtimore, të kundërt me këtë. Gjer në katër gradë plus, uji sillet si trupat e tjerë, pastaj, në temperaturat e mëposhtme bymehet, pra, rritet në vëllim. Eshtë një e vërtetë shumë e njohur që, kur ngrin uji, tubat plasin. Po të mos ishte kështu, jeta në dete do të ishte e pamundur, sepse, po qe se uji do të tkurrej me zbritjen e temperaturës, do t’i rritej dendësia, do të bëhej më i rëndë se uji lëng dhe do të binte në fund. Kështu, ujërat masive si detrat, oqeanet, liqenjtë, ujëmbledhësit, etj., do të akullzoheshin nga poshtë-lart dhe e gjithë jeta e gjallë do të merrte fund.
Shtatëdhjetë përqind e sipërfaqes së globit është ujë, pjesa tjetër, tokë, sterre. Po të ndodhte e kundërta, dallimi mes natës e ditës do të shtohej dhe një pjesë e madhe e sterresë do të kthehej në shkretëtirë.
Le t’i japim fund kësaj teme duke përmendur edhe disa shembuj nga shfaqjet në trupin e njeriut, te kafshët dhe bimët, e rregullsisë dhe harmonisë si rezultat i kësaj fuqie llogaritëse të jashtëzakonshme që përfshin të gjitha qeniet e gjalla e jo të gjalla në Univers.
Në optikën e Islamit, njeriu është thelbi dhe përmbledhja e Universit. Njeriu është pothuaj një univers i dendësuar. Eshtë për këtë arsye që njeriu quhet “mikrokozmos”. Pikërisht prandaj njeriu është ekspozitë e përplotësuar e rregullit dhe rregullsisë ekzistuese në Univers. Dihet se njeriu është ngarkuar me detyrë me një vendim hyjnor dhe se është i pajisur me një harmoni pushtetore të mjaftueshme për të realizuar besimin dhe aktin e patëmetë.
Kur’ani i Shenjtë e shpreh këtë të vërtetë në këtë mënyrë:
“O njeri! Ç’të gënjen dhe mashtron ty ndaj Zotit tënd i cili është më bujari? Ai të krijoi, pastaj të dha formë brenda një harmonie të caktuar. Dhe të bëri me maturi. Të sajoi ashtu siç deshi…”
Le ta shpjegojmë shprehjen e ajetit, “me maturi”.
Njeriu është pajisur me pesë shqisa. Në rast se ndjeshmëria e shqisave do të ishte e skajshme, domethënë, shumë e lartë ose shumë e ulët, jeta ose do të bëhej krejt e pamundur, ose e padurueshme. Për shembull, veshi dëgjon frekuenca të caktuara. Veshi nuk dëgjon dot zëra shumë të hollë ose shumë të trashë. Po qe se do t’i dëgjonte, jeta do të bëhej burim vuajtjesh. Edhe syri nuk i sheh dot trupat shumë të vegjël ose shumë të mëdhenj. Po të mos ishte kështu, njeriu me syrin që do t’i shihte qeniet mikroskopike në gjërat që hahen, do të mbetej pa ngrënë e do të vdiste. Ky rregullim i hollë është jashtëzakonisht i rëndësishëm veçanërisht në shqisën e prekjes. Mjetet e shqisës së prekjes janë ekstremitetet e nervave. Krijuesi i ka shpërndarë ato në trup në mënyrë të ekuilibruar. Ekstremitetet nervore që kapin ngacmimet e prekjes janë të përqëndruara më shumë në majat e gishtave dhe në buzë. Kurse në zonat e tjera janë shpërndarë sipas nevojave të përdorimit.
Krejt si pesë shqisat, edhe organet e tjera të trupit të njeriut zhvillojnë veprimtari brenda një rregullsie të jashtëzakonshme. Le të përmendim vetëm disa shembuj mbi këtë çështje të gjerë sa një libër.
Hunda është krijuar në formën e një kanali si kavall. Sepse duhet që ajri që thithim, edhe të ngrohet, edhe të pastrohet. Prandaj, në kanalin e hundës mbijnë qime që kapin pluhurat. Përveç kësaj, nëpër kanalin e hundës rrjedh një lëng viskoz dhe ngjitës, i përshtatshëm për ta filtruar ajrin. Ndërkaq, edhe loti që është një lëng që sekretohet nga trupi, ka sintezë tjetër. Me lotin bashkë nxirren dhe hidhen jashtë një sërë toksinash helmuese.
Menjëherë pas buzëve që përmbajnë indin më të ndjeshëm të trupit, zënë vend dhëmbët të fortë si shkëmbinj, sepse dhëmbët janë të ngarkuar me detyrën për të copëtuar ushqimet. Kurse pështyma lëshohet për t’i zbutur ushqimet. Pastaj, “acidi klorhidrik” që sekretohet për t’i copëtuar përfundimisht e për t’i shkrirë lëndët ushqimore, mund ta tresë edhe faqen e brendshme të stomakut. Mirëpo faqja e brendshme e stomakut është e veshur me një mukozë të posaçme izoluese e cila nuk lejon kontaktin e acidit me indin e stomakut. Gjatë procesit të tretjes, “mukusi” vesh paretet e stomakut duke formuar një “shtresë mbrojtëse” mbi to.
Mekanizmi i frymëmarrjes ka një rregullsi përputhjeje dhe një harmoni të tillë me skeletin e trupit dhe veçanërisht me trurin e njeriut, saqë nuk mund të mbarohet së përshkruari.
Veç kësaj, edhe rregulli dhe rregullsia në botën e kafshëve dhe bimëve janë prova dhe argumente logjike, racionale dhe epistemologjike më vete që tregojnë se ato janë krijuar nga një zotërues pushteti të përgjithshëm dhe që Kur’ani i Shenjtë i përmend si “ajetet (provat, argumentet) e Allahut”. Nga kafshët, në Kur’an përmenden emrat e dashit, lopës, devesë, kalit, viçit, zogjve ebabil, luanit, sorrës, milingonës, bletës, pëllumbit, merimangës dhe zogut lajmëtar hud’hud. Kjo përmendje, jo vetëm s’është pa shkak, por edhe veçoritë e përcaktuara në lidhje me ta janë mbështetur me kërkime dhe studime shkencore. Për të mos e zgjatur çështjen pa fund, le të përmendim vetëm një shembull rreth kësaj specifike.
Në arabishte, merimanga femër quhet “ankebut”, kurse merimanga mashkull, “ankeb”. Në Kur’anin e Shenjtë është një sure me emërtimin “Ankebut”. Në këtë sure thuhet kështu:
“Gjendja e atyre që sajojnë kujtestarë të tjerë veç Allahut (për t’u strehuar dhe mbështetur tek ta), i ngjet krejtësisht gjendjes së merimangës e cila sajon një shtëpi (prej rrjete) për vete. Mirëpo, gjithsesi, shtëpia më e dobët (më e pasigurt) është shtëpia e merimangës femër. Eh, sikur ta dinin!..”
Përgjithësisht, mashkulli i çdo lloji të gjallë është më i madh dhe më i fuqishëm. Tek merimanga ndodh e kundërta. Në disa lloje merimangash, femra është katër herë më e madhe se mashkulli.
Siç u deklarua në ajetin kur’anor si më sipër, shtëpia më e pasigurt është e merimangës. Sepse, ndërsa shtëpitë e kafshëve të tjera është strehim dhe mburojë, shtëpia e milingonës është kurth, lak. Kush bie në rrjetën e merimangës, merr fund. merimanga femër e cila e pret gjahun mu në qendër të rrjetës, në fillim ia paralizon lëvizjet gjahut me anë të fijeve që i ka sekretuar jashtë, dhe pastaj e ha me gjithë qejf. Madje, merimanga femër është kafsha e vetme e cila e ha mashkullin e vet pasi të jetë fekonduar prej tij. Sidomos fijet që sekreton ajo si jargë që pastaj ngrijnë dhe përdoren prej saj për të thurur rrjetën ose pezhishkën e saj, janë më të qëndrueshme se kavot e çelikut në raport me trashësinë e tyre. Jelekët antiplumb janë arritur të sajohen duke imituar pezhishkën e merimangës. Krejt siç është marrë frymëzim nga lakuriqët e natës për të sajuar radarët…
Bartja e farërave nga era në largësi shumë të mëdha, krijimi tek shumë farëra i një lloj parashute për ta lehtësuar bartjen, fekondimi i bimëve hermafrodite me ndërmjetësinë e insekteve dhe bletëve, janë që të gjitha nga një shfaqje më vete e rregullsisë ekzistente në Univers, të emërtuar me gjuhën e Kur’anit, “ajetet e Allahut”.
Esenca vajore trëndafilore më e fortë nxirret prej trëndafilit të zi. A e dini pse? Sepse syri i bletës është i përbërë prej një kompleksi sysh në formë prizmi që e thyen dritën e bardhë, prandaj, bleta e sheh çdo gjë me shtatë ngjyra, por ngjyrën e zezë s’e sheh dot. Me aromën e vet të mprehtë, trëndafili i zi i tërheq bletët te vetja dhe siguron fekondimin e tyre. Po kështu, breshka (mashkull) e detit e cila nuk ka organ riprodhimi, pasi femra e vet i ka lëshuar vezët në një gropë të hapur në ranishte, shkon atje, qëndron për një farë kohe në anë të gropës duke i vështruar ngultazi vezët mbi të cilat lëshon nga sytë një rrezatim të posaçëm me anë të të cilit i fekondon…
Në Kur’anin e Shenjtë thuhet:
“A s’e shohin atë deve se si është krijuar?”
Sepse deveja është plot me të fakte të habitshme e mësimdhënëse! Meqë është e ngarkuar të jetojë në shkretëtirë, asaj i është falur e ashtuquajtura “gungë” si depo uji dhe lëndësh ushqimore. Brenda “gungës” mund të ruhen pa u prishur dhe me një siguri më të madhe se në frigorifer, ushqime për tri javë. Uji dhe barishtet e blerta depozitohen atje duke e ruajtur freskinë dhe, sipas nevojës, zbriten në stomak pjesë-pjesë dhe përdoren. Gjunjët e devesë mbrohen të veshura me kallo të fortë si lënda brinore. Edhe sytë e devesë kanë një ndërtim tejet të përshtatshëm për të përballuar furtunat ranore që kurrë s’mungojnë në shkretëtirë. Në çast rreziku, qerpikët e gjatë, duke u ngërthyer fort me njëra-tjetrën, i mbrojnë sytë në mënyrë absolute prej thërrmijave të pluhurave dhe rërës. Shkurt, kjo temë s’mbaron me të treguar, prandaj, si fjalë të fundit, le të themi se:
“Kur’ani tregon për mrekullira, në një ajet duke bërë të ditur se hapësira zgjerohet, në një ajet duke thënë se atmosfera e tokës është bërë një tavan i mbrojtur, në një ajet duke aluduar për dallgët nën detra, në një ajet duke bërë dallimin mes femrës dhe mashkullit të mushkonjës, në tjetrin, të bletës, dhe në tjetrin, të merimangës. Kur’ani i cili bën kaq shumë shpjegime në kaq fusha të shumta e të ndryshme nga njëra-tjetra, nuk ka bërë gabim në asnjë fushë, përkundrazi, në çdo fushë ka shpalosur mrekullira për t’u mahnitur për ata që nuk u janë verbuar sytë dhe zemrat! Eshtë krejt e pamundur që njeriu i kohës së Profetit të dinte se hapësira ishte në zgjerim të vazhdueshëm, të dallonte dallgët e nënujshme të detrave, të mund të diferenconte veprimet e femrës dhe mashkullit të merimangës!”
Përmbajtja pa anë e pa fund e këtij rregulli dhe e kësaj rregullsie që përfshin tërë jetën dhe Universin, si dhe shembëllimi i tyre në Kur’anin tonë që është mrekulli fund e krye, jo vetëm nuk futet dot në vëllimin e këtij libri, por as është tematika bazë e tij. Eshtë për këtë shkak që, duke u mjaftuar me disa shembuj që paraqitëm si një pikë nga oqeani, dëshirojmë të kalojmë në çështjet e botëkuptimit islam që u përkasin rregullit dhe rregullsisë për sa u përket urdhrave dhe ndalimeve.
Zoti që deklaron se s’e ka krijuar njeriun “për ta lënë të lirë në kokë të vet pa ndonjë qëllim”, ka paraqitur urdhra dhe ndalime me qëllim për t’i orientuar të gjitha mendimet dhe aktet e njeriut. Zoti që e ka krijuar çdo molekulë të vaniteteve (të të gjitha qenieve të gjalla e jo të gjalla përveç Zotit) me prirjen dhe aftësinë për t’iu përshtatur rregullit dhe ligjit, mundësinë për të dalë jashtë caktimeve hyjnore ua ka dhënë vetëm njerëzve dhe xhindve që i ka pajisur me vullnet. Edhe ata e kanë të kufizuar mundësinë për të ndërhyrë tek caktimet hyjnore. Për shembull, e kanë të pamundur ta vazhdojë jetesën pa fjetur ose pa u ushqyer.
Megjithëkëtë, në një fushë të kufizuar, qoftë edhe me anë të aktit krijues të Allahut, njeriu mundet të bëhet edhe faktor, edhe autor edhe për të mirën, edhe për të keqen. Urdhrat hyjnorë janë të posaçëm për kryerjen e së mirës, kurse ndalimet, për ta bërë njeriun të shmanget dhe ruhet nga kryerja dhe ndikimi i së keqes. Të gjitha këto janë bërë me synim për të siguruar qetësinë dhe lumturinë e kësaj bote të përkohshme e të jetës së pasme të përhershme. Veç kësaj, me anë të ndëshkimeve dhe shpërblimeve për ruajtjen e rregullit që ka vënë dhe vazhdimësinë e drejtimit që ka përvijuar, Zoti u ka hapur njerëzve dhe xhindve një portë serioze nxitjeje dhe inkurajimi. Kundërvlera (shpërblimi) materiale-temporale e respektimit të urdhrave është një jetë plot qetësi dhe shëndet, kurse kundërvlera (ndëshkimi) e mosrespektimit të tyre janë një sërë sanksionesh nën titullin e përbashkët “ukubat” (ndëshkimet penale, penaliteti). Zbatimi i kundërvlerave (shpërblimeve ose dënimeve) në fjalë ndaj personit janë edhe e drejtë, edhe detyrë e administratorëve ose pushtetarëve. Kurse shpërblimi dhe ndëshkimi i përjetshëm (i amshuar) janë xhenneti dhe xhehennemi.
Veçanërisht të gjitha urdhrat hyjnorë në botëkuptimin islam janë “ushtrime praktike” që formojnë truallin psikologjik ose, në do të duhej thënë me një shprehje më të saktë, truallin besimor të respektimit të rregullsisë hyjnore. Për shembull, fakti që namazet ditore pesëkohëshe, duke u bërë farz (detyrim fetar), kryhen në mënyrë periodike, në të njëjtën kohë, ka të bëjë me synimin për të rrënjosur dhe shtresuar tek individi idenë e rregullit dhe ndjenjën e përgjegjësisë. Kështu qëndron puna edhe me faktin që namazi është i përbërë nga elementë të caktuar dhe veprime specifike. Sepse edhe kushtet formale si qëndrimi në këmbë (kijam) dhe vënia e ballit në tokë se bashku me përkuljen përkatëse të të gjithë trupit (sexhde) janë farz. Po të mungojë ndonjëri prej këtyre, namazi konsiderohet i pafalur. Këto kushte rregulli dhe forme që i përkasin namazit i cili është numri një i adhurimeve individuale, është urdhëruar me ndjeshmëri edhe në formimin e radhëve të namazit. Si kjo, edhe të gjitha adhurimet e tjera kanë shumë kushte të tilla përkatëse për kohën dhe formën, shumica e të cilave janë të vlerës dhe nivelit “farz” (detyrim fetar i formës së prerë, i pakontestueshëm). Nuk ka njeri që të mos e dijë se mbajtja e agjërimit, therja e kurbanit, dhënia e zeqatit dhe kryerja e haxhit kanë shumë kushte dhe konkluzione që i përkasin kohës dhe formës. Kurse garancia e respektimit të këtyre është jo vetëm ndërgjegjja e vetë njeriut, por, në të njëjtën kohë, edhe ekzistenca e autoritetit politik.
Në optikën e Islamit, mosekzistenca ose mungesa e autoritetit politik është shprehur si intrigë (fitne-anarki) dhe se mungesa e autoritetit politik, e barazvlershme me anarkinë, është faji dhe mëkati më i rëndë se krimi. Sepse në optikën e Islamit, detyra e parë e autoritetit politik është t’u japë fuqi ekzekutive konkluzioneve juridiko-fetare ose, e shprehur ndryshe, legjislacionit kanunor, domethënë, t’i kalojë konkluzionet juridiko-fetare nga potenca në zbatimin praktik.
Në Islam, prijësia është aq e rëndësishme, saqë është urdhër fetar që edhe sikur të jenë duke udhëtuar tre veta, duhet të zgjedhin një prijës udhe në mënyrë që të jenë të përgatitur për të përballuar ndonjë ngatërresë që mund të dalë mes tyre në ndonjë kthesë të rrugës! Eshtë për këtë arsye që Zoti ka urdhëruar:
“Bindiuni Allahut, të Dërguarit dhe prijësit (administratorit, pushtetarit) mes jush!”
Ndërkaq, kjo bindje, si urdhër i Allahut, është legjitime në qoftë se prijësi (administratori ose pushtetari) është musliman, vendos sipas sheriatit dhe qeveris me drejtësi. Në të kundërt, në vend të bindjes bëhet e domosdoshme fetarisht (vaxhib) revolta ose kundërshtimi që edhe kjo (duhet të) bëhet me synim për të rivendosur rregullin. Dhe kjo tregon se përgjegjësia për ta ruajtur dhe mbrojtur rregullin përfshin të gjithë njerëzit!
Me të vërtetë, siç u shpjegua edhe më parë me një rast tjetër, urdhërimi i të mirës dhe pengimi i të keqes është një farz (detyrim fetar) me veprim të vazhdueshëm jo vetëm për administratorët dhe qeveritarët, por për të gjithë muslimanët. Profeti ka porositur:
“Të gjithë jeni çobanë dhe të gjithë keni përgjegjësi për punën tuaj si çobanë!”
Kjo do të thotë se çdo njeri, pavarësisht nga pozita shoqërore që ka, është i ngarkuar me përgjegjësinë për ta mbrojtur rregullin aty ku ndodhet.
Për më tepër, Islami vë rregulla për njeriun qysh para se të lindë ai dhe cakton urdhra dhe ndalime edhe për vdekjen dhe pasvdekjen e tij. Nëse duhet thënë shkurt, prindërit të cilët janë faktorët që e sjellin fëmijën në botë, duhet të jenë me kurorë dhe sperma, si kapitali i parë material i fëmijës së ardhshëm duhet të jetë dërguar në mitrën amësore me besmele. Pastaj, më duket se s’ka musliman që të mos e dijë se janë një sërë rregullash islame në lidhje me trajtimin e njeriut pas vdekjes, si qefinosja dhe rregullimi i kufomës, varrosja, fshirja e borxheve të lëna prej tij, zbatimi i porosive dhe testamentit, moszbatimi i ndonjë porosie në kundërshtim me sheriatin, në qoftë se ka lënë.
Nuk duhet lëkundur në pranimin e faktit që Islami i cili ka përcaktuar një etikë të posaçme edhe për akte krejt të zakonshme e të natyrshme, si kryerja e nevojave fiziologjike, madje, e ka rrethuar njeriun me rregulla si në jetë, ashtu edhe në vdekje. Eshtë për këto arsye që njëri nga kuptimet e qenies musliman është nënshtrimi; pa asnjë dyshim, nënshtrimi ndaj Allahut dhe rregullit të ndërtuar prej Tij. Kurse për ta realizuar ashtu siç duhet këtë nënshtrim, është kusht që të njihen ashtu siç duhet qëndrimet dhe fjalët e Profetit i cili e ka realizuar atë në nivel ideal. Sepse sjelljet e atij Profeti a.s janë për çdo musliman “kritere praktike”.

