Parimet e Botëkuptimit Islam: Parimi i Moralit - Mirësia Islame

Parimet e Botëkuptimit Islam: Parimi i Moralit

Në arabishte, termit “moral” i përgjigjet termi “ahâk” që është shumësi i fjalës “hulk”. Kuptimi leksikor i fjalës “hulk” është “shprehi, natyrë, karakter”. Veçoritë dhe prirjet që shpreh ajo, janë mundësi dhe aftësi konstante në nefsin (frymën, vetveten, subjektin) e…


Publikuar:

Në arabishte, termit “moral” i përgjigjet termi “ahâk” që është shumësi i fjalës “hulk”. Kuptimi leksikor i fjalës “hulk” është “shprehi, natyrë, karakter”. Veçoritë dhe prirjet që shpreh ajo, janë mundësi dhe aftësi konstante në nefsin (frymën, vetveten, subjektin) e njeriut. Veçoritë dhe prirjet në fjalë, të cilat janë të bashkëlindura tek njeriu, kanë dy aspekte: aspektin që i shtyn te e mira dhe aspektin që i shtyn tek e keqja. Kjo cilësi është domosdoshmëri e dëshirës volitive hyjnore që ka të bëjë me specifikën e kësaj jete si një univers prove.

Ndërkaq, si në turqishte, ashtu dhe në shqipe, fjala “moral” përdoret për marrëveshje, ndonëse gabimisht, për të shprehur vetëm prirjet pozitive, kurse për prirjet negative, përdoret në trajtën mohuese-negative, “imoralitet” (ahlâksızlık). Mirëpo fjala “moral” përdoret saktë në kuptimin e saj pozitiv vetëm me kuptimin “edukatë” (edeb) që emërton cilësitë e përgjithshme të një pjese sjelljesh pozitive.

Një tjetër fjalë që e përdorim gabim, është fjala “edukim” (terbiye), që është emërtimi i një operacioni orientimi të zhvilluar në mënyrë të vullnetshme mbi prirjet e natyrshme të bashkëlindura. Po qe se ky operacion do të ishte gjithmonë pozitiv, në kahje të drejtë, për të mirë, nuk do të thoshim dot për dikë se “është edukuar keq” duke vështruar sjelljet e tij të këqija!

Eshtë si rrjedhojë e të gjitha këtyre që thamë, fakti që është i përhapur përdorimi i fjalës “moral” së bashku me disa cilësime specifike. Për shembull, për moralin përgjithësisht të mirë, përdoren edhe specifikimet, si “moral i lavdërueshëm” (ahlâk-ı hamîde), “moral i bukur” (ahlâk-ı hasene), “bujarí morale, moral bujar; përkryerje morale, morali më i përkryer” (mekârim-i ahlâk), kurse për moralin përgjithësisht të keq, përdoren edhe specifikimet, si “moral i dënueshëm” (ahlâk-ı zemîme), “moral i ndyrë” (ahlâk-ı seyyie), “moral i shëmtuar, i turpshëm” (ahlâk-ı kabîha), etj. Pavarësisht nga të gjitha këto, meqë fjala “moral”, kur përdoret e pashoqëruar me ndonjë cilësim specifik, pranohet përgjithësisht me kuptim pozitiv, edhe ne do ta respektojmë këtë rregull.

Eshtë një e vërtetë që askush nuk do të lëkundej ta pranonte, se, për njeriun e krijuar si qenie shoqërore, bashkëjetesa mes njerëzve kërkon pranimin dhe zbatimin e të drejtave dhe detyrave reciproke. Ndërkaq, kjo kërkon shumë rregulla juridike (legjislative) të pranuara njëzëri si dhe një autoritet për t’i zbatuar ato. Megjithëse rregullat juridike (legjislative) në fjalë janë urdhra (lejime) dhe ndalime të shoqëruara me sanksione, në të njëjtën kohë, janë edhe morale me kusht që fusha e rregullave morale, megjithëse i përmban rregullat juridike (legjislative), është më e gjerë se to. Në këtë rast, do të thotë se, në pjesën e rregullave që dalin jashtë kornizës së legjislacionit juridik e që pranohet si fusha e vërtetë e moralit, nuk ka sanksione. Në këtë fushë, edhe nëse mendohen disa sanksione si “dënimi shoqëror”, është jashtë çdo diskutimi se institucionaliteti i këtyre sanksioneve është mjaft i dobët.

Në këto kushte, shumë filozofë, forcën mbështetëse të domosdoshme për qëndrimet dhe sjelljet morale e kanë kërkuar në ndërgjegjet. Mirëpo ç’është ndërgjegjja dhe në ç’shkallë është efektiviteti i saj për t’i orientuar njerëzit tek e mira? Para së gjithash është e domosdoshme që kjo të përcaktohet qartë!

Edhe profeti Muhammed i cili, duke u shprehur, “Unë u dërgova vetëm për të plotësuar moralin e lartë”, pohonte se qëllimi esencial i fesë që kishte sjellë ishte të përfaqësonte në nivel kulmor moralin e bukur, ka nënvizuar shumë herë me radhë rëndësinë e ndërgjegjes e cila do të thotë aftësi për ta diferencuar të mirën që ekziston në mënyrë të natyrshme e të bashkëlindur tek njeriu, nga e keqja. Perlat e urtësisë në vijim i përkasin atij profeti të lartë të lavdëruar nga Allahu me anë të ajetit kur’anor, “Pa dyshim, ti je mbi një moral të lartë!”

“Edhe nëse të japin fetva myftinjtë, ti këshillohu një herë edhe me zemrën tënde!”

“Lëre, braktise atë gjë që të gërryen përbrenda, që të shkakton therje në zemër, që t’i turbullon ndjenjat!”

“E mira dhe e mbara është ajo gjë që të ngroh përbrenda, që ta pranon vetvetja, që ta qetëson zemrën, që t’i shtron ndjenjat, kurse e keqja dhe e prapa është ajo gjë që s’të ngroh përbrenda, që s’ta pranon vetvetja, që s’ta kënaq zemrën, që të shkakton përbrenda lëkundje dhe vuajtje, sado që myftinjtë të japin fetva kundër saj…”

Kjo do të thotë se çdo njeri ka në vetvete një gjykatës i cili e dallon të mirën nga e keqja, të bukurën nga e shëmtuara, të moralshmen nga e pamoralshmja. Vetëm se edhe kjo aftësi që ndodhet tek njeriu si një dhuratë hyjnore, siç e kemi shpjeguar më parë për arsyen dhe vullnetin, u nënshtrohet shumë ndikimeve të jashtme. Në rastin e ndikimeve negative, peshorja e ndërgjegjes prishet.

Ashtu siç duhet që gjykata të ketë mbetur larg nga ndikimet e jashtme në mënyrë që vendimet e dala nga prej saj të jenë në përputhje me të vërtetën dhe të drejtën, është kusht që edhe ndërgjegjja ta ketë ruajtur natyrën e saj me qëllim që të mund të pretendohet se vendimet e ndërgjegjes janë gjithmonë të drejta! Po të mos ndodhë kështu, miratimet dhe qortimet e saj, vuajtjet e ndjera për këtë shkak apo qetësimet e saj nuk shfaqen gjithmonë në përshtatje me të mirën e bërë dhe krimin e kryer.

Bindjet e shtrembra, zakonet e këqija, injoranca, veset e këqija, ndikimet e dëmshme të shokëve të këqinj dhe mjediseve të këqija, zemërimet, pasionet, etj., janë kryesoret ndër këto. Ndërgjegjja e dobësuar dhe e verbëruar prej këtyre jep konkluzione të gabuara mbi të drejtën dhe të shtrembrën, konkluzionet që jep nuk përputhen me të vërtetën dhe, atëherë, një ndërgjegje e tillë nuk bëhet dot kontrolluesi dhe sanksionuesi i detyrës morale!

Eshtë për këtë arsye që vëmë re se, ndërsa disa njerëzve u sëmbon zemra nga mungesa më e vogël e dhembshurisë, disa të tjerë nuk ndjejnë as dhimbjen më të vogël, nuk preken aspak qoftë edhe nga krimi më i madh. Ndërkaq, është e konfirmuar me dëshminë e historisë se, me ndërrimin e shekujve dhe mjediseve, edhe ndërgjegjet kanë ndërruar e ndërrojnë, se gjërat që dikur nuk u janë dukur të këqija njerëzve, më pas janë konsideruar shumë të këqija dhe anasjelltas. Prandaj, kjo fuqi që e quajmë “ndërgjegje”, nuk mund të bëhet në mënyrë absolute as gur prove, as sanksionues i të mirës dhe të keqes. E tillë është ndërgjegjja individuale, e tillë është edhe ndërgjegjja kolektive! 

Për të mos u vetëgënjyer në konkluzionin e saj, ndërgjegjja është nevojtare për një dritë moralo-shpirtërore që t’ia ndriçojë rrugën dhe ta orientojë, që është feja me burim hyjnor. Eshtë ndërgjegjja e mbështetur në një qenie të shenjtë, që mund të bëhet gur i vërtetë prove për të mirën dhe të keqen, kontrolluesi i detyrës morale!

Të tillë janë edhe faktorë të tjerë ndikues, si arsyeja dhe vullneti, të cilët përdoren për t’i diferencuar të drejtën dhe të shtrembrën nga njëra-tjetra. Edhe ato, gjersa të mos i nënshtrohen revelacionit hyjnor e të mos hyjnë nën edukimin e tij, nuk përdoren dot si njësi dhe mjete matëse të sakta në vetvete. Sepse është e pamundur të mendohet ekzistenca e një faktori tjetër ndikues që të mund ta shtyjë njeriun në mirësi dhe moralitet aq sa ç’mund ta shtyjnë shpërblimi dhe ndëshkimi në Botën e Pasme, Ahiret, që besohet se është e përjetshme.

Pak a shumë vetëllogari ndërgjegjeje dhe sjellje morale që vihen re tek ateistët, janë shfaqje të pagarantuara të konkluzioneve të vlerave të sugjeruara nga mjedisi i tyre. Sanksionimi i këtyre janë dënimet materiale-temporale për aktet e kornizës juridike, kurse për aktet jashtë kësaj kornize, janë shprehitë dhe gjërat e dorës së dytë, si dënimi i mjedisit, ndaj presionit të të cilit nuk mund të bëhet qëndresë.

Kësaj të vërtete, i ndjeri A. Hamdi Akseki i bën dritë në këtë mënyrë:

“Që ndërgjegjja të mund ta ruajë pastërtinë e saj eternale dhe hyjnore, është e nevojshme që rruga e saj të ndriçohet me një dritë të shenjtë dhe hyjnore. Eshtë besimi me idetë e fshehura në thellësitë e zemrave, besimi në Allahun e vetëm, të ditur, fuqiplotë, me forcë dhe vullnet transcendental, absolutisht të drejtë, mëshirues e shpërblyes, të dhembshur, eternal, pra, ky besim dhe ndërgjegjja e mbështetur në të, që e pengojnë njeriun nga vrapimi pas pasioneve dhe dëshirave të këqija. Njeriu, në zemrën e të cilit kanë bërë vend idetë e Zotit, detyrës, amshueshmërisë dhe përgjegjësisë, vështirë se del jashtë ligjeve të moralit!

Idetë e Zotit, detyrës, jetës së amshuar dhe përgjegjësisë shpirtërore janë një forcë e tillë shtrënguese që kurrë nuk ndahen prej njeriut. Ajo e mban njeriun vazhdimisht dhe në çdo vend nën kontrollin e saj. Njeriu i cili ka gjetur një sasi të rëndësishme parash në një vend ku s’e ka parë askush dhe nga ku policit nuk do t’i shkojë informacion, ky njeri, pra, i shtyrë nga besimi i tij i fuqishëm mbi gjënë haram (jolegjitime, të ndaluar, të pabekuar) dhe hallall (legjitime, të lejuar, të bekuar), mbi faktin se dituria hyjnore ka të bëjë me çdo gjë të fshehtë dhe të dukshme, i shtyrë nga bindja e shëndoshë mbi përgjegjësinë shpirtërore që ia ka mësuar feja si dhe nga ndërgjegjja e mbështetur në këtë bindje, e kërkon pronarin e atyre parave dhe ia dorëzon. Ata që pretendojnë të kundërtën e kësaj, do të thotë se janë të paaftë për të bërë vetanalizën e ndërgjegjes.

Ata që janë të privuar nga një besim i tillë, meqë do të jenë të privuar edhe nga fuqia shpirtërore e quajtur ndërgjegje ose meqë ndërgjegjja do t’u marrë një entitet elastik, në atë kohë dhe në atë vend ku mjedisi do të jetë i përshtatshëm dhe ligjet s’do të mund të veprojnë, mund ta nënvleftësojnë detyrën morale, mund ta kryejnë në emër të së mirës dhe dobisë një të keqe që e shohin në përshtatje me pasionet dhe interesat e veta. Eshtë për këtë arsye që edhe Volteri, njëri nga skepticistët më të mëdhenj, i famshëm për sulmet e ashpra kundër fesë, madje, më në fund ka mbetur i detyruar ta pohojë këtë të vërtetë të lartë me fjalët:

“Njeriu i pafe, po ta dijë se ka për të mbetur pa u ndëshkuar, mund të bëjë çdo të keqe!”

Si kontrollues dhe sanksionues të detyrës morale, përveç ndërgjegjes individuale, është edhe “ndërgjegjja kolektive”. Ndërkaq, nuk ka asnjë dyshim se kontrolli dhe përgjegjësia e ndërgjegjes kolektive janë më të fuqishme se ato të ndërgjegjes individuale. Por edhe ndikimi i ndërgjegjes kolektive ndryshon sipas gjendjes dhe kushteve nga të cilat varet. Megjithëkëtë, ngaqë ndërgjegjja kolektive nuk mundet ta ndjekë secilin në çdo vend e në çdo çast, ata që ndodhen jashtë ndjekjes dhe veprimit të saj nuk kanë pse të frikësohen nga përgjegjësia.

Nuk ka dyshim se edhe një sërë gjendjesh dhe kushtesh të tjera si këto, mund ta dobësojnë mendimin e përgjegjësisë para ndërgjegjes kolektive. Atëherë, ashtu si ndërgjegjja individuale, as ndërgjegjja kolektive nuk bëhet dot kontrolluesja dhe sanksionuesja e vetme dhe e plotë e detyrave tona morale! Pranë këtyre, duhet ta zënë vendin e vet edhe mendimi që dëshiron me gjithë zemër çdo individ mbi jetën e amshuar dhe, lidhur me këtë, mendimi i përgjegjësisë si dhe i shpërblimit dhe ndëshkimit të amshuar.

Duke i mbajtur parasysh të gjitha këto konsiderata, themi se pothuaj të gjitha pengesat e përfytyruara që do ta shtynin njeriun për t’i kryer detyrat e veta morale dhe do ta pengonin nga të këqijat, janë si roje që vëzhgojnë nga jashtë dhe i nënshtrohen ndikimit të mjedisit. Mirëpo feja nuk është kështu. Sepse feja është një polic i padukshëm, një administrator i besueshëm dhe i përgjithshëm që, duke u përsjellë jo vetëm në nervat dhe muskujt e njerëzve, por edhe në mjediset intime të shpirtit të tyre, depërton gjer në thellësitë e zemrave, që vëzhgon të gjitha llojet e lëvizjeve të fshehta të ndjesive, që kryen detyrën e përcjellësit të rrymës elektrike të së drejtës dhe së vërtetës në zemra. Ajo ka sekretarë të tillë të pagabuar, fletore të tilla të padukshme, ku ata sekretarë shënojnë të gjitha qëllimet dhe veprimet e fshehta e të dukshme të njeriut!

Në optikën e fesë, shërbëtori dhe zotëria, i pasuri dhe xhepshpuari, beu dhe pashai, çdo njeri, është i barabartë dhe çdo njeri është përgjegjës për atë që bën si i barabarti mes të barabartëve! Ajo nuk lejon që të bëjnë vetëvrasje as ata që përpëliten mes anktheve të jetës dhe ata që e bëjnë një gjë të tillë, i ngarkon me përgjegjiësinë përkatëse. Zemrat që rënkojnë mes anktheve duke rënë në pesimizëm, i vë të pushojnë me kënaqësitë e premtuara transcendentale të jetës së ardhshme, i qetëson dhe i bën të kënaqura.”

Të njëjtën të vërtetë e ka shprehur edhe Mehmet Akif Ersoji me vargjet:

“As kultura, as ndërgjegjja s’i japin moralit lartësim;

Ndjenja e virtytit tek njerëzit nga frika prej Allahut vjen!

Edhe fjalët që mund të thuhen për vullnetin që është arsyeja dhe shfaqja praktike e saj, janë të të njëjtit entitet. Në të kundërt, a s’do të duhej t’i quanim të çmendur arabët e periudhës pagane paraislamike që i groposnin përsëgjalli vajzat e vogla, egjiptianët e vjetër të cilët, me qëllim që të shtohej prodhimtaria që sillte lumi Nil, hidhnin çdo vit me ceremoni të mëdha një vajzë të virgjër për ta flijuar duke e mbytur në ujërat e tij, gjykatësit e gjykatave të inkuizicionit të cilët, megjithëse ishin anëtarë të një feje (krishterizmit) që i jepte rëndësi mëshirës, i digjnin të gjallë njerëzit ose athinasit e vjetër që e quanin për aftësi të vidhnin pa u kapur? Ja, pra, nëse arsyeja dhe ndërgjegjja që janë një dhuratë hyjnore e bashkëlindur tek njeriu, me qëllim për ta diferencuar të drejtën nga e shtrembra, mund të shndërrohen, me anë të kushtëzimeve të jashtme, në elementë negativë të kësaj grade, atëherë asnjëra prej këtyre s’mund të mendohen e s’mund të pranohen si gur prove i vërtetë dhe si mbështetje për veprimin moral!

Pas këtij parashtrimi, le të prekim shkurt edhe nja dy pika lidhur me parimin moral në Islam:

1) Duke mbajtur parasysh se fjala “ahlâk” (moral) është shumësi i fjalës “hulk” (natyrë, karakter) dhe se natyra dhe karakteri i njeriut janë të bashkëlindur, duhet shpjeguar se a mund të bëhet ndonjë ndryshim në to.

Disa filozofë që kanë dhënë mendime mbi filozofinë e moralit, kanë pretenduar se morali mund të ndryshohet, kurse disa të tjerë kanë pretenduar se morali nuk mund të ndryshohet, ai mbetet gjithmonë po ai që është. Të gjithë këta kanë argumentet e veta. Kjo çështje është jashtëzakonisht e rëndësishme në aspektin e saj të përgjegjësisë individuale. Sepse, po të mbajmë parasysh se morali është shfaqje në akte dhe veprime e prirjeve të natyrshme të bashkëlindura, pranimi se në to nuk ndodhin ndryshime, e bën të pamundur shpjegimin e logjikshmërisë së shpërblimit dhe ndëshkimit dhe do t’i bëjë ato pa kuptim. Sipas kësaj, në botëkuptimin islam i cili i njeh individit “të drejtën e zgjedhjes” përballë së mirës dhe së keqes, ka përvetësuar një rrugë të mesme. Megjithëse eliminimi i prirjeve të bashkëlindura është i pamundur, pasivizimi dhe shtypja ose zhvillimi dhe rritja e ndikueshmërisë së tyre mbi aktet dhe veprimet, janë të mundur. Gjithashtu, mund të sigurohet që prirjet në fjalë të përdoren në shtrate legjitime. Sepse shumica e këtyre prirjeve janë “thikë me dy presa”: mund të përdoren edhe për të mirë, edhe për të keq! Për shembull, eliminimi i “epshit” i cili është i pranishëm në natyrën krijuese të njeriut, është i pamundur. Vetëm se, ashtu siç është e mundur që, në disa situata të detyrueshme, epshi të shtypet me anë të agjërimit, ashtu edhe përdorimi i tij në mënyrë legjitime i mënjanon dëmet e mundshme të tij.

Ja, pra, kjo është gjëja që i thonë “edukim”! Po qe se mbi prirjet e natyrshme e të bashkëlindura nuk do të mund të ushtrohej asnjë ndikim, atëherë nëpër fjalore nuk do të gjendej fjala “edukim”! Sipas kësaj, edukimi i drejtë është përpjekja për zhvillimin e prirjeve të bashkëlindura pozitive dhe për pasivizimin e prirjeve të bashkëlindura negative. Kurse edukimi i gabuar është e kundërta e kësaj.

Në një hadith profetik, profeti Muhammed (s.a.s.) ka porositur:

“Po dëgjuat se një mal ka lëvizur nga vendi, besojini, por po dëgjuat se dikush e ka ndryshuar moralin, mos i besoni!”

Ndërkaq, janë edhe shumë deklarata të tij që i nxisin dhe inkurajojnë njerëzit për sjellje të moralshme. Për shembull, ai ka porositur kështu:

“Zbukurojeni moralin tuaj!”

“Pajisuni me moralin e Allahut!”

Hadithe profetike si këto ka plot. Po qe se në moral s’do të mundej të bëhej fare ndryshim, a do të dilnin nga ai profet i lartë hadithe të tilla që të përmbanin urdhra, ndalime dhe porosi?

Mes hadithit të parë që përmendëm, i cili shpreh se morali është i pandryshueshëm, dhe dy haditheve të fundit, nuk ka kontradiktë. Sepse ajo për çka e ka fjalën hadithi i parë, është eliminimi i prirjeve natyrale të bashkëlindura, gjë që kurrsesi s’është e mundur. Por është gjithmonë e mundur që të sillen në pikën e mesme prirjet negative me anë të veprimit mbi këto prirje të mjedisit shoqëror, klimës, ushqimit, mjedisit familjar dhe edukimit. Në esencë, sipas dijetarëve islamë, pikat ekstreme të këtyre prirjeve janë mjerim personaliteti, kurse pika e mesme është virtyt.

Veç kësaj, ndërsa disa nga sjelljet morale janë domosdoshmëri natyrore-krijimore (të bashkëlindura), disa të tjera janë specifika janë akcidenciale ose të fituara më pas me motive dhe faktorë shtytës të ndryshëm. Sjelljet si këto, të fituara më pas, quhen “moral i fituar”. Për shembull, një njeri i rritur nën një shtypje ekstreme, megjithëse në natyrën bazë të tij mund të jetë i guximshëm, mund të shndërrohet në frikacak si pasojë e asaj shtypjeje të ushtruar në mënyrë të skajshme mbi personalitetin e tij ose, për shkaqe të ngjashme, mund të shndërrohet në njeri të turpshëm ekstremisht. Meqë specifika të tilla nuk janë të lidhura e të varura nga natyra krijimore e personit, nuk janë “aftësi” të bashkëlindura e të përhershme, por “gjendje të përkohshme”. Disa herë, këto fitojnë një intensitet të tillë, saqë u sigurojnë epërsi prirjeve të kundërta të fshehura në natyrën krijimore. Eshtë si rrjedhojë e kësaj që shpesh ato quhen “natyrë e dytë”. Prirjet akcidenciale si këto janë mundësisht të eliminueshme, me fjalë të tjera, ndryshimi ose eliminimi i plotë i këtyre është gjithmonë i mundshëm me anë të sugjerimit dhe edukimit.

2) Ekzistojnë të tillë që, duke pandehur se besimi mbi “kaderin” dhe “dorëzimi te Zoti” (tevekkul) në Islam e pakësojnë vlerën e akteve morale, bëjnë insinuata kundër Islamit për këtë shkak. Por kjo pikëpamje kurrsesi s’është e drejtë. Shkaku i këtyre kritikave dhe insinuatave është se pandehet që mendësia e kaderit në Islam është “fatalizëm” ose ashtu pranohet qëllimisht. Kjo është një shpifje e madhe kundër fesë së lartë islame e cila deklaron se, kur njerëzit ndodheshin ende në botën e shpirtrave, meqë zotëronin vullnet dhe mundësi zgjedhëse, u është drejtuar pyetja: “Elestu bi Rabbikum?” (A s’jam unë Zoti juaj?) Ç’është e vërteta, ashtu siç e kemi sqaruar më parë, në Botën Islame ka dalë një fraksion deviator i quajtur Xhebrije që e ka kuptuar kaderin në këtë mënyrë, si dhe fraksione të tjera, si Mutezile, që, në kundërshtim të plotë me këtë, kanë pretenduar se njeriu është në mënyrë absolute krejtësisht i lirë në të gjitha veprimet e veta. Por këto janë përjashtime dhe kurrsesi të atij niveli që ta përfaqësojnë Islamin.

Sipas pikëpamjes me të vërtetë islame të quajtur bindja sunnite, kaderi (paravlerësimi dhe paracaktimi eternal hyjnor) ka dy fusha ku shfaqet: fusha “absolute” dhe fusha “relative ose sekondare”. Eshtë Zoti që i krijon edhe të mirën, edhe të keqen. Ndërkaq, aktet që ngjasinnë fushën e veprimit të mundësisë zgjedhëse të quajtur “vullnet i pjesshëm” të dhënë nga Zoti njeriut dhe të quajtur kështu në krahasim me vullnetin e përgjithshëm hyjnor, krijohen gjithashtu nga Zoti si pasojë e kërkesës së njeriut dhe pretekstualitetit të përdorur prej tij, si dhe si shkak i shfaqjes së vullnetit të tij në atë drejtim. Sepse Allahu i Gjithëmadhnueshëm nuk u ka dhënë asnjë thërrime pjesë vaniteteve (qenieve të tjera përveç Tij) nga dy atribute hyjnore: nga atributi “beka” (amshueshmëri) dhe “halik” (krijues). Rezultat i mosmarrjes pjesë nga atributi hyjnor “amshueshmëri” është “përkohshmëri absolute”. Kurse rezultati i moszotërimit pjesë nga atributi hyjnor “krijues” është fakti që asnjë akt nuk mund të realizohet kurrsesi nëse në të nuk merr pjesë Allahu me shfaqjen e këtij atributi të Tij! Ndër bazat e besimit, ky është kuptimi i parimit “hajrihí ve sherrihí minalláhi teálá” (e mira dhe e keqja vijnë prej Allahut të Lartë).

Eshtë për këtë shkak që, me besimin te kaderi, muslimanët besojnë edhe se e mira dhe e keqja krijohen nga Allahu, edhe se, si rezultat i akteve që i realizojnë me vullnetin dhe mundësinë zgjedhëse të tyre, ose do të pësojnë fatkeqësi, ose do të meritojnë lumturi.

Zoti i cili e ka krijuar Universin siç ka dëshiruar, funksionimin e tij e ka rregulluar me një sërë ligjesh të cilave u thuhet “sunnetullah” (tradita e Allahut) ose “adetullah” (zakoni i Allahut). Në to nuk mund të bëhet asnjë ndryshim. Ja, pra, këto ligje që sundojnë mbi të gjitha qeniet, nga molekulat, gjer te yjet në kozmos, janë domosdoshmëri absolute e kaderit, paravlerësimit dhe paracaktimit eternal hyjnor. Aventura e qenieve ku veprojnë ligjet në fjalë, u përngjasin lëvizjeve të robotëve të sotëm. Meqë atyre nuk u është caktuar ndonjë përgjegjësi, nuk u është dhënë as “arsye” dhe “ndërgjegje”, as “vullnet” dhe “aftësi zgjedhëse”. Me këto janë të pajisur vetëm njerëzit dhe xhindët. Sepse mes vaniteteve, vetëm këto dy kategori qeniesh janë pajisur në këtë mënyrë për shkak se janë ngarkuar me përgjegjësi dhe janë vënë në provë. Në lidhje me ta, nuk mungojnë as evenimente që janë absolutisht domosdoshmëri kaderi, për shembull, si furnizimi me pjesë nga të mirat e përgjithshme (rizk), koha kur vijnë në botë, prindërit, jetëgjatësia dhe çasti i fundit, etj. Shumë specifika si këto nuk kanë të bëjnë me vullnetin e tyre të pjesshëm. Prandaj, evenimente të tilla si këto nuk janë shkaqe shpërblimi apo ndëshkimi për ta. Përgjegjësia e tyre ka të bëjë me aktet dhe veprimet ku ata e përdorin të lirë vullnetin e tyre. Specifikat që realizohen si domosdoshmëri absolute e kaderit, përbëjnë vetëm “pjesën” (nisab) e përcaktuar të përgjegjësisë së njerëzve në “peshoren hyjnore”.

Kurse kuptimi i vërtetë i dorëzimit tek Zoti (tevekkul), pra, e mbajtjes së Zotit si dorëzanës, s’është mjerim dhe meskinitet, por ka kuptimin e lidhjes me zemër pas Zotit me qëllim për ta pasur zemrën të qetë pas vendosmërisë për të kryer diçka dhe respektimit të shkaqeve dhe preteksteve. Dhe me këtë aspekt, insinuatat ndaj çështjes së dorëzimit tek Zoti janë të qëllimshme.

Dhe, tani, le të shënojmë bazat themelore të parimeve morale në Islam. Këto mund t’i parashtrojmë përmbledhtazi nën këto nëntema:

Morali në Islam:

a) Eshtë me burim hyjnor

b) Mbështetet në arsyen

c) Ngrihet mbi parimin e vetëmohimit

d) Ka prioritet social

e) Eshtë mbrojtës i seriozitetit dhe dinjitetit individual

a) Morali islam është me burim hyjnor

Mund të thuhet se të gjitha parimet e Kur’anit të Shenjtë tek i cili shpalosen në formë fjalësh të gjitha të vërtetat që ekzistojnë në Univers, mund të reduktohen në dy grupe: “tevhid” (parimet e besimit monoteist islam në Allahun si Zoti i vetëm i Universit) dhe “ahlák” (moral, parimet morale). Madje, që të dyja këto baza mund të bashkohen në fjalën “edeb” (edukatë) që është ekuivalente me cilësinë pozitive të moralit (ose me moralin pozitiv – M.H.), dhe të shprehen me atë të saj. Kështu, nëse do të duhej që i gjithë Kur’ani të reduktohej në një fjalë, kjo mund të bëhet me anë të fjalës “adab” (rregullat e edukatës) e cila është trajta e shumësit e fjalës “edeb”. Sepse, ndërsa të gjitha urdhrat janë, në të njëjtën kohë, domosdoshmëri rregullash edukate, ndalimet janë gjërat që bien në kundërshtim me këto rregulla.

Eshtë për këtë arsye që, kur e kanë pyetur Hz. Aishenë, pas vdekjes së Profetit, se ç’ka qenë morali i tij, ajo u është përgjigjur: 

“Morali i tij ka qenë Kur’ani!”

Në fakt, edhe Hz. Muhammedi (s.a.s.) vetë, duke u shprehur si në vijim, pothuaj se e ka fokusuar tek morali shkakun e dërgimit të tij: “Unë jam dërguar vetëm për ta plotësuar moralin e lartë!” Mirë, atëherë, le të japim disa shembuj nga daklaratat e Kur’anit të Shenjtë mbi moralin, të cilat gjejnë shprehje në fjalët dhe aktet e atij profeti të lartë të dërguar si mëshirë për botët:

“Fali njerëzit! Urdhëroi për të mirë ata dhe kthejua shpinën injorantëve!”

“Dhe e mira me të keqen nuk mund të barazohen! Dhe largoje ti të keqen me anë të më së mirës! Dhe atëherë do të shohësh që personi që ka ndonjë armiqësi ndaj teje, të bëhet si një mik i ngushtë!”

“Me përjashtim të disa pak vetëve, vazhdimisht do të shohësh të keqe prej tyre, por, megjithatë, ti fali ata dhe mos ua vër veshin, sepse Allahu i do ata që sillen mirë!”

Ta dini se Allahu ju urdhëron drejtësinë, mirësinë dhe kujdesin për të afërmit dhe jua ndalon gjithçka të shëmtuar, dhunën dhe padrejtësinë dhe ju porosit që ta dëgjoni dhe të merrni mësim!”

“…Ata të bindurit që japin edhe në bollëk, edhe në ngushticë dhe, kur zemërohen, e gëlltisin zemërimin dhe ua falin njerëzve gabimet. Edhe Allahu i do ata që bëjnë mirë, ata që, kur bëjnë ndonjë faj, e përmendin Allahun dhe menjëherë bëjnë pendesë për mëkatet. Dhe kush mund t’ua falë mëkatet përveç Allahut? Si dhe nuk i përsërisin me dashje ato që kanë bërë.”

“O ju që keni besuar! Ruhuni nga pandehmat, sepse disa pandehma janë rënduese. As hetime mos bëni dhe mos e merrni nëpër gojë njëri-tjetrin pas shpine! A mos dëshironi të hani mishin e vëllait të vdekur? Pra, u neveritët! Atëherë, pra, kini frikë Allahun, sepse Allahu është pranues i pendesës dhe shpërblyes!”

Këto lloj ajete kur’anore janë shumë. Dhe tani le të citojmë disa nga hadithet profetike që i mbështesin këto:

“Mbaju fort pas moralit të bukur, sepse njerëzit me moralin më të mirë janë edhe besimtarët më të mirë!”

“Nuk ka ndër sjelljet e njeriut më të çmuar se morali i bukur!”

“Mirësia është vetë morali i bukur!”

“Allahu i Lartë, pasi ta ketë krijuar robin e vet të bukur edhe në pamje të jashtme, edhe në moral, nuk e hedh në zjarr!”

“Bujaria e njeriut është tek feja e tij; fisnikëria është te morali i bukur i tij; kurse njerëzillëku është te mendja e tij!”

“Ju s’arrini dot t’u bëni të mira të gjithë njerëzve me mallrat tuaja, prandaj, arrini me fytyrë të qeshur, me moral të bukur!”

“Për çdo gjë ka pendesë, vetëm njeriu me moral të keq nuk ka për çfarë të bëjë pendesë, sepse sapo që të pendohet për një mëkat, ai kryen një mëkat tjetër akoma më të keq!”

Dikush e pyeti Profetin:

“Ç’është morali i bukur?”

Dhe Profeti iu përgjigj kështu:

“Eshtë të takohesh me atë që është zemëruar me ty, t’i japësh atij që s’të ka dhënë ty, ta falësh atë që të ka bërë padrejtësi ty!”

“Nuk ka dyshim se muslimani që ndodhet në rrugë të drejtë, në sajë të moralit të bukur dhe karakterit të lartë që ka, e gjen gradën e njeriut që agjëron dhe fal namaz gjithmonë!”

“Nuk ka dyshim se një rob, megjithëse ka pak adhurime, në sajë të moralit të bukur, meriton më të mëdhatë e gradëve të Ahiretit dhe nivelet më të larta të Ahiretit, kurse në sajë të moralit të keq, u bie pashë më pashë thellësive të xhehennemit!”

“Ashtu siç e prish uthulla mjaltin, edhe morali i keq ashtu e prish punën dhe adhurimin. Ashtu siç e tret dielli borën, edhe morali i bukur ashtu i tret mëkatet!”

Një ditë, në praninë e lartë të Profetit, u bisedua për një grua. U tha se agjëronte çdo ditë, falte namaz tërë natën, por kishte vese të këqija dhe i përgojonte komshinjtë. Atëherë, Profeti tha për të:

“Te ajo grua nuk ka dobi, ajo është për në xhehennem!”

Edhe këto lloj hadithesh janë shumë. Duke u mjaftuar me kaq, le të shënojmë pak edhe sanksionet ndaj sjelljeve imorale.

Në vështrimin e Islamit, që një person të mund të bëhet përgjegjës për veprimin e tij imoral, duhet të plotësojë dy kushte: arsyen dhe lirinë. Po qe se këto të dyja i janë cënuar pjesërisht, edhe përgjegjësia i ulet në atë raport. Nga ana tjetër, kjo përgjegjësi është personale. Askush nuk mund të bëhet përgjegjës për veprimin e tjetërkujt. Kjo qëndron edhe në konceptualitetin e së drejtës moderne të sotme. Por në Islam, ky rregull ka një përjashtim: e mira apo e keqja të jenë në veprim.

“Kush nxjerr një zakon të mirë, meriton edhe shpërblimin e saj, edhe po aq shpërblim sa marrin të tjerët që veprojnë sipas atij zakoni. Dhe kush nxjerr një zakon të keq, ngarkohet gjer në ditën e kiametit, edhe me përgjegjësinë e mëkatit të veprimit të vet, edhe me aq përgjegjësi sa ç’ngarkohen të tjerët për shkak të mëkatit të kryerjes së atij veprimi!”

Meqë sanksionet e sistemeve moderne të së drejtës janë tokësore-materiale, në kushte të ngjashme aplikohen vetëm për “nxitje dhe inkurajim faji” dhe për “bashkëpunim në faj”. Me këto sanksione materiale që munden t’i përdorin për shtytje në veprime të drejta, sistemet në fjalë përpiqen ta mbajnë individin në një ekuilibër që mund të sigurohet mes tërheqjes pas interesit dhe frikës ndaj dënimit. Meqë u mungon një faktor ndikues si besimi që zotëron mbi shpirtra, nga sanksionet e tyre nuk mund të merret rezultat i plotë dhe nuk merret. Kurse tek fetë, posaçërisht te Islami, me anë të besimit mbi ahiretin ose jetën e pasme pas ringjalljes, të shtresuar ndër zemra, ekziston një sanksion moralo-shpirtëror i pashoq. 

Nga ana tjetër, amshueshmëria e shpërblimit dhe ndëshkimit të jetës pas ringjalljes, e krahasuar me përkohshmërinë e jetës së kësaj bote, e shton edhe më shumë efektivitetin e këtij sanksioni. Veçanërisht, besimi te një Zot i vetëm, Allahu, i cili i sheh dhe i di të gjitha bëmat e fshehta dhe të hapura, i cili bën të mbahen shënim të gjitha bëmat në të ashtuquajturat “fletoret e punëve” dhe i cili është gjykatësi i vetëm i ditës së llogarisë, është një faktor ndikues aq i fuqishëm që i orienton njerëzit besimtarë në sjelljet morale, saqë është e pamundur të gjendet një faktor tjetër ndikues dhe një sanksion tjetër që të mund ta zërë vendin e tij. Për më tepër, ky besim, duke i ngritur në një nivel të dobishëm situatat cilësore të “pendimit” dhe “vuajtjes shpirtërore” që mendohet se ngjasin në ndërgjegjen e cila ndodhet në mënyrë të bashkëlindur tek çdo njeri dhe vlen për t’i dalluar dhe diferencuar nga njëra-tjetra të drejtën me të shtrembrën, është një margaritar i pashembullt për të qenë një faktor për sjelljet morale. Eshtë për këtë arsye që Profeti (s.a.s.) ka thënë:

“Morali është ena e fesë!”

Domethënë, feja strehohet brenda kornizës dhe ruajtjes që i siguron morali!

b) Morali në Islam mbështetet në arsyen

Filozofët racionalistë të cilët e konsiderojnë arsyen një lloj zoti që ka një fuqi të pakufizuar, pranojnë për bazë të sjelljeve morale, “lirinë e vullnetit” dhe “aftësinë zgjedhëse” dhe thonë:

“Detyra duhet kryer sepse është detyrë!”

Kjo pikëpamje është parashtruar nga Islami shekuj më parë prej tyre. Vetëm se arsyeja nuk zotëron fuqi të pakufizuar siç pandehin ata. Meqë kjo çështje është shpjeguar më parë, këtu po themi vetëm këtë që mes “arsyes” dhe “informacionit të përcjellë” nuk ka ndonjë kundërvënie apo kontradiktë. Vetëm se në informacionin e përcjellë ka shprehje, pohime dhe deklarata që e kapërcejnë arsyen, që dalin jashtë kompetencës dhe fuqisë së arsyes. Si rrjedhojë, besimi (iman) realizohet me vërtetim jo me arsye, por me zemër. Megjithëkëtë, në shprehjet, pohimet dhe deklaratat e informacionit të përcjellë që është produkt revelacioni hyjnor, ekziston një paralelizëm me arsyen gjer në kufijtë e saj. Edhe urdhrat moralë janë të këtij lloji.

Kuptimi i kësaj është që çdo gjë e miraton arsyeja e kulluar e paintriguar, është morale, dhe çdo gjë nuk e miraton ajo, është jomorale (amorale ose imorale). Duke e pranuar këtë, botëkuptimi islam vë edhe një kusht tjetër për vlerësimin e akteve: qëllimin për se kryhen. Profeti (s.a.s.) ka theksuar:

“Aktet janë sipas qëllimeve.”

Veç kësaj, edhe thënia e filozofëve se “detyra duhet bërë se është detyrë”, nuk shkon dot më tutje se një këshillë pa sanksion. Kurse në Islam është parim i përgjithshëm që shkak i ekzistencës së akteve të mira të tregohet pëlqimi i Zotit. Dhe kjo do të thotë, në fe, principialitet, gjë që është shkaku më i madh i shpërblimit hyjnor dhe shpirtëror.

Profeti (s.a.s.) ka theksuar, gjithashtu, se: 

“Qëllimi i besimtarit është më i dobishëm se akti i tij.”

Ai ka porositur:

“O njerëz! Bëni kujdes që aktet tuaja të jenë për pëlqim të Allahut, që në aktet tuaja të mos përzihet asnjë qëllim tjetër, sepse, nga aktet tuaja, Allahu i Lartë nuk pranon tjetër akt përveç atij të kryer vetëm e vetëm për pëlqim të Tij!”

Siç dihet, botëkuptimi islam përmban tri kategori konkluzionesh juridiko-fetare:

1) Konkluzionet besimore (mbi besimin dhe bindjen fetare);

2) Konkluzionet praktike (mbi marrëdhëniet ndërnjerëzore ose civile);

3) Konkluzionet morale (mbi moralin dhe etikën).

Ndërkaq, konkluzionet morale janë fryma e konkluzioneve të të dy kategorive të para. Sipas një hadithi profetik të njohur, të përmendur më parë, rregullat morale janë si një mbështjellëse, si një kornizë për konkluzionet juridiko-fetare. Sepse qëllimi final i Islamit është ta bëjë njerëzimin të arrijë në një qytetërim virtytesh dhe virtytet realizohen në sajë të nivelit të lartë moral të sjelljeve.

Qëllimi i besimit dhe adhurimeve është që, duke e përforcuar besimin te Allahu dhe duke e rrënjosur në zemër, krahas dashurisë për Të, edhe frikën prej Tij, të sigurohet realizimi i sjelljeve morale me dëshirë të madhe.

Në këtë mënyrë, arrihen këto pesë rezultate:

1) Mbrohet feja;

2) Mbrohet nefsi (fryma njerëzore, vetvetja, subjekti, egoja);

3) Mbrohet arsyeja;

4) Mbrohet brezi (gjenealogjia);

5) Mbrohet pasuria.

Sjelljet që i prodhojnë të gjitha këto rezultate, janë edhe racionale, edhe morale. Në të njëjtën kohë, janë detyra më vete. Ndërkaq, në vështrimin e Islamit, detyrat njerëzore ndahen në katër kategori:

1) Detyrat e individit ndaj Allahut;

2) Detyrat e njeriut ndaj vetvetes;

3) detyrat e njeriut ndaj pjesëtarëve të familjes;

4) Detyrat e njeriut ndaj kombit dhe vendit që u përket.

Po qe se këto shqyrtohen veç e veç, shihet se konkluzionet mbi të gjitha ato janë edhe racionale, edhe morale, sepse, në fund të fundit, të gjitha ato janë pjesë e urdhrave fetare, hyjnë në urdhrat fetare dhe feja nuk përmban ndonjë konkluzion në kundërshtim me arsyen. Prandaj, Profeti (s.a.s.) ka thënë:

“Feja e personit është arsyeja e tij. Personi që s’ka arsye, s’ka as fe!”

Aktet që i prodhojnë këto pesë rezultate janë, në të njëjtën kohë, nga një urdhër hyjnor më vete, ndërkaq që është absurde të mendohet se Zoti mund të japë ndonjë urdhër të huaj për virtytet.

c) Morali islam ngrihet mbi parimin e vetëmohimit

Njeriu, të cilit jeta e kësaj bote i është dhuruar si një univers prove, si rrjedhojë e këtij vullneti hyjnor, është pajisur edhe me prirje ndaj të mirës, edhe me prirje ndaj të keqes. Burimi i prirjeve negative është nefsi (fryma, vetvetja, subjekti, egoja) i njeriut. Zoti urdhëron:

“…Betohem në nefsin dhe në atë (njeriun) të cilit i kemi dhënë një sërë aftësish dhe i kemi frymëzuar të mirën dhe të keqen, se, kush e pastron (e rehabiliton) nefsin (vetveten) nga të këqijat, ka arritur shpëtimin dhe kush e ka groposur atë në të këqija, ka rënë në dëm!”

Qëllimi final i fesë dhe, veçanërisht, i tasavvufit ose mistikës islame që ka kuptimin e jetesës sipas kritereve të devocionit (takva), është ta bëjë nefsin t’i bindet Allahut, ta pastrojë nefsin nga shprehitë dhe veset e këqija. Prirja e keqe më me rrënjë e nefsit është egoizmi, nxjerrja e vetvetes në plan të parë. Prandaj, kalimi cilësor nga egoizmi në vetëmohim jo vetëm është qëllim i fesë, por edhe suksesi i arritur në këtë proces e bën të domosdoshëm shpërblimin më të madh! Në ajetin e sapocituar më sipër, kjo situatë kuptohet haptazi.

Zoti urdhëron kështu në Kur’an:

“Gjersa të mos jepni (dhuroni) nga gjërat që janë të dashura për ju, nuk mund të arrini mirësinë e vërtetë!”

Kjo do të thotë se dhënia dhe dhurimi prej gjërave të dashura për njeriun është urdhër hyjnor. Në të kundërt, njeriu nuk mund të bëhet i devotshëm, pra, një besimtar i pjekur e i formuar. Dhe kjo është një vetëmohim i nivelit më të lartë. Ndërkaq, mirësia në përmasat e devocionit (takva), e quajtur me termin “birr”, është kryerja e të gjitha akteve vetëm për hir e pëlqim të Allahut, pa pritur asnjë interes. 

Në këtë mënyrë, shihet se, në krahasim me parimin e filozofëve racionalistë, “detyra duhet kryer sepse është detyrë”, rregulli islam, sipas të cilit, faktori shtytës esencial i akteve morale është pëlqimi i Allahut, është pakrahasimisht epror për sa i përket edhe efektivitetit, edhe lartësisë sublime.

Përfundimi ku kanë arritur mendimtarët që kanë vrarë mendjen mbi filozofinë e moralit, mbi sjelljet morale, është ky: “Mos ia bëj tjetrit atë që nuk dëshiron të ta bëjë tjetri ty!” Filozofi gjerman Kant e përcakton veprimin moral të karakterizuar si rregull mundësisht të përgjithshëm. Meqë në Islam, burimi i moralit është feja, nuk mund të mendohet që urdhrat hyjnorë të kenë ndonjë qëllim dhe synim tjetër përveç të mirës së përgjithshme. Nëse urdhrat hyjnorë do të kishin ndonjë qëllim apo synim tjetër përveç të mirës së përgjithshme, kjo do të binte në kundërshtim me shkakun e ekzistencës së vetë fesë. Sepse ndërsa vullneti i Allahut është i pranishëm në çdo eveniment, pëlqimi i Tij është vetëm për të mirën dhe dobinë. Të mendosh se Allahu mund të ketë urdhëruar diçka tjetër nga e mira e përgjithshme, është diçka që nuk mund të shpjegohet me tjetër gjë, veçse me mosnjohjen e atributeve hyjnorë “Rahman” (Mëshirues) dhe “Rahim” (Shpërblyes).

Le t’i japim fund këtij diskutimi duke përmendur disa hadithe profetike përveç atyre që kemi përmendur më parë, që tregojnë karakteristikën e vetëmohimit të moralit islam:

“Besimtari është ai që mban marrëdhënie të mira me njerëzit që tregojnë afërsi, dhe që edhe vetë tregon afërsi!”

“Pas fesë, kreu i arsyes është ta bësh veten të dashur për njerëzit dhe ta përdorësh me bollëk të mirën për një të mirë apo të keq!”

“Ata që dua më shumë nga ju, janë ata më të afërtit ndaj meje ditën e kiametit, janë ata me moralin më të bukur!”

“Besimtarët me besimin më të fortë janë ata që kanë moralin më të bukur, me të cilët bëhet afërsi, kalohet mirë me njerëzit. Te personat e paafrueshëm nuk ka dobi!”

“Në sajë të moralit të tij të bukur, besimtari arrin në nivelin e personave që ditën mbajnë agjërim dhe natën falin namaz!”

“Allahu i Lartë e do moralin e bukur, jo moralin e turpshëm!”

“Në qoftë se tek dikush nuk ka devocion që t’ia heqë pengesën e gjërave të tjera për t’iu afruar Allahut, nuk ka butësi që t’i kundërvihet dorëshpuarit, nuk ka moral të bukur që ta ndihmojë për të jetuar me kënaqësi, ose nuk ka asnjërën prej këtyre, të mos ia vlerësoni asnjë prej punëve të mira që mund të bëjë!”

d) Morali islam ka prioritet social

Në botëkuptimin islam u është kushtuar një rëndësi e veçantë sjelljeve morale që u sigurojnë dobi masave të gjera. Në krye të tyre vjen “dhënia e vendimit me drejtësi” nga ana e atyre që përdorin kompetencë publike. Kurse parimi “el-Adlu esasu’l-mulk” (drejtësia është baza e pushtetit) e ka pranuar drejtësinë si shkak të ekzistencës së vullnetit, madje, kusht të legjitimitetit të tij, dhe i ka njohur nënshtetasit të drejtën e kundërshtimit të autoritetit pushtetar i cili vepron në kundërshtim me drejtësinë. Kjo e drejtë është fetarisht “vaxhib”, domethënë, domosdoshmëri fetare. Megjithëse diskutimi mbi kushtet e kryerjes së kësaj domosdoshmërie del këtu jashtë teme, le të themi vetëm kaq që Islami i cili e kundërshton, e hedh poshtë mungesën e autoritetit politik me konkluzionin sipas të cilit “el-fitnetu esheddun mine’l-katl” (intriga-anarkia-është më e rëndë se vrasja), i ka kushtuar drejtësisë rëndësi në atë gradë, saqë e ka njohur revoltën (kryengritjen) për ta vënë drejtësinë në vend, që, sipas të gjitha gjasave, rezulton me vdekjen e shumë njerëzve, si të drejtë të ummetit (bashkësisë) në nivel domosdoshmërie fetare (vaxhib).

Nga ana tjetër, ashtu siç e kemi shpjeguar edhe më parë, në Islam, përgjegjësia është individuale, domethënë, çdo njeri meriton shpërblim ose ndëshkim si kundërvlerë për aktin e vet personal ose veprimtarinë e vet personale. Megjithëkëtë, kur rezultatet e veprimtarisë së dikujt prekin për mirë apo për keq të tjerët, kjo situatë përbën përjashtim për rregullin si më sipër. Mbi këtë kemi përmendur më parë një hadith profetik i cili shprehte një përjashtim mbi dikë që kishte hapur brazdë për të mirë apo për të keq. Le t’ia paraqesim vëmendjes suaj edhe këtë hadith profetik i cili tregon një përjashtim tjetër lidhur me akte dhe veprime, dobia apo dëmi i të cilave përfshin edhe të tjerë:

“Pasi njeriu vdes, veprimi i tij ndërpritet, domethënë, libri i punëve i mbyllet. Vetëm tre grupe njerëzish nuk u mbyllet libri i punëve. Këta janë persona që kanë bërë në të gjallë një të mirë (sadaka), veprimi dhe dobia e të cilës vazhdon të veprojë edhe pas vdekjes (ndërtuesit e institucioneve të shërbimeve dhe mirëbërësive, si rrugë, çezma, faltore, spitale, vakfe, etj.) Gjithashtu, janë ose persona që lënë pas fëmijë të mirë, ose persona që lënë vepra me vlerë diturore, nga kontributi i të cilave vazhdojnë të përfitojnë të tjerët.”

Po të vihet re me kujdes, ata të cilëve nuk u mbyllet libri i punëve, por vazhdojnë të fitojnë të mira sikur të ishin në veprim, janë ata që, me veprat e tyre të cilat vazhdojnë të shërbejnë, vazhdojnë të bëhen të dobishëm për të gjithë muslimanët. Kur çështja shihet me këtë logjikë, atëherë kuptohet se atyre që kryejnë punë që i shërbejnë vazhdimësisë së Islamit, librat e punëve do t’u mbeten hapur gjer në kiamet. Sepse permanenca e Islamit gjer në kiamet është një premtim hyjnor i mbështetur nga vlerësimi dhe përgjegjësia e Zotit. Dhe është e njohur nga të gjithë se emërtimi i përgjithshëm dhe doktrinar i akteve dhe veprimeve që i shërbejnë vazhdimësisë dhe epërsisë së Islamit, është “xhihad”!

Në një hadith profetik thehet:

“Për sa kohë që një musliman t’i japë ndihmë vëllait musliman, edhe Allahu i Lartë i jep ndihmë atij!”

Në botëkuptimin islam ka edhe argumente të tjera që tregojnë se morali ka prioritet social. Për shembull, parimi sipas të cilit, “dëmtimi i individit parapëlqehet ndaj dëmtimit të shoqërisë”. Kjo do të thotë se, kur është fjala për të zgjedhur të dëmtohet individi apo të dëmtohet shoqëria, zgjidhet të dëmtohet individi. Për shembull, i kësaj natyre është heqja e të drejtës së ushtrimit të profesionit një mjeku të paaftë në të mirë të shoqërisë: më mirë të dëmtohet një mjek, se shumë e shumë të sëmurë që bien në duart e tij!

Edhe shpërblimi me njëzet e shtatë fish më shumë i namazit me xhemaat në krahasim me namazin individual është një parim që tregon se morali islam është me prioritet social. Ky parim ka edhe shembuj të tjerë, si, p.sh., pamundësia e faljes individuale të namazit të xhumasë.

e) Morali në Islam është mbrojtës i seriozitetit dhe dinjitetit individual

Në botëkuptimin islam janë përcaktuar dy rrugë për sa u përket sjelljeve morale. Njëra rrugë është “rregulli”, tjetra, “përjashtimi”. Rregulli shpreh arsyetimet e veprimit sipas përmasave të devocionit (takva). Ata që e respektojnë në nivelin më të ulët moralin islam, parapëlqejnë për vete rrugën e përjashtimit, kurse për të tjerët, drejtësinë. Kurse sjellja morale e nivelit më të lartë është parapëlqimi i mirësisë (ihsan) për të tjerët dhe i rregullit, për vete. Synimi i edukimit mistik islam është t’i përftojë individit pjekurinë për të mund të vepruar në këtë mënyrën e dytë.

Por, në të gjitha situatat, mbrojtja e personalitetit është kusht bazë. Sepse në vështrimin e Islamit, nderi është i qëndrueshëm me anë të besimit ose në sajë të besimit. Profeti (s.a.s.) ka theksuar:

“Nderi i njeriut është me besim, jo me pasuri ose gjenealogji!..”

Shumë urdhra islamë janë evidentuar për ta mbrojtur seriozitetin dhe dinjitetin e besimtarëve të lindur nga nderi i besimit. Për shembull, Islami i cili nuk e sheh me sy të mirë lypjen, ndërsa e ka ndaluar pengimin e lypsave, ka nxitur dhe inkurajuar cilësinë e dhënësit duke deklaruar se “dora që jep është më e çmuar se dora që merr”. Përveç dhënieve të detyrueshme si zeqati, kjo fe e cila urdhëron të ndihmohen farefisi, të varfërit dhe udhëtarët, edhe mënyrën e dhënies dhe ndihmës e ka treguar në një mënyrë që i mbron seriozitetin dhe dinjitetin e marrësit:

“Sadakatë i merr Allahu!”

Përveç këtij ajeti kur’anor, edhe ajeti në vijim e qartëson më tej domosdoshmërinë e mbrojtjes së seriozitetit dhe dinjitetit të nevojtarëve:

“O ju që keni besuar! Mos i çoni dëm mirësitë që bëni duke u mbajtur më të madh e duke i prekur të tjerët ashtu siç bën ai njeri i cili, megjithëse nuk u beson Allahut dhe ditës së ringjalljes, e shpenzon mallin për t’u dukur!”

Edhe shpallja si mëkat i madh me emërtimin “përgojim, përfolje pas shpine” e përfoljes së të metave të një besimtari, është, gjithashtu, me qëllim për ta mbrojtur seriozitetin dhe dinjitetin e njeriut.

Mirëpo mbrojtja e seriozitetit dhe dinjitetit të njeriut shfaqet, përgjithësisht, në çështjen e faljes (indulgjencës apo amnistisë) eventuale përballë një faji bazë. Duke e cituar edhe këtë çështje nga dijetari i madh, i ndjeri Ahmed Hamdi Akseki, le ta mbyllim këtë diskutim:

“Duke mbajtur parasysh se detyrat janë me dy gradë, muslimani si person përgjegjës, edhe në qoftë se është i aftë juridikisht dhe fetarisht t’i përgjigjet një për një dhunës dhe padrejtësisë, e quan dhe e njeh veten përgjegjës edhe me detyrën për t’iu përgjigjur të keqes me të mirë, ashtu siç i ka hije njeriut me moral më të lartë.

Ndërkaq, ndërsa mund të jetë i aftë dhe mund të ketë të drejtë për t’iu përgjigjur së keqes një për një, njeriu nuk ka të drejtë t’i përgjigjet me të tepërt të keqes që i është bërë apo i bëhet. Në të kundërt, bën padrejtësi. Mirëpo në Islam ndalohet jo vetëm padrejtësia, por edhe prirja ndaj padrejtësisë dhe mbajtja anë me ata që ushtrojnë dhunë dhe padrejtësi. Në Islam, ndërsa është dhënë leje për t’iu përgjigjur të keqes një për një, përgjigjja me të tepërt është ndaluar.

“O ju që keni arsye! Për ju, në kisas ka jetë, që të bindeni, të ruheni!”

“Atij që ju ka bërë padrejtësi, përgjigjiuni një për një për padrejtësinë që ju ka bërë, por mos e teproni dhe dijeni se Allahu është bashkë me të bindurit!”

“Ndëshkimi i një të keqeje është një e keqe po si ajo dhe në atë masë, por për atë i cili fal dhe e përmirëson gjendjen e armiqësisë mes tij dhe tjetrit, shpërblimi i takon Allahut. Pa dyshim, Allahu nuk i do ata që bëjnë padrejtësi!”

Shumë ajete kur’anore si këto, ndërsa nga njëra anë i njohin personit të drejtën për t’iu përgjigjur të keqes dhe padrejtësisë një për një, nga ana tjetër, jo vetëm e ndalojnë ta tejkalojë masën, por edhe e nxisin për kundërpërgjigje me të mirë.

Shumë ajete dhe hadithe urdhërojnë drejtpërdrejt të mirën ndaj së keqes:

“Po qe se falni, do të thotë se keni bërë një punë më në përshtatje me devocionin (takva)!”

“Po qe se e vlerësoni të mirën ose e falni një të keqe, pa dyshim, Allahu është falës i madh, ju fal. Ai zotëron fuqi të gjerë, pra ka mundësi t’ju përgjigjet (për ato që bëni)!”

“Mbaju pas faljes, urdhëro të mirën dhe kthejua shpinën injorantëve!”

Edhe Profeti ynë thotë kështu mbi këtë specifikë:

“Falja është gjëja më e denjë për t’u bërë!”

“Kush dëshiron që, në ditën e kiametit, t’i lartësohet pozita dhe t’i ngrihet grada nga ana e Allahut, le ta falë atë që i ka bërë padrejtësi, le t’i japë atij që s’i ka dhënë, le të takohet me atë që s’dëshiron të takohet me të, le t’i përgjigjet me butësi dhe fjalë të mira atij që i thotë fjalë të këqija!”

Shkurt, në fenë islame, shkalla më e lartë e detyrave morale është trajtimi i të keqes me të mirë. Megjithëse personit i jepet e drejta t’i përgjigjet një për një padrejtësisë që i është bërë, ndalohet ta teprojë, ndalohet t’i bëjë tjetrit një të keqe më të madhe se ç’i ka bërë ai.”Siç u pa, falja i lihet vlerësimit të atij që ka të drejtë për të marrë. Po të dëshirojë, fal, po të dëshirojë, merr shpagim një për një. Fakti që atij që ka të drejtë për të marrë, i njihet edhe e drejta e parapëlqimit dhe zgjedhjes, do të thotë besim ndaj personit të tij, pra, respekt ndaj seriozitetit dhe dinjitetit të tij. Sepse, në qoftë se e fal atë që i ka bërë padrejtësi, do të bëjë një zgjedhje vlerësuese mbi atë që personi të cilin e fali, nuk ka për ta keqpërdorur faljen. Në qoftë se tani e krahasojmë këtë me poshtërimin e seriozitetit dhe dinjitetit të personit në krishterizëm sipas porosisë “atij që të qëllon në njërën faqe, ktheja tjetrën”, kuptohet më qartë se sa lart qëndron Islami në mbrojtjen e seriozitetit dhe dinjitetit të personit!

Copyright © 2026 - Shoqata V.H.K Istanbul | Ndalohet përdorimi dhe riprodhimi i përmbajtjes së kësaj faqeje pa leje dhe autorizim