Parimet e Botëkuptimit Islam: Parimi i Xhihadit
Për autorët perëndimorë, qendrën e rëndesës të kritikave dhe insinuatave që drejtohen kundër Islamit, e përbën çështja e xhihadit. Ata pretendojnë se gjendja e natyrshme dhe e përhershme mes muslimanëve dhe jomuslimanëve është “gjendja e luftës” dhe bëjnë insinuata në…
Publikuar:

Për autorët perëndimorë, qendrën e rëndesës të kritikave dhe insinuatave që drejtohen kundër Islamit, e përbën çështja e xhihadit. Ata pretendojnë se gjendja e natyrshme dhe e përhershme mes muslimanëve dhe jomuslimanëve është “gjendja e luftës” dhe bëjnë insinuata në adresë të pjesëmarrjes së profetit Muhammed në luftëra. Duke e bërë këtë, ata s’i marrin kurrsesi parasysh tekstet e shenjta lidhur me xhihadin si dhe pikëpamjet dhe opinionet e juristëve islamë mbi tekstet në fjalë. Ata bëjnë sikur s’i shohin qëndrimet dhe sjelljet armiqësore veçanërisht të jomuslimanëve, që vazhdojnë edhe sot, madje, jo më shumë me anë të armëve, sesa me anë të rrugës së kulturës dhe ekonomisë! Krahas gabimit të konsideratës mbi xhihadin vetëm si luftë me armë kundër jomuslimanëve, ata nuk janë druajtur dhe ende nuk druhen të zhvillojnë akuza dhe shpifje duke i përgjithësuar pikëpamjet e veta përjashtimore, të cilat shkakun legjitim të xhihadit ia atribuojnë mohimit dhe herezisë (kufr).
Për ta kuptuar gjymtimin e kësaj pikëpamjeje, padrejtësinë e akuzave dhe shpifjeve, duhet kuptuar drejt entiteti i xhihadit në botëkuptimin islam.
Së pari, si fjalë e prejardhur nga fjala “xhehd” me kuptimin “zell, punë e përpjekje”, fjala xhihad nuk do të thotë vetëm “përpjekje me armë”. Në Kur’an, fjala xhihad përdoret si emër në katër vende, kurse si folje, në njëzet e katër vende. Në dy ajete kur’anore, fjala xhihad është përdorur në trajtën “muxhahid” (luftëtar). Edhe pse në një pjesë rastesh, fjala xhihad përdoret me kuptimin “luftë”, vihet re se, në shumicën e rasteve, përdoret për të shprehur “përpjekjen për të fituar pëlqimin e Allahut”.
Më parë le ta shpjegojmë se ç’lloj veprimtarish konsiderohen xhihad me këtë kuptimin e dytë.
1) Të gjitha veprimtaritë që realizohen me qëllim për të siguruar sundimin mbi nefsin (frymën, vetveten, egon, subjektin), janë xhihad. Profeti Muhammed (s.a.s.) ka thënë:
“Muxhahid (luftëtar) është ai që lufton me vetveten!”
Megjithëse thuhet se është një hadith profetik i sajuar (mevzû), merret në konsideratë se Profeti e ka karakterizuar konfliktin me armë si xhihad të vogël (xhihadi asgar) dhe luftën me vetveten ose në vetvete, xhihad të madh (xhihadi ekber) – gjë që e kemi përmendur edhe më parë). Ndërkaq, hadithi i cili, sipas kodifikimit të shkencës së hadithit, emërtohet “mevzû” nuk është patjetër hadith i sajuar, sepse, sipas të njëjtit kodifikim, edhe hadithet që nuk kanë mundur të arrijnë gjer në bazën e tyre, emërtohen “mevzû”.
2) Edhe guximi qytetar për ta nxjerrë në dukje dhe shprehur të drejtën dhe të vërtetën, është, në optikën e Islamit, xhihadi më i virtytshëm. Profeti (s.a.s.) ka thënë:
“Xhihadi më i virtytshëm është ta thuash të drejtën dhe të vërtetën në prani të sundimtarit të padrejtë!”
Kurse një hadith tjetër është kështu:
“Besimtar është ai që lufton me shpatë dhe gjuhë!”
Në një hadith tjetër profetik, pasi thuhet se, me kohë, do të dalin njerëz që nuk do t’i respektojnë urdhrat fetare, xhihadi kundër tyre është shprehur në këtë mënyrë:
“Kush lufton kundër tyre me dorë, është besimtar. Kush lufton kundër tyre me gjuhë, është besimtar. Kush lufton kundër tyre me zemër, është besimtar.”
3) Disa herë, edhe veprime shumë normale konsiderohen xhihad në vështrimin e Islamit. Një herë, kur po bëheshin përgatitje për t’u nisur në një fushatë ushtarake, Profeti e ka pyetur dikë që kishte ardhur për të marrë pjesë në fushatë, për prindërit, dhe e ka marrë vesh se i kishte gjallë. Atëherë, Profeti e ka lejuar të kthehet pas duke e porositur:
“Kthehu dhe lufto me vetveten për t’u shërbyer atyre!”
Hz. Hatixheja e pati pyetur Profetin:
“A s’duhet të bëjmë xhihad edhe ne, gratë?”
Dhe Profeti i qe përgjigjur:
“Për ju, xhihadi më me vlerë është haxhi i pranuar!”
Sa për xhihadin me kuptimin e luftës me armë kundër jomuslimanëve, është e nevojshme të përcaktohen saktë entiteti si dhe kushtet e legjitimitetit të tij. Së pari, për sa i përket shkallëzimit të përgjegjësive juridiko-fetare, ky xhihad është farz kifaje (detyrim relativ dhe i mjaftueshëm), domethënë, detyrë vetëm për një pjesë muslimanësh, për atë pjesë muslimanësh që ndodhet në kushte kur e ka të pashmangshme e të detyrueshme të hyjë në një luftë të tillë. Por kur për muslimanët krijohet një situatë e rrezikshme kur ata vihen përgjithësisht përballë kërcënimit dhe dhunës, atëherë, lufta me armë kundër jomuslimanëve bëhet farz ajn (detyrim absolut dhe identik), domethënë, detyrë për të gjithë muslimanët pa përjashtim. Në këto kushte, shpallet mobilizim i përgjithshëm. Shkak i legjitimitetit të hyrjes në luftë me jomuslimanët është agresioni i tyre kundër muslimanëve. Normalisht, në shkaqet e legjitimitetit përfshihen edhe rastet kur jomuslimanët e shkelin paktin e paqes dhe mossulmimit të nënshkruar me muslimanët ose kur jomuslimanët bëjnë përgatitje për agresion. Vetëm juristët shafiitë e mbështesin shkakun e legjitimitetit të hyrjes në luftë kundër një populli (popullate, fisi, nacionaliteti, etj) në kushtin nëse armiku është qafir (mohues, heretik), por kjo është një pikëpamje përjashtimore.
Qëllimi dhe synimi i xhihadit është “i’lâ-yı kelîmetullah”, domethënë, lartësimi i fjalës së Allahut, Kur’anit, mbrojtja e besimit monoteist islam, tevhid, si dhe ngritja e këtij besimi në nivel sundues në tërë botën. Kurse rruga dhe metoda esenciale e këtij xhihadi është kumtimi me fjalë të bukura e të urta. Sepse Islami, jo vetëm e ka ndaluar rreptësisht përdorimin e forcës dhe shtrëngimit për këtë qëllim dhe synim, por edhe besimin e arritur me anë të forcës dhe shtrëngimit e quan të pavlefshëm. Gjithsesi, lufta me armë e cila ka si rezultat të natyrshëm ashpërsimin e armiqësisë, nuk është mjet i kuptimit besimor-fetar! Vetëm nëse mbahet parasysh se lufta me armë është lejuar në Islam për shkak të agresionit të armikut, kuptohet lehtësisht se kjo është një vetëmbrojtje, legjitimiteti i së cilës nuk vihet në diskutim në asnjë sistem të së drejtës. Nuk duhet harruar se në Islam, parimi i përgjithshëm ndaj çdo lloj dhune dhe agresiviteti është parimi “kisas”, ndëshkimi identik me fajin, kurse qëndrimi i kundërt është një pacifizëm denigrues, domethënë një mjerim dinjiteti dhe personaliteti.
Argumentet që tregojnë se shkaku i legjitimitetit të hyrjes në luftë me armë kundër jomuslimanëve nuk është çështja e besimit të tyre, domethënë, se ata janë qafirë (mosbesimtarë, heretikë), por krejt tjetër, vetëm ushtrimi i dhunës dhe agresionit nga ana e tyre kundër muslimanëve, mund t’i radhisim kështu:
1) Në ajetin kur’anor të parë që urdhëron për luftë, kjo specifikë është e qartë:
“Luftoni edhe ju në rrugën e Allahut kundër atyre që ju luftojnë, vetëm se mos e teproni, sepse Allahu nuk i do ata që e teprojnë!”
Ka edhe ajete të tjerë që e përforcojnë këtë:
“Gjersa ata të mos ju luftojnë, edhe ju mos i luftoni, por nëse ngrihen t’ju vrasin, (edhe ju) vritini menjëherë!”
“Po qe se ata heqin dorë nga lufta, edhe ju hiqni!”
Një e vërtetë tjetër që e mbështet dhe e përforcon këtë, është edhe fakti që në Islam, gjatë kohës së luftës, është e ndaluar vrasja e civilëve të pamobilizuar, veçanërisht e elementëve të popullsisë që kurrsesi s’mund të konsiderohen palë ndërluftuese, si, p.sh., gratë dhe fëmijët. Po qe se shkaku i legjitimitetit të luftës do të ishte mosbesimi ose herezia e palës jomuslimane, do të duhej të vriteshin edhe gratë mohuese dhe heretike. Mirëpo janë shumë hadithe profetike që e ndalojnë një gjë të tillë.
2) Po qe se shkaku i legjitimitetit të luftës do të ishte mohimi (kufri, herezia), në rast se jomuslimanët pjesëmarrës në luftë si armiq, do të dorëzoheshin e do të kërkonin falje, do të duhej të merreshin në dorëzim, të vriteshin dhe lufta të vazhdonte. Por në shtetin Islam, nënshtrimi dhe kërkimi i faljes siguron mundësinë për të jetuar aty si jomusliman. Shpëtimi nga vdekja për të fituar të drejtën për të bashkëjetuar vëllazërisht me muslimanët brenda të drejtave dhe përgjegjësive të caktuara, është vënë në vartësi të kushtit “xhizje” me këtë ajet kur’anor:
“Luftoni me ta gjersa të japin xhizje!”
Edhe ky ajet kur’anor tregon se qëllimi i luftës nuk është vrasja, as shkaku i hyrjes në luftë nuk është mohimi, herezia, por vetëmbrojtja nga e keqja e qafirëve (mohuesve, heretikëve). Kur sigurohet kjo, hyrja në luftë del së qeni legjitime, përndryshe, nuk do të konsiderohej e mjaftueshme që jomuslimanët të kërkonin falje e të nënshtroheshin, por do t’u vihej kusht ta pranonin Islamin.
3) Kur’ani i Shenjtë i urdhëron muslimanët që të mbajnë marrëdhënie të mira me jomuslimanët të cilët nuk pozicionohen e nuk sillen si armiq ndaj muslimanëve:
“Trajtojini ndjekësit e Librit në mënyrën më të mirë, me përjashtim të atyre që ju bëjnë keq!”
“Allahu nuk ju ndalon t’u bëni të mira e t’i trajtoni me drejtësi njerëzit që nuk ju vrasin për shkak të besimit dhe që nuk ju nxjerrin nga vendbanimi, sepse Allahu i do ata që zbatojnë drejtësinë. Allahu ju ndalon të bëni miqësi vetëm me njerëzit që ju vrasin për shkak të besimit, që ju nxjerrin prej vendbanimit dhe që i ndihmojnë të tjerët t’ju nxjerrin. Dhe kush bën miqësi me ta, është ndër mizorët që i bëjnë keq vetes së vet!”
Ka edhe shumë hadithe profetike që e mbështesin këtë pikëpamje. Le t’ia ofrojmë nja dy prej tyre vëmendjes suaj:
“O njerëz! Mos e kërkoni përballjen me armikun, por lutiuni Allahut për të mirë! Por kur të përballeni me armikun, bëni durim dhe dijeni se xhenneti ndodhet nën hijen e shpatave!”
Sa herë që muslimanët niseshin për ndonjë fushatë luftarake, Profeti i porosiste luftëtarët që, para se të fillonin sulmin mbi armikun, të kërkonin mundësitë për t’u marrë vesh, dhe u thoshte:
“Më mirë dua të shoh të ktheheni me muslimanë të rinj, sesa me gra dhe fëmijë që ua keni vrarë burrat dhe baballarët!”
Në Islam, shkaku i legjitimitetit të luftës nuk është vetëm agresioni i armikut. Edhe prishja e njëanshme nga ana e një shteti apo popullate jomuslimane e paktit të paqes të lidhur me ta është një shkak legjitim lufte. Shembulli tipik i kësaj janë zhvillimet politiko-ushtarake të përjetuara pasi në situatën e Luftës së Hendekut, çifutët e Medinës e prishën në mënyrë të njëanshme paktin e paqes të lidhur nga muslimanët me ta. Kjo prishje e njëanshme e paktit të paqes e rëndonte edhe më shumë gjendjen e muslimanëve në atë situatë, prandaj masat ndëshkuese që u morën ndaj çifutëve, pa asnjë dyshim, kishin për qëllim të arrihej sigurimi i muslimanëve dhe, duke i eliminuar rreziqet ekzistuese ose të mundshme në këtë drejtim, të rivendosej paqja mes palëve.
Në lidhje me këtë specifikë, në Kur’anin e Shenjtë thuhet:
“Gjithashtu, një lajmërim nga Allahu dhe i Dërguari ditën e Haxhit të Madh: Allahu s’ka të bëjë me mushrikët (politeistët), po ashtu edhe i Dërguari… Po të bëni pendesë menjëherë, është në të mirën tuaj, në të kundërt, dijeni se ju s’mund ta lini Allahun në gjendje të vështirë! Dhe përgëzoji me një ndëshkim tejet të dhimbshëm ata që nuk e njohin Allahun dhe të Dërguarin e Tij!
Përjashtohen vetëm ata nga politeistët me të cilët keni lidhur marrëveshje, që më pas nuk e kanë cënuar aspak marrëveshjen me ju dhe që s’i kanë dhënë mbështetje askujt në dëmin tuaj! Zbatojeni plotësisht gjer në afatin e fundit marrëveshjen me ta! Allahu i do ata që binden!”
“Dhe në qoftë se e prishin betimin pasi ta kenë pranuar marrëveshjen dhe ngrihen në sulm kundër fesë suaj, vritini menjëherë ata prijës të mohimit, vetëm jo, nëse heqin dorë!
Kurse ju nuk luftoni kundër një fisi të tillë që e prishën betimin dhe organizuan përzënien e të Dërguarit, dhe që ishin ata të parët që ju sulmuan! Apo mos frikësoheni prej tyre? Po qe se jeni besimtarë, më parë duhet të frikësoheni prej Allahut!”
Edhe lufta kundër jomuslimanëve që ushtrojnë dhunë dhe padrejtësi ndaj një popullate muslimane në pakicë dhe i marrin nëpër këmbë të drejtat e tyre, është legjitime për muslimanët.
Në Kur’anin e Shenjtë urdhërohet:
“Dhe përse të mos luftoni? Të luftoni në rrugën e Allahut dhe për burrat, gratë dhe fëmijët e nëpërkëmbur që luten pa pushim: “Zoti ynë! Nxirrna ne nga ky vend me popullsi mizore, dërgona nga ana jote neve dikë që të na dalë për zot, dikë që të na ndihmojë!”
Kurse në një ajet tjetër kur’anor thuhet:
“…Po të mos ishte që Allahu të mos i mbronte njerëzit nëpërmjet njëri-tjetrit, toka do të mbulohej nga intriga dhe konflikti dhe do të merrte fund!”
Beshir bin Hasasiyye (r.a.) tregon:
Shkova te i Dërguari i Allahut (s.a.s.) për t’i dhënë besën. Ai më vuri si kusht që të dëshmoj se nuk ka zot tjetër përveç Allahut dhe se Muhammedi është robi dhe i Dërguari i Allahut, të fal namaz, të jap zeqat, të kryej haxhin e Islamit, të mbaj agjërimin e ramazanit dhe të luftoj në rrugën e Allahut.
Dhe unë i thashë kështu:
“O i Dërguari i Allahut! Vallahi, për dy prej këtyre nuk më mjaftojnë mundësitë! Ato janë xhihadi dhe sadakaja. Njerëzit thonë se personin që ikën prej xhihadit, Allahu e ndëshkon. Kurse unë kam frikë se, kur të vij në fushën e betejës, do të më përfshijë frika e vdekjes dhe do të iki!
Sa për sadakanë, pasuria ime përbëhet prej një tufe të vogël dhensh dhe dhjetë devesh, që janë burimi i jetesës për familjen dhe kafshë transporti!”
I Dërguari i Allahut (s.a.s.) ma kapi dorën, ma tundi dhe më tha kështu:
“Pa xhihad e pa sadaka, si do të hysh në xhennet?”
Atëherë, i thashë:
“O i Dërguari i Allahut! Të jap besën!”
Dhe i dhashë besën të Dërguarit të Allahut se do t’i plotësoja të gjitha kushtet që më kishte vënë!”
Veç këtyre, është e lejueshme (xhaiz) dhe legjitime nga pikëpamja juridiko-fetare edhe lufta kundër të quajturve “rebelë” dhe “renegatë”, të cilët do t’i trajtojmë shkurt.
Lufta kundër rebelëve:
Atyre që ngrihen kundër një administrate legjitime, u thuhet rebelë. Këta persona janë të tillë që e kanë prishur besën e dhënë dhe kanë dalë nga kuadri i bindjes. Në qoftë se, për shkak se e kanë shkelur qetësinë e bashkësisë muslimane ose, e thënë ndryshe, e publikut musliman, nuk e dëgjojnë këshillën por vazhdojnë të veprojnë sipas kokës së tyre, edhe kundër tyre hyhet në luftë.
Lufta kundër renegatëve:
Po qe se popullsia e një vendi musliman largohet nga Islami, lufta kundër tyre bëhet e lejueshme (xhaiz). Sepse, në atë rast, popullsia në fjalë, duke e shkelur kontratën ekzistuese të hapur ose të nënkuptueshme të nënshtetësisë ose besëlidhjen (biat), ka dalë nga korniza e bindjes, gjë që do të thotë shkelje e paqes dhe qetësisë së shoqërisë islame. Vetëm se, para se të hyhet në luftë me ta, atyre u duhet njohur një afat duke u mbështetur në mundësinë që ata t’i eliminojnë dyshimet besimore nëse kanë të tilla, dhe të bëjnë pendesë. Trajtimeve të tilla para se të fillohet lufta, u thuhet “istiâbe” (shfrytëzim i të gjitha mundësive për marrëveshje).
Po qe se istiabe mbetet shterpë, domethënë, të gjitha iniciativat për t’i ftuar renegatët për të bërë pendesë, mbeten pa rezultat, atëherë fillohet lufta kundër tyre. Pasi të fillohet lufta, nuk pranohen më lutjet për falje ose propozimet për të paguar xhizje, taksë për kokë, por vriten. Me fjalë të tjera, pasi të gjitha përpjekjet për t’i bindur renegatët që të kthejnë rrugë, shkojnë kot, dhe fillohet lufta kundër tyre, atyre u hiqen të gjitha mundësitë për të fituar qoftë edhe statusin e robit ose të nënshtetasit jomusliman.
Këta quhen edhe “ehli ridde”, “renegatë kokëfortë”. Ky term është përdorur nga historianët arabë pas vdekjes së Profetit, atëherë kur në Gadishullin Arabik ndodhi një ngjarje largimi kolektive nga feja, e cila u eliminua nga kalifi në fuqi, Hz. Ebu Bekr, duke përdorur forca ushtarake.
Pasi shpjeguam kushtet e legjitimitetit të luftës, le të tregojmë se si duhet zhvilluar ajo.
Meqë sipas vështrimit të Islamit, “njeriu” është qenie e zgjedhur dhe e nderuar, lufta që bëhet shkak për shkatërrimin e tij është, në fakt, një gjë e shëmtuar (kabîh). Megjithëkëtë, lufta është një qëllim i lartë kur bëhet fjalë për sigurimin e shpëtimit dhe paqes duke i mposhtur dhe asgjësuar dhunën dhe padrejtësinë, ekzistenca e të cilave i jep legjitimitet luftës, dhe, në këtë mënyrë, për mbrojtjen e të drejtave dhe lirive të njeriut. Eshtë për këtë arsye që, në optikën e Islamit, lufta është “e mirë” jo në vetvete, por jashtë saj. Kuptimi i kësaj është që, megjithëse nuk është e mirë në esencë, lufta quhet e mirë duke u nisur nga qëllimi final që synon. Dhe ky qëllim final është sendërtimi i rregullit të Allahut si mjeti i vetëm i shpëtimit dhe lumturisë tokësore dhe të amshuar për njeriun, e thënë me një fjalë të vetme, “lartësimi dhe ngadhnjimi i fjalës së Allahut” (i’lâ-yı kelîmetullah). Eshtë për këtë arsye që luftës i thuhet “xhihad” (përpjekje), kurse rezultatit të saj, “fet’h” (ngadhnjim).
Në kohën kur u shfaq Islami, në asnjë vend të botës nuk kishte asnjë rregull juridik të cilit duhej t’i nënshtrohej lufta. Fitimtarët ishin krejtësisht të lirë për t’i trajtuar të mundurit si të dëshironin, duke ushtruar mbi ta çdo lloj dhune e padrejtësie që të dëshironin. Madje, edhe pas Islamit, gjatë tërë mesjetës, krishterët zbatuan të njëjtin qëndrim si më parë. Duke bërë një citim shumë të shkurtër nga Prof. Dr. A. Reshid Turnagil i cili e pati parashtruar në mënyrë shumë të detajuar këtë të vërtetë në një konferencë të mbajtur në Hagë i mbështetur plotësisht në burimet bibliografike perëndimore, le të përpiqemi t’ia parashtrojmë vëmendjes suaj me qëllim që të mund të formoni një opinion të përgjithshëm mbi këtë çështje:
“Pasi e mundën një ushtri turke afër qytetit Iznik (Nicea antike) të futur nën rrethim, kryqtarët ua prenë kokat të gjithë të plagosurve, i varën në vithet e kuajve si shenja fitoreje, u kthyen në atë mënyrë në vendfushim dhe, pastaj, kokat e prera i hodhën benda qytetit të rrethuar. Ata bënë aq shumë grabitje e shkatërrime në vend, sa, pas pak kohe, i zuri zia e bukës. Edhe popullsia krishtere, madje, u grabit e u vra!” Në lokalitetin Marrat, kryqtarët i prisnin dhe vrisnin fëmijët, djemtë e rinj dhe pleqtë që dukeshin sikur u ishte thyer mesi nën peshën e lotëve, nuk kursenin askënd dhe për ta përfunduar “punën” shpejt, varnin disa vetë me një litar. Ata rrëmbenin ç’të gjenin. Ua çanin barqet të vdekurve dhe nxirrnin prej atje monedha dhe stoli ari. Më në fund, Bremondi dha urdhër të nxirreshin dhe silleshin të gjithë ata që qenë mbyllur në kullën e pallatit dhe urdhëroi të vriteshin të gjitha gratë plaka, të gjithë burrat pleq të rrëgjuar që s’u mbanin duart e këmbët dhe të gjithë personat e dobët që s’vlenin për ndonjë punë, kurse të rinjtë rreth moshës së pubertetit dhe burrat e fuqishëm i veçoi dhe i dërgoi në Akka për t’i shitur. Ekzekutimi i turqve në grup u bë ditën e diel më 12 dhjetor, kurse ata që kishin mbetur pa u ekzekutuar nga pamundësia për t’u mbaruar ajo punë brenda një dite, u ekzekutuan nga kryqtarët të nesërmen.
Siç është transmetuar nga Raymond d’Agiles, anëtar i Kuvendit Episkopal të qytetit Puj në Francë, arabët që nuk u ishte prerë koka ose nuk ishin hedhur përtej mureve, “hidheshin në zjarr”!
“Në rrugicat dhe sheshet e Jeruzalemit dukeshin pirgje me koka, duar dhe këmbë të prera. Nga të gjitha anët, rrugët ishin mbuluar me kufoma dhe mund të gjendej ndonjë kalim vetëm mes tyre. Por prapë, gjithçka ishin gjëra deridiku pa rëndësi…”
“Në tempullin e vjetër të Sollomonit u derdh aq gjak, saqë kufomat e të vdekurve notonin në një det gjaku duke u shpërndarë andej-këtej në oborrin e përparmë. Në atë det gjaku dukeshin edhe duar dhe këmbë të prera që notonin. Edhe ushtarët që e kishin bërë atë kasaphanë, madje, me vështirësi e duronin avullin dhe erën e keqe që ngrihej lart nga gjaku i derdhur.”
Meqë ajo vrasje nuk u pa e mjaftueshme, në një kuvend të formuar nga kryqtarët u vendos që e gjithë popullsia e Jeruzalemit të vritej pa përjashtim, domethënë, bashkë me muslimanët dhe çifutët, edhe krishterët që ishin ndarë nga Kisha Katolike, ishin futur në një degë tjetër jezuite, për pasojë, në sytë e Romës shiheshin si të pafe. Numri i tyre u afrohej të dhjetë mijëve. pavarësisht nga përpjekjet e kalorësve “fetarë”(!), krimi vazhdoi tetë ditë. Gra, fëmijë, pleq, askush nuk mundi të ikte e të shpëtonte! Sjelljet e atyre burrave që thuhej se mbronin fenë, pati shkaktuar zemërimin madje edhe të kronikanëve krishterë. Bernard le-Tresorier i cilëson ata si të marrosur. Kryepeshkopi i Dol-it, Baudin, i përngjason ata me pela që rrokullisen mes pisllëqeve. Computruerunt illi, tanguam jumenta in stercoribus. Një tjetër nga kronikanët e asaj kohe, kryepeshkopi i Akka-s, Jacques de Vitry thotë:
“Të gjithë ata që ndodheshin në “Tokën e Premtuar”, ishin ca tipa të pafismë që më vjen turp t’i cilësoj ashtu siç e meritojnë, njerëz të pafe që s’frikësoheshin prej Zotit, njerëz të ndyrë që talleshin me gjërat e shenjta, hajdutë, kurvarë, atëvrasës, besëthyes.”
Guillaume de Tyr nuk mbetet më poshtë në thënien e gjërave haptazi se autorët e rrëfimeve të sipërpërmendura.
Sjelljet e kryqtarëve që bënë Kryqëzatën e Dytë nuk ndryshuan prej të të parëve. Këshilltari episkopal, Anquetil, ka thënë kështu në historinë e vet: “Nuk pati mbetur krim mizor dhe tragjik, paturpësi dhe poshtërsi që të mos e kenë bërë!”
Kryqtarët që formonin Kryqëzatën e Katërt dhe që, në rrugën për Jeruzalem, kaluan nëpër Kostantinopol, vendosën të zinin vend aty për të banuar. Ata e plaçkitën krejtësisht atë qytet të pasur krishter ku ndodheshin thesarë arti dhe letërsie mjaft të çmuar të mbetur nga grekët dhe latinët, kurse sendet e tjera përveç atyre prej ari dhe argjendi i hodhën në det!”
Këto historira dhe tregime përdhunimesh që ta skuqin fytyrën, zgjaten po në të njëjtën formë e me të njëjtën përmbajtje duke mbushur faqe të tëra.
Eshtë Islami, feja ose sistemi i vetëm në historinë e njerëzimit, i cili për herë të parë e kushtëzoi luftën brenda kritereve të drejtësisë dhe maturisë edhe për sa u përket shkaqeve të legjitimitetit, edhe përsa i përket mënyrës së zhvillimit. Këto kritere mund t’i radhisim kështu:
1) Eshtë e detyrueshme që, para se të fillohet lufta, për një shkak legjitim, me një kolektiv jomusliman, t’u propozohet që ta pranojnë Islamin ose të fitojnë të drejtën për të bashkëjetuar me muslimanët në paqe e qetësi duke dhënë xhizje. Për më tepër, është urdhër hyjnor që shpallja e këtij kushti të bëhet me fjalë të bukura e të urta.
“Zbatimi me të meta i këtij urdhri hyjnor e vë zbatuesin para përgjegjësisë. Po qe se komandanti, para se t’i ftojë sipas rregullit mohuesit në Islam, vihet në pozita armiqësore kundër tyre pa i studiuar në tërësi dhe hollësi argumentet dhe provat e tyre dhe, kështu, pa i vënë në dijeni ata, i vret me anë të sulmeve dhe bastisjeve të befasishme, duhet të japë dëmshpërblim njëlloj sikur të kishte vrarë muslimanë. Sepse supozohet që një popullatë çfarëdo që nuk e ka dëgjuar “ftesën” e Islamit, është besimtare. Domethënë, me qenë se ka ndjekur fenë e ndonjërit prej profetëve të ardhur para Hz. Muhammedit dhe se është shpërndarë sipas ligjeve të po asaj feje, konsiderohet se nuk ka pasur dijeni.
Kur Halid bin Velidi u dërgua tek një fis në krye të një ekipi udhëzuesish fetarë muslimanë, u porosit në mënyrë të theksuar, ashtu si edhe anëtarët e ekipit, që të zhvillonte kumtimin e fesë pa përdorur armë. Por meqë ai, në opozicion me porosinë dhe urdhrin që i ishte dhënë, përdori armë, Profeti pagoi dëmshpërblim për njerëzit dhe kafshët e vrara, madje edhe për qentë e ngordhur!”
Në Hajber, duke e marrë flamurin nga Profeti, Hz. Aliu e pati pyetur:
“O i Dërguari i Allahut! A do t’i detyrojmë çifutët ta pranojnë Islamin duke u përleshur me ta?”
Dhe Profeti (s.a.s.) i pati dhënë këtë përgjigje:
“Jo! Ua propozoni Islamin me butësi dhe qetësi!”
2) Jeta e civilëve të pamobilizuar konsiderohet e paprekshme, domethënë, ata nuk vriten.
Gjatë pushtimit të Iranit nga ushtria islame, qenë zënë robër mijëra njerëz përqark kryeqytetit të rrethuar. Por kur u muar vesh se ata ishin popullatë civile e pamobilizuar, fshatarë që merreshin me punët e veta, u lanë të lirë nga komandanti Sa’d bin Ebi Vakkas.
Po kështu, nuk vriten pleqtë, qorrat, gratë, fëmijët, të sëmurët, invalidët dhe personat e matufepsur. Madje, gratë nuk vriten edhe sikur gjatë zhvillimit të luftës të kenë ndihmuar duke u dhënë guxim luftëtarëve me këngë heroike ose të kenë dhënë ndihmë në një mënyrë tjetër çfarëdo.
3) Eshtë haram (jolegjitime, e palejuar, e pabekuar) që të vriten ushtarët armiq të plagosur dhe që, për pasojë, e kanë humbur aftësinë për të luftuar. Sepse synimi i luftës nuk është të vriten mohuesit (qafirët), por të pengohen dëmet që mund t’u shkaktojnë ata muslimanëve. Po kështu është haram edhe vrasja e ushtarëve armiq të kapur rob ose të torturohen ata në një mënyrë çfarëdo. Në një hadith profetik, profeti Muhammed (s.a.s.) ka porositur:
“Ruhuni nga mallkimi i viktimave! Sepse nuk ka asnjë pengesë që rënkimi i tyre të arrijë gjer në lartësinë e Allahut!”
4) Robërve të luftës nuk mund t’u bëhet trajtim i keq dhe është kusht që çdo rob i cili paguan shpërblimin e lirimit, të lihet i lirë. Në të njëjtën mënyrë, mund të bëhet edhe shkëmbimi i robërve të luftës pa vënë si kusht barazinë e numrit të tyre. Kurse robërit që nuk kanë mundësi financiare të japin shpërblim lirimi, lihen të lirë pa shpërblim. Ky veprim që përbën mirësi, është nxitur dhe inkurajuar si një lloj domosdoshmërie fetarie.
5) Siç është shpjeguar më parë, fakti që Islami i cili e pati kufizuar skllavërinë tek robërit e luftës, pati iniciuar abrogimin gradual të skllavërisë, ishte një masë që kishte të bënte me synimin për ta zbritur në minimum numrin e vrasjeve gjatë luftërave. Për më tepër, ka qenë dhe mbetet urdhër fetar që, gjersa robi të lirohet, ai që e ka nën robëri, ta ushqejë me se ushqehet vetë, ta veshë e mbathë me atë që vishet e mbathet vetë dhe të mos e përdorë në punë të rënda.
6) Eshtë kusht që, në qoftë se gjatë zhvillimit të betejës, në çastin kur armiku kërkon falje, luftimi duhet ndërprerë. Pranimi i faljes prej një muslimani të lirë apo skllav nga ana e palës muslimane, nuk e ndryshon përfundimin.
Gjithashtu, gjatë pushtimit të Iranit, pati ndodhur që portat e një qyteti të rrethuar qenë hapur nga vetë popullsia dhe qe marrë vesh se popullsia kishte kërkuar falje dhe një skllav musliman nga rrethuesit e kishte pranuar faljen. Kur komandanti i ushtrisë muslimane nuk pati dashur ta pranonte këtë fakt, çështjen ia patën parashtruar kalifit, Hz. Omer, i cili pati dhënë këtë përgjigje:
“Skllevërit muslimanë nuk kanë ndonjë ndryshim nga muslimanët e tjerë. Paqja e dhënë prej tyre është po aq e konsiderueshme dhe e pranueshme sa edhe paqja e dhënë nga muslimanët e tjerë!”
Një herë, Hz. Omeri i pati thënë një komandanti:
“Falja e dhënë prej tyre (muslimanëve skllevër) është e vlefshme!”
7) Eshtë e ndaluar që, gjatë luftimeve, të mos shkatërrohen vendbanimet, të mos digjen ose priten pemët dhe drurët dhe të mos vriten kafshët ashtu siç ndodh në luftërat e sotme. Lejohet vetëm ndryshimi i rrjedhës së ujërave që furnizojnë të rrethuarit, me qëllim për ta shkurtuar kohëzgjatjen e rrethimit dhe përfundimin e luftës. Por është e ndaluar të shkatërrohen për të mos u përdorur më ujësjellësit. Veçanërisht është ndaluar me forcë hedhja e helmeve në ujëra për të shkaktuar helmimin dhe vdekjen e njerëzve ose përdorimi për të njëjtin qëllim i helmeve si armë kimike.
“Këto ligje janë përmbledhur nga kalifi i parë pas Profetit, Hz. Ebu Bekri, në porositë që i dha ushtrisë muslimane të nisur me objektiv Sirinë e cila është e para në kohë mes vendeve që morën nënshtetësinë islame. Hz. Ebu Bekri u pati thënë kështu komandantëve të asaj ushtrie të komplekse:
“Kujtojeni dhe përmendeni vazhdimisht se ndodheni gjithmonë nën vëzhgimin e Allahut dhe nën kërcënimin e vdekjes dhe se dita e kiametit është edhe Dita e Llogarisë, pra, se do të jepni llogari për bëmat tuaja! Kur të përlesheni në rrugën e Allahut, silluni burrërisht, ndershmërisht dhe trimërisht! Mos ia ktheni shpinën armikut, as mos e fëlliqni fitoren tuaj me gjakun e grave, fëmijëve dhe pleqve! Mos i pritni drurët e hurmave, mos i shkelni arat e grurit, mos i përmbysni pemët që japin fruta. Mos therrni kafshë si dele, lopë e deve për të shuar urinë nëse s’e keni shumë të domosdoshme. Kur të jepni fjalën, bëhuni të vendosur për t’i zbatuar kushtet e marrëveshjes! Gjatë marshimit mund të hasni në murgj që rrojnë nëpër manastire dhe, të tërhequr në vetmi, merren me adhurimin e Allahut, prandaj lërini ata në hallin e vet dhe mos ua shembni manastiret!”
Këtë kuptim ka pasur edhe porosia e pasuesit të Hz. Ebu Bekrit, Hz. Omerit:
“Ndaj askujt mos ushtroni dhunë dhe padrejtësi, sepse Zoti i Lartë nuk i do përdhunuesit dhe mizorët. Në luftë mos u tregoni frikacakë, mos e përdorni forcën në mënyrë tiranike, mos e kaloni masën kur të dilni fitues, mos u sillni në kundërshtim me maturinë dhe drejtësinë, mos i vrisni pleqtë, gratë dhe fëmijët dhe në përleshjet ose në sulmet kalorsiake ruhuni nga dëmtimi i tyre!”
Hz. Omeri u pati shkruar këtë letër të bukur Sa’d bin Ebi Vakkas-it dhe ushtrisë që ndodhej nën komandën e tij:
“Ju këshilloj ty dhe ushtarëve të tu që frikën nga Allahu ta mbani mbi çdo gjë. Frika nga Allahu është arma më e mirë e përdorur kundër armikut dhe komandanti më mjeshtëror gjatë betejës. Ju këshilloj ty dhe ata që ndodhen bashkë me ty, që të ruheni më shumë nga mëkati se nga armiku, sepse gabimet, fajet dhe mëkatet e një ushtrie i sjellin asaj dëm më shumë se ç’mund t’i sjellë armiku. Besimtarët munden të dalin fitimtarë mbi armikun sepse armiku është kundër Allahut. Po të mos ishte kështu, nuk do të gjenim dot forca për ta mundur atë! Ne jemi më poshtë se ata në numër dhe pajisje. Po qe se do të ishim të barartë me ta në mosbindjen ndaj Allahut, ata do të shquheshin mbi ne. Kurse ne kemi epërsi mbi ta jo si forcë materiale e njerëzore, por si forcë shpirtërore!”
8) Profeti Muhammed (s.a.s.) ka thënë: “Lufta është hile (hud’a).” Në arabishte, “hile” do të thotë “rrugëzgjidhje”. Por fjala që ka përdorur Profeti në këtë porosi, është “hud’a” që, në arabishte, do të thotë përgjithësisht “lojë, dredhi”, por jo “gënjeshtër e zakonshme”, gënjeshtër në kuptimin e mirëfilltë të fjalës, gjë që çon në mashtrim, tradhti. Sepse “Allahu nuk i do mashtruesit dhe tradhtarët”.
“Në mësimet që jepte në xhaminë e madhe të Kordovës, dijetari Ebubekr er-Razi e ka komentuar dhe shpjeguar në këtë aspekt parimin e shprehur më sipër:
“Profeti ka thënë: “Lufta është hud’a”. Do të desha t’ua kujtoj bijve tanë taktikat (hud’a) e luftës që kanë përdorur etërit tanë në iniciativat e tyre (luftarake), vetëm se pa u larguar nga besa dhe sinqeriteti, sepse edhe nëse hilja (dredhia) në luftë është gjithmonë e lejueshme (xhaiz), mashtrimi dhe tradhtia janë gjithmonë të merituara për mallkim!”
Më poshtë, Raziu përmend një dredhi taktike të propozuar nga Zubejri gjatë luftës për pushtimin e Afrikës. Arabët ishin nën komandën e Abdullah bin Sa’d-it, kurse bizantinët, nën komandën e guvernatorit të Tripolit, Gregor. Gregori kishte vënë një çmim për kokën e Abdullah bin Sa’d-it: atij që do ta vriste Abdullain, do t’i jepte vajzën e vet të famshme në bukuri si dhe njëqind mijë florinj. Kjo e kishte frikësuar Abdullain i cili kishte mbetur i mbyllur nga frika në çadër. Zubejri i tha Abdullait:
“Qafirët po përdorin një mjet që s’është aspak burrëror. Atëherë, edhe ti, duke përdorur të njëjtën taktikë kundër tyre, shpall se atij që do ta vrasë Gregorin, do t’i japësh vajzën e Gregorit dhe njëqind mijë florinj!”
Pasi u bë shpallja, filloi të frikësohej Gregori dhe, në përfundim të betejës së madhe që u zhvillua, ushtria e Gregorit pësoi disfatë të plotë!”
Të gjitha këto që u thanë tregojnë se “xhihadi” i muslimanëve është shumë më i qytetëruar dhe shumë më njerëzor se luftërat e Botës Perëndimore të sotme! Ndërsa gjatë gjithë historisë, muslimanët e zhvilluan xhihadin brenda kësaj kornize drejtësie, Bota Krishtere i ka zhvilluar luftërat dhe vazhdon t’i zhvillojë me një stil antinjerëzor!
Ka ndodhur kështu me muslimanët, sepse muslimanët e kanë konsideruar xhihadin si një adhurim, për rrjedhojë, vazhdimisht, pothuaj çdo musliman, nga komandanti e gjer te ushtari më i thjeshtë, është përpjekur për të vepruar sipas urdhrave hyjnorë në këtë drejtim.
Me të vërtetë, gjatë gjithë historisë, ushtritë islame, para se të fillonte beteja, kanë falur namaz, kanë kënduar Kur’an, kanë bërë lutje duke kërkuar ndihmën e Allahut dhe, në këtë pikë të ndjeshme mes vdekjes dhe jetës, nën sundimin e ndjenjave fetare, kanë arritur pjekurinë për të vepruar sipas kritereve të devocionit.
Gjatë një beteje, Hz. Aliu ia kishte vënë majën e shpatës në grykë një armiku të shtrirë përtokë dhe, para se ta vriste, i sugjeroi që të thoshte Fjalën e Njësisë. Në vend të kësaj, armiku e pështyu në fytyrë prej aty ku ndodhej i shtrirë. Atëherë, Hz. Aliu e tërhoqi shpatën dhe e la armikun të lirë. Armiku i habitur me kthesën që mori ngjarja, e pyeti Hz. Aliun pse e la të lirë. Dhe Hz. Aliu iu përgjigj kështu:
“Unë do të të vrisja për hir të Allahut, kurse pasi më pështyve në fytyrë, në këtë punë u ngatërrua egoja ime!”
Pasi i thamë të gjitha këto, tani le t’u përgjigjemi pak edhe kritikave lidhur me pjesëmarrjen e Profetit në luftë.
Siç do të përshkruhet me hollësi më tej, Hz. Muhammedi i pajisur me një moral të lartë e të paarritshëm, edhe nëse pati marrë pjesë në shumë luftëra, në asnjërën prej tyre s’pati përdorur ndonjë armë çfarëdo dhe kurrë s’pati vrarë njeri! Pjesëmarrja e tij mes luftëtarëve kishte për qëllim forcimin e fuqisë moralo-shpirtërore të tyre. Dhe nëse pati ngjeshur shpatë, këtë e pati bërë për vetëmbrojtje po qe se do ta detyronin kushtet. Me të vërtetë, në luftën e Uhudit qe ndodhur në kushte të ngjashme dhe i qe thyer një dhëmb. Megjithatë, edhe në atë rast kur ishte goditur, ai s’e pati përdorur shpatën!
Para se t’i vinte profetësia, Hz. Muhammedi pati marrë pjesë si shigjetar në radhët e fisit Kurejsh në një betejë të organizuar për të ndëshkuar palën e cila kishte ushtruar dhunë ndaj fisit, por nuk pati luftuar, vetëm qe mjaftuar të mblidhte shigjetat e rëna në anën e tyre dhe t’ua jepte luftëtarëve dhe kjo ngjarje është e dëshmuar historikisht.
Ndërkaq, mundimet dhe vuajtjet e padurueshme të cilave u qe nënshtruar ai së bashku me muslimanët e parë qysh nga çasti kur pati filluar ta kumtonte Islamin, nuk kanë të mbaruar me të treguar.
“Kur Profeti filloi ta kumtonte dërgesën profetike, të gjithë mekasit iu bënë armiq. Kundër tij u organizuan qindra atentate. Për ta vrarë atë, u lyen me helm shpatat dhe u përdorën kundër tij; u bënë përpjekje për ta vrarë në gjumë; u rrethua personalisht nga armiqtë gjatë betejave dhe çdokush priti vdekjen e tij; deshën t’i rrokullisnin mbi kokë copa të mëdha shkëmbinjsh; i futën helm në gjellë!”
Një ditë, kur Profeti ndodhej në Qabe, e kapën dhe e rrahën për vdekje. Ebubekri i shkoi në ndihmë, e shpëtoi Profetin e shtrirë përtokë pa ndjenja nga ashpërsia e dhunës së ushtruar mbi të, dhe i largoi rrahësit duke i qortuar rëndë me fjalët:
“A i hyhet në gjak njeriut pse thotë se Allahu është Zoti i tij?”
Pas vdekjes së të ungjit Ebu Talib dhe bashkëshortes Hz. Hatixhe, nuk kishte mbetur më kush që ta mbronte nga torturat e Kurejshve. I shtronin ferra në rrugën nga kalonte, talleshin ndërsa ai falte namaz, i hidhnin sipër jashtëqitje kafshësh, kur binte në sexhde, i grumbullonin mbi trup gjërat më të fëlliqura, i mbështillnin për qafe rrecka për ta mbytur. I dëshpëruar shumë nga të gjitha këto, Profeti shkoi në Taif. Taifasit mblodhën gjithë fundërrinat e popullatës dhe i vunë ta qëllonin me gurë, aq sa këpucët iu mbushën me gjakun e rrjedhur nga këmbët…
Në të njëjtën mënyrë, çdokush që e pranonte Islamin, veçanërisht skllevërit, u nënshtroheshin padrejtësive dhe mizorive që s’t’i merr mendja. Dihet gjerësisht se Bilalin Abisinas e groposnin në rërën përvëluese dhe e rrihnin me kërbaç. Dihet, gjithashtu, se, pasi politeistët mekas filluan të zbatojnë një “embargo ekonomike” kundër muslimanëve të parë, këta jetuan pothuaj tri vjet në një luginë jashtë Mekës duke u ushqyer me barishte e duke vuajtur nga etja. Dhe, ndërsa muslimanët e parë qenë vënë, kështu, nën rrethim, ndërsa nuk u jepej leje dhe mundësi për të futur brenda qoftë edhe një kokërr grurë, ndërsa Kurejshët qeshnin e luanin kur dëgjonin të qarat e fëmijëve, më vonë, kur Meka vetë mbeti ngushtë dhe në qytet ra zia e bukës, Profeti i pranoi kërkesat dhe lutjet e mekasve dhe lejoi që në qytet të importoheshin ushqime.
Përballë vuajtjeve e mundimeve të padurueshme, disa muslimanëve iu dha leje të emigronin në Abisini. Pastaj ndodhi ikja e Profetit nga Meka në Medinë, pra, një hixhret (emigrim) i palejuar. Por armiqësia e Kurejshve nuk mori fund!
Kurejshët i shkruan një letër të tillë Abdullah bin Ubejjes i cili po shpallej sundimtar nga arabët e Medinës:
“Ju e keni marrë nën mbrojtje armikun tonë (Hz. Muhammedin). Ose vriteni, ose nxirreni nga Medina, përndryshe, ju betohemi se do të luftojmë kundër jush gjersa t’jua vrasim tërë burrat dhe t’jua shtijmë në dorë gratë!”
Duke mos u mjaftuar me këtë kërcënim, Kurejshët u përgatitën për ta sulmuar Medinën dhe për t’i eliminuar tërë muslimanët. Atëherë, Profeti mbeti i detyruar t’i kalonte zgjuar netët dhe t’i priste sulmet e befasishme. Pikërisht atëherë zbritën ajetet mbi xhihadin që i kemi përmendur. Menjëherë pas arritjes në Medinë, Profeti kishte mbyllur rrugën e tregtisë të Kurejshve me Sirinë. Mbyllja e kësaj rruge futej ndër masat mbrojtëse që mori Profeti për muslimanët. Pretendimi sipas të cilit kjo masë ishte marrë për t’i grabitur karvanet e Kurejshve, është i pabazë, sepse grabitja në Islam është mëkat i madh. Ndërkaq, edhe ecuria dhe zhvillimi i ngjarjeve janë të mjaftueshme për ta hedhur poshtë këtë pretendim.
Kurejshët u çuan fjalë medinasve se, në qoftë se do të vazhdonin t’i mbanin nën mbrojtje muslimanët, do t’i ndalonin ta vizitonin Mekën dhe të bënin tavaf. Atëherë, medinasit u dhanë këtë përgjigje:
“Edhe ne do ta ndalojmë lëvizjen e karvaneve tuaj për në Siri!”
Praktikisht, Kurejshët i kishin ndaluar muslimanët ta vizitonin Qaben. Si përgjigje ndaj kësaj, edhe muslimanët mbetën të detyruar t’i mbyllnin rrugët tregtare të Kurejshve. Medina ndodhej mes Mekës dhe Sirisë, pikërisht në rrugën tregtare që i lidhte këto dy vende. Ndërkaq, qëllimi i muslimanëve ishte të bënin presion mbi Kurejshët dhe të mos i linin të qetë ata. Mirëpo komandanti i një patrulle vëzhgimi të dërguar nga Profeti për të vëzhguar lëvizjet e Kurejshve dhe për ta informuar, sulmoi disa tregtarë që ktheheshin nga Siria, vrau njërin prej tyre, kurse dy i zuri rob, ua sekuestroi mallrat dhe ia çoi Profetit në Medinë si plaçkë lufte. Profeti i tha komandantit:
“Por unë s’të kam dhënë leje për të bërë një gjë të tillë!”
Dhe nuk e pranoi të ashtuquajturën “plaçkë lufte”!
Kjo ngjarje është njëra dhe më kryesorja e shkaqeve të luftës së Bedrit. Burri që vrau dhe personat që zuri rob komandanti i patrullës, u përkisnin familjeve shumë të respektuara të Kurejshve.”Ja, pra, në këtë mënyrë vihet re se, ndër luftërat e zhvilluara në periudhën e quajtur “Shekulli i Lumtur”, pra, në të gjallë të Profetit, edhe lufta e Bedrit e cila pretendohet të quhet luftë sulmuese, është zhvilluar nga ana e muslimanëve me qëllim mbrojtjeje! Edhe në luftërat pas kësaj, megjithëse mori pjesë në to, Profeti (s.a.s.) nuk përdori armë në asnjërën prej tyre dhe kurrë s’vrau njeri! Megjithëse vrasja në luftë bëhet për të mos u vrarë vetë, pra, ka kuptimin e një vetëmbrojtjeje, si dhe, megjithëse në Islam ka një parim themelor të quajtur “kisas”, Hz. Muhammedi, me anë të një mbrojtjeje hyjnore, megjithëse pati kaluar nëpër shumë situata kritike, qe mbajtur larg nga detyrimi për të vrarë.

