Parimet e Botëkuptimit Islam: Parimi i Kriterit Praktik - Mirësia Islame

Parimet e Botëkuptimit Islam: Parimi i Kriterit Praktik

Çdo konkluzion vlerash është – përparësisht – teorik. Edhe disiplinat shkencore që janë secila nga një sistem konkluzione vlerash më vete, fillojnë me postulate të cilat nuk lënë hapësirë lëkundjeje e dyshimi për arsyen e njeriut. Në literaturën islame, këtyre…


Publikuar:

Çdo konkluzion vlerash është – përparësisht – teorik. Edhe disiplinat shkencore që janë secila nga një sistem konkluzione vlerash më vete, fillojnë me postulate të cilat nuk lënë hapësirë lëkundjeje e dyshimi për arsyen e njeriut. Në literaturën islame, këtyre u thuhet “bedâhet” ose “müteârifeler”, që i përgjigjet konceptit dhe termit “postulat” në shkencën e logjikës. Kjo do të thotë qartësi ose formë e prerë (kategorike, përfundimtare) që nuk ka nevojë për vërtetim. Për shembull, në gjeometri, pranimi se largësia më e shkurtër mes dy pikave është një drejtëz, është postulat ose një pikënisje e pranuar si e vërtetë kategorike prej nga zhvillohen analiza, arsyetime dhe vërtetime të tjera. 

Nëna e formave gjeometrike është pika. Pikë është emërtimi i vendit ku priten dy drejtëza. Sipas kësaj, shkencat janë si kulla të ndërtuara me gurë të vendosur mbi njëri-tjetrin, të cilët janë, gjithashtu, në vetvete, si kulla konkluzionesh që mbështeten te njëri-tjetri. Në matematikë, askush nuk e vë në diskutim se “dy herë dy bëjnë katër”. Edhe të gjitha shkencat e tjera kanë postulate të tilla që, duke u matur me peshoren e arsyes, pranohen në mënyrë paraprake. Eshtë për këtë arsye që disiplinat që shpjegojnë, për sa u përket shkaqeve dhe pasojave (përfundimeve), fenomenet e quajtura dituri, janë gjithmonë teorike. Kurse vënia në praktikë e tyre është “shkencë” ose “art”. Për shembull, dituria e mjekësisë është teorike, kurse mjekësia  e zbatuar është shkencë, domethënë, art. Ose, e thënë ndryshe, shkenca e mjekësisë ka dy aspekte: aspektin teorik dhe aspektin e zbatuar ose praktik i cili është, në vetvete, një art. Kështu qëndron puna edhe me të gjitha dituritë ose shkencat e tjera.

Ndërkaq, është e detyrueshme që, për koncepte të tilla, si gjatësia, pesha, gradët e nxehtësisë (temperaturës), etj., që përdoren nga shkencat e natyrës, të merren për bazë një sërë cilësish të pandryshueshme që ndodhen në natyrë dhe mbështeten në paravlerësimin hyjnor, si dhe të nxirren në shesh njësitë. Në të kundërt, për të gjitha cilësitë e matshme, në praktikë do të shfaqeshin ndryshime të pafundme megjithëse do të kishte bashkime në emërtime. Për shembull, për ujin e pastër është marrë si bazë pika e avullimit me ngrohjen e tij nën një shtypje normale dhe, duke e emërtuar njëqind gradë nxehtësinë që e siguron këtë, është arritur në njësinë e quajtur “gradë”, e cila përdoret për matjen e nxehtësisë (temperaturës). Dikush tjetër, duke e pranuar si njëqind e tetëdhjetë gradë nxehtësinë (temperaturën) e çastit të këtij avullimi, ka përftuar një njësi (matjeje) tjetër. Edhe cilësitë e tjera të ndryshme të marra kështu nga natyra edhe për gjatësinë dhe peshën, janë përdorur për të përftuar njësi (matjeje).

Si shkencë, edhe morali (moral-etika) është fillimisht një sistem konkluzione vlerash teorike. Konkluzionet kryesore të tij janë konkluzionet, si “e drejtë-e shtrembër”, “e saktë-e gabuar”, “e bukur-e shëmtuar”, “e mirë-e keqe”. Të gjitha sistemet moralo-etike filozofike i vunë si etiketë secilën nga këto fjalë që shprehin një konkluzion dhe vlerësim më vete, mbi çdo sjellje, sipas opinionit të tyre. Për këtë, ata përdorin vetëm arsyen njerëzore dhe marrin për kriter “interesin” apo “kundërinteresin (dëmin)”. Mirëpo, meqë për interesin dhe kundërinteresin, ashtu si tek shkencat e natyrës, termat që janë nxjerrë nga natyra dhe nuk zotërojnë cilësinë të jenë njësi të pandryshueshme, mes fjalëve-terma që janë përdorur në këto vlerësime dhe përmbajtjes së tyre, është e pashmangshme të dalin në pah ndryshime dhe kontradikta të pafundme! Sipas mendësisë që e bën vlerësimin, të drejtat dhe të shtrembrat, të bukurat dhe të shëmtuarat paraqesin shumë ndryshime. Për shembull, të gjithë krishterët pijnë verë me shumicë edhe se e pranojnë verën si gjak të Krishtit, edhe se, për rrjedhojë, e konsiderojnë pirjen e verës si rit, si adhurim. Duke e shpërbërë gjykimin e shëndoshë, ata bëjnë sikur nuk e shohin kundërinteresin ose dëmin e kësaj konsiderate dhe e këtij veprimi që bëhen shkak për akte vicioze (të shtrembra).

Gjithashtu, të gjitha sistemet morale përveç Islamit, nuk zotërojnë ndonjë kriter praktik të jashtëm me përjashtim të prirjeve subjektive të individit. Eshtë për këtë arsye që sistemet në fjalë janë të privuara nga shembujt (modelet) e të mirës dhe të keqes, e të drejtës dhe të shtrembrës të parashtruara nga një arsye permanente, e qëndrueshme dhe e lartë. Për shembull, le ta marrim Hz. Isanë i cili ndodhet në nivelin më të lartë për sa u përket sugjerimeve morale. E dimë se në malin Nazaret ai u predikonte atyre që e ndiqnin, një moral të matur. Ndërkaq, nuk kemi në dorë asnjë njohuri mbi faktin se si i pati zbatuar në jetën e vet ato parime morale që sugjeronte atje. Me të vërtetë, asnjë sjellje morale e tij që mund të merret si shembull (model) nuk na ka arritur në dorë në një formë të pastër nga dyshimi.

Le të marrim si shembull edhe Budën që ka qenë një prijës shpirtëror njerëzor. Edhe ai është një filozof i cili ka parashtruar vlera morale të larta. Hidhuni sytë të gjitha librave që janë shkruar mbi Budën. Në to nuk mund të gjeni asnjë gjë që të mund të merret shembull (model) lidhur me sjelljet morale të përjetuara praktikisht nga Buda. Edhe ato që janë shkruar mbi jetën e tij, ashtu si dhe ato mbi jetën e Hz. Isait, përbëhen prej përçartjesh legjendare të ngatërruara, të sajuara më pas.

Përveç këtyre, le t’i prekim idetë e një filozofi i cili e ka vrarë mendjen mbi moralin. Ky filozof është Fridrih Niçe (Friederich Nietzsche, 1844-1900) me origjinë gjermane. Edhe ky filozof idealist i ka ndarë sjelljet morale në dy pjesë: ato që u përkasin skllevërve dhe, pjesa tjetër, ato që i përkasin asaj kategorie që ai e cilëson “mbinjerëz” ose zotërinj. Sipas tij, masa dërrmuese e njerëzve që ai e emërton kopé, duke e flijuar veten, nxjerr në shesh mbinjeriun. Idetë e Niçes u shërbyen diktatorëve që erdhën pas tij. “Mbinjeriu” i Niçes, i cili, më në fund, u verbua si dhe vdiq në një spital psikiatrik, është një qenie imagjinare e pajisur me një sërë vetish dhe cilësish joreale të pohuara prej tij. Jo vetëm që një qenie e tillë asnjëherë nuk ka ekzistuar e nuk do të ekzistojë, por edhe vetë Niçeja nuk ka mundur të bëjë një jetë dhe të zhvillojë ndonjë veprimtari të orientuar nga ato çka ai pati imagjinuar dhe projektuar në mendjen e tij!

Sa për moralin islam, ai i ka konkretizuar parimet morale të mbështetura me premtimin e ndëshkimit apo të shpërblimit qiellor-eternal përveç një sërë sanksioneve temporale, edhe me aktet dhe praktikat e profetit Muhammed. Ja, pra, kjo specifikë është për moralin islam shprehje e një përsosmërie që nuk ndodhet në asnjë sistem moral ose moralo-etik. Për të mund ta konceptuar dhe rrokur këtë ashtu siç duhet, le t’i hedhim një vështrim të shkurtër moralit të pashoq të atij profeti të lartë.

Së pari, le ta themi këtë që morali dhe virtytshmëria e lartë të një niveli rekordi të pathyeshëm të atij qenies së lartë është mbështetur nga vetë Zoti me anë të ajetit kur’anor “Pa dyshim, ti ke një moral të lartë”. Përveç kësaj, është deklaruar se, për sa u përket sjelljeve të tij praktike dhe moralo-etike, ai është “shembulli (modeli) më i bukur” ose “model shembullor” për njerëzit e tjerë.

Fakti që ai profet i lartë është një shembull i bukur për sa i përket jetës që ka bërë, është, krahas rrjedhojë e domosdoshme e faktit që aktet dhe veprimet që e kanë mbushur atë jetë kanë qenë pasqyrë e një epërsie moralo-etike të nivelit më të lartë, edhe rrjedhojë e domosdoshme e faktit që ai ka zotëruar një pasuri dhe shumëllojshmëri sjelljeje që mund të merren si modele për çdo lloj veprimtarie jetësore. Ka mundësi që të jetë pikërisht për të arsye që Zoti e pati bërë atë ta fillonte jetën si “fëmijë jetim”, pra, si individin më të dobët brenda një shoqërie, dhe, pastaj, e pati ngjitur gjer në pozitat më të larta, siç janë profetësia dhe kryesia e shtetit, duke e kaluar shkallë-shkallë përmes shumë etapave. Eshtë për këtë arsye që dikush, pavarësisht se në ç’shkallë të hierarkisë shoqërore që të ndodhet, tek ai mundet t’i gjejë kriteret praktike që ka nevojë për jetën dhe veprimtaritë e veta, si dhe mundet t’i përdorë ato si parime dhe modele për vete. Për të gjitha sjelljet e drejta dhe morale në të gjitha veprimtaritë jetësore, si shoqëria, tregtia, komandimi ushtarak, administrata dhe qeverisja si dhe kryesimi i familjes, jeta e profetit Muhammed është një ekspozitë  e pasur, në të cilën, sjelljet e tij të realizuara në përmasa ideale, mund të merren për model. Për ta siguruar këtë, të gjitha sjelljet e tij, krejt ashtu si në Kur’anin e Shenjtë, janë regjistruar dhe është arritur të përcillen gjer në kohën tonë.

Kjo situatë cilësore është domosdoshmëri e faktit që kumtesa hyjnore, e filluar nga Zoti me Ademin (a.s.) dhe e mbështetur dhe rinovuar disa herë në veprimtarinë e vahjit ose revelacionit, është finalizuar me kumtesën evidente për atë qenie të lartë, profetin Muhammed! Në veprat bio-bibliografike dhe të hadithit, sjelljet e atij profeti të shquar janë përcjellë me aq hollësi marramendëse dhe robtë e mirë, në përdorimin e tyre si kritere më vete, kanë shkuar gjer atje, saqë dijetari i madh i hadithit si dhe ideatori i madh, Hirësia Imam Nevevi, nuk pati ngrënë kurrë shalqi në jetë vetëm sepse nuk e pati ditur se në ç’mënyrë pati ngrënë shalqi Profeti, Drita e Qenies! Me vetëdijen e besnikërisë së lartë ndaj Profetit, jeta e të cilit ka përfshirë tërë etapat e jetës, edhe duke ngrënë shalqi, madje, është shmangur nga mundësia për të vepruar jashtë mënyrës së tij të veprimit.

Megjithëkëtë, disa akte të Profetit nuk përbëjnë shembull dhe model për njerëzit e tjerë, sepse ato janë veprime që mund të kryhen vetëm me anë të fuqisë profetike. Këto mund t’i përmendim me radhë, kështu:

1) Profeti Muhammed nuk ka lënë trashëgim. Ndërkaq, ai e ka ndaluar ummetin, bashkësinë e vet, që ta imitojë atë në këtë specifikë. Veç kësaj, ai është shprehur: “el-fakru fahrî / varfëria është krenaria ime! Kjo i përket personalitetit profetik të asaj qenieje të lartë. Se nuk është e domosdoshme ose nuk duhet që muslimanët të krenohen me varfëri. Përkundrazi, pasurimi me rrugë legale është porosi e tij për ummetin, bashkësinë. Siç u prek më parë, duke u shprehur se “dora që jep është eprore ndaj dorës që merr” ai i ka treguar ummetit rrugën për t’u bërë dhënës, “dorë që jep”!

Profeti Muhammed nuk e pëlqente lypësinë, por nuk i linte lypësit në hallin e vet, përkundrazi, u tregonte rrugë se si duhej të shpëtonin nga kjo. Le të japim nja dy shembuj për këtë:

Një nga ensarët kishte shkuar te Profeti për t’i lypur lëmoshë, sadaka. I Dërguari i Madh e pyeti në kishte ndonjë send në shtëpi. Personi i tha: 

“Kam një mbulesë shtrati që e shtroj gjysmën poshtë dhe gjysmën tjetër e hedh sipër. Kam edhe një enë për të pirë ujë.” 

Profeti e ngarkoi dikë t’i çonte ato në treg e t’i shiste. Profeti ia dha personit dy dërhemët e fituara nga shitja dhe i tha që me njërën t’u merrte fëmijëve ushqim, kurse me dërhemin tjetër të blinte një litar, të bënte dru në mal, t’i sillte në qytet e t’i shiste. Personi i cili veproi siç e kishte porositur Profeti, pesëmbëdhjetë ditë më vonë u kthye prapë te Profeti dhe i tregoi se kishte mbledhur dhjetë dërhemë dhe me to kish blerë veshje dhe ushqime.

Atëherë, Profeti i tha:

“A më mirë është kjo jetesë, apo të dalësh në ditën e kiametit para Allahut me vulën e lypsarit në ballë?”

Kështu, ai i tregoi personit se ç’gjë e keqe ishte lypsaria!

Sipas Profetit, vetëm tri lloj njerëzish mund të kërkojnë ndihmë dhe sadaka, lëmoshë:

a) Borxhlinjtë, ata që kanë borxhe, gjersa t’i shlyejnë të gjitha borxhet.

b) Personat që, për shkak të ndonjë fatkeqësie, u është shkatërruar çdo gjë që kanë pasur, mund të kërkojnë ndihmë gjersa ta rregullojnë gjendjen.

c) Viktimat e urisë.

Të tjerët përveç personave në kushtet e mësipërme, e kanë haram (të ndaluar, të pabekuar) të kërkojnë ndihmë si lëmoshë e të lypin.

Por ç’nevojë ka për t’i sqaruar këto? A nuk janë dy (haxhi dhe zeqati) nga pesë kushtet e Islamit mundësisht të zbatueshme vetëm për të pasurit? A nuk do të thotë kjo, “bëhu i pasur që të mund të japësh zeqat, që të mund të shkosh në haxh”?

2) Për besimtarët muslimanë nuk ka agjërim tjetër të bërë farz (detyrim fetar) përveç agjërimit të ramazanit. Pavarësisht nga kjo, profeti Muhammed mbante disa agjërime nafile, suplementare. Përveç agjërimeve të tilla, si agjërimi gjashtë ditë në Shevval dhe agjërimi i Ashuras, çdo të hënë dhe të enjte i kalonte me agjërim. Kryerja e këtyre nuk i është ndaluar ummetit. Mirëpo Profeti qëndronte edhe dy-tri ditë i agjëruar dhe këtij i thonë “savm-i visal”, “agjërim i pandërprerë”, gjë që është një veprim që ummeti, bashkësia, nuk mund ta imitojë apo ta ndjekë. Kështu, kur disa nga sahabet deshën ta bëjnë një gjë të tillë, Profeti ua ndaloi agjërimin e pandërprerë, duke u thënë:

“Ju s’keni fuqi për këtë!”

Siç transmetohet nga Hz. Aisheja, ajo ka thënë:

“I Dërguari i Madh disa herë agjëronte në mënyrë të pandërprerë, aq sa pandehnim se s’kishte për ta prishur më agjërimin!”

3) Disa net, Profeti falte namaz gjer në të zbardhur, aq sa i engjteshin dhe i plasariteshin këmbët. Eshtë një e vërtetë shumë e njohur se, kur e pati pyetur Hz. Aisheja se pse tregonte aq pasion për adhurim megjithëse i ishte dhënë përgëzimi se ishte falur nga Zoti, ai i qe përgjigjur:

“A nuk duhet të jem një rob që falenderon?”

Megjithëkëtë, edhe i biri i Hz. Omerit pati provuar ta gdhinte natën në këtë mënyrë, me adhurim, dhe, si pasojë, e shoqja i qe ankuar Profetit. Duke u mbështetur në këtë ankesë, Profeti e pati thirrur Abdullah bin Omerin dhe i pati thënë:

“O Abdullah!.. Mos bëj kështu!.. Një të tretën e natës kaloje me adhurim, një të tretën kushtoja familjes dhe, në një të tretën tjetër, bëj pushim…”

Profeti (a.s.) e pati ndaluar për vete dhe për pjesëtarët e familjes marrjen e zeqatit. Gjatë gjithë jetës, as ai nuk mori zeqat, as familja e tij nuk u lejua prej tij që të merrte zeqat. Madje, është një specifikë e pranuar në mënyrë të njëzëshme nga dijetarët islamë se ky ndalim përfshin gjithë brezin e tij gjer në kiamet. Edhe sot, “sherifët”, “të nderuarit”, e prejardhur nga gjaku i Hz. Hasanit, si dhe “sejjidët”, “zotërinjtë” nga brezi i Hz. Hysenit, nuk pranojnë zeqat. Edhe kjo situatë nuk përbën për bashkësinë e Muhammedit pikë referimi dhe shembull për ndjekje.

4) Nga aktet dhe sjelljet e tjera të profetit Muhammed që s’përbëjnë pikë referimi dhe model për bashkësinë e tij, është edhe “poligamia e tij”. Sepse motivet (shkaqet specifike) që i kanë bërë të domosdoshme martesat në fjalë – ashtu siç do të trajtohen më poshtë – kanë qenë specifika të diskutueshme posaçërisht për të.

Siç e kemi shpjeguar edhe më parë, në Islam ka dy kategori mënyrash veprimi: “azimet” (rregull) dhe “ruhsat” (përjashtim, lejim). Ndërsa esencial dhe i urdhëruar është rregulli, po qe se për disa shkaqe aksidentale, veprimi sipas rregullit pengohet nga disa vështirësi dhe justifikime eventuale, mund të bëhet një përjashtim nga rregulli dhe lejim me qëllim për të eliminuar vështirësitë dhe për të kompensuar justifikimet në fjalë. Kjo është mjaft e qartë në temën e martesës. Kështu, monogamia është rregull, kurse marrja gjer në katër gra është lejim (i kushtëzuar).

Pasi i parashtruam të gjitha këto, dëshirojmë të përmendim disa shembuj si një tufë lulesh nga morali i atij profeti të lartë, të cilat do të vlenin për ta konceptuar të tërën. Por para se ta bëjmë këtë, dëshirojmë t’u japim një përgjigje mjaft armiqve të tij të sëmurë që kanë dalë gjatë këtyre një mijë e katërqind e ca vjetëve, pa dyshim, krahas miljarda miqve dhe të dashurve, megjithëse ajo çka kanë gjetur armiqtë për ta sulmuar, përbëhet gjithësej vetëm nga nja dy pika që përdoren si insinuatë goditëse kundër tij. 

Këto janë: pjesëmarrja e tij në luftë dhe martesa me shumë gra.

Më parë, në lidhje me “parimin e xhihadit”, kemi thënë se betejat ku ka marrë pjesë Profeti Muhammed (a.s.), kanë qenë “beteja mbrojtëse”, vetëmbrojtje legale. Në parim, në Islam është dhënë leje vetëm për luftën mbrojtëse dhe dihet se askush nuk mund të dënohet moralisht apo ndryshe për shkak të vetëmbrojtjes. Për më tepër, në asnjërën nga betejat ku mori pjesë, i Dërguari i Allahut nuk përdori armë dhe kurrë në jetën e vet nuk vrau njeri!

Edhe kritikat dhe insinuatat dashakeqëse në lidhje me martesat e Profetit me shumë gra ose, siç thuhet, në lidhje me poligaminë e tij, janë pa vend e pa të drejtë. Ndërkaq, para se ta shpjegojmë situatën specifike të profetit Muhammed (a.s.), le të bëjmë një shpjegim të shkurtër mbi “martesën me më shumë se një grua” në Islam ose, siç thuhet në terminologjinë osmane, “taaddüd-i zevcât”.

Pikësëpari, para Islamit nuk ekzistonte asnjë kufizim për martesën me më shumë se një grua, pra, e shprehur ndryshe, nuk ka ekzistuar asnjë lloj rregulli apo ligji që e kufizonte apo e ndalonte poligaminë. Si fetë njerëzore, si brahmanizmi dhe zoroastrizmi, që e pranonin si legjitime martesën me një numër të pakufizuar grash, ashtu dhe krishterizmi dhe hebraizmi nuk sollën ndonjë ndalim në këtë specifikë. Për më tepër, disa herë, shënimet dhe pohimet në librat e shenjtë mbi faktin se profetët e kaluar, duke filluar qysh me Hz. Ibrahimin, kanë pasur shumë gra, janë mjaft të qarta.

Megjithëse urdhëron si rregull martesën me një grua, Islami ka dhënë leje, sipas disa kushteve aksidentale që do t’i shpjegojmë shkurt, për të marrë një grua të dytë, duke e kufizuar poligaminë, më e shumta, gjer në katër gra. Në shekullin kur jetoi profeti Muhammed, ky kufizim i Islamit që i kundërvihej mendësisë dhe traditës së poligamisë së pakufizuar, ishte, në të vërtetë, një goditje revolucionare e jashtëzakonshme. Fakti që kjo fe e cila pranonte si parim mjaftimin me martesën me një grua, ka hapur një portë “lejeje”, është rezultat i natyrshëm i faktit se kjo fe merr parasysh domosdoshmëritë e krijimit dhe se është feja e të gjitha kohërave dhe vendeve.

Së pari, le të shpjegojmë një specifikë lidhur me krijimin. Me pretekste të ndryshme, në këtë vepër kemi shpjeguar se Zoti e ka krijuar çdo gjallesë, madje, çdo gjymtyrë, organ apo fragment të saj, me një qëllim të caktuar dhe se e ka pajisur me cilësi dhe prirje për ta bërë të përshtatshëm atë për realizimin e këtij qëllimi. Sipas kësaj, edhe femra me mashkullin janë krijuar me cilësi të ndryshme për të kryer detyrat e natyrshme të caktuara nga kaderi, vendimi hyjnor i parashkruar. Kështu, veçoria më e dallueshme mes femrës dhe mashkullit duket në aktin e martesës të përshtatshëm për vazhdimin e brezit. Me të vërtetë, mes femrës dhe mashkullit (gruas dhe burrit) ka ndryshime (dallime) shumë të mëdha për sa u përket edhe veçorive që zotërojnë, edhe detyrave që u janë ngarkuar ose u ngarkohen. Gratë, të cilat e ushqejnë fëmijën në mitër nëntë muaj e dhjetë ditë qysh nga çasti i ngjizjes dhe, pastaj, duke e sjellë atë në botë në një mënyrë të mundimshme, humbin shumë gjak, veç të gjitha këtyre, janë të ngarkuara krijimisht me përgjegjësinë për ta ushqyer afro dy vjet fëmijën me gji ngaqë ushqimi i parë tokësor (lëndor-material) i atij fëmije krijohet në gjinjtë e saj. Ndërkaq, detyra e babait mbaron pas fekondimit dhe mbetet identitet i vrapimit pas sigurimit të jetesës vetëm me anë të një lufte dhe përpjekjeje të jashtme.

Eshtë për këtë arsye që, ndërsa edhe trupi, edhe prirjet shpirtërore të mashkullit kanë një qëndrueshmëri në favor të fitimit të luftës për jetën, femra është edhe e dobët dhe delikate në trup, edhe e skajshme në ndjeshmëri. Kjo ndjeshmëri e skajshme është një dhunti hyjnore e dhuruar asaj për të kompensuar dobësinë konstante të saj qysh nga lindja e foshnjës së saj. Kurse fakti që është fizikisht e dobët dhe delikate, ka të bëjë me përjashtimin e saj nga pjesëmarrja në luftën për jetën. Ndoshta, dobësia dhe delikatesa fizike është pasojë e përjashtimit të femrës nga pjesëmarrja në luftën për jetën, ndoshta femra është përjashtuar si krijim nga pjesëmarrja në luftën për jetën si pasojë e dobësisë dhe delikatesës së saj si krijim. Përfundimi nuk ndryshon. Në këto kushte, ndërsa qëllimi i martesës është vazhdimi i brezit, Zoti ia ndërpret femrës aftësinë lindëse rreth moshës dyzet-dyzet e pesë vjeç për shkak të barrës së rëndë të femrës për sjelljen e fëmijës në jetë. Po të mos ndodhte kështu, shumica e grave do të vdisnin duke lindur fëmijë ose, e shprehur më saktë, do të lindnin fëmijë gjersa të vdisnin.

Ndryshe nga kjo, meqë në rolin e mashkullit në lindjen e fëmijës nuk është e pranishme ndonjë vështirësi, aftësia fekonduese e mashkullit vazhdon gjer në pleqëri. 

Gjithashtu, vdekjet që ndodhin nga luftërat, aksidentet në punë dhe shkaqe të tjera, kanë të bëjnë me meshkujt. Eshtë për këtë arsye që, në çdo popull, numri i grave të veja është më i madh se numri i burrave të vejë. 

Për këto shkaqe që u përmendën, si domosdoshmëri e parashkrimit hyjnor, në lindjet, numri i vajzave është pothuaj gjithmonë më i madh. Vetëm siç shihet në Bosnjën e sotme, lindja e fëmijëve meshkuj është më e madhe në numër pas luftrave dhe shfarosjeve kriminale.

Ja, pra, në Islam, ndërsa është esenciale martesa me vetëm një grua, lejimi i martesës me më shumë se një grua është rrjedhojë e shkaqeve të tilla. Po të mos hapet kjo rrugë lejimi, femrat (gratë) e sëmura dhe shterpa ose, përgjithësisht, më të shumta në numër se meshkujt (burrat), për pasojë, me pamundësi për t’u martuar, duke mbetur pa mbrojtje dhe në kushte nevojtarie elementare, zvarrisen në prostitucion dhe e intrigojnë moralin e shoqërisë ashtu siç ndodh sot në Botën Perëndimore.

Meqë botëkuptimi islam është për të gjitha kohërat dhe vendet, disa herë, poligamia mund të shndërrohet në një domosdoshmëri me shumë rëndësi. Për shembull, po qe se gjermanët të cilët humbën gjashtëmbëdhjetë milion meshkuj gjatë Luftës së Dytë Botërore, do të ecnin në rrugën islame duke e vlerësuar këtë domosdoshmëri praktike, do të shpëtonin nga sëmundja e prostitucionit ku kanë rënë sot. Një shembull tjetër, po qe se turqit qipriotë do të përdorin këtë rrugë islame lejimi, pas një kohe të caktuar mund ta eliminojnë disekuilibrin demografik midis tyre dhe qipriotëve grekë që po i marrin nëpër këmbë.

Për më tepër, me këtë rrugë lejimi nuk mbrohen vetëm gratë. Edhe të vegjlit e mjerë të grave që u vdesin burrat të rinj duke u lënë pas jetimë pa mbrojtje, do të gjenin një strehë për të banuar dhe një kujdestar për t’u kujdesur për ta. 

Ajeti kur’anor në vijim është argument për faktin se, në Islam, martesa më me shumë se një grua (poligamia) është përjashtim dhe lejim, kurse martesa vetëm me një grua (monogamia) është rregull:

“Po qe se nuk keni frikë se (po të martoheni me to) nuk do t’i respektoni dot të drejtat e jetimëve, merrni dy, tri, katër gra nga ato që pëlqeni (dhe që janë hallall, të lejueshme për ju). Po qe se keni frikë se mos bëni padrejtësi, merrni një ose mjaftohuni me atë (shërbëtoren) që keni. Kjo është mënyra më e përshtatshme që të mos shmangeni nga drejtësia.”

Ky ajet, ashtu siç tregon se parapëlqimi i vërtetë është martesa me një grua të vetme (monogamia), ashtu dhe vë si kusht për martesën e dytë, respektimin e drejtësisë. Edhe ajeti në vijim e parashtron haptazi vështirësinë e zbatimit të këtij kushti:

“Sado që të përpiqeni për ta siguruar drejtësinë mes grave tuaja, nuk ia arrini dot. Të paktën, mos ia jepni zemrën plotësisht njërës duke e lënë tjetrën në mes krejt të vetmuar sikur të mos kishte burrë! Po qe se bëni të mira dhe ruheni nga mëkatet, Allahu është mëshirues dhe falës i madh!”

Eshtë evidente se sigurimi i kësaj drejtësie për sa i përket prirjes ndjesore dhe dashurisë është krejt i pamundur. Ndërkaq, shihet se përpjekja për ta siguruar këtë drejtësi për sa u përket kushteve të jashtme, objektive, e thënë ndryshe, për sa u përket ushqimit dhe strehimit, është urdhër hyjnor. 

Veç kësaj, është edhe një e drejtë tjetër që u është njohur grave, ajo që në terminologjinë përkatëse quhet “tefvîz-i talak” (përpjesëtim i të drejtës për ndarje), që do të thotë kompetencë e barabartë mes burrit dhe gruas për të kërkuar ndarjen. Vetëm se ky përpjesëtim ose, më saktë, kërkesa e gruas për një kompetencë të tillë duhet parashtruar dhe vendosur në çastin e lidhjes së kurorës. Përveç kësaj të drejte të realizuar me kërkesë dhe pranim të vullnetshëm, gruaja mundet ta pengojë burrin që të bëjë një martesë të dytë mbi të. Një kusht i tillë ka ekzistuar në lidhjen e kurorës (nikah) mes Hz. Aliut dhe Hz. Fatimesë. Ky kusht qe parashtruar nga Profeti dhe qe pranuar. Eshtë për këtë arsye që martesat e tjera të Hz. Aliut i përkasin gjithmonë kohës pas vdekjes së Hz. Fatimesë.

Në lidhje me çështjen e poligamisë së profetit Muhammed, para së gjithash duhet të nënvizojmë se ai profet i lartë i cili ka deklaruar se atë e ka edukuar Allahu, përmendej si “Muhammed Emin” (Muhammedi i Besueshëm) nga shoqëria politeiste ku qe rritur. Ndërkaq, duhet të mbajmë parasysh se pika më e dobët e një mashkulli në qëndrimet dhe sjelljet moralo-etike është epshi dhe se etapa më intensive e epshit janë vitet e rinisë së parë. Mirëpo politeistët të cilët ushqenin një armiqësi për vdekje ndaj të Dërguarit të Allahut që u bë bashkëbisedues i revelacionit hyjnor vetëm në moshën dyzetvjeçare, kurrë nuk e patën akuzuar atë për dobësi morale. Përkundrazi, profeti Muhammed, si njeri, qe shquar për prirje ndaj cilësive dhe vetive morale para se të ngarkohej me detyrën profetike. Le të japim vetëm dy shembuj nga ngjarjet që e tregojnë këtë.

1) Kur u vu re se ndaj tregtarëve që vinin në Mekë për të shitur mall, u bëheshin padrejtësi, si vjedhje parash apo vonesë pagesash, profeti Muhammed qe bërë iniciator për themelimin e një shoqate me emrin “Hilful Fudul” për të luftuar kundër padrejtësive të tilla. Pastaj, më vonë, pasi qe bërë profet, pati deklaruar: “Po qe se do të ndodhte ndonjë nevojë e tillë dhe për të do të zhvillohej një lëvizje pakti, përsëri do të merrja pjesë në të!”

2) Profeti i ardhshëm, Muhammed (a.s.), ishte ende tridhjetë e pesë vjeç. Nga një rrebesh dhe përmbytje, Qabja ishte shembur pjesërisht. Kurejshët u mblodhën dhe e rindërtuan. Mirëpo nuk u muarën dot vesh ndërmjet tyre kur erdhi puna për ta vënë në vend Gurin e Zi (Haxherul Esved). Secili nga fiset dëshironte që ky nder t’u takonte atyre dhe mosmarrëveshja mes fiseve ishte gati të përfundonte me gjakderdhje, kur atyre u ra ndërmend ta caktonin Muhammed Eminin si arbitër mes tyre. Dhe ashtu bënë. 

Profeti u kërkoi ta vendosnin Gurin e Zi mbi një shtrojë, pastaj, një person nga secili fis ta kapte shtrojën nga njëri cep dhe të gjithë së bashku ta bartnin gjer te vendi. Atje, ai e ngriti vetë Gurin e Zi dhe e vendosi në vendin e vet ku gjendet edhe sot.

Këto dy ngjarje tregojnë hapur se ai qe shquar mes njerëzve për moral të lartë dhe ndershmëri edhe para se t’i vinte revelacioni hyjnor.

Qysh prej një mijë e katërqind vjet më parë, çdokush që e ka shqyrtuar jetën e profetit Muhammed dhe ka mundur t’i shmanget urrejtjes së sëmurë, e ka ndjerë veten të detyruar të shprehë ndaj tij një vlerësim miratues në gradën e admirimit. Ne e kemi cituar një deklaratë të kësaj natyre të Lafajetit, njërit prej atyre që e përgatitën Revolucionin Francez. Edhe pse kjo specifikë ka një gjerësi që do të përbënte vëllime, ne këtu le të mjaftohemi duke përmendur edhe një shembull tjetër.

Në veprën e tij me titull “Heronjtë” (On Hereos, Hero-worship and the Heroic in History), që e shkroi në vitin 1841, Tomas Karlajl (Thomas Carlyle, 1795-1881) nga mendimtarët anglezë, ka marrë në analizë dhe ka zgjedhur personin kulmor ndër njerëzit e nivelit të lartë të fushave të ndryshme, si profetë, poetë, komandantë ushtarakë, etj. Ndër profetët, Karlajl ka zgjedhur Muhammedin. Lavdërimet e guximshme të tij për profetin Muhammed (a.s.) në një kohë kur në Botën Perëndimore krishtere sundonte një fanatizëm i thellë dhe kur shumë vende islame qenë shndërruar në koloni, meritojnë vlerësim serioz. Ja ç’thotë ai:

“Hipoteza jonë mbi Muhammedin, sipas së cilës ai ka qenë një profet i sajuar dhe intrigant, një qenie kallpe e veshur si njeri, kurse feja e tij është thjesht një sharlatanizëm dhe e përbërë prej një grumbulli pasionesh, hipoteza jonë, pra, më në fund, sot, për këdo, me të vërtetë ka nisur të dalë së qeni diçka që mund të qëndrojë në këmbë. Gënjeshtrat e bëra pirg me një synim dhe zell të keq përreth këtij njeriu s’i vlejnë asgjëje tjetër veçse rrëzimit tonë!”

“Teori të këtij lloji janë gjëra shumë për të ardhur keq. Po qe se duam të mësojmë diçka pak gjë mbi veprën e vërtetë të Zotit, këto teorira duhet t’i presim me një mosbesim absolut. Ato janë produkte të kësaj epoke skepticizmi; ato janë provë e një gjymtimi më të hidhur moralo-shpirtëror dhe e një kufome që jeton në shpirtrat e njerëzve. Më duket se gjer më tani mbi tokë nuk është hedhur në shesh ndonjë teori kaq e privuar nga ideja e Zotit! Një rrenacak mashtrues do të ngrejë një fe! Kështu, ë? Mirëpo rrenacaku dhe mashtruesi nuk mund të ngrejë as një shtëpi prej tullash, pa le!”

“Jo!.. Tek ai fëmijë me zemër të thellë, me sy të zinj të shkëlqyer, me zgjuarsi të rrallë dhe me shpirt të thellë, kishte mendime shumë të ndryshme nga ambicja e thjeshtë e ngjitjes lart! Ai ishte një shpirt i madh i heshtur. Ishte nga njerëzit e rrallë për t’u marrë seriozisht!”

Goethe thotë:

“Po qe se muslimanllëku është ky, atëherë, a s’jetojmë ne të gjithë si muslimanë?”

Po, kushdo prej nesh që ka në jetën e vet një copë moral, do të thotë se jeton si musliman!”

Novalis thotë:

“A nuk është besimi mrekullia më e vërtetë e cila na njofton për Zotin?”

Fakti që shpirti i Muhammedit, i ndezur me flakën e kësaj të vërtete të madhe, ka parandjerë në këtë ngjarje të madhe një gjë me rëndësi, më saktë, të vetmen gjë me rëndësi, duket shumë e natyrshme. Duke ia frymëzuar të vërtetën dhe duke ia shpëtuar shpirtin nga vdekja, nga errësira, Zoti i ka dhënë atij një nder të pashembullt; kjo do të thotë se ai ka qenë i ngarkuar me përgjegjësinë për t’ua mësuar të gjithë njerëzve këtë të vërtetë! Ky ishte kuptimi i thënies “Muhammedi është i Dërguari i Allahut” dhe duhet shtuar se kjo thënie është me të vërtetë një thënie me kuptim!”

Duke shtuar edhe këtë, si më poshtë, le të kalojmë tek urtësitë e çështjes së shumë martesave ose poligamisë së Profetit. 

Jo shumë, dyzet-pesëdhjet vjet më parë, ekipi shkencor i mbledhur në qytetin Hagë të Hollandës, pati përcaktuar njëqind njerëzit më të shquar të botës gjer në atë kohë. Pas bisedimeve disaditore, a e dini se kush ishte në krye të listës prej njëqind personash të hartuar nga shkencëtarët e atij ekipi që ishin që të gjithë krishterë? Krenaria e Përjetshme e Gjithësisë, Muhammed Mustafai (s.a.s.)! Kush nuk beson, le t’i shfletojë koleksionet e gazetave dhe ta gjejë atje këtë lajm! 

Eshtë krejt e pamundur që poligamia e Profetit të shpjegohet me një dobësi njerëzore siç është epshi. Sepse ai njeri i madh qe martuar me zonjën Hatixhe, vejushë pesëmbëdhjetë vjeçe më e madhe se ai dhe pati patur gjashtë fëmijë me të. Eshtë për këtë arsye që rrëfimet (rivajetet) mbi specifikën e moshës së Hz. Hatixhesë, sipas të cilave, kur qe martuar me Profetin, ajo pati qenë njëzetetetëvjeçare, janë më afër mendjes. Sipas traditës arabe të asaj kohe, duke u nisur nga emri i të birit, fëmijës së parë, Kasem, të vdekur në moshën dyvjeçare, Profetin e thërrisnin “Ebul Kasem” (Babai i Kasemit).

Fëmija i fundit i Profetit me Hz. Hatixhenë është e bija, Fatime. Mes këtyre të dyve, kanë qenë tri vajza të quajtura Zejneb, Rukije dhe Ummu Gulsum, dhe një djalë i quajtur Abdullah (i thirrur edhe Tajjib ose Tahir), i cili edhe ai pati vdekur në moshën dyvjeçare.

Nga gratë e Profetit, Hz. Hatixheja e cila është e para që e ka miratuar profetësinë e tij, pasi kaloi me të një jetë të lumtur gjatë plot njëzet e pesë vjetëve, vdiq në Mekë tre vjet para Hixhretit, më 10 Ramazan (620 e.r.). Atëherë Profeti ishte pesëdhjetë vjeç. Tentativa për t’i shpjeguar me dobësi epshore martesat e mëpastajme të profetit Muhammed i cili pati jetuar me një grua të vetme, domethënë, pati bërë vetëm një martesë gjer në atë kohë në Arabinë ku vepronte si normë poligamia e pakufizuar në numër, veçanërisht gjer në atë moshë, s’është gjë tjetër veçse një psikopati që do ta bënte vetë personin fatkeq! Mbi gjithçka, megjithëse më pas, në Medinë, Profeti bëri edhe disa martesa mbështetur mbi urtësi dhe shkaqe që do të shpjegohen më poshtë, i mbajti gjithmonë të gjalla kujtimet mbi bashkëshorten e tij të parë të drejtë e besnike. Jo vetëm që kurrë nuk pati harruar t’u çonte nga një copë mish të afërmve dhe miqve të Hz. Hatixhesë kur therte ndonjë dele, por, një radhë, kur i pati ardhur në derë motra e Hz. Hatixhesë, Hále, dhe pati kërkuar leje për të hyrë, ai e pati njohur nga zëri dhe pati bërtitur me gëzim:

“Aman, Allahu im, po kjo është Hále-ja, bija e Huvejlidit!..”

Dihet se në tekstet e historisë islame përmenden me shumicë fjalët dhe veprimet ziliqare të Hz. Aishesë për shkak të këtyre ngjarjeve.

Janë shumë deklarata paralajmëruese të Profetit mbi rreziqet dhe të metat e martesës me më shumë se një grua, e cila nuk është veçse një përjashtim nga rregulli dhe lejim. Njëra nga deklaratat në fjalë është kështu:

“Po qe se në kurorën e një burri ndodhen dy gra dhe ai nuk kujdeset për të mbajtur drejtësi mes tyre, në ditën e kiametit do të ringjallet me njërën anë të trupit të paralizuar!”

E, pra, megjithëkëtë, pse vetë pati marrë më shumë se një grua? Tani le t’i shpjegojmë shkurt shkaqet e këtyre martesave.

a) Po të vihet re me kujdes, shihet se Profeti (a.s.) e ka kaluar periudhën mekase të jetës me një martesë. Martesat e tjera, martesa me shumë gra, pra, poligamia e tij, i përket moshës pas pesëdhjetë vjetëve dhe periudhës medinase. Në Mekë kanë zbritur më shumë ajetet mbi besimin dhe bindjen fetare, kurse në Medinë kanë zbritur përgjithësisht ajetet mbi marrëdhëniet civile, ndërnjerëzore. Ja, kjo situatë është një ndër shkaqet që i ka bërë të domosdoshme disa martesa të Profetit. Sepse nuk mund të pritej që Profeti i cili zotëronte në mënyrë të pakrahasueshme ndjenjën e turpit, t’ua përshkruante dhe shpjegonte personalisht grave konkluzionet juridike-fetare të posaçme për to. Këtë rol e patën kryer disa nga bashkëshortet e tij të pastra.

Po të kujtohet se nga Hz. Aisheja janë rrëfyer 2210 hadithe profetike, kurse nga Ummu Seleme, 378 hadithe, kjo e vërtetë kuptohet më mirë. Shumë rrëfime janë bërë edhe nga bashkëshortet e tjera të Profetit. Po qe se kjo punë do të mbetej me përgjigjet gjysmë të hapura – për arsye edukate dhe etike – që do t’u jepte Profeti pyetjeve të femrave (grave), femrat (gratë) muslimane nuk do të pajiseshin dot me tërë kuptimin e fjalës me të dhëna juridiko-fetare që u përkasin atyre!

b) Disa martesa të Profetit janë kryer me qëllim për të ngritur farefisni martesore me fiset dhe kombësitë dhe, duke i tërhequr ata në Islam, për të eliminuar armiqësinë e tyre. Për shembull, në vitin e pestë të hixhretit, ndërsa kryetari i fisit Mustalik, Harith bin Ebi Dirar, po bënte përgatitje për ta sulmuar Medinën, Profeti i cili u informua në kohë, e sulmoi i pari fisin në fjalë dhe e mundi. Mes robërve dhe robinjave, ndodhej edhe vajza e Harithit, Hz. Xhuvejrije. Për të eliminuar armiqësinë e tyre nëpërmjet lidhjeve farefisnore që arabët u jepnin shumë rëndësi, Profeti i propozoi martesë Hz. Xhuvejrijes. Ajo e pranoi propozimin dhe u bë martesa. Atëherë, muslimanët i lanë të lirë robërit sepse tashmë ata ishin farefis me Profetin! Me rastin e kësaj ngjarjeje, Hz. Aisheja ka thënë kështu:

“Nuk kemi parë grua më të dobishme për fisin e vet, se Xhuvejrija! Për shkak të saj fituan lirinë njerëzit e njëqind shtëpive nga Beni Mustalikët!”

Edhe martesa e Profetit me zonjën Safije me origjinë çifute, është bërë për shkaqe të ngjashme. Me të vërtetë, kjo martesë e pati zbutur dhe zbritur në minimum armiqësinë e vazhdueshme mes çifutëve të Medinës dhe muslimanëve. Gjithashtu, e këtij lloji ka qenë edhe martesa e Profetit me zonjën Ummu Habibe, vajzën e Ebu Sufjanit kur ky ende s’ishte bërë musliman.

Ngritjen e lidhjeve farefisnore me anë të martesave, Profeti e pati praktikuar edhe mes njerëzve më të afërt të tij. Për shembull, Profeti qe martuar me vajzat e Hz. Ebu Bekrit dhe Hz. Omerit dhe u pati dhënë vajzat e veta Hz. Osmanit dhe Hz. Aliut.

c) Një tjetër ndër shkaqet e martesave të Profetit ka qenë të tregojë praktikisht shfuqizimin apo abrogimin e një sërë traditash të shtrembra që vepronin qysh herët mes arabëve.

Para Islamit, arabët birësonin (adoptonin) fëmijë, të cilëve pastaj u jepnin të njëjtin status juridik në trashëgim dhe martesë me bijtë e barkut të vet. Për ta shkelur praktikisht këtë traditë të papranuar nga Islami, Profeti u martua me vajzën e hallës, Zejneb binti Xhahsh.

Në fillim, Profeti e pati martuar zonjën Zejneb me libertin e vet, sahabiun e madh, Hz. Zejd bin Harithe-në. Qysh në çastin e parë, në lidhje me këtë martesë të planifikuar nga Profeti, zonja Zejneb e pati qortuar atë me këto fjalë:

“A po e sheh vajzën e hallës, të denjë për ish skllavin tënd?”

Martesa e filluar në këtë mënyrë, nuk eci dhe Hz. Zejd e ndau të shoqen. Atëherë, Profeti e mori për grua zonjën Zejneb edhe për ta prishur traditën e shtrembër, edhe për t’i dhënë satisfaksion asaj.

d) Kurse disa martesa të Profetit kanë pasur për shtytje thjesht ndjenjën e besnikërisë ose motive mëshire. Nga gratë të cilat patën jetuar ditët e vështira të kohëve të para të Islamit, patën vuajtur dhe pastaj patën mbetur të veja, disa Profeti i pati martuar me persona të përshtatshëm ndër sahabet, kurse disa të tjera i pati pranuar si bashkëshorte për vete. Në këtë mënyrë qenë bërë bashkëshorte profetike Zejneb binti Hudhejme, Hz. Sevde dhe Ummu Seleme

Nga këto, për shembull, zonja Sevde ishte ndër muslimanët e parë që patën emigruar në Abisini. I shoqi, Sekran, pati vdekur atje. Profeti pati vënë kurorë me atë grua të moshuar vetëm për konsideratë. Edhe historia e zonjës Ummu Seleme është pak a shumë e tillë. Madje, edhe zonja Hafsa, bija e Hz. Omerit, pati qenë nga emigrantët e Abisinisë.

Duke e përfunduar këtë temë, le ta themi edhe këtë, që, pasi martesa me më shumë se një grua, si përjashtim dhe lejim, u kufizua në katër gra pas zbritjes së ajetit përkatës, Profeti i pati lënë katër nga gratë dhe të tjerat i pati lajmëruar se do të mund t’i ndante. Ato patën kërkuar vazhdimin juridik të akt-martesës edhe pa patur ndonjë afrim fizik. Meqë bashkëshortet e Profetit janë konsideruar, në të njëjtën kohë, si nëna të besimtarëve dhe meqë gratë e ndara prej të Dërguarit të Allahut, nuk lejoheshin të martoheshin me ndonjërin prej sahabeve, është lejuar juridikisht mbetja në fuqi e kurorës së tyre me Profetin. Si rrjedhojë e kësaj ngjarjeje, ka zbritur ky ajet kur’anor:

“Mund ta lësh secilën prej tyre që dëshiron dhe mund ta mbash pranë secilën që dëshiron. Por nuk është mëkat për ty që ta marrësh përsëri ndonjërën prej ayre që ke ndarë. Ky veprim është më i përshtatshëm që ato të bëhen të lumtura, që të mos dëshpërohen dhe që të gjitha të jenë të kënaqura me ato që u ke dhënë. Allahu e di se ç’keni ndër zemra! Allahu di me të drejtë dhe është i butë!”

Dhe, tani, le t’ia parashtrojmë vëmendjes suaj moralin e papërsëritshëm të asaj qenieje të lartë nëpërmjet disa shembujve sa disa pika uji nga oqeani në lidhje me vetitë dhe cilësitë e tij dalluese.

Përdorimi i përsosmërisë së sjelljes tek ai si një “kriter praktik” për moralin islam, pa asnjë dyshim e bën të domosdoshëm vlerësimin e ngjarjeve sipas kushteve të formimit dhe rezultateve. Mirëpo, ngaqë edhe kjo vepër, edhe tema e moralit janë shtjelluar gjerësisht, ne, këtu, në vend të respektimit të kësaj mënyre të domosdoshme, e pamë më me vend që, duke i përmendur rrallë ngjarjet konkrete praktike, më shumë ta parashtrojmë moralin e tij sipas parimeve themelore që shprehin vetitë dhe cilësitë sunduese dhe dalluese të këtij morali epror.

Vetitë dhe cilësitë themelore të këtij morali të pashembullt mund të përmblidhen si: sinqeritet, thjeshtësi e modesti, trajtim i të gjitha krijesave me dhembshuri dhe mëshirë, drejtësi dhe ndershmëri, vendosmëri, qëndresë, burrëri, guxim, bujari dhe falje.

Ky moral i lartë i tij është pohuar dhe miratuar me çdo pretekst edhe nga armiqtë e tij të egër, mes të cilëve i pati kaluar jeta. Ata ishin që e patën mbiquajtur “Muhammed Emin” / “Muhammedi i Besueshëm” në një kohë kur ende s’i pati ardhur profetësia. Kur pati filluar ta ftonte fisin e vet në rrugën e drejtë, qe ngjitur në kodrën Safa dhe u pati thënë atyre që i qenë mbledhur përreth:

“O Kurejshë! A do të më besonit po t’u thosha se pas këtij mali janë duke ardhur kalorësi armiq?”

Dhe që të gjithë i qenë përgjigjur:

“Të gjithë të besojmë sepse ti kurrë s’ke gënjyer në jetën tënde!”

Kur perandori i Bizantit e pati pritur në audiencë Ebu Sufjanin i cili në atë kohë pati qenë një armik i paepur i Muhammedit, e pati pyetur:

“A keni dëgjuar që ky njeri i cili pretendon të jetë profet, të ketë gënjyer më parë?

Dhe pati marrë këtë përgjigje nga Ebu Sufjani:

“Kurrë!..”

Shkurt, drejtësia e tij në fjalë është diçka që ia kanë pohuar të gjithë, miq dhe armiq!

Profeti Muhammed, për të cilin ka shumë dëshmi të tilla, ka thënë kështu:

“Mos u shmangni nga drejtësia dhe ndershmëria, sepse ato të çojnë në të mirë, të bëjnë të arrish në dobi dhe mbarësi dhe e mira dhe mbarësia të çojnë në xhennet! Gjersa njeriu të thotë të drejtën dhe ta kërkojë të drejtën, shkruhet në grupin e besnikëve pranë Allahut! Kurrë mos gënje! Sepse gënjeshtra të çon në të keqe dhe prapësi dhe e keqja dhe prapësia të shtyjnë në xhehennem. Gjersa njeriu të vazhdojë të gënjejë dhe ta kërkojë gënjeshtrën, më në fund, shkruhet në defterin e gënjeshtarëve pranë Allahut.”

Vendosmëria dhe qëndresa, durimi dhe lejueshmëria e Profetit ishin të një niveli pamundësisht të arritshëm në botë. Për ta bërë atë që të hiqte dorë nga çështja e tij, politeistët e Mekës i propozuan mbretërimin e Arabisë dhe çdo femër që do t’i pëlqente. Pasi i hodhi poshtë të gjitha propozimet, politeistët e intensifikuan dhunën dhe i futën muslimanët në rrethin e urisë. Atëherë, në ato kushte, kur e pati parë se i ungji Ebu Talib nuk do ta mbronte dot, i pati thënë:

“O im ungj! Të betohem se edhe sikur Kurejshët të kenë mundësi e të ma vënë diellin në njërën dorë dhe hënën, në tjetrën, unë prapë nuk do të druhem ta shpall të vërtetën! Ose Zoti do të më japë fuqi për ta kryer këtë detyrë, ose unë do ta jap jetën për të! Dhe mos mendo se do të mbetem i vetëm! E vërteta nuk mbetet vetëm! Vjen një ditë dhe edhe arabët, edhe joarabët e pranojnë atë dhe bashkohen rreth saj!”

Megjithëse i thjeshtë dhe i mëshirshëm në mënyrë të pashembullt, ai ishte jashtëzakonisht i guximshëm. Hz. Aliu ka thënë:

“Ndërsa beteja e Bedrit vazhdonte me të gjithë ashpërsinë, ne strehoheshim pas shpinës së Profetit. Ai ishte më i guximshmi ndër ne të gjithë!”

Ky guxim i jashtëzakonshëm u dëshmua me të vërtetë në Luftën e Uhudit. Në atë betejë, Profeti u plagos nga një shigjetë e armikut dhe iu thye një dhëmb. Lajmi i rremë i vdekjes së tij u bë shkak që ushtria islame të shthurej. Por ai e ngau kalin me guxim dhe vendosmëri drejt armikut duke thirrur “unë jam i dërguari, kjo s’është gënjeshtër”, dhe, me këtë veprim, bëri që luftëtarët e shpërndarë të mblidheshin dhe të rreshtoheshin përsëri!

Atë natë kur do të emigronte nga Meka në Medinë, politeistët ia rrethuan shtëpinë për t’i bërë atentat. Kurse ai, pasi e vuri Hz. Aliun në shtratin e vet, doli nga shtëpia dhe kaloi lirisht mes rrethuesve duke kënduar ajete të caktuara të sures “Jasin”. Pastaj, në shpellën Thevr ku u fsheh së bashku me “shokun e shpellës”, Hz. Ebubekrin, kur ndjekësit iu afruan shumë, shoku besnik i tha:

“Armiqtë na u afruan shumë! Sikur t’i hedhin sytë në fund të këmbëve të veta, do të na shohin ne!..”

Atëherë, Profeti i tha kështu:

“Lá tahzen!.. Innallahe meaná!..”

Gjatë trembëdhjetë vjetëve plot, në Mekë, Profeti iu nënshtrua me durim dhe lejueshmëri vuajtjeve dhe mundimeve të padurueshme. Një herë që shkoi në Taif për t’i ftuar njerëzit e atjeshëm në rrugën e drejtë, e zunë me gurë dhne e përgjakën. Atëherë, ai ngriti duart lart drejt Zotit dhe u lut kështu:

“O Zot, nuk e dëshiroj shkatërrimin e tyre! Ndoshta fëmijët e këtyre kanë për të t’u falur ty! Pra, drejtoji në rrugë të drejtë!..”

Kurse, ndërkaq, Xhebraili (a.s.) i kishte ardhur dhe i kishte thënë: “Po dëshirove, mallkimi yt për taifasit do të të pranohet dhe ata do të shkatërrohen!”

Ditën e ngadhnjimit të Mekës, çdokush pati pandehur se ai do të merrte shpagim nga të gjithë armiqtë e tij të vjetër. Por ai, edhe në ditën kur ishte më i fuqishëm se kurrë më parë, duke mos u shmangur asnjë thërrime nga thjeshtësia dhe ndjenja e faljes, qëndroi te dera e Qabes dhe shpalli amnistinë e përgjithshme duke thënë:

“Askush nuk do të qortohet për ato që ka bërë! Shkoni, jeni të lirë!..”

“Ditën e ngadhnjimit mbi Mekën, Vahshiu, ai që e pati vrarë në Uhud Hz. Hamzain, ungjin më të dashur të Hz. Muhammedit dhe heroin e Islamit, iku nga frika në Taif. Por pasi edhe Taifi u dorëzua, duke mos ditur ç’të bënte, u bashkua me një grup që shkonte nga Taifi në Mekë dhe atje iu dorëzua Profetit. Dhe Profeti nuk i tha asgjë për fajin e madh që kishte bërë, por e fali duke u mjaftuar vetëm me këtë kërkesë ndaj tij:

“…por mos më dil më parasysh se ma kujton tim ungj!..”

Gjithashtu, ditën e ngadhnjimit mbi Mekën, gruaja e Ebu Sufjanit, e famshmja Hind, e cila, kur Hz. Hamzai pati rënë dëshmor, ia pati çarë barkun, ia pati nxjerrë mëlçinë dhe e pati kafshuar, u afrua fytyrëmbuluar te Profeti, deklaroi se ishte bërë muslimane dhe, kështu, deshi të siguronte faljen. I Dërguari i Allahut e njohu, por nuk e bëri veten dhe u suall sikur s’kishte ndodhur gjë. Ky qëndrim i Profetit bëri një efekt aq të madh mbi Hindin, saqë ajo u detyrua të thotë:

“Gjer më sot, çadra më e neveritshme në sytë e mi ka qenë çadra jote, kurse sot nuk shoh gjë më të gëzueshme se ajo!”

Edhe biri i Ebu Xhehlit, armikut më të madh të Islamit, ishte, si i ati, një ndër armiqtë më të tërbuar të Islamit. Prandaj, atë ditë, iku nga Meka në Jemen. Atë e gjetën në Jemen dhe e prunë para Profetit i cili e priti me miratim atë armik i cili u bë musliman. Edhe Safvan bin Umejje i cili ishte ndër prijësit e politeistëve mekas dhe pati pasë paguar njerëz qër ta vrarë Profetin, atë ditë iku nga Meka. Profetit iu paraqit kërkesa për faljen e tij dhe Profeti e fali, por Safvani që e dinte ç’faj kishte bërë, nuk e besoi. Pas lutjeve të shokëve të Safvanit, Profeti u dha atyre çallmën e vet si shenjë faljeje dhe personi i ngarkuar me atë detyrë, e gjeti safvanin në Xhidde, ia tregoi çallmën e Profetit dhe e solli atë para tij në Mekë. Profeti ia deklaroi ndër sy se e kishte falur. Megjithatë, Safvani nuk u bë musliman, por i tha Profetit:

“Më lër dy muaj të mendohem!..”

“Po të duash, katër muaj…” – Iu përgjigj Profeti. 

Më vonë, edhe Safvani u bë musliman.

Njëri prej armiqve më të mëdhenj të Hz. Muhammedit para ngadhnjimit të Mekës, ka qenë edhe Ebu Sufjani. Ai i pati organizuar të gjitha luftërat kundër muslimanëve. Ndërsa Meka kishte rënë në qetësi, atë armik e zunë, e prunë para Profetit dhe Hz. Omeri u tregua i gatshëm t’ia hiqte kokën. Por Profeti e pengoi Hz. Omerin, dhe, jo vetëm që e fali Ebu Sufjanin, por edhe e shpalli shtëpinë e tij “Darul Eman”, “Vend të Mbrojtur”. Profeti deklaroi:

“Kush strehohet në shtëpinë e Ebu Sufjanit, do të falet!” 

Edhe katili i cili u bë shkak që vajza e Profetit, Zejnebi, e cila po emigronte nga Meka në Medinë, të rrëzohej nga deveja, ta dështonte fëmijën që kishte në barrë, për pasojë, më pas, të vdiste edhe vetë, ai katil, pra, në ditën e ngadhnjimit mbi Mekë, nga frika, deshi të ikte në Iran, por s’mundi, prandaj, i shkoi në derë Profetit, ia pohoi të gjitha fajet që kishte bërë dhe i kërkoi falje me këto fjalë:

“Sot po të vij në derë për ta pranuar Islamin! Bëj ç’të duash!”

Profeti e fali edhe atë!

Mund të përmenden edhe qindra shembuj si ky! Por, ç’e do! A nuk ishte në shesh shpifja kundër Hz. Aishesë e organizuar nga hipokritët me prijësin e çifutëve, Abdullah bin Ujej-in në krye? Hz. Aisheja ishte gruaja më e dashur e Profetit dhe vajza e Ebubekrit, mikut më të afërt, më të sinqertë dhe më entuziast të Profetit. Kurse shëmtia e shpifjes së bërë kundër saj ishte e tillë që t’ia trazonte mendimet e t’ia luante mendtë edhe njeriut më të butë e më të qetë! Sepse kërkohej të njollosej nderi dhe pafajësia e saj!”

“Hipokritët flisnin për këtë shpifje të sajuar prej tyre, kudo që ndodheshin dhe përpiqeshin ta përhapnin në çdo vend. Zhurma që bënin armiqtë, goditja e njerëzve më të dashur e më të ndershëm nga shpifjet, njollosja e gjërave të shenjta ishin të padurueshme dhe po qe se Profeti do të kishte dashur të merrte shpagim nga hipokritët të cilët luanin me nderin dhe dinjitetin e njerëzve, ndoshta ata do të ishin zhdukur brenda një çasti, se sahabet gati ishin! Por ai nuk veproi kështu,, nuk mori shpagim prej askujt dhe që të gjithë ia la Zotit në dorë!”

Ishte gjithashtu dita e ngadhnjimit mbi Mekën kur Hz. Ebubekri e mori në shpinë të atin plak dhe e çoi para Profetit, të cilit i tha:

“O i Dërguari i Allahut! Të lutem, foli tim eti për Islamin!”

Dhe Profeti iu përgjigj:

“O Ebabekr, pse e lodhe këtë plak? Të thoshe e të shkonim ne atje ku ndodhej ai!”

Gjithashtu ishte atë ditë kur një arab i doli para Profetit dhe i tha:

“O i Dërguari i Allahut! Edhe unë dua të bëhem musliman!”

Ndërkaq, arabit i dridhej trupi dhe i kërcisnin dhëmbët si ndër ethe! Dukej qartë që njeriu kishte kishte shumë frikë. Kur e vuri re me kujdes, Profeti i lartë e njohu: ishte komshiu i vjetër i tyre! Profeti i tha:

“Qetësohu, o vëlla! Unë s’jam sundimtar! Ti më njeh mirë mua! A s’jam unë biri i atij komshiut tënd i cili, kur gjente ndonjë copë mish, meqë nuk kishte mundësi ta piqte, e thante në diell dhe e hante?..”

Edhe ndjenjat e besnikërisë dhe shoqërisë të Profetit, jeta e të cilit është e mbushur plot me shembuj të tillë virtytesh që s’mbarohen me të numëruar, ishin të pashembullta. Kur pati shkuar në Damask për tregti, një shok qe larguar për t’u takuar sërish me të në një kohë dhe vend të caktuar. Por, duke e harruar fjalën e dhënë, shoku pati shkuar në vendin e takimit tri ditë më vonë. Kurse Profeti i cili kishte tri ditë që po e priste, i pati thënë pa e qortuar aspak:

“Ka tri ditë që po të pres këtu! U shqetësova shumë! A nuk të ra ndonjë e keqe në kokë?”

Le t’i japim fund këtij diskutimi duke dhënë edhe një shembull.

Një ditë, një beduin shkoi te Profeti për t’i kërkuar diçka që kishte për të marrë prej tij. Ngaqë beduinët ishin njerëz shumë të trashë e shumë të ashpër në sjellje, beduini në fjalë përdori shumë fjalë të ashpra duke ia kërkuar Profetit gjënë që kishte për të marrë. Sahabet u zemëruan me sjelljen e beduinit dhe i thanë:

“A e di ti se me kë po flet?”

“Unë erdha të kërkoj të drejtën time!” – Ua ktheu prerazi beduini. Atëherë, Profeti u tha sahabeve:

“Ju duhet të mbanit anën e beduinit, sepse ky njeri kërkon nga ne të drejtën e vet dhe, për atë që ka të drejtë për të kërkuar, ka edhe të drejtë fjale!”

A ekziston në historinë e njerëzimit ndonjë njeri tjetër që ta ketë dhënë llogarinë e jetës ashtu siç e pati dhënë ai njeri i pashoq në haxhin e lamtumirës? Ai pati thënë kështu atëherë:

“Kujt t’i kem rënë në shpinë, ja shpina ime, le të vijë të më bjerë! Nga kush të kem marrë një grosh, le të vijë ta marrë, ja qesja ime!..”

E, pra, nuk ekziston. Dhe ja sepse:

Muhammedun besherun la ke’l-besher

Bel huve ke’l-jakuti bejne’l-haxher…

Muhammedi është njeri, por jo si çdo njeri,

Po ashtu siç rubini-gur s’i ngjet çdo guri…

Kur i qe afruar vdekja, një ditë, Profeti u ngjit në minber prej nga predikonte, dhe i pyeti të pranishmit në faltore:

“O njerëz! Ç’profet kam qenë për ju?”

Pasi sahabet iu përgjigjën me shumë fjalë lavdëruese, ai u tha:

“O muslimanë! Kërkoj që, po qe se i kam bërë dikujt nga ju ndonjë të padrejtë në emër të së drejtës sime mbi ju dhe në emër të Allahut, para se të vijë ajo ditë që të shlyhemi në jetën tjetër, të ngrihet tani në këmbë dhe ta marrë prej meje të drejtën që i takon!”

Meqë askush s’u ngrit në këmbë, Profeti e përsëriti kërkesën tri herë. Pas herës së tretë, u ngrit në këmbë sahabeja plak Ukkashe dhe tha:

“T’u bëfshin kurban nënë e babë, o i Dërguari i Allahut! Po qe se nuk do të kishe ngulur këmbë, as unë s’do të dilja para teje për të të kërkuar diçka! Pas një beteje, ndodhesha mes gazinjve. Sapo do të ndaheshim, devetë na erdhën pranë e pranë. Dhe kur zbrita nga deveja dhe t’u afrova për të t’i puthur këmbët, e ngrite shkopin dhe më godite në shpinë. Nuk e di nëse deshe të më biesh mua apo devesë!”

Profeti (s.a.s.) i tha:

“O Ukkashe! Mbështetem te Allahu, se s’të kam goditur me dashje!”

Pastaj e urdhëroi Bilal Abisinasin t’i gjente një shkop.

Kur e prunë shkopin, Hz. Ebubekri, Hz. Omeri dhe Hz. Aliu iu lutën Ukkashes që t’i godiste ata në vend të Profetit. Profeti i ndaloi ata si dhe Hz. Hasanin me Hz. Hysenin që paraqitën të njëjtën kërkesë, iu kthye Ukkashes dhe i tha:

“O Ukkashe, në më goditsh, goditmë!”

“O i Dërguari i Allahut! Kur më godite mua, unë s’kisha rrobë mbi shpinë!” – I tha Ukkashe. Dhe Profeti e zbuloi shpinën. Atëherë, Hz. Ukkashe u hodh menjëherë, ia puthi Profetit shpinën dhe vulën e profetësisë dhe i tha kështu: 

“Nënë e babë t’u bëfshin kurban, o i Dërguari i Allahut, kush mund të guxojë të matet me ty?”

Atëherë, Profeti (s.a.s.) i tha:

“O bëj ç’duhet bërë për ta marrë të drejtën që të takon, ose më fal!”

Dhe Hz. Ukkashe i tha:

“Duke shpresuar që ditën e kiametit Allahu të më falë mua, po të fal!”

Atëherë, Profeti (s.a.s.) tha:

“Kush dëshiron ta shohë shokun tim në xhennet, le ta vështrojë këtë njeri!”

Dhe të gjithë sahabet u ngritën në këmbë dhe, duke e puthur në ballë Hz. Ukkashen, i thanë:

“Të urojmë se arrite një gradë shumë të lartë dhe u bëre shok i Profetit në xhennet!”

A mund të tregohet ndonjë person tjetër në historinë e njerëzimit, i cili ta ketë dhënë llogarinë e jetës në këtë mënyrë?

Konkluzioni i të gjitha këtyre që treguam, është ky: Kurrë s’është e mundur që ai të imitohet dhe ndiqet moralisht ashtu siç duhet! Mirëpo ai na është treguar nga Zoti si model shembullor për t’u imituar dhe ndjekur!

Atëherë, kjo mund të realizohet nga çdo njeri sipas fuqive dhe mundësive të veta dhe me aq sa t’i jetë caktuar si pjesë. Ai përfaqëson pikën kulmore në lartësinë morale. Çdokush mundet ta realizojë domosdoshmërinë e “bujarisë shpirtërore” që zotëron në mënyrë të bashkëlindur, me aq sa ç’mund t’i afrohet kësaj pike lartësie kulmore!

Duke e personifikuar populli ynë përjetësisht emrin e tij të bekuar tek “Mehmeti”, çdo musliman, duke e kujtuar të birin në trajtën “mehmetçik”, ka ndjekur qëllimin për ta pajisur atë me konceptimin si një Muhammed të vogël!

Nga ana tjetër, gjendja është e trashëgueshme dhe trashëgimi ruhet me anë të dashurisë. Eshtë si rrjedhojë e kësaj që dashuria për të shfaqet tek personi para së gjithash në trajtën e epërsisë morale dhe fytyrës së qeshur. Edhe ne dëshirojmë të themi në formë pohimi se ç’të kemi si moral, bukuri fytyre dhe shprehjeje, e kemi në sajë të dashurisë për Profetin. Me këtë ndjenjë dhe mendim deshëm që, duke marrë të shkruajmë vjersha lavdëruese për të nën titullin e përgjithshëm “lavdërim”, ta përdornim këtë aftësi pak edhe për të!Dhe tani, duke e mbaruar këtë vepër me dy vjersha nga ato, po i japim fund fjalës sonë me shprehjen “me ty, o i Dërguari i Allahut”!

Copyright © 2026 - Shoqata V.H.K Istanbul | Ndalohet përdorimi dhe riprodhimi i përmbajtjes së kësaj faqeje pa leje dhe autorizim