Tevhidi ose Njësia e Zotit
Të gjitha fetë hyjnore i kumtojnë njerëzve besimin në Tevhid, pra besimin se Allahu është një dhe se nuk ka asgjë të ngjashëm me të. Ibrahimi filloi të thërriste njerëzit në Tevhid duke filluar nga babai i tij, Azeri. Principi…
Publikuar:

Të gjitha fetë hyjnore i kumtojnë njerëzve besimin në Tevhid, pra besimin se Allahu është një dhe se nuk ka asgjë të ngjashëm me të. Ibrahimi filloi të thërriste njerëzit në Tevhid duke filluar nga babai i tij, Azeri.
Principi më i theksuar tek feja çifute është besimi tek njësia e Zotit. Sipas Tevratit, që nga njeriu i parë e duke vazhduar me Nuhin, Ibrahimin, Ishakun, Jakubin dhe Jusufin kanë bërë thirrjen në besimin monoteist, pra besimin tek njësia e Allahut.
Gjithashtu besimi në njësinë e Allahut është një nga temat që vërehet shumë në Tevrat së bashku me 10 urdhrat që i janë dhënë Musait. Po ashtu në librin e Zeburit që i është zbritur Davudit urdhërohet që t’i lutesh vetëm një Zoti të vetëm. Isai gjithashtu thekson në sheriatin e tij besimin në njësinë e Allahut.
Në fenë hebreje Zotit i kanë bashkangjitur përngjasime antropomorfike, ndërsa në krishterizëm e kanë hyjnizuar Isain dhe kjo i ka çuar ata të heqin dorë prej Tevhidit dhe të bien në trinitet. Ndërsa Islami i ka dhënë të gjithë përparësinë Tevhidit aq sa ka ftuar dhe të krishterët dhe hebrenjtë të bashkohen në Tevhid.
Argumentet logjike dhe kozmologjike tregojnë se Krijuesi i gjithësisë është Një.
Në Kuranin Famëlartë thuhet:
Allahu nuk ka marrë për Vete kurrfarë fëmije (as nga engjëjt, as nga njerëzit), nuk ka me Të ndonjë zot tjetër, pse (sikur të kishte zot tjetër), atëherë secili zot do të veçohej me atë që ka krijuar dhe do të dominonte mbi tjetrin! I lartë dhe i pastër është Allahu nga ato që i përshkruajnë. (Muminun, 91)
Sikur të kishte në to (në qiej e në tokë) zota pos Allahut, ato të dyja do të shkatërroheshin. Larg asaj që i përshkruajnë është Allahu, Zot i Arshit. (Enbija, 22)
Njësia e Allahut vërtetohet dhe nga shembuj të tillë:
Shiu që bie nga qielli, bimët e domateve dhe të specave që mbijnë nga toka, molla që rritet në degë, dardha që është e njëjtë si nga ngjyra dhe nga forma në çdo vend të botës. Të gjitha këto tregojnë se çdo gjallesë është krijuar vetëm nga një dorë…
Sipas Islamit, mëkati më i madh është të mos e njohësh ekzistencën e Allahut, t’i bësh Atij shok në atributet, emrat dhe cilësitë e Tij, të hyjnizosh diçka tjetër përveç Tij. Shirk do të thotë, t’i bësh shok Allahut prandaj themi se shirku është:”ekberu’l-kebair”: që do të thotë, mëkati më i madh. Allahu në Kuran e ka përshkruar shirkun si “padrejtësia dhe mizoria më e madhe”, “shpifje dhe një mëkat i madh”.
Allahu e ka bërë të qartë se, edhe pse i fal disa prej mëkateve që bëjnë njerëzit, nuk do t’i falë ata të cilët i bëjnë shirk Atij dhe vdesin pa u penduar për këtë. Rruga e vetme për të përfituar mëshirën dhe faljen e Allahut është pendimi dhe drejtimi nga rruga e drejtë, Tevhidi…

