Islami inkurajon dijen - Mirësia Islame

Islami inkurajon dijen

Deri në ditët e sotme, në fenë Islame nuk ka pasur ndonjë konflikt me dijen. Islami nuk e ka ndaluar dijen, të mësuarin, përkundrazi e nxit atë në një mënyrë shumë të fortë dhe pothuajse e ka bërë obligim për…


Publikuar:

Deri në ditët e sotme, në fenë Islame nuk ka pasur ndonjë konflikt me dijen. Islami nuk e ka ndaluar dijen, të mësuarin, përkundrazi e nxit atë në një mënyrë shumë të fortë dhe pothuajse e ka bërë obligim për të gjithë besimtarët, qofshin burra apo gra. Nga ana tjetër, zbulimet shkencore asnjëherë nuk e kanë përgënjeshtruar Islamin, përkundrazi e kanë mbështetur vazhdimisht. Në fund të fundit, përse ta përgënjeshtrojnë!? Dija, mundohet të zbulojë piedestalin që Allahu u ka vendosur njerëzve duke bërë kërkime mbi krijesat e Tij. Islami është fe hyjnore, pra e dërguar nga Allahu. Atëherë themi se burimi i Islamit dhe i dijes është i njëjtë. Duke dalë në pah njohuritë e eksplorimit dhe duke avancuar dija, njihet dhe mësohet më mirë madhështia, fuqia dhe urtësia e Allahut, gjithashtu edhe njerëzve u shtohet besimi tek Allahu. Ky është shkaku që e bën dijen një pjesë të pandashme nga Islami. Shumë nga emrat e bukur të Allahut tregojnë se Ai është pronari i dijes dhe se di çdo gjë, të dukshme apo të padukshme qoftë. Robi duhet të bëjë përpjekje për të përfituar prej atributit “i dituri” të Allahut.

Nga ana tjetër, ka dhe shumë ajete apo hadithe të profetit, që nxisin njerëzit drejt dijes. Le të shohim disa prej tyre:

“Thuaj: O Zoti im! Ma shto dijen time.” (Taha, 114)

“Allahu ia rrit gradën atyre që besuan dhe që janë posedues të dijes. (Muxhadele, 11)

Profeti ka thënë:

“Atë që del në rrugë me dëshirën për të fituar njohuri të reja, Allahu e orienton në një nga rrugët e xhenetit. Melekët, meqenëse ndiejnë kënaqësi nga kjo që bëjnë njerëzit, i shtrijnë krahët e tyre mbi kërkuesit e dijes. Çdo gjë që gjendet në qiell dhe në tokë, madje dhe peshqit që ndodhen në fund të detit, kërkojnë falje për dijetarët. Për2parësia e dijetarit është e njëjtë me përparësinë që ka hëna e plotë ndaj yjeve. Dijetarët janë trashëgimtarët e profetëve. Profetët nuk lënë trashëgimi ar dhe argjend, ata lanë trashëgim dijen. Kush merr prej kësaj trashëgimie, përfiton një mirësi të madhe.” (Ebu Davud, Ilim,1/3641; Tirmidhi, Ilim, 19/2682; Buhari, Ilim, 10; Ibn Maxhe, Mukaddime,17)

“Besimtari nuk ngopet nga asnjë dije, derisa të shkojë te vendi i fundit i tij që do të jetë xheneti.” (Tirmidhi, Ilim, 19/2686)

Ky ishte shkaku që myslimanët i përqafuan kërkimet mbi dijen paralel me adhurimet e tyre. Vëzhgimet astronomike kanë filluar me Ahmed Nehavendin, në vitin 800. Më vonë u ndërtuan observatorë të mëdhenj. U ndërtuan mikroskopë të ndryshëm për të vëzhguar diellin, hënën, yjet dhe planetët e tjerë, gjithashtu edhe për të matur largësinë e planetëve, lartësinë e maleve dhe thellësinë e gropave që ndodhen në to. Në përfundim të punës së bërë janë saktësuar konstantet e vjetra dhe janë përfunduar katalogët e rinj të yjeve. Janë zbuluar yjësi të reja, është vrojtuar pika e lëvizjes së diellit dhe është krahasuar me lëvizjen e yjësive të qëndrueshme. Janë realizuar kërkime të rëndësishme në lidhje me lëvizjen e planetëve. Myslimanët futën metoda të reja që përdornin matematikën dhe astronominë. Duke përdorur trigonometrinë dhe përllogaritjen e sinuse2ve, u arrit në përfundime dhe matje më të sakta. Me këto teknika që u përdorën për të matur lëvizjet e planeteve u arrit në përfundime shumë herë më të sakta se përfundimet e arritura më parë.

Myslimanët kanë bërë zbulime të reja në fusha të tilla si gjeologjia, botanika, zoologjia, matematika, fizika, kimia, mjekësia etj. Gjithashtu luajtën rol të rëndësishëm në zhvillimet dhe përparimet e këtyre fushave: Ibn Sina (980-1037) një dijetar i madh i cili doli mbi shkencëtarët evropianë duke bërë zbulime në 29 fusha të ndryshme. Libri që ka shkruar në fushën e mjekësisë, “el-Kanun fi’t-Tib” (Kanuni i Mjekësisë), është përdorur në universitetet e Evropës si libër mësimi për rreth 600 vjet. Ibn Rushd (1126-1198) ishte i pari që foli mbi funksionet e shtresës së syrit. Libri i shkruar nga Ali bin Isai (shek. XI.) mbi syrin “Tedhkiratu’l- Kehhalin”, për vite të tëra ishte i vetmi libër në fushën e vet, i cili është përkthyer në latinisht, gjermanisht, frëngjisht etj. Amar bin Ali (shek. XI) shekuj më parë ka zhvilluar operacionin në sy dhe ka shpjeguar me hollësi në librin e tij “el- Muntehab fi Ilaxhi’l-Ajn” nxjerrjen e kataraktit të syrit. Gjithashtu dhe ky libër, si shumë të tjerë, është përkthyer në gjuhë të ndryshme. Themeluesi i shkencës së optikës fizikani i madh Ibn Hejthem (Alhazen) (965-1051) zbuloi syzet. Ali bin Abas zhvilloi një operacion të kohës së sotme, atë të kancerit. Vepra e tij “Kitabu’l-Meliki”, një enciklopedi mjekësore, përdoret edhe në ditët e sotme. Kirurgu i madh Ebu Kasim Zehravi (963-1013) ka pikturuar rreth 200 mjete operacioni dhe ka shpjeguar përdorimin e tyre në veprën e tij me titull “Tasrif”. Ibn Nefisi i cili ka jetuar rreth viteve 1210-1288 ka qenë i pari që ka zbuluar qarkullimin e gjakut të vogël dhe kjo gjë është shpjeguar me imtësi në librin e Ibn Sina Kanun”. Ndërsa Akshemsedini (1389-1459) në librin e tij “Maddetu’l-Hajat” ka shkruar kështu për mikrobet:

“Është gabim të mendosh se sëmundjet përhapen njëra mbas tjetrës, ato përhapen duke kaluar me anën e viruseve nga një njeri tek tjetri. Virusi është aq i vogël sa nuk mund të shihet me sy dhe përhapet me ndihmën e disa mikrobeve të gjalla.”

Ai që ka përdorur numrin zero në matematikë është Harizmi (780-850). Ai në librin “el- Xhebr ve’l Mukabele” ka hedhur themelet e para të shkencës së Algjebrës. Bejruni (973-1051) që ka bërë zbulime në shumë degë të shkencës, ka konfirmuar se toka rrotullohet edhe rreth vetes, edhe rreth diellit. Ka pasur sukses në punimet që ka zhvilluar për matjen e diametrit të tokës duke i kryer punimet e tij në afërsi të qytetit Nendene të Indisë. Përfundimet e këtij suksesi njihen në Evropë si “Ligji i Bejrunit”. Battani (Albategni) ka llogaritur vitin diellor me 24 sekonda ndryshim. Përpjekjet e para për të fluturuar janë bërë nga Ismail Xhevheri (950-1010). Në vitin 880 Ibn Firnas ka pasur detyrën e komandantit të fluturimit me avion.

Razi (864-925) ka hedhur i pari hipotezat për forcën tërheqëse të tokës. Gjithashtu Kristofor Kolombo (1446-1506) është shprehur se ka zbuluar Amerikën duke u mbështetur tek myslimanët dhe pikërisht tek librat e Ibn Rushdit. Tetë shekuj më parë, Idrizi (1100-1166) ka mundur të vizatojë hartën e botës.

Siç shihet, gjatë rrjedhës historike të njerëzimit, në vende të ndryshme kanë dalë në pah qytetërime të ndryshme. Këto qytetërime duke mbështetur në njëra-tjetrën kanë ndihmuar në zhvillimin dhe përparimin e dijes dhe shkencës. Pra edhe myslimanët kanë dhënë ndihmesa shumë të rëndësishme në fushën e shkencës. Librat e shumtë që kanë mbetur nga qytetërimet e hershme, janë përkthyer nga dijetarët myslimanë të cilët u kanë bërë korrigjimet e nevojshme dhe të përshtatshme dhe gjithashtu kanë zgjeruar informacionet e trashëguara.

Copyright © 2026 - Shoqata V.H.K Istanbul | Ndalohet përdorimi dhe riprodhimi i përmbajtjes së kësaj faqeje pa leje dhe autorizim