Lehtësimi, një ndër principet e Islamit
Allahu xh.sh me mëshirën e tij të pafundme gjithmonë ka dhënë lehtësim robërve të tij si dhe e ka lehtësuar Islamin në çdo aspekt. Allahu xh.sh thotë në Kuranin Famëlartë: “Allahu nuk e obligon asnjë njeri përtej mundësisë së tij.”…
Publikuar:

Allahu xh.sh me mëshirën e tij të pafundme gjithmonë ka dhënë lehtësim robërve të tij si dhe e ka lehtësuar Islamin në çdo aspekt. Allahu xh.sh thotë në Kuranin Famëlartë:
“Allahu nuk e obligon asnjë njeri përtej mundësisë së tij.” (Bekare, 286)
“Allahu dëshiron lehtësim për ju e nuk do vështirësim.” (Bekare, 185)
“Ai ju zgjodhi juve dhe nuk ju obligoi në fe me ndonjë vështirësi.” (Haxh, 78)
“Allahu dëshiron t’ju lehtësojë (dispozitat) e megjithatë njeriu është i paaftë (për t’i bërë ballë epsheve).” (Nisa 28)
Për të nxjerrë më në pah principin e lehtësimit, profeti a.s ka thënë:
“Allahu xh.sh i urdhëron engjëjt dhe u thotë: Nëse robi im dëshiron të kryejë ndonjë vepër të keqe, mos e shkruani atë pa e kryer! Nëse e kryen, atëherë shkruani një gjynah për të! Në qoftë se largohet prej veprës së keqe duke menduar kënaqësinë Time, shkruani një sevap për të! Kur robi im mendon të bëjë një vepër të mirë, edhe nëse nuk e kryen, shkruani sevap për të! E nëse robi im e kryen veprën e mirë, atëherë shkruani për të sevapet nga dhjetëfish deri në shtatë-dhjetëfish!” (Buhari, Tevhid; Muslim, Iman, 203,205)
Sahabet r.a na informojnë se i dërguari i Allahut a.s ishte shumë i thjeshtë për t’u kuptuar si dhe 39tregonte lehtësim në çdo punë.
Ja disa shembuj që tregojnë se Islami është vërtet fe e lehtësimit:
Njeriu është përgjegjës sipas rrethanave dhe forcës që përvetëson. Ai nuk obligohet për gjëra të cilat nuk mund t’i realizojë.
Në Islam, veprimi gradual është kusht. Për shembull, disa gjynahe të mëdha, siç janë alkooli, kamata, zinaja, etj. nuk janë ndaluar menjëherë, por gradualisht.
Për të falur namazin marrja e abdesit është e detyrueshme, por në disa raste të veçanta, si kur përreth nuk gjendet ujë, ose në kohë shumë të ftohta, ku mund të rrezikohet sëmurja e njerëzve, atëherë lejohet të merret tejemum.
Për udhëtarët, në raste lodhjeje ose kur nuk kanë kohë të mjaftueshme, mund t’i falin namazet farze duke i shkurtuar nga katër në dy rekate.
Në namaz, qëndrimi në këmbë është farz, por në rastet kur nuk mund të qëndrojë në këmbë për shkaqe të ndryshme, për to lejohet ta falin namazin ulur, ose, qoftë edhe me mimikën e tyre.
Për të bërë adhurim nuk kërkohet patjetër ndonjë vend i veçantë. Adhurimi mund të kryhet në çdo vend që është i pastër. Profeti a.s ka thënë:
“Për mua është bërë i pastër i gjithë rruzulli tokësor, prandaj çdo besimtar prej umetit tim, kur të hyjë koha e namazit, le ta falë atë menjëherë, kudo që të jetë.”
Agjërimi i Ramazanit mund të jetë i vështirë për disa njerëz, si të sëmurët ose udhëtarët, por ato mund ta kryejnë agjërimin kaza mbas udhëtimit ose kur të përmirësohen nga sëmundja.
Gjithashtu edhe pasiguria e rrugës për kryerjen e haxhit, që mund të ndodhë nga një gjendje lufte ose sëmundjeje, bën që të shtyhet ky detyrim, deri sa gjendja të përmirësohet.
Profeti a.s ka thënë: “Falënderimi i takon Allahut xh.sh që na ka dhënë kaq liri dhe lehtësim në fe” (Ahmed ibn Hanbel, VI,167)

