Edhe pse nuk e shikon Allahun, Ai të sheh ty
Sa më mirë dhe saktë ta njohim Zotin tonë dhe sundimin e Tij absolut, aq më tepër do e madhërojmë dhe besojmë Atë, aq më tepër do e duam, aq më tepër do e kemi frikë dhe shpresë, aq më…
Publikuar:

Sa më mirë dhe saktë ta njohim Zotin tonë dhe sundimin e Tij absolut, aq më tepër do e madhërojmë dhe besojmë Atë, aq më tepër do e duam, aq më tepër do e kemi frikë dhe shpresë, aq më tepër do t’i bindemi urdhrave të Tij, dhe si rezultat aq më tepër do fitojmë shpërblimin e Tij dhe shmangim ndëshkimin e Tij…
Ateistët mosbesimtarë dhe injorantë e pranojnë realitetin e një materie të përhershme dhe pa zanafillë por nuk e pranojnë Krijuesin e përhershëm dhe pa zanafillë.
Ateistët vazhdojnë në humbjen e tyre teksa e vërteta qëndron se:
Së pari, “materien e përhershme” e ka hedhur përfundimisht poshtë teorema shkencore e “Big Bang-Shpërthimi i Madh” përmes së cilës shkencëtarët e pranojnë faktin e padiskutueshëm se materia që shpërtheu dhe volli kreaturën ishte një lëndë e superpresuar që në preludin e saj ishte fare e vogël dhe që paraardhshmërisht nuk ekzistonte…
Së dyti, faktin se materia nuk është e përhershme por ka një zanafillë, e vërteton edhe ligji i “Termodinamikës-Shndërrimit të nxehtësisë” që praninë e trupave të nxehtë në gjithësi e sheh si dëshmi të zanafillës së tyre, pasi përndryshe, nëse gjithësia do kishte qenë e pafillim, të gjithë trupat me kohë do ishin ftohur dhe do kishin marrë temperaturën minimale prej minus (-) 375 °C të hapësirës gjigande kozmike ku gjenden, dhe kjo do kishte ndodhur edhe me diellin tonë…
E pra materia dikur nuk ekzistonte… pyetja që lind me këtë rast është:
Çfarë ekzistonte kur materia nuk ekzistonte?
Përgjigjen vjen dhe na e jep Mesazhi Hyjnor Islam i cili për këtë infinit kohor thotë:
“Allahu ka qenë dhe asgjë tjetër nuk ka qenë…”; duke hedhur dritë në këtë hadith për kohën kur nuk ekzistonte as lënda dhe as ligjet materiale si koha, pesha, graviteti etj…
Vetëm përhershmëria e Allahut para se materia të ekzistonte, arrin ta shpjegoj prezencën e tanishme të krijesave, përndryshe i bie që krijesat të kenë ardhur në ekzistencë nga asgjëja?…
Allahu i Lartësuar thotë:
“A u krijuan nga asgjëja…?!” [Kuran: Et Tur, ajeti: 35]; pra, paraekzistenca dhe të gjithë ekzistencat pas saj a nga asgjëja erdhën?!…
Kësisoj, arsyes dhe njerëzve të arsyeshëm u mbetet vetëm të binden se kur koha dhe kreatura nuk ekzistonin, atëherë ekzistonte Krijuesi që e solli në këtë ekzistencë kohën dhe kreaturën, i Cili është tërësisht i pavarur nga koha dhe kreatura e Tij; dhe i Cili nuk kishte se si të vinte nga asgjëja, porse është i Përhershëm…
Kjo është e vërteta dhe pikërisht lidhur me këtë të vërtetë gjigande Allahu i Lartësuar thotë në Kuran: “Ai-Allahu është i Pari (para çdo gjëje, është pa zanafillë), i Fundmi (i Mbetshmi pambarimisht)…” [Kuran: Hadid, ajeti: 3].
Besimtari musliman e sheh Allahun përmes Kuranit, librit të Tij, përmes Muhamedit (a.s.), Profetit të Tij, përmes kreaturës së krijuar prej Tij, nën parimin e pakontestueshëm: “Gjurma tregon për gjurmëlënësin”…
Allahu i Lartësuar thotë në Kuran: “Shiko pra gjurmët e mëshirës së Allahut …” [Kuran: Rum, ajeti: 50].
Shkencëtari me famë botërore, Njutoni, shokun e tij që nuk besonte në ekzistencën e Allahut, arrin ta bind duke i thënë: “Mekanizmi laboratorik i sistemit diellor s’është veçse një imitues i sistemit gjigant diellor, e, kur nuk mundet të pretendohet që ky mekanizëm të jetë bërë pa një projektues, atëherë si mund të pretendohet se sistemin e vërtetë diellor nuk e ka paska bërë një Krijues?! Për më tepër kur dihet se ndërtuesi i mekanizmi laboratorik të sistemit diellor s’ka bërë gjë tjetër përveçse ka imituar origjinalin?!”… Asgjë prej gjërave dhe orendive që na rrethojnë nuk është bërë vetvetiu apo rastësisht, porse atë e ka bërë dikush, e, për më tepër qeniet e gjalla që janë shumë më të mahnitshme dhe shumë më të ndërlikuara në krijimin e tyre se sa sendet pajetë, nuk mund të pretendohet se kanë ardhur në këtë ekzistencë pa një Krijues që është i Urtë dhe i Gjithëdijshëm?”…
Allahu i Lartësuar thotë: “…A ka dyshim në ekzistencën e Allahut, Krijuesit të qiejve dhe të tokës?!” [Kuran: Ibrahim, ajeti: 10].
“…Ai-Allahu në çdo moment është i Angazhuar në çështje të reja (në faljen e mëkateve, largimin e brengave, dhurmin dhe marrjen e jetës, ndryshimin e gjendjes, etj.)” [Kuran: Rrahman, ajeti: 29].
Shkenca bashkëkohore thotë se: “Njeriu 90 % të bindjes që posedon e ka krijuar falë informacionit që i ka ardhur nga përtej shqisave të tij”. Allahu i Lartësuar në fillimin e Kuranit e përmend tek cilësitë e lavdëruara besimin në të fshehtën që vjen nga burimet informative të besueshme: “Ky (Kurani) është libri në të cilin nuk ka dyshim, (është) udhëzues për muttekinët [të devotshmit]. Të cilët e besojnë të fshehtën…”[Kuran: Bekare, ajetet: 2-3].
Që njeriu të kushtëzojë që t’i shohë dhe provojë vetë e pastaj t’i besojë gjërat që ndodhin jashtë sferës së ngushtë të shqisave të tij, kjo do të thotë të anulojë dhe mbyllë shkollat ku çdo gjë mësohet në teori, të anulojë historitë e kombeve dhe mbarë njerëzimit, të anulojë gazetat, revistat dhe median e shkruar në përgjithësi, radiot, shumicën e njohurive dhe të dhënave që propagandohen në televizion, etj.
Që për besimin lidhur me atë çfarë na thonë historianët e besueshëm, shkencëtarët e sinqertë të fushave të ndryshme të shkencës, apo edhe doktori i besueshëm kur vizitohemi tek ai dhe na diagnoztifikon sëmundjen e për të na jep ilaçet; që për gjithë sa në fjalë të kushtëzosh shikimin, nuk është veçse injorancë.
Në të vërtetë besimi islam e ka shpëtuar njeriun nga skllavërimi në kufijtë e ngushtë dhe të kushtëzuar të pesë shqisave, e, në të kundërt çfarë ndryshimi do të kishte midis njeriut dhe kafshës?!
Muslimani beson në të fshehtën që ndodh jashtë sferës së shqisave të tij porse ai, këtë besim të tijin e bazon në kushtin e fuqishëm që informacioni në lidhje me të fshehtën të vijë nga një burim informativ i besueshëm.
Falë këtij kushti hyjnor muslimani ekuilibrohet midis ateizmit që në parim mohon të besuarin në çdo gjë që ndodh jashtë sferës së ngushtë të shqisave dhe midis kotësive që i kanë hedhur sa e sa prej njerëzve në humbëtirat e fantazive dhe besëtytnive pa frerë.
Me gjithë sa para përmendëm, ka ndodhur që dikush të kërkoj ta shohë Allahun?
Nga ata që dëshiruan ta shihnin Allahun në këtë botë ishte edhe një prej profetëve të Tij të ndritur, Musai (a.s.), që pasi kishte poseduar diturinë dhe bindjen totale të argumentuar me argumente të pakontestueshme logjikë mbi ekzistencën e Allahut, kërkon nga Allahu i Gjithëfuqishëm që kësaj bindje të paluhatshme që posedonte, t’i shtonte dhe argumentin e shikueshmërisë… Ja si është memorizuar në Kuran kjo ngjarje:
“Kur Musai erdhi në kohën që ia caktuam dhe i foli Zotit të vet, ai tha: ‘Zoti im! Ma mundëso pamjen tënde e të t’shikojë!’ Ai-Zoti i tha: ‘Nuk ke mundësi të më shohësh, por shiko malin [që është më i fuqishëm se ti], nëse ai [i reziston pamjes Time dhe] mbetet në vendin e vet, atëherë edhe ti ke për të më parë Mua’. Kur iu shfaq malit pakëz nga Drita e Zotit të tij, ai u bë thërrime, ndërkaq Musait i ra të fikët. Kur erdhi në vete, tha: ‘I Dëlirë je, pendohem te Ti (për atë që kërkova), dhe unë jam i pari i besimtarëve!” [Kuran: Araf, ajeti: 143].
Lidhur me sa në fjalë na vijnë edhe disa citime të saktat të Profetit Muhamed [lavdërimi dhe paqja e Allahut qoftë mbi të] ku ai thotë: “Allahu nuk fle dhe nuk i shkon Atij të flejë, Manteli i Tij është nga drita [në një transmetim tjetër “nga zjarri”], nëse e zbulon atë, Madhështia e Fytyrës së Tij do kish djegur krijesat deri ku të arrinte Vështrimi i Tij”.
Kjo Mbështjellje Hyjnore e mbron kreaturën të mos digjet nga Nuri i Superfuqishëm i Fytyrës së Allahut…
Kështu pra, njeriu naiv, që nuk mund t’i bëjë ballë rrezeve përvëluese të diellit të gushtit dhe paskëtaj kërkon ta shohë Allahun në këtë botë, vetëm sa ka kërkuar për veten shkatërrimin, pasi nurit të Allahut që nuk mundi t’i bëjë ballë mali solid, si do mund t’i bëjë ballë trupi i brishtë i njeriut…
Për vetë profetin Muhamed (a.s.) momentet kur ai e kish parë Xhebrailin (a.s.) në pamjen e tij reale, ishin momentet më të vështira emocionale dhe fizike në këtë dynja… e kur kjo i ndodh një profeti, që është njeriu më i fuqishëm, me një prej krijesave të Allahut që nga frika e Zotit të tij qëndron si rroba e rënë nga varësja, çfarë mund të thuhet mbi rezistencën e njeriut për ta shikuar Allahun; s’ka dyshim se e tillë gjë për njeriun do të thoshte dënim me vdekje…
Sa në fjalë nxjerr në pah edhe arsyen kryesore se përse ne njerëzit, madje krijesat mbarë, nuk mund ta përballojmë të shikuarin e Allahut…
Gjithashtu ka edhe arsye të tjera të cilat bëjnë që njeriu të mos ketë mundësi ta shikojë Allahun, por ne do mjaftohemi duke përmendur dy më kryesoret prej tyre:
1. Allahu i Lartësuar na dhuroi mendjen, këtë superdhuratë të çmuar hyjnore dhe përmes saj, të lirë dhe të paimponuar, vendosi të na provojë se: “A do ta besojmë Allahun pa e parë…?!”
Në krahun tjetër, nëse njerëzit do ta shihnin Allahun, kjo do kishte bërë që të gjithë ta besonin dhe t’i bindeshin Allahut me pahir nga frika; jo falë arsyetimit dhe mendjes, jo me dëshirë…
2. Një arsye tjetër për të cilën ne nuk mund ta shohim Allahun është faktori i largësisë sonë të pamatshme prej Allahut…
Ne njerëzit, edhe po të vëmë në dispozicion teknologjinë më të fundit që disponojmë, nuk do mund ta shohim as fundin e plejadave yjore, e jo më atë të qiellit të parë… Të dhënat shkencore tregojnë se distanca midis nesh dhe yllit më të afërt është katër vite drite, që për tu kthyer në kilometra duhet shumëzuar me 300 mijë km/s që është shpejtësia e dritës dhe pasi ti kemi kthyer katër vitet në sekonda [4 x 365 x 24 x 3600], i bie të jetë në kilometra afërsisht numri 4 me 13 “0-zero” pas. Por midis nesh dhe Allahut, mbi universin e parë janë edhe 6 universe të tjerë, mbi to Kursiji Madhështor dhe mbi të Arshi Fisnik…
Kjo distancë e paanë, në vendndodhje, hapësirë dhe kohë; është një tjetër arsye gjigande e pamundësisë sonë për të parë Allahun…
– Allahu i Lartësuar e vlerëson shumë përdorimin e mendjes, madje posedimin e aftësisë për të menduar dhe për më tepër arritjen e moshës së pjekurisë [mendore], i ka bërë kusht për të fituar përgjegjësinë e ngarkimit me zbatimin e detyrave hyjnore.
Detyra primare për të cilën njeriu duhet ta vërë mendjen në punë është argumentimi i vërtetësisë së burimit informativ që jep informacion mbi Allahun e Lartësuar dhe udhëzimet e Tij, dhe pas kësaj njeriut s’i ngelet veçse ti nënshtrohet këtij informacioni…
Një pyetje e fundit që mund të lindë në kuadrin e këtij subjekti është nëse: “Në Botën Tjetër, a do mund ta shikojnë njerëzit Allahun?”
Përgjigjen për pyetjen në fjalë e jep Shpallja Hyjnore Islame që thotë se të vetmit që do ta shohin Allahun në Botën Tjetër janë besimtarët në Xhenet, gjë kjo që do të jetë kulmi i kënaqësisë që do përjetojnë banorët e Xhenetit, kurse mosbesimtarët nuk do ta kenë mundësinë ta shikojnë Allahun, edhe pse do të binden për ekzistencën e Allahut teksa do e vuajnë ndëshkimin e tyre të merituar për shkak të mospërdorimit të mendjes së tyre për ta njohur Atë që i krijoi dhe abuzimit të tyre me detyrimet që kishin karshi Tij…
Lutje:
O Zot ki mëshirë për ne kur djersët e ftohta të agonisë së vdekjes të na duken në ballë dhe mendtë të na shkojnë vërdallë; kur doktori na pret shpresat dhe dashamirët tanë për ne fillojnë të qajnë.
O Zot ki mëshirë për ne kur na hedhin në varr; dhe njerëzit tanë më të afërt na thonë “lamtumirë”; dhe kënaqësitë e kësaj jete na braktisin.
O Zot ki mëshirë për ne kur askush më s’na i përmend emrat dhe varret tona më nuk njihen; dhe trupat tanë janë brejtur; dhe kapitujt janë mbyllur; dhe në varret tona nuk shihen më vizitorë; dhe askush më nuk na mbanë mend…
Sa keq, vërtetë sa keq, për një njeri që lindi, jetoi dhe vdiq, pa njohur Zotin e tij…

