Detyrimi i njeriut ndaj Tokës - Mirësia Islame

Detyrimi i njeriut ndaj Tokës

Dr. Lulzim Esati Allahu s.v.t, ia krijoi njeriut ambientin e përsosur, ashtu siç e përsosi edhe vet njeriun. Andaj kërkoi nga ai që të përkujdeset për ambientin e tij, duke pas parasysh se jeta e tij do të ndikohet pozitivisht…


Publikuar:

Dr. Lulzim Esati

Allahu s.v.t, ia krijoi njeriut ambientin e përsosur, ashtu siç e përsosi edhe vet njeriun. Andaj kërkoi nga ai që të përkujdeset për ambientin e tij, duke pas parasysh se jeta e tij do të ndikohet pozitivisht ose negativisht nga ambienti dhe rrethi ku jeton. Nga kujdesia ndaj ambientit në veçanti dhe ndaj tokës në përgjithësi, është edhe ndërtimi i saj dhe rindërtimi nëse dëshiron të jete konstruktiv në detyrën e tij ndaj tokës. Nëse bëjmë një vështrim në librin e Allahut s.v.t, gjejmë shumë ajete të Kuranit që na bëjnë të qartë se roli i njeriut ndaj tokës duhet të jetë konstruktiv dhe assesi nuk duhet të konsiderohet kjo si një lloj humanizmi nga ai ndaj saj, por si një detyrë e urdhër nga Krijuesi i gjithëfuqishëm. Thotë i Lartëmadhërishmi në Kuran:

وَإِلَى ثَمُودَ أَخَاهُمْ صَالِحًا قَالَ يَا قَوْمِ اعْبُدُواْ اللَّهَ مَا لَكُم مِّنْ إِلَهٍ غَيْرُهُ هُوَ أَنشَأَكُم مِّنَ الأَرْضِ وَاسْتَعْمَرَكُمْ فِيهَا فَاسْتَغْفِرُوهُ ثُمَّ تُوبُواْ إِلَيْهِ إِنَّ رَبِّي قَرِيبٌ مُّجِيبٌ

“Edhe te (populli) Themud e patëm dërguar njërin prej tyre, Salihun, e ai u tha: “O populli im, adhurojeni All-llahun, ju nuk keni ndonjë zot tjetër pos Tij, Ai së pari ju krijoi nga dheu dhe ju bëri banues të tij.”  (Hudë: 61).

Edhe pse fjala isteamere është përkthyer  “ju bëri banues të tij”, ajo ka edhe këtë  kuptimin; kërkoj nga ju ndërtimin e saj[1].

Ne jemi më se të vetëdijshëm se secili njeri nuk posedon mundësi të bëjë rregullime e ndërtime në tokë. Sepse për të afruar rregullime adekuate kërkohen norma e kushte të posaçme varësisht nga lëmi dhe profesioni të cilit i përket njeriu. Nëse dëshirojmë të rregullojmë gjendjen shëndetësore atëherë duhet pajisemi me njohuritë precize nga degët e mjekësisë. Nëse duam ta përmirësojmë ekonominë tonë po ashtu kërkohet që ti njohim mirë fushën e saj. Po ashtu nëse dëshirojmë ta rregullojmë infrastrukturën e vendit ku jetojmë  që të kemi një ambient të bukur, duhet të pajisemi mirë me njohurit të arkitekturës, inxhinierisë etj. Kështu që çdo njeri nuk mund t’i plotësojë kushtet për të rregulluar dhe ofruar ndonjë kontribut rreth kësaj. Mirëpo për të shkatërruar dhe për të bërë  çrregullime në tokë  nuk kërkohen kushte të rënda, madje mund të themi se nuk kërkohen kushte fare. Ndoshta edhe këtu qëndron arsyeja se pse  fjala (ndërtoni) është përmend vetëm njëherë ndërsa fjala (mos bëni çrregullime) është përmend me dhjetëra herë.

Nëse njeriu nuk ka mundësi të ofrojë rregullime në tokë, atëherë mos të bëjë çrregullime në të, dhe kjo nuk kërkon njohuri të madhe ose kontribut të veçantë, por kërkon nga personi që ta ndalë veten, dhe të ushtron presion ndaj sjelljes së tij kur ajo rrebelizohet dhe kënaqet duke e nxitur atë qe të bëjë ndonjë çrregullim apo shkatërrim në natyrë dhe rrethin ku jeton. Që njeriu ta ndal rolin destruktiv të tij ndaj natyrës nënë, është urdhër i prerë nga Allahu s.v.t, e sidomos për Muslimanin.

I Lartëmadhërishmi në kuran thotë:

 “ Mos bëni çrregullime në tokë pas rregullimit të saj.”  (earaf:56)

 “Dhe bën mirë ashtu siç të ka bërë All-llahu ty, e mos bën të këqija në tokë”.  (Kasas:77).

“E All-llahu nuk e do çrregullimin (fesadin)”.  (bekare:205).

 “All-llahu nuk i do ngatërrestarët. (maide:64).

Në ajetet e sipërpërmendura qartësohet se Allahu s.v.t nuk e donë çrregullimin, e aq më pak ngatërrestarët.

Pasi që kjo çështje është me peshë aq të madhe sa që njeriu nuk mund ta kuptojë vetëm kur t’i shijojë vetë disa nga pasojat e saj. Allahu s.v.t me fuqinë e Tij dhe Butësinë që e ka ndaj krijesave të Tij, bëri të mundur që çdo “fesad” çrregullim e ngatërrim të hetohet me anën e ndjenjave e jo me anë të intelektit dhe diturisë që e përfiton njeriu,  kjo ishte urtësi e Krijuesit i Cili bëri që një gjë e tillë te hetohet me shqisa dhe ndjenja.

I Lartëmadhërishmi në kuran thotë:

 “E kur atyre u thuhet: “Mos e prishni rendin në tokë”! Ata thonë: “Ne jemi vetëm përmirësues!”Veni re, ata në të vërtetë janë shkatërruesit, por nuk e ndjejnë”. (Bekare: 11-12).

 Fjala: shuur, në gjuhën arabe do të thotë ndjenjë.

Po sikur të kishte përfunduar ajeti me fjalën: “nuk e dinë”, siç eshtë rasti me ajetin në vijim: 

 “Dhe kur atyre u thuhet: besoni, sikurse besuan njerëzit, ata thonë: “A të besojmë ashtu sikurse besuan mendjelehtit?” Në të vërtetë ata, dhe mu ata janë mendjelehtit, por nuk e dinë”.  (bekare:13).

Vallë kur do të arrihej që të gjithë njerëzit të dinë që  ta dallojnë rregullimin prej çrregullimit apo shkatërrimin prej ndërtimit në mbarë rruzullin tokësore? Ose çfarë niveli të arsimit dhe edukimit do të kishim mundur t’i afrojmë njerëzimit në tërësi, shkollim  fillestarë, të mesëm, universitarë apo posdiplomik, kur dihet se njeriu i moderuar dhe i posmoderuar  nuk arriti deri më sot që ta zhdukë analfabetizmin ndër njerëzit në tërë botën, duke e pasur parasysh se gjysma e botës nëse s’them dy të tretat vazhdojnë të jenë analfabet!

Pra ishte vërtet një urtësi e Lartëmadhërishmi e cila tërhiqte vëmendjen e atyre që analizojnë, se përse e zgjodhi këtë përfundim, dhe nuk zgjodhi ndonjë përfundim tjetër, nga përfundimet e Tij të shumta për ta mbyllë fjalën e Tij të bekuar në këtë çështje (fesad). Qofshim falë Allahut s.v.t. i Cili thotë:

    “ A nuk e di kush eka krijuar, kur dihet se Ai është që trajton me butësi krijesat, i njeh hollësitë”.  (Mulk:14).

Kjo ishte e tëra sa i përket këndvështrimit të parë, rreth përfundimit të ajetit 12 të sures Bekare.

Duke pasur parasysh rëndësinë e ruajtjes së natyrës të cilën Allahu s.v.t. e krijoi me një precizitet mahnitës, që të jetë një ambient sa ma i përshtatshëm dhe adekuat për mirëqenien njeriut, Ai me mëshirën e Tij  dhe dashurinë që ka ndaj Krijesave në përgjithësi e ndaj njeriut në veçanti, dërgoi mesazhe të njëpasnjëshme tek njerëzit që përmbanin këtë porosi “Mos bëni çrregullime në tokë pas rregullimit të saj”, këtë e bëri për mes çdo pejgamberi a.s. duke filluar nga më të parët e deri tek Muhamedi s.a.v.s.

Porosia e Allahut s.v.t. përmes Shuejbit a.s ishte:

      “E në Medjen (dërguam) vëllain e tyre Shuajbin. Ai tha: “O populli im, adhurojeni All-llahun (Një), ju nuk keni zot tjetër pos Tij. Juve ju erdhi mrekullia nga Zoti juaj. Zbatoni drejt matjen dhe peshojën, e mos u bëni padrejtësi njerëzve në sendet e tyre, dhe mos bëni çrregullime në tokë pas përmirësimit të saj. Këto janë më të dobishme për ju, nëse jeni besimtarë”.  (Earaf: 85).

Po ashtu porosia e Tij përmes Musait a.s:

     “Ndërsa Musai vëllait të vet Harunit, i tha: “Më zëvendëso mua te populli im dhe rregullo, e mos shko rrugës së të këqinjve”. (Earaf: 142).

Porosia e Lartëmadhërishmit përmes Muhamedit s.a.v.s:

     Dhe bën mirë ashtu siç të ka bërë All-llahu ty, e mos bën të këqija(fesad) në tokë. (Kasas:77).

      Nëse vështrojmë më vëmendje ajetin kuranor i cili flet për porosinë e Shuejbit a.s, duke lëshuar në të një shikim analizës, pa dyshim se gjejmë një lidhshmëri të fortë rreth Imanit  (besimit) të njeriut dhe ndalimit të fesadit (çrregullimit). Hapin i parë që ka marrë i dërguari i Allahut Shuejbi a.s me popullin e tij ishte;që ta besojnë Allahun (Një) dhe vetëm Atë ta adhurojnë, pastaj kërkoi nga ata zbatimin e drejtë kur të peshojnë dhe mos tu bëjnë  padrejtësi njerëzve në sendet e tyre gjatë shitblerjes qoftë në cilësi apo sasi, ndërsa porosia e fundit ishte; “mos bëni çrregullime në tokë pas përmirësimit të saj”,  …nëse jeni besimtarë.

Pra hapi i parë ishte; futja e imanit (besimit të vërtet) në zemrat e njerëzve nëse dëshirojmë nga ata sjellje të mirë në rrethin ku jetojnë, por edhe më gjerë. Ndërsa përfundimi i ajetit me fjalën;  nëse jeni besimtarë, tregon pamundësinë e ndalimit të fesadit  (çrregullimeve) në tokë në mungesë të Imanit (besimit të vërtet). Urtësia e Allahut s.v.t, në zgjedhjen e kësaj fjale (nëse jeni besimtarë) nga mesi i shumë metodave të cilat gjenden në Kurani Kerim, gjatë përmbylljes së ajetëve, nxorri në pah rolin e imanit (besimit të vërtet) në parandalimin dhe ndalimin e çrregullimeve (fesadit) në tokë, dhe e cila është masë preventive e vetme që mund ta largojë çrregullimin, ngatërrimin, e shkatërrimin në tokë. Është për tu habitur edhe këtu- në ndalimin e fesadit- se si nuk u përmend intelekti mendja apo dituria e njeriut siç ndodhi edhe më parë kur folëm rreth mënyrës se si hetohet fesadi (çrregullimi). Ne e dimë mirë se sa të shumta janë ajejetet që përfundojn me fjalën; logjikojnë, mendojnë, kuptojnë, shikojnë, përkujtojnë, etj., që janë atribute të njerëzve të dalluar, si rrjedhojë e kontributit dhe angazhimit të tyre të veçantë. Edhe pse Allahu s.v.t, i çmon shumë personat që stolisen me këto veti të çmuara, është për tu çuditë se asnjëra nga këto nuk funksionoi këtu.

Nga kjo që u tha deri tani shtrohet pyetja: A thua a ka mundësi që të ndalohet fesadi (çrregullimi) në tokë me metoda tjera pos besimit të vërtet?

Përgjigjja: do të kuptohet më vonë

Rolin e imanit (besimit të vërtet) dhe ndikimin e tij në sjelljen e njeriut dhe raportet reciproke të tij me tokën e ve në fokus edhe hadithi i Resulullahit s.a.v.s, kur fletë për përbërjen e Imanit: “Imani përbëhet nga gjashtëdhjetë e ca kategori; më e larta është dëshmia dhe deklarimi se s’ ka zot tjetër përpos Allahut, ndërsa më e ulëta; largimi i një sendi që pengon nga rruga.[2]

Pra largimi i gjërave që pengojnë nga rruga në veçanti, dhe largimi i tyre nga vendet ku shkaktojnë dëme në përgjithësi është pjesë  prej pjesëve që plotësojnë besimin e Muslimanit. Nëse besimtari e sheh një gjë të tillë në rrugë dhe nuk e largon, duke pasur mundësi ta bëjë atë, duhet ta dijë se një pjesë e imanit të tij ka shkuar huq.

Nëse kthehemi në historinë njerëzore shihet qartë se shkatërrimet masive kanë qenë produkte të ushtrive në mënyrë të organizuara nga shoqëritë e civilizimeve dominuese të asaj kohe. Parimi i tyre ka qenë; se kur të pushtohet ndonjë vend apo të mposhtet ndonjë civilizim rival, duhet të fshihet nga fytyra e dheut njëherë e përgjithmonë! Ndërsa masakrave të tyre nuk ju kanë shpëtuar as gratë as të sëmurët e as fëmijët, qofshin edhe foshnje të posa lindur, madje shpesh herë kanë pësuar të njëjtin fat edhe kafshët! Kështu vepruan grekët e lashtë të Spartës, romakët ashtu edhe persianët paganë. Më pas edhe bizantinët, dhe pasardhësit e tyre evropian në emër të kryqëzatave. Gjithashtu bijtë e tyre ishin të etur për të bërë shkatërrime në tokë.

Gjatë kolonializmit anglezë nga një anë dhe francezë nga ana tjetër këto shkatërrime ishin bërë pjesë e civilizimit të tyre[3].  Kështu vazhdoi edhe me bashkimin sovjetik në Afganistan dje, dhe vazhdon sot në Çeçeni, siç vepronin serbet gjatë luftës në Bosnje dhe në Kosovë, kur digjnin, shkatërronin dhe masakronin në emër të civilizimit të tyre. Këtij shtegtimi të gjatë në strategjinë e shkatërrimit në tokë nuk i shpëtuan as ushtarët amerikan, si në Irak, po ashtu edhe në Afganistan!

Athua ju mungonte dituria këtyre ushtrive që s’mund ta dallonin shkatërrimin nga rregullimi? Kur dihet mirë se ishin të pajisur me akademitë ushtarake më të  njohura të asaj kohe. E vërteta është se këta posedonin të arriturat më të mira të kohës në të cilën vepronin, por ju mungonte vetëm një gjë, ai ishte Imani (besimi i vërtetë).  Ne me këto fakte synuam ta sqarojmë rëndësinë që i dha Allahu s.v.t. rëndësisë së besimit në parandalimin e fesadit në bazë të përmbylljes e mbylljes së shumë ajeteve  kuranore me fjalën:(…nëse jeni besimtarë.). Për ta dëshmuar këtë mjafton të bëhet një qasje sa do e shkurtër në historinë islame për ta parë se si sillej ushtria e pajisur me Iman pa kryer asnjë akademi ushtarake moderne. Por këta të fundit ishin të pajisur me besim të vërtetë në mbikëqyrjen e Zotit, edhe pse ishin me shkollim të ulët, këta ishin shumë më të lartë në sjelljet e tyre ndaj natyrës dhe krijesave tjerave. Historia e tyre në vijim na tregon dallimin e qartë mes të diturve pabesim, dhe të besimtarëve me dituri të ulta, por me edukim të lartë të mbështetur në shpallje të  Allahut.

Kur Ebu Bekri r.a. dërgoi ushtrinë muslimane për ta hapur Damaskun, ai porositi që t’i përmbahen dhjetë pikave, ndër ato porosi: mos prekni të moshuarit, gratë, fëmijët, kafshët, mos shkatërroni pemët etj. Të njohura si “el-vesajal ashera”, “dhjetë porositë” e Ebu Bekrit. Edhe pse nuk kishin kryer akademi ushtarake të njohura, ushtria muslimane kryente këto amanete në mënyrë të përkryer. Këto porosi nga Halifi i parë r.a. i barte me vete çdo ushtri muslimanë, si në hapjen e Damaskut, Afrikës Veriore, Andaluzisë, vendeve të Azisë, dhe në Ballkan. Ajo që bëri të funksionojnë këto porosi tek ushtarët muslimanë nuk ishte arsimi dhe të shkolluarit e lartë e tyre, por ishte Imani (besimi në Allahun s.v.t ) se Ai dëgjon çdo gjë dhe sheh.       

Kurani famëlartë na njofton gjithashtu se disa njerëz kënaqen kur bëjnë shkatërrime (fesad) në tokë. I Lartëmadhërishmi thotë:

      Ka ndonjë nga njerëzit që fjala e tij të mahnit, por vetëm në këtë botë (meqë në botën tjetër gjykon Ai që i di të fshehtat), dhe për atë që ka në zemrën e tij, e paraqet All-llahun dëshmues, e në realitet ai është kundërshtari më i rreptë. E posa të kthehet ai në tokë, vrapon të bëjë shkatërrim në të, të asgjësojë të korrat (mbjelljet) dhe gjallesat. E All-llahu nuk e do çrregullimin (fesadin). Dhe kur i thuhet atij: “Ki frikë All-llahun”!, atë e kap eufori për punë mëkati. Shtrat i shëmtuar është ai që i takon atij (xhehennemi). (Bekare:204-206).

Dhe nëse këtij lloji të njerëzve i thuhet pse bëni shkatërrime? Do të përgjigjen kështu, siç njofton kurani:

E kur atyre u thuhet: “Mos e prishni rendin në tokë”! Ata thonë: “Ne jemi vetëm përmirësues (paqtues)!” (bekare: 11).

     Gjithashtu kurani na njofton se ka të atillë që rregullimet e tjerëve mundohen ti paraqesin si çrregullime e shkatërrime:

“Faraoni tha: “Më lini mua ta mbys Musain, e ai le ta thërrasë Zotin e vet, pse unë kam frikë se po ua ndryshon fenë tuaj, ose po nxit trazira në vend!(fesad)” (Gafir: 26).

Faraoni dhe shumë si ai punën e pejgamberëve dhe misionin e shenjët të tyre mundohen ta paraqesin si fesad (trazira e çrregullime) në tokë. Si duket se Faraonit dhe të tillët si ai iu është prishur ndjenja dhe instinkti njerëzore që ia mundëson ta dalloje veprën e keqe nga e mira. Të tillët edhe pse janë lider të shoqërisë, dhe konsiderohen si intelektual të rrallë prapë se prapë nuk po arrijnë ta dallojnë rregullimin prej çrregullimit. Kjo është frytë i tiranisë, padrejtësisë dhe korrupsionit që bëjnë, deri në atë masë sa që ua shkatërron edhe ndërgjegjen.

Si përmbyllje; kur përmendet fesadi në kuran, ka për qellim pasojat e saja masive në shoqëri dhe shkatërrimet e mëdha siç janë: shkatërrimi i natyrës, moralit, shëndetit, ekonomisë e tjera të këtij rangu, pasojat së cilës nuk mund të kufizohen në një mjedis njerëzore, por përfshijnë edhe mjediset tjera dhe dalëngadalë marrin përmasë globale. Kemi rastin e shtresës së Ozonit dhe ngrohjes globale në planetin tonë, faturën e secilës po e paguajmë të gjithë ne. Degjenerimin e të rinjve. Veshjet jo njerëzore apo moda e lakuriqësia (kultura e zhveshjes)[4]. Luftërat kolonizuese në emër të lirisë së shprehurit dhe zgjedhjes. Korrupsioni etj.  Gjithë kjo ndodhë si rezultat i veprave të njerëzve. Të gjitha këto sjellje  si të tilla Allahu s.v.t. nuk i donë nga njerëzit, këtë e ka bërë të qartë në kuran, kur thotë:

Për shkak të veprave (të këqija) të njerëzve, janë shfaqur në tokë e në det të zeza (bela, skamje, katastrofa, humbje e bereqetit etj.), e për ta përjetuar ata një pjesë të asaj të keqeje që e bënë, ashtu që të tërhiqen (nga të këqijat).


[1]  Ibën Kethiri., vël: 2, f, 223,  el-Kurtubi. Vël: 4, f, 133. 

[2] Imam elBejheki, shuubul iman, f, 32.

[3]  Ushtarët francezë gjatë pushtimit të Algjerisë i cili zgjati 130 vite, kur kalonte pranë tyre ndonjë grua shtatëzën vinin bast në mes veti për fëmijën e saj se a është mashkull apo femër, pastaj ja çanin barkun për ta parë se kush ka fitue e kush ka humbur.

[4] Siç e quan autori iranian i librit.kultura e zhveshjes dhe shvezhja e kulturës , f, 76.

Copyright © 2026 - Shoqata V.H.K Istanbul | Ndalohet përdorimi dhe riprodhimi i përmbajtjes së kësaj faqeje pa leje dhe autorizim