Dynjaja që i shërben të vërtetës është fe - Mirësia Islame

Dynjaja që i shërben të vërtetës është fe

Shejkh Muhamed El-Gazali Çfarë do të thotë të preferosh ahiretin ndaj dynjasë? Me këtë pyetje materialistët dhe skllevërit e jetës tallen, të cilët zgjohen dhe ngrysen e nuk njohin, vetëm se ditën e tyre dhe të nesërmen që do të…


Publikuar:

Shejkh Muhamed El-Gazali

Çfarë do të thotë të preferosh ahiretin ndaj dynjasë? Me këtë pyetje materialistët dhe skllevërit e jetës tallen, të cilët zgjohen dhe ngrysen e nuk njohin, vetëm se ditën e tyre dhe të nesërmen që do të gdhijë. Kështu që ata përgjigjen: Nuk e ndërroj të prekshmen me imagjinatën dhe e refuzoj meditimin, përveç në tokë dhe ç’ka mbi të.

Kjo përgjigje, për njerëzit e mendjes është e gabuar dhe nuk ka përfundim për të zotin e saj, vetëm se rënie!

Ka edhe përgjigje tjetër, e cila për njerëzit duket e saktë, ose siç njihet ndryshe përgjigjja e gjithë besimtarëve që thonë: Jeta e dynjasë është e përbuzur dhe duhet të largohemi prej saj ashtu siç del shigjeta, për në vendbanimin tonë në xhenetet e Adnit!

Dua të qëndroj gjatë te kjo përgjigje! Çfarë do të thotë ta kalosh jetën pa u lartësuar me diçka prej saj? Krijuesi i kësaj bote ka thënë: Njihni Emrat e Mi të Bukur dhe Cilësitë e Mija të Larta në përbërjen e vendit e të kohës dhe në rrugëtimin e jetës dhe të njerëzve! Ju nuk do ta njihni Madhështinë Time në qoftë se ecni nga djepi në varr të verbër ndaj argumenteve të Mia në tokë e në qiell dhe ndaj kadereve në njerëz dhe popuj!

Ai është betuar në diell dhe në hënë, në natë dhe në ditë, në agim dhe në muzg, në fëmijë dhe në prind. Bile është betuar në atë që shikojmë dhe në atë që nuk shikojmë, sepse shikimi në sipërfaqe nuk të bën dobi pa shikimin në thellësi. Është betuar në erërat e forta dhe të lehta, në kuajt luftarakë që nxjerrin shkëndija nga patkonjtë e tyre në betejat e përjetshme mes të drejtës dhe të kotës. Është betuar në të gjitha këto që ta njohim Atë dhe të jetojmë në krenari e të përfitojmë nga mësimet e Tij.

Si mund të thonë: Unë jam njohës i Allahut, ai që është injorant i jetës, i të fshehtave, i fuqive dhe thellësive të saj?

Disa njerëz e kalojnë jetën ashtu siç kalon pastruesi i rrugëve përpara dyqaneve të floririt, pa i hedhur sytë nga stolitë dhe bizhuteritë, sepse nuk i intereson ajo punë; ose siç kalon punëtori me mëditje nëpër arat e mbjella e të mbushura me prodhim dhe fruta boll, që nuk mendon, përveç se të marrë vetëm shpërblimin e tij!

Kur mohuesit e ringjalljes pyetën: Si do të ndodhë ringjallja? Erdhi përgjigjja e Kur’anit famëlartë kështu: “A nuk e kanë parë se si Allahu e fillon krijimin, pastaj e rikthen atë? Me të vërtetë kjo për Allahun është e lehtë. Thuaj: “Ecni nëpër tokë dhe shikoni se si ka filluar krijimi, pastaj Allahu e krijon jetën e ringjalljes.” Me të vërtetë Allahu për çdo gjë ka fuqi.”[1]

Ecja nëpër tokë për studimin e jetës është rruga e besimit në Allah dhe takimit me Të. Patjetër duhet të notojmë në dallgët e jetës dhe njohjes me rrymat e saj, baticës e zbaticës, me brigjet dhe shkaqet e mbytjes e të shpëtimit …

Trashësia nuk është besim dhe injoranca nuk është devotshmëri. Eksperienca në jetë, aftësia për ta zotëruar atë dhe nënshtrimi i saj në shërbim të Zotit, ajo është besim dhe punë e devotshme.

Sa e ultë është mendja e mpitë, mendimi i ngushtë dhe kultura e cektë! Ka popuj, të cilët i përkasin Kur’anit, nuk e dinë se ai është libër jete, nuk përfitojnë prej universit, përveç ashtu siç përfiton i verbëri nga rrezet e diellit. Sa herë që njerëz të tillë i kam takuar në fushat e thirrjes më ngushtohej fryma dhe më vinte keq për fenë dhe të ardhmen e saj për shkak të injorancës së tyre të thellë, apo asketizmit të tyre të ftohtë!!

Thashë: Do të ketë pasur një arsye që dëshmitarët e Njësimit të Allahut të jenë engjëjt dhe njerëzit e ditur.[2]


[1] Sureja Ankebutë: 20

[2] Shiko ajetin 18 të sures Ali Imran (L.H)

Copyright © 2026 - Shoqata V.H.K Istanbul | Ndalohet përdorimi dhe riprodhimi i përmbajtjes së kësaj faqeje pa leje dhe autorizim