Nijeti i sinqertë
DëgjoArtikullin Zemra e bindur tek Allahu dhe e prehur tek Ai meriton suksesin dhe udhëzimin në rrugën e drejtë. Allahu i Madhëruar thotë: “Kush beson në Allahun ia udhëzon zemrën…”[1], ndërsa zemra bosh, pa Zotin e saj e mbushur me…
Publikuar:

Dëgjo
Artikullin
Zemra e bindur tek Allahu dhe e prehur tek Ai meriton suksesin dhe udhëzimin në rrugën e drejtë. Allahu i Madhëruar thotë: “Kush beson në Allahun ia udhëzon zemrën…”[1], ndërsa zemra bosh, pa Zotin e saj e mbushur me epshe, ajo rrëshqet në jetë e shkapërderdhur dhe këtë e vërteton edhe fjala e Allahut: “Ata të cilët nuk i besojnë ajetet e Allahut nuk i udhëzon Allahu…”[2]
Njerëzit e thjeshtë e dinë se nijeti i sinqertë e shpëton të zotin e saj prej telasheve të ndryshme dhe se, nijetin jo të pastër e shoqëron bredhja dhe hallakatja. Allahu u ka premtuar besimtarëve të devotshëm se atyre do tu bëjë dritë me të cilën ndriçojnë udhën, prandaj kush preket prej rrezeve të këtij nuri, drite gjithmonë është në rrugën e drejtë dhe i mbrojtur prej rrëshqitjeve të frikshme “dhe kujt Allahu nuk i bën dritë, ai asnjëherë nuk do të ketë dritë.”[3]
Pejgamberi (a.s) e ka bërë të qartë se besimtari i mirë ndriçohet nga brendësia e tij, ku thotë: “Devotshmëria është këtu” duke bërë me shenjë nga kraharori i tij, d.m.th se devotshmëria nuk është llafe goje, apo lojë aktrimi dhe as pretendim pa fund, por ajo është zemër e bindur, e drejtuar tek Allahu dhe e kapur për Të.
Një pjesë e njerëzve dinë të bëjnë mirë imitimin e veprave të mira dhe perfeksionimin e mënyrës së kryerjes së tyre, por ata janë të privuar prej kuptimit dhe ndikimeve të tyre të mira. Shkak për këtë është ashpërsia e zemrës dhe zënia e saj me punë të tjera.
Largohesha shpejt prej atyre njerëzve që në zemra kishin ashpërsi dhe në moralin e tyre kishte vrazhdësi edhe n.q.s dinin të bënin mirë disa farze, detyra, sepse zbukurimi i jashtëm nuk i bën dobi pastërtisë së brendshme dhe ndriçimit të saj.
Duke medituar ndjej se disa politikanë dhe udhëheqës adhurojnë vetën e tyre edhe pse shfaqen si adhurues të Zotit. Ndoshta mund të vërtitet rreth kësaj kur bërë ndonjë punë, por ky qëllim mashtrues pas gjithë atyre gabimeve të mëdha, barrën e tyre e paguan populli!
Ebu Xhehli mund të ishte kthyer me popullin e tij pa e zhytur atë në humbjen e madhe të Bedrit, sepse kjo betejë nuk kishte kuptim pasi karvani kaloi për të cilin kishin dalë ta shpëtonin. Animi i Ebu Xhehlit për t’u shfaqur si udhëheqës dhe mburrja për tu dukur e bëri atë të thotë se, nuk largohemi pa pirë verë, pa therë devetë dhe pa kënduar e kërcyer valltaret. Ishte kjo arrogancë, e cila e shtyu atë dhe popullin e tij drejt humbjes.
Pa dyshim që shumë prej cytjeve egoiste pushojnë pas rrugëve ogurzeza dhe vendimeve të përgjakshme! Sikur çdo njeri të përpiqej për rregullimin e brendësisë së tij dhe pastrimin e saj prej sëmundjeve të fshehta, apo prej shirkut të fshehtë siç ka ardhur në disa transmetime, do të kishin shpëtuar njerëzit dhe toka prej tragjedive të mëdha.
Dihet mirë në fushën e fesë se Allahu shikon ndërgjegjen, brendësinë dhe jo pamjen e jashtme; dhe se vendi i robit përcaktohet dhe varet prej pjesës së fshehtë, dëlirësisë së zemrës dhe sinqeritetit të marrëdhënieve të tij me Zotin “Apo, atij që Allahu ia ka hapur kraharorin me Islam dhe ai është në dritë prej Zotit të tij? Mjerë për ata që i kanë zemrat e ashpra në përmendjen e Allahut. Të tillët janë në humbje të qartë.”[4]
Meditova ajetet e mëposhtme për këtë ajet dhe gjeta se ato bënin thirrje për butësinë drithëruese, ndjenjat mëshironjëse dhe njeriun që lëviz me frikën e Allahut, larg prej ndikimeve dhe dashurisë së nxitimit “Allahu zbriti fjalën më të bukur, libër të përputhshëm harmonizues, rrënqethen lëkurat e atyre që i frikësohen Zoti, pastaj lëkurat dhe zemrat e tyre zbuten nga përmendja e Allahut.”[5]
Mu kujtuan dy njerëz, të cilët dolën në një duel. Njëri ishte i mprehtë dhe me mendje filozofi, por ishte egoist lakmitar, ndërsa tjetri nuk ishte aq i zoti, por i qeshur dhe tolerant!
Thashë: Do të humbë mprehtësia dhe do të tresë filozofia me ngushtimin e zemrës dhe vrazhdësinë; dhe do të triumfojë modestia me fytyrën e qeshur dhe shtrirjen e dorës, tolerancën!!
Në betejën e besimit me mohimin vërej se disa klerikë janë sakrifikues dhe se disa dijetarë janë egoistë, kështu që dëshpërohem prej përfundimit të keq dhe e di se rezultati do të sillet përreth hakut.!
Feja është e gjëja e vetme, e cila qëndron më larg se askush tjetër nga vrazhdësia, ashpërsia, mendjemadhësia dhe lakmia. Këto cilësi sa herë që vihen në kupën e peshores e fundosin atë. Kur mendoj në jetën e Pejgamberit (a.s) shikoj trupëzimin e modestisë dhe bamirësisë, të mëshirës dhe drejtësisë dhe dashurinë e çdo gjëje. Me të vërtetë “Atij i vjen rëndë për gjendjen tuaj dhe kujdeset për ju. Për besimtarët është i butë, i mëshirshëm.” Atëherë, a e marrim shembullin e mirë prej njeriut të plotë, për të cilin është thënë: “Me mëshirën prej Allahut u bëre i butë ndaj tyre. E sikur të kishe qenë i ashpër dhe zemër vrazhdë do të ishin larguar prej teje”??[6]
Shejkh Muhamed El-Gazali
Përshtati në shqip: Lavdrim Hamja
[1] Tegabun: 11
[2] Nahl: 104
[3] Nur: 40
[4] Zumer: 22
[5] Zumer: 23
[6] Ali Imran: 159

