Njeriu qysh kur lind është shumë plak për të vdekur
Jeta është një mrekulli dhe si e tillë shfaqet faqeza qenies njerëzore. Çdokush prej qenieve njerëzore është ekzistencë, unike, e papërsëritshme dhe e pangjashme me askënd qenie, para dhe pas saj dhe si rrjedhim çdokush prej qenieve njerëzore ka historinë…
Publikuar:

Jeta është një mrekulli dhe si e tillë shfaqet faqeza qenies njerëzore. Çdokush prej qenieve njerëzore është ekzistencë, unike, e papërsëritshme dhe e pangjashme me askënd qenie, para dhe pas saj dhe si rrjedhim çdokush prej qenieve njerëzore ka historinë e vet të të jetuarit mbi sipërfaqen e lëmshit të dheut, përderisa lind, jeton dhe vdes mbi këtë sipërfaqe. Historia e gjithësecilës qenie mbi sipërfaqen e lëmshit të dheut, natyrshëm është e lidhur me historinë e shkeljes së këtij trualli nga qenia e parë njerëzore, përderisa në origjinën e hershme jemi pasardhës pikërisht të kësaj qenieje. Natyrshëm që përballë mrekullisë së jetës, qenia njerëzore nisur nga pakuptueshmëria e kësaj mrekullie, shtron pyetjen se si u shfaq qenia e parë mbi lëmshin e dheut, apo pse pikërisht këtu dhe jo në ndonjë cep tjetër të universit, pyetje që për shumë qenie njerëzore vazhdojnë të mbeten mister.
Pavarësisht misteriozitetit të mbërritjes apo shfaqjes së qenies së parë njerëzore mbi sipërfaqen e tokës, njeriu jeton mbi tokë dhe nën qiell dhe ky është një fakt, për të cilin askush nuk mund të perifrazojë të kundërtën. Për filozofinë ekzistencialiste qenia njerëzore është “e hedhur”, “e flakur” në botë, pra në ekzistencë. Flakja, nisur nga kuptimi që buron prej saj, është një proces më radikal, më i pamëshirshëm, pasiqë atë që flaket, e ke përbuzur, nënçmuar dhe urryer më së pari dhe pasi e ke flakur, nuk kujdesesh aspak për të, madje mbetet e harruar prejse ishte e padëshiruar, e pavlefshme. Ndërmjet disa kuptimeve shohim se “i hedhur” nënkupton, të sjellurit e diçkaje nga një vend tjetër, pra kjo diçka nuk i përket vendit ku vendoset, por në origjinën e saj i përket vendit prej nga u soll. Sjellja në një vend tjetër, nuk do të thotë harresë, mospërkujdesje, por hedhje për një qëllim të caktuar që pritet të realizohet nga i hedhuri.
Pra fakti i pandryshueshëm që njeriu është hedhur në ekzistencë, do të thotë se qenia njerëzore nuk i përket kësaj toke, edhe pse në të jeton, porse i përket jetës prej nga ku mori statusin “i hedhur” dhe jo “i flakur”. Kësisoj “hedhja” është origjina e historisë së qenies njerëzore mbi tokë, që edhe pse e huaj për të, qysh në çastin e hedhjes do të ishte mikpritësja e tij, vendndërtimi i qëllimit të hedhjes. Hedhja apo zbritja (si koncept religjioz) dhe vendosja e njeriut mbi tokë dhe nën qiell, është një ngjarje dramatike, për qenien njerëzore, pasiqë shkëput lidhjen direkte me vendin e tij të origjinës, i cili pas kësaj ngjarjeje mbetet kujtesë e pashlyeshme, për të hedhurin e parë, për të zbriturin e parë. I hedhuri apo i zbrituri edhe pse në këtë tokë mikpritëse tashmë do të jetojë, nuk mund ta shlyejë nga kujtesa, banesën e tij të parëhershme, rifitimin e së cilës dhe rikthimin në të, do t’i duhet ta ndërtojë pikërisht mbi atë vend që nuk i përket atij dhe as ai nuk i përket aspak këtij vendi.
Meqënëse as i hedhuri apo i zbrituri nuk i përket vendit ku u hodh, ku zbriti, por dhe as vendi ku u hodh nuk i përket të hedhurit, atëherë kalimi prej këtu atje, është bashkëekzistenca e pashmangshme e të hedhurit me vendin e hedhjes, dhe përderisa flasim për kalim, bashkëekzistenca nuk mund të jetë e përjetshme, pra do të jetë e përkohëshme. Përkohësinë e bashkëekzistencës sonë me vendin mikpritës, e shkakton një ngjarje tejet e rëndësishme, vdekja. Kësisoj shënohen tri ngjarje të rëndësishme të qenies njerëzore në raport me bashkëekzistencën, lindja-jeta-vdekja. Njeriu lind, jeton dhe vdes i vetëm, pra ekziston si i tillë. Natyrisht që ky përcaktim nuk përjashton marrëdhëniet e njeriut me botën, por i mëshon faktit që ekzistenca dhe përgjegjësia për të jetuarit e saj është personale, përderisa është e papërsëritshme.
Duke qenë e papërsëritshme do të thotë se qenia njerëzore lind, jeton dhe vdes vetëm një herë mbi tokë dhe nën qiell. Kështu rrugën e kthimit në vendin prej nga ku u hodh në ekzistencë qenia njerëzore, do ta përshkojmë vetëm njëherë dhe kthimi ynë nuk mund të ndodhë në qoftë se ekzistenca jonë nuk pushon në krahët e vdekjes. Ekzistenca në kuptimin heideggerian, do të thotë të jetosh me përgjegjshmëri, të durosh në vuajtje dhe kënaqësi, të durosh në të mirë e në të keq, durim i cili kulmon me durimin në vdekje dhe gjatë gjithë përkohësisë njeriu duhet të jetë i përgatitur. Pra njeriu qysh kur lind është një qenie për të vdekur, sepse pa këtë ngjarje që quhet vdekje ne nuk do të mund të riktheheshim në banimin tonë të parëhershëm. Gjatë rritjes dhe zhvillimit fizik dhe mendor njeriu bëhet i vetëdijshëm që një ditë ai do të vdesë.
Qysh në çastin që embrioni njerëzor fillon të jetojë, vdekja qëndron përballë nesh dhe jemi ne që ecim drejt saj, sepse përkohësia jonë rrjedh. Ne jemi të sigurtë që një ditë do të vdesim, por nuk mund ta dimë kur, pra ne nuk mund të dimë çastin në të cilin ekzistenca jonë përfundon, çastin në të cilin ne do të shkelim situatën kufi, sikundërse e përcakton Jaspersi vdekjen. Meqënëse ky çast është krejt i panjohshëm për ne se kur ndodh, do të thotë se ne mund ta takojmë në çdo çast të jetës sonë, në çdo çast të përkohësisë sonë edhe pse duket sikur nuk do të mbërrijë ndonjëherë. Siguria për vdekjen dhe mosnjohja kur, shkakton gjendjen e ankthit, ankth nga vdekja, sepse ankthi është gjendja në të cilën unë e di që do të ndodhë, por nuk e di se kur dhe jam gjithmonë në pritje të ndodhjes.
Natyrisht kjo është një gjendje së cilës ne nuk mund t’i shpëtojmë, dhe në sajë të kësaj gjendjeje mbajmë ndezur mosharresën e takimit me vdekjen. Përderisa ekzistenca përfundon me vdekjen dhe kjo ekzistencë e përfunduar nuk mund të ekzistojë dhe njëherë tjetër, ne nuk mund të kemi një përvojë mbi vdekjen, sepse askush nuk mund ta përshkruajë më pas atë që ka përjetuar. Vdekja është një përjetim dhe ajo vetëm përjetohet dhe nuk mund të kthehet kurrë në përvojë, pasiqë nuk është një rast që mund të merret në studim, pra nuk mund të eksperimentojmë me vdekjen. Pamundësia e eksperimentimit me vdekjen, na fakton se vdekja nuk është thjesht dhe vetëm pushim i funksioneve biologjike të trupit njerëzor, pasiqë që trupi të jetojë ka nevojë për ngrohtësi. Këtë ngrohtësi të domosdoshme për të jetuar biologjikisht, trupi e merr prej shpirtit, për eidosin e të cilit nuk kemi të zbuluar asnjë dituri. Simbioza trup-shpirt është një mrekulli të cilën nuk mund ta shpjegojmë racionalisht.
Në qoftë se bashkimin trup-shpirt nuk mund ta shpjegojmë dot racionalisht, atëherë dhe ndarjen, shkëputjen e njërit prej tjetrit nuk mund ta shpjegojmë dot racionalisht, thjesht na duhet ta pranojmë këtë ngjarje që ndodh me ne dhe që nuk mund ta shmangim. Ne mund të shohim vuajtjet, përpëlitjet dhe regëtimet e fundit të atij që vdes, por kurrë nuk mund të vëzhgojmë sesi shpirti shkëputet prej trupit, pasiqë shikimi ynë ndaj ngjarjeve metafizike, është jofunksional. Qetësimi i trupit pas regëtimave të fundit, na bën të vetëdijshëm që tjetri vdiq, pra dha shpirt. Pyetja që na shqetëson më shumë është se çfarë ndodh me njeriun pas vdekjes? Thamë se ekzistenca përfundon me vdekjen dhe kjo ekzistencë e përfunduar nuk mund të ekzistojë dhe njëherë tjetër. Nisur nga ky fakt ne nuk mund të ekzistojmë dy herë, përndryshe ajo çfarë përjetohet gjatë dhe pas vdekjes do të kthehej në përvojë dhe për qenien njerëzore në pritje të vdekjes, nuk do të ishte më një mister se çfarë ndodh gjatë dhe pas vdekjes. Ekzistenca jonë përfundon me vdekjen, por kjo nuk do të thotë që ne nuk jemi më. Vdekja është fundi i ekzistencës,(fundi përgjegjshmërisë) por jo fundi i të qenit tonë(nuk ka më durim deri në vdekje).
Ne nuk ekzistojmë pasi vdesim, por vazhdojmë të jemi, sepse ekzistenca njerëzore në kuptimin heideggerian të saj, është veçori e të qëndruarit tonë mbi tokë dhe nën qiell. Pra vdekja është kufiri mes ekzistojmë dhe jemi dhe kufi nuk do të thotë që gjithçka pushon së qeni aty, por prezenca e kufirit do të thotë që përtej tij zë fill e manifestohet gjithësa deri në shkeljen e tij qëndronte e fshehur dhe e pazbulueshme. Duke qenë një kufi mes ekzistoj dhe jam, vdekja shndërrohet në domosdoshmëri për trajektoren e lëvizjes së qenies njerëzore nga përkohësia në përjetësi, pasiqë moskthimi në ekzistencë (përkohësi), do të thotë qenie në përjetësi. Në qoftë se ne thamë që njeriu është qenie për të vdekur, dhe vdekja porta e kalimit në përjetësi, atëherë fare mirë mund të themi se njeriu është qenie për përjetësinë. Tashmë mund të shtrojmë një pyetje tjetër, pyetje që shndërrohet në dilemën e madhe të shumë qenieve njerëzore. A është përjetësia, përjetësi në asgjë? Po ç’mund të thuhet mbi asgjënë? Që është hedhur poshtë nga shkenca dhe është lënë mënjanë, përpikmërisht si e pavlefshme?
Po pse, duke e lënë mënjanë në këtë mënyrë, mos vallë bëjmë të kundërtën, e pranojmë atë? E më tej, a mund të flasim vallë për pranimin, kur ky pranim nënkupton të pranojmë asgjënë? Apo mos vallë, shprehja jonë, tashmë e pështjelluar, shthuret në një zënkë boshe mbi fjalët. Për këtë arsye kundrejt saj, shkenca lipset të ripohojë sot gjithë seriozitetin dhe kthjelltësinë e saj mendore, duke këmbëngulur që ajo merret me qeniet dhe vetëm me qeniet. Se tek e fundit, asgjëja ç’mund të jetë tjetër për të, përveç një fyerje dhe një fantazmë? E nëse shkenca ka të drejtë, atëherë diçka është vërtetë e sigurtë: se ajo nuk dëshiron të dijë asgjë për asgjënë. Aq më tepër që ky është dhe koncepti shkencërisht rigoroz i asgjësë. Ne e njohim atë, d.m.th. asgjënë, në kuptimin se nuk duam të dimë asgjë për të.[1] Po përse shkenca nuk dëshiron të dijë asgjë për asgjënë?
Pikërisht se shkenca studion qeniet si realitet lëndor të cilat mund ti laboratorizojë, asgjëja i shpëton realitetit lëndor dhe si e tillë nuk mund të rroket nga përvoja shqisore dhe eksperimentale tek e cila bazohet shkenca moderne, e cila është e prirur të mos pranojë tjetër realitet përveç atij lëndor. E në qoftë se ne pranojmë asgjënë do të thotë që ne pranojmë se “asgjëja është origjina e mohimit dhe jo anasjelltas”[2], d.m.th se pa praninë e asgjësë(praninë e të pranishmit) nuk do të kishim se çfarë të mohonim, sepse “Qenia e kulluar dhe Asgjëja e kulluar, janë e njëjta gjë.”[3] Atëherë çfarë mund të jetë mohimi i përjetësisë, përveç se pranim i saj
[1] Heidegger, M. (2003) Leksione dhe konferenca. faq.74 Tiranë: Plejad.
[2] Po aty, faq. 86
[3] Hegel, G.F. Shkenca e logjikës, Vëllimi i I, pjesa e III, cituar sipas Heidegger, M. (2003) Leksione dhe konferenca. faq.90 Tiranë: Plejad.

