Mbi natyrën e edukimit komunist
DëgjoArtikullin Edukimi është një sfidë e hapur ndaj qenies njerëzore. Ky proces që shoqëron njeriun gjatë gjithë jetës, modelohet dhe latohet në përputhje me sisteme të caktuara ideore, me të cilat qenia njerëzore është në kontakt qysh nga fëmijëria dhe…
Publikuar:

Dëgjo
Artikullin
Edukimi është një sfidë e hapur ndaj qenies njerëzore. Ky proces që shoqëron njeriun gjatë gjithë jetës, modelohet dhe latohet në përputhje me sisteme të caktuara ideore, me të cilat qenia njerëzore është në kontakt qysh nga fëmijëria dhe rinia e tij. Edukimi është një proces që e shoqëron njeriun në të gjitha fazat jetësore, por ne përmendëm fëmijërinë dhe rininë, pasiqë përgjithësisht në këto dy faza jetësore njeriu mbushet me ide dhe krijon botëkuptimin e tij mbi jetën dhe statusin e tij në botë. Këto janë vitet në të cilat ndodh jo vetëm grumbullimi i njohurive, por dhe sendërtimi i mendësive mbi mënyrën e të jetuarit.
Edhe pse njeriu përpiqet vazhdimisht të edukojë veten e tij përgjatë jetës, sërish edukimi dhe formimi i hershëm nxjerr krye në situata dhe ngjarje të caktuara, duke dëshmuar rëndësinë e këtij procesi në fëmijërinë dhe rininë e njeriut. Përderisa çdo sistem ideor, përpiqet të konsakrojë vetveten tek masa e njerëzve që mëton të kontrollojë dhe sundojë, edhe sistemi totalitar komunist, do të përpiqej me mish e me thonj që nëpërmjet procesit të edukimit të ndërtonte njeriun e ri, të edukuar sipas parimeve të vijës së drejtë marksiste-leniniste. Por në çfarë mënyre do të realizohej edukimi i njeriut të ri, si do të veprohej dhe cilët do të instrumentalizoheshin për këtë qëllim?
Sikundërse është e mirëpranuar, sistemi arsimor, është një nga levat kryesore të mbrujtjes me ide dhe mendime të caktuara të brezit të ri, aq më tepër që kontakti me këtë sistem nis qysh në moshën parashkollore. Pikërisht për këtë arsye shkollat duhet të jenë vatrat e përhapjes dhe propagandës së vazhdueshme të ideve komuniste, prandaj për këtë çështje duhej treguar një kujdes i posaçëm dhe mbikqyrje e vazhdueshme në të gjitha hallkat e sistemit arsimor. “Ai (komsomoli)[1] duhet të mbikqyrë, ai duhet të bëjë një punë të përditshme në shkolla, duke filluar nga më e ulëta gjer te më e larta. Ai duhet të ndihmojë për plotësimin e patundur të direktivave respektive të qeverisë dhe ta organizojë më mirë mësimin dhe jetën e nxënësve.” (Kalinin[2], M.I faq. 26, Tiranë, 1967).
Kjo mbikqyrje dhe punë e vazhdueshme me shkollat, synonte të injektonte tek brezat e rinj, bindjen se vetëm nëpërmjet pushtetit komunist do të ishin njerëz të denjë për të realizuar detyra të mëdha. Natyrisht, kjo do të thoshte që njohuritë që do të përftoheshin nga gjithësa do të uleshin në bankat e shkollës, do të përzgjidheshin në përputhje me politikën zyrtare. Kësisoj i gjithë procesi i edukimit do të ishte tërësisht i politizuar dhe verdiktin për sasinë, masën, llojin dhe natyrën e njohurive që do të grumbullonte nxënësi apo studenti, do ta vendoste përdhunshëm nomenklatura zyrtare. “Tek ne ndërgjegja politike e njerëzve lot një rol shumë të rëndësishëm dhe ne synojmë që çdo njeri të jetë politikisht i ndërgjegjshëm.” (Kalinin:187). Politizimi i sistemit arsimor synonte që të prodhonte individë të kualifikuar ideologjikisht, të rrahur dhe kalitur në kudhrën marksiste-leniniste, të gatshëm për të sakrifikuar gjithçka nga jeta personale në dobi të interesit shoqëror, si më i larti që duhej realizuar. Vetëm duke realizuar interesin shoqëror, jeta e njeriut merrte kuptim dhe lumturia ishte e garantuar. “Ta çojmë deri në fund çështjen e Leninit dhe Stalinit.
Në qoftë se ju do të forcoheni në një drejtim të tillë dhe do të ja nënshtroni kësaj ideje të gjitha të tjerat, atëherë…shokë, lumturia dhe gëzimi i jetës janë të siguruara.” (Kalinin:114). E natyrisht modeli që duhet të frymëzojë, këtë mënyrë të jetuari është modeli i udhëheqësit, që shndrit si yll polar në konstelacionin e shoqërisë socialiste. “Kështu pra, jeta e ngjeshur me interesa shoqërore, jeta me një qëllim të caktuar, është jeta më e mirë, më interesante në tokë. Po model i një jete të tillë është pikërisht jeta e shokut Stalin.” (Kalinin:102-103). Në këtë kontekst rinia duhet të jetë e përgatitur, e fortë, rezistente, aktive në jetë në mënyrë që të çojë përpara misionin e ngarkuar nga historia. “Shokë, historia na ka ngarkuar një detyrë me përgjegjësi dhe të ndershme – të çojmë luftën tonë klasore gjer në fitoren e plotë të komunizmit.” (Kalinin:25). Dhe natyrisht që baza, themeli prej nga ku rinia do të frymëzohej për realizimin e të gjitha idealeve komuniste në dobi të interesit shoqëror ishte marksizëm-leninizmi, që mbrun rininë me armën e fortë të shkencës kombinuar me veprimtarinë praktike, për një produktivitet të lartë në punë.
Kjo klasë punëtore që do të farkëtohej në sistemin shkollor, natyrisht që nuk do të duhej të ishte e pajisur vetëm me njohuritë teknike të profesionit, por ajo duhej të ishte e gatëshme të përleshej pamëshirshëm me armiqtë e komunizmit dhe atdheut socialist. Për të patur këtë gatishmëri, nuk u lanë jashtë vëmendjes edhe njohuritë ushtarake, të cilat duhej t’i zotëronte çdo individ. “Ne përgatitim punëtorë të kualifikuar, por duhet që ata, në qoftë se do të kërkohet, të dinë edhe të luftojnë. Dhe, do të ishte një gabim i pafalshëm për ne, në qoftë se nuk do t’i armatosnim ata me njohuri ushtarake.” (Kalinin:175). Kjo klasë, më progresistja në historinë e njerëzimit, e armatosur me ideologjinë marksiste-leniniste, materializmin shkencor, përgatitjen ushtarake qëndron në ballë të furtunave imperialiste dhe borgjezo-revizioniste si shkëmb graniti, për të mbrojtur interesat e gjithë njerëzimit punonjës. “Revolucioni ynë socialist, për herë të parë në histori, duke luftuar për interesat e klasës përparimtare, klasës më progresive në histori, proletariatit, lufton në të njëjtën kohë për interesat e gjithë njerëzimit punonjës.” (Kalinin:29).
Duke cilësuar proletariatin si klasën më progresiste në gjithë historinë e njerëzimit, propaganda komuniste, damkosi me vulën e stërmadhe të tradhëtisë elitën intelektuale, të cilën e akuzoi si të krimbur nga vemja feudaliste dhe për ta shkrimbur e syrgjynosi nëpër gulçet e burgjeve dhe kampeve të detyruara të punës që për një shumicë të konsiderueshme ishin memorialet e tyre përsëgjalli. Ndërkohë proletariati ziente nga një zjarrmi e papërmbajtur për të studiuar në mënyrë konstante rezultatet e kërkimeve shkencore. “Akademia e kuptoi se punëtorët dhe fshatarët e kanë të shtrënjtë shkencën, i ndjekin rezultatet shkencore. Ata tregojnë një vëmendje të jashtëzakonshme dhe simpati ndaj shkencës, shumë më tepër sesa shoqëria e privilegjuar e vjetër.” (Kalinin:163). Por kush do të ishte ai që do të edukonte brezin e ri me këtë frymë ideologjike në mënyrë që shoqëria socialiste të konfigurohej plotësisht sipas ideologjisë marksiste-leniniste?
Ky personazh do të ishte figura e mësuesit detyra kryesore e të cilit do të ishte edukimi i njeriut të ri dhe qytetarit të shoqërisë socialiste. Që kjo detyrë të ishte e suksesshme dhe rezultative mësuesit do të duhej të kishin përvetësuar dhe përthithur thellësisht marksizëm-leninizmin më së pari. Qëllimi themelor i edukimit komunist, ishte prodhimi i një mase punëtorësh dhe fshatarësh, që do të shfrytëzoheshin (skllavëroheshin) për ndërtimin e socializmit. Gjatë gjithë këtij procesi duke qenë të indoktrinuar thellësisht deri në qelizën e fundme, këtë shfrytëzim nuk do ta shihnin si skllavëri, por si një sakrificë për të mirën e njerëzimit punonjës që vuante nën thundrën e kapitalistëve barkanjozë. Dhe këtë dozë opiumi duhej ta injektonin reanimatorët besnikë deri në vdekje të marksizëm-leninizmit, mësuesit indoktrinarë.
“Sigurisht, që kjo fuqi e njerëzve punëtorë dhe fshatarë të shfrytëzohet në maksimum në ndërtimin socialist, duhet që masa kryesore intelektuale- mësuesit, të jenë besnikë gjer në fund të kësaj ideje.” (Kalinin:133). Dhe për ta vendosur në binarët e duhur këtë çështje, tejet të rëndësishme për suksesin e ndërtimit të socializmit, ideologjia marksiste-leniniste shenjtërohej, duke u kthyer në sistem referimi për të gjetur zgjidhje për problematikat e ndryshme jetësore vetëm përbrenda kësaj ideologjie dhe jo jashtë saj. Vetëm në këtë mënyrë do të matej suksesi i indoktrinimit dhe marksizimit të njeriut të ri. “Të gjesh një zgjidhje të drejtë në këto raste dhe t’i kuptosh drejt ato, të gjesh ç’qëndrim të mbash ndaj tyre nga pikpamja e marksizmit, ja, këtu provohet marksisti.” (Kalinin:136-137). Ky edukim, emetoi njeriun e marksizuar, birin ideologjik të diktaturës së proletariatit dhe utopisë komuniste, që nuk njeh shenjtëri tjetër përveç boshtit ideologjik marksist-leninist, edhe atëherë kur faktet provojnë tërësisht të kundërtën.
Nuredin Nazarko
[1] Komsomoli, Unioni leninist i komunistëve të rinj.
[2] Mihail Ivanoviç Kalinin, president i Presidiumit të Sovjetit Suprem të BRSS, fjalime të periudhës 1925-1945.

