Sqimatarët
DëgjoArtikullin Njeriu mban përbrenda vetes një mijë e një dëshira, për realizimin e të cilave ëndërron, fantazon dhe njëkohësisht punon, në qoftë se nuk ka mbetur ende peng i ëndërrimit dhe fantazimit. Një nga dëshirat, ndoshta një prej dëshirave të…
Publikuar:

Dëgjo
Artikullin
Njeriu mban përbrenda vetes një mijë e një dëshira, për realizimin e të cilave ëndërron, fantazon dhe njëkohësisht punon, në qoftë se nuk ka mbetur ende peng i ëndërrimit dhe fantazimit. Një nga dëshirat, ndoshta një prej dëshirave të grupit më të fortë të dëshirave që gjenden tek njeriu dhe ushqehen vazhdimisht nga ëndërrimet dhe fantazitë e tij është sqima. Çdocili njeri ka mënyrën, stilin, shijen e tij të të shprehurit të sqimës. Shprehja publike e anës përjashtësore e sqimës ndryshon nga njeriu në njeri, por ajo që i vendos të gjithë njerëzit nën të njëjtin emërues të përbashkët edhe pse ndryshon mënyra e realizimit të sqimës, është dëshira e fortë për tu diferencuar nga pjesa tjetër e njerëzve me qëllim që të tërheqin vëmendjen e të tjerëve mbi vetet e tyre. Të veshurit bukur, pastër, natyrisht që është një gjë e kërkuar prej njeriut dhe asesi nuk mund t’i bashkohemi korit të asketizmit në këtë aspekt. Ajo që të shqetëson dhe është në të vërtetë për tu shqetësuar është brejtja nga krimbi i dëshirës për tu dukur dhe shfaqur superior përmbi të tjerët thjesht dhe vetëm përmes plotësimit të sqimës.
Ditët në të cilat jetojmë na përballin me ndryshime dhe transformime të vazhdueshme sociale, ndryshime dhe transformime që reflektohen edhe në jetën e përditshme të njeriut. Diferencimet ndërmjet njerëzve janë të llojeve të ndryshme, por një nga diferencimet që ka marrë më tepër rëndësi është diferencimi nëpërmjet sasisë së zotëruar të pasurisë e katandisë. Sa më shumë pasuri e katandi, aq më shumë mundësi për plotësim dëshirash e ëndrrash. Sa më pak pasuri e katandi aq më pak mundësi për plotësim dëshirash e ëndrrash. Duke mbajtur si referencë, pikërisht pasurinë dhe katandinë dhe për më tepër mënyrën sesi reflektohet zotërimi i tyre në publik, njerëzit kanë hyrë në një garë të ethshme mes njëri – tjetrit për këtë të fundit. Mjaft njerëz edhe pse me mundësi të kufizuara materiale për të shpenzuar tepër, bëjnë çmos që në mjediset publike të shfaqen si të barabartë me ata që kanë mundësi të shpenzojnë më tepër. Kjo shpeshherë ndodh për arsye që të mos ndihen inferiorë përballë pjesës që zotëron pasuri e katandi. Por kjo shfaqje e rreme në publik mund të ndodhë edhe si rezultat i dëshirës që ka kjo kategori njerëzish për të qenë në të tilla pozita, pasiqë ai që fiton respekt , për të qenë më afër së vërtetës servilosje, dhe prestigj në një shoqëri ku mbisundon forca e materies, është pikërisht ai që zotëron pasuri e katandi. Dëshira për të notuar në të tilla ujra i shtyn të pamundëshmit materialë, drejt një gare të ethshme dhe rraskapitëse për të qëndruar të papërkulur në këtë shfaqje publike, e cila për hir të së vërtetës i ka çuar garuesit e saj drejt rruginave të lodhjes, rraskapitjes, stërmundimit shpirtëror e trupor. Ndezja e dëshirës për të hyrë në këtë garë të ethshme vjen edhe si rrjedhojë e përcaktimit si inferiorë nga ana e atyre që zotërojnë pasuri e katandi, të cilët e konsiderojnë veten si pararoja e modelit të njeriut që reflekton qytetërim. Kjo kategori e konsideron veten si përçuese e vlerave civilizuese, madje për të qenë në sinton me këtë konsideratë, përpiqen me mish e me thonj ta transformojnë veten në modele të gjalla të jetësimit të vlerave civilizuese, veçanërisht kur shfaqen në publik. Shfaqja e tyre publike plot sqimë ndez kërshërinë dhe sjell vëmendjen e asaj pjese njerëzish të cilët janë të dashuruar më sqimën dhe rrëzëllitjen përjashtësore të gjërave. Kjo pjesë njerëzish i konsideron njerëzit më me fat ata të cilët shfaqin para publikut sqimën e tyre që ushqehet nga zotërimi i pasurisë dhe katandisë. Shpeshherë poshtë e përpjetë dëgjon të thuhet se sa me fat është aksh njeri që zotëron shtëpi, makina, para, rreth të cilave vërdallosen edhe kënaqësi e qejfe të tjera. Kjo lloj zilie e cila është tepër torturuese shndërrohet në gërryesin e qetësisë shpirtërore të njeriut, aq sa natë e ditë ëndërron e fantazon se kur do të mund të vijë ajo ditë kur edhe ai të zotërojë të tilla gjëra që zotëron aksh njeri. Por nuk duhet të harrojmë se ndoshta ajo ditë nuk vjen asnjëherë pasiqë, pavarësisht asaj çfarë dëshirojmë dhe ëndërrojmë të kemi në jetën tonë mbi sipërfaqen e lëmshit të dheut, e ardhmja mbetet e panjohur. Ndërkohë që zhytet në ëndërrimet e vazhdueshme të zotërimit të pasurisë e katandisë, harron se njeriu të cilin e quan më me fat për shkak të katandisë që ka, ka të njëjtën origjinë me “të pafatin” dhe do t’i kthehen që të dy së njëjtës origjinë. E kur t’i kthehen origjinës së tyre as njëri dhe as tjetri nuk kanë për të gjetur as pasuri e as katandi përballë tyre. Shumë syresh do të thonë se çfarë na duhet ne me atë që vjen. Ne duam atë që mund ta shijojmë sa pa i kthyer potkonjtë nga dielli. Ne duam që të dukemi të qytetëruar, bashkëkohorë, përparimtarë, të emancipuar, me kulturë alla evropiane. Por çfarë bën ky njeriu i qytetëruar shqiptar, si vepron e si sillet që është kaq i lakmuar si model i një jetese bashkëkohore. Po sjellim në vëmendje një përshkrim të këtij njeriu nga ana e Faik Konicës në vitin e largët 1902. Edhe pse përshkrimi në fjalë nuk përmban larushinë e formave të katandisë që kemi sot në qarkullim, në thelb mbetet tejet aktual dhe realist përsa i përket konsideratës mbi njeriun e qytetëruar.
Ai që është i qytetëruar
E njihni të gjithë atë që “ka parë botë, që është i qytetëruar”. Çdo qytet i Shqipërisë e çdo katund sidomos i madh ka të tijën. “Njeriu që është i qytetëruar” i lag përditë me vaj leshrat, vishet me “të ngushta” (ca pak të fidikuara), mban një stap të lehtë në dorë – e shikon sipër – poshtë gjithë botën. Vajzat çuditen, pleqtë shkëndallëzohen, djelmtë i bien prapa duke thirrur e duke vërshëllyer a duke i hedhur gurë, – mjeshtri i shkollës i qaset të lidhën fjalë. Mendjet e larta merren vesh aq udobisht njëra me tjatrën! – “Si vete sot? – Si vini? – Si vini, si shkoni? Si kurdoherë më pëlcet zemra. Ku rrohet në këtë vend, me këta njerëz që s’dinë të vishen, të hanë të flasin! Ah, Evropa e shkretë! Kur isha në Evropë…” Kur ish në Evropë, ish si peshku në ujë. Gjithë shijen, gjithë hollësinë e shoqërisë së qytetëruara i ka thëthitur. I ka parë të gjitha sa janë për të parë e ca të tjera, i njeh të gjithë. Ka folur, ka lidhur miqësi me fytyrat e njohura të Evropës së tërë. Po ku ka lindur, në pyeç, ky njeri aq i hollë e aq i çuditshëm? Pa dyshim, do të jetë rritur në “Rue de la Paix” të Parisit, në “Strand” të Londonit” a në “Grahen, të Vjenës”. Mos kërko aqë larg…Ka parë ditën në Dardhë, në Mollë, a në Breg të Pulës. Është rritur në mes të bajgave të gomarit dhe të kakërdhisë së deles. (Konica, F. (2001) Vepra 1. Tiranë: Dudaj, f. 144).
Nevoja për të qenë i kulturuar është nevoja më e madhe për njeriun dhe si e tillë duhet marrë në konsideratë seriozisht. Këtu duhet mbajtur parasysh që kultura nuk është privilegj vetëm i Europës dhe çdo gjë e importuar prej andej është në thelb kulturë. Sqimatarët që reklamohen me markën “Made in Europe”, duhet ta kuptojnë më së pari vetë Europën dhe kulturën e saj për të parë nëse i përshtaten markës nëpërmjet së cilës kërkojnë të shiten në publikun vendas. Duhet të përpiqemi të adaptojmë dhe të jetësojmë vlerat e larta shpirtërore, pa kthimin e të cilave në kategori ontologjike nuk do të mund të shpëtojmë nga shitja si produkte të një imitimi të verbër, pa shpirt dhe me pasoja jo vetëm në jetën individuale ashtu sikundërse thotë edhe fjala e urtë dhe e mençur se hunda e madhe është bela e të zot. Duhet kuptuar se inferioriteti apo superioriteti i dikujt nuk varet nga elementë që lidhen me gjëra të paqëndrueshme dhe të zhdukshme, por varet nga virtytet e larta shpirtërore, të cilat janë melhemi dhe balsami i ndezullive të pavenda për shkëlqimet përjashtësore të atyre gjërave, pronar i të cilave as ka qenë dhe as do të jetë ndokush, përsa të ketë jetë mbi këtë lëmsh dheu.

