Britania Muslimane - Mirësia Islame

Britania Muslimane

“Për çdo fëmijë që bie në relativizmin moral të vlerave bashkëkohore perëndimore, një tjetër kthehet në shtëpi me një besim në formën e rigjallëruar të Islamit.” Pak dihej mbi praninë muslimane në Mbretërinë e Bashkuar derisa katastrofa letrare e Ruzhdiut…


Publikuar:

“Për çdo fëmijë që bie në relativizmin moral të vlerave bashkëkohore perëndimore, një tjetër kthehet në shtëpi me një besim në formën e rigjallëruar të Islamit.”

Pak dihej mbi praninë muslimane në Mbretërinë e Bashkuar derisa katastrofa letrare e Ruzhdiut goditi stendat e librarive në vitet 1980. Imazhet shpërthyese të muslimanëve të Bredfordit që digjnin kopje të librit vërshuan ekraneve të shtëpive anekënd botës, duke krijuar një karikaturë të muslimanëve ekstremistë të marrosur, e jo më shumë. Shumë larg gjërave islame, Mbretëria e Bashkuar qe bashkëshoqëruar rëndom me Mbretëreshën, me peshkun me patate të skuqura, e me huliganizmin e futbollit, një vend i pagjasë për muslimanët. Ndonëse kjo është tamam çka duket. Tashmë e quajtur shtëpi për thuajse dy milionë muslimanë, situata e muslimanëve britanikë ka qenë drithëruese që prej çështjes Ruzhdi.

Mbretëria e Bashkuar ka një mizëri organizatash islame aktive, nga organizmat kërkimore të nivelit botëror, universitetet islame, gjer te 75 shkolla muslimane dhe mbi 613 xhami. Ndryshimi brenda shoqërisë pluraliste britanike është për shkak të zhgënjimit nga idealet që shoqëria pritëse u ofroi muslimanëve. Si rezultat, “më shumë se gjysma e muslimanëve britanikë janë tanimë praktikues, një rritje domethënëse, kur dhjetë vite më parë vetëm një e pesta ishin të tillë”. Pikërisht brenda kësaj ringjalljeje fetare dëshiroj t’i diskutoj dallimet e mprehta midis Islamit, kulturës dhe Britanisë shekullare, që kanë treguar të jenë gurët më të rëndësishëm kilometrikë në zhvillimin e rinisë muslimane britanike.

Mërgimi  musliman për në Mbretërinë e Bashkuar

Në Britani ka patur një prani muslimane për më së paku 300 vjet. Kompania e Indisë Lindore  rekrutoi marinarë nga Jemeni, Guxhurati, Asami dhe Bengali, të njohur nga britanikët si “leskërs, (detarë të Indeve Lindore)”, dhe një numër prej tyre krijuan ngulime të vogla në qytetet-porte në Britani. Tre mijë të tillë po e vizitonin Britaninë nga viti 1842. Popullata e vogël jemenase ngriti zavijet-et (dhomat e vogla për lutje), që ishin mjediset për nikahun (martesën), akikën (bërjen kurban të kafshës dhe festimet për një fëmijë të porsalindur), hitanin (synetet) dhe xhenazet (funeralet). Një nga imamët më të hershëm ishte shejh el-Hakimi, i cili vdiq       në vitin 1934. Më pas, në vitet 1920, u rekrutuan shumë marinarë aziatikojugorë, të cilët qëndruan në Britani pas Luftës së Dytë Botërore. Shpërngulja masive e muslimanëve për në Britani ngjau prej viteve 1950 gjer në vitet 1970, dhe mërgimtarët ishin kryesisht muslimanë nga Azia Jugore. Gjatë viteve 1970 emigruan po ashtu komunitete të mëdha nga Turqia, Lindja e Mesme dhe Afrika e Veriut. Së fundi janë vendosur bashkësi të qenësishme somaleze, iraniane, arabe dhe boshnjake.

Emigrantët e rinj zunë punë krahu gjatë bumit industrial të Britanisë. Individë nga Pakistani, Bangladeshi dhe India erdhën pandërprerë në qytetet industriale të Anglisë Qendrore, Strethklajdit, dhe në qytetet e punimit të tekstilit, të Jorkshirit dhe Lankshirit. Më vonë ata u shpërndanë në qytetet më të begata të Londrës dhe të Sauthistit, Juglindjes. Pjesa më e madhe ishin të mërguar meshkuj të vetëm, dhe ushtrimi i fesë përbëhej nga grumbullimi në banesat me qira të njëri-tjetrit për lutjet e së premtes. Ndërsa disa u gjendën përballë një ndërprerjeje të pjesshme, nëse jo të plotë të ushtrimit të fesë, duke i ruajtur ritualet dhe identitetet e tyre kulturore, të tjerë e mbajtën gjallë identitetin e tyre musliman pavarësisht sfidave negative shoqërore dhe morale që siguroi shoqëria pritëse.

Shumë muslimanë e bënë të tyren “mitin e kthimit” në atdhe, me qëllimin për t’u kthyer në Pakistan, Indi apo Bangladesh me të bërë paratë e mjaftueshme në Mbretërinë e Bashkuar. Ky nocion i vagëlluar nuk u bë kurrë realitet për pjesën më të madhe, të cilët qëndruan në Britani, e që më pas sollën dhe familjet. Islami hyri në sferën publike pikërisht kur arritën familjet e tyre. Teksa familjet rriteshin, nevojitej t’u jepej zgjidhje çështjeve të dhënies së edukimit fetar fëmijëve nëpërmjet mësimit të Kur’anit të Shenjtë, të bërjes së njohur atyre besimin dhe praktikat e Islamit. Kjo nënkuptonte caktimin e një shtëpie në lagje për edukimin e fëmijëve dhe përdorimin e së njëjtës shtëpi për pesë lutjet e përditshme. Ligjet dietetike muslimane panë zhvillimin e dyqaneve të mishit hallall dhe kërkesën në shkollat e përgjithshme britanike. Shumë muslimanë u ndeshën me përgjigje tejet negative nga këshillat vendas dhe bashkëbanorët. Por, me gjithë atmosferën në Britaninë e hershme islamofobe, ekspansioni i Britanisë muslimane kishte filluar.

Zhvillimi i xhamisë në Britani

Ishte vetëm çështje kohe që një shtëpi të rezultonte një vend shumë i vogël për t’i hapur dyert numrit gjithnjë e në rritje të muslimanëve. Një xhami nevojitej! Xhami spikatëse morën trajtë në Bredford më 1959. E para fare xhami në Britani qe krijuar në Uoking (Woking), në Sarri (Surrey), më 1889, e financuar nga Shah Xhehani, sundimtari i Bopalit, në Indi. Anëtarët kryesorë të bashkësisë muslimane bashkuan forcat më 1910 dhe bënë një fond për të krijuar Fondin e Xhamisë së Londrës. Një trust tjetër musliman krijoi në fillim të viteve ’40 Xhaminë e Londrës Lindore në Stepni (Stepney), e cila më vonë u zhvendos në Uajtçepëll (Whitechapel). Kjo xhami vijon të forcohet sot me një trupë rinore muslimane të gjallërishme, që përfshihet aktivisht në bashkësinë e vet. 

Në Londër përfundoi më 1977 xhamia e mirënjohur Rixhënts Mosk (Regents Mosque). Vendi u dhurua nga qeveria britanike në vitin 1944, në përgjigje të dhurimit nga qeveritë egjiptiane të vendit për një kishë për komunitetin anglikan në Kajro. Vetëm shtatë xhami të reja ishin regjistruar në Britani para vitit 1964, ndërsa sot shifra është e fiksuar në 613. Brenda këtyre xhamive, shtëpive dhe shkollave të ngritura aty për aty u rrit dhe u edukua në Islam brezi i ardhshëm i muslimanëve.

Islami sot në Britani

Komuniteti musliman praktikues i Britanisë është i mirëvendosur dhe i qëndrueshëm. Kërkuesit në Institutin e Studimeve Politike pyetën në mesin e viteve 1990 një rreth të gjerë njerëzish mbi rëndësisnë e fesë në jetën e tyre. Shatëdhjetë për qind e të përgjigjurve muslimanë u shprehën se feja ishte “shumë e rëndësishme”. Kjo krahasuar me 45 për qind të hinduve dhe sikhëve. Vetëm 11 për qind e përshkruan veten të Kishës së Anglisë. Midis meshkujve muslimanë, mbi moshën 35 vjeç, katër në pesë treguan se shkonin në xhami së paku një herë në javë. Në mënyrë të ngjashme, gjendja e rinisë muslimane britanike tregon një rritje pozitive të ushtrimit të fesë. Brezi i ri i muslimanëve nuk i ka pengesat e komunikimit që mund t’i kenë patur të parët e tyre, dhe kështu po bëhen gjithnjë e më tepër pjesëtarë nismëtarë dhe shprehës të shoqërisë britanike. Një mizëri organizatash studentore muslimane janë pikënisja nga e cila muslimanët e rinj po mësojnë rreth Islamit, si Shoqata e Studentit Musliman, Bashkimi i Organizatave Muslimane, Këshilli Islam i Europës, Muslimanët e Rinj, etj.

Rinia muslimane

Një ndryshim i mprehtë po bëhet i dukshëm midis brezave më të rinj dhe më të vjetër të muslimanëve, kulturës dhe Islamit. Një numër në rritje të rinjsh po vënë re se ka një hendek midis asaj që kanë mësuar prej shtëpisë mbi Islamin dhe asaj që po mësojnë në universitet. Shumë muslimanë të rinj kanë një ndjenjë trazimi tek kanë mësuar vërtet si ta lexojnë Kur’anin e Shenjtë, dhe teksa disa madje e kanë mësuar përmendësh atë, por nuk e kuptojnë atë që ai kërkon të thotë. Si rrjedhim, shqitja e dalëngadaltë e Kur’anit të Shenjtë prej njerëzve ka sjellë rënien e vazhdueshme të individëve të ndriçuar që veprojnë mbi atë që kuptojnë. Disa shoqata islame universitare po mbrujnë një kuptim të Islamit të bazuar në kërkimin dhe pjesëmarrjen aktive. Shumë organizata e kanë perceptuar këtë hendek në shërbim dhe janë përpjekur t’i përmbushin nevojat me përgatitjen e imamëve të tyre për çështje të ndjeshme që kanë të bëjnë me rininë: shkollimi, martesa, roli i prindërve dhe qëllimi i jetës, rreziqet e shoqërisë në të cilën po jetojnë, dhe sa më mirë ta praktikojnë Islamin në një shoqëri në thelb jomuslimane.                

Ky brez i ri, sipas Zeki Bedaviut, drejtues i Kolegjit Musliman në Londër, është “duke hyrë në rrjedhën kryesore të shoqërisë britanike ndërsa ruan identitetin e tij musliman. Ata i pranojnë dispozitat islame mbi veshjen e thjeshtë, por duan që të jetë në një stil perëndimor. Duan të hanë ushqim italian, por duhet të jetë pica hallall”. Shumë vajza muslimane mund të shihen tek mbajnë veshjet të gjata dhe shami koke, duke adoptuar një stil modern sipas parimeve islame. Shumë universitete i hapin dyert një shoqate islame ku seminaret e rregullta islame prekin çështje të historisë islame, të identitetit musliman në Perëndim, të islamofobisë, të shkollimit dhe të drejtave të femrave muslimane.

Në thelb, muslimanët e rinj britanikë po bëhen më të qartë mbi identitetin e tyre fetar, duke arritur të kenë një kuptim më të mprehtë mbi atë çka është Islami dhe si ta vënë atë në zbatim në jetën e tyre. Prindërit po shohin se fëmijët po kthehen nga universiteti me hixhab apo me mjekër. Ca të rinj kanë gjetur se prindërit e tyre janë të vëmendshëm e mosbesues ndaj zellit të tyre të porsazbuluar, të përshkruar në pjesën teatrale “Biri im, fanatiku”. Shfaqja tregon jetën e një të riu musliman me origjinë pakistaneze, kaukaziane, i cili lë shtëpinë për universitetin, duke u kthyer për ta ndihmuar familjen në udhën e Islamit. Ai sheh se i ati është asimiluar në kulturën perëndimore, dhe nis të përpiqet ta bëjë atë të ndryshojë. Eshtë një histori e reagimit ndaj asimilimit në shoqërinë britanike, që thjesht nuk bën për ca të rinj muslimanë: “Përpara ishin dy zgjedhje: të asimilohesh ose të qëndrosh në një identitet aziatikojugor. Ne, në brezin tjetër, nuk u ndjemë në shtëpi në kulturën perëndimore, apo në atë të atdheut të prindërve tanë, kur e vizituam atë. Tani ne kemi një alternativë të tretë. Të jemi muslimanë britanikë!”, thotë Xhemil Ali.

Ndërthurja e Islamit dhe identitetit kulturor

Shumë familje muslimane i kanë përthithur zgjuarsisht idealet muslimane pa e humbur kulturën e tyre të pasur. Një familje e sheh të birin të martuar me një të bardhë të konvertuar në Islam, duke i bërë gati çantat për t’u nisur për të mësuar arabisht në Lindje. Një tjetër familje, egjiptiane, i kthen bijat në Egjipt për të kuptuar pasurinë e kulturës së tyre të hershme muslimane.

Me gjithë pasurinë e kulturës së rinisë muslimane britanike, shumë nga ata gjenden në një boshllëk kulturor, ku nuk e gjejnë veten të kenë diçka të përbashkët me dikë nga vendi i tyre i origjinës, por me një të konvertuar në Islam. Kështu, një shkrirje e Islamit pa lidhje me një kulturë të veçantë ka krijuar një identitet tërësisht të ri, dhe një brez të ri muslimanësh.

Prindërit

Prindërit kanë luajtur një rol të madh në ruajtjen e identitetit musliman të fëmijëve të tyre në një qytetërim joislam. Mundësia e brezave më të rinj për të vijuar e patur sukses si muslimanë është e bazuar më së shumti në të shkuarën e tyre, të ngërthyer brenda edukimit, shkollimit, karakterit emocional, psikologjik, dhe aftësive intelektuale të tyre. Sigurisht, fitra, natyra e brendaqenësishme e fëmijës, luan rolin kryesor, siç ishte rasti i Amna Azizit. E lindur nga një nënë e bardhë dhe një baba egjiptian, thuajse nuk dinte asgjë mbi parimet e Islamit. Ajo nisi ta kuptojë e ta çmojë plotësisht Islamin vetëm kur mori pjesë në sesionet e ndërgjegjësimit islam të mbajtura në një universitet të Londrës. Pas përqafimit të Islamit, u kthye në shtëpinë e prindërve në Uells. Në mënyrë të habitshme, qe e ëma që e pranoi zellin e zbuluar rishtas, ndërsa babai i qëndroi larg ngaqë nuk e kishte bërë të sajin standardin britanik. Kjo tregon qartë se si një fëmijë mund të mbetet i prirur drejt Islamit edhe përkundër së shkuarës së tyre.

Duke iu përgjigjur nevojave të rinisë muslimane

Një pjesë e mirë e muslimanëve britanikë u janë përgjigjur nevojave të kohës për rininë muslimane, në esencë, brezit tjetër me prindër muslimanë. Shumë xhami po e kuptojnë se një komitet rinor është një komponent jetik në tërheqjen e brezit më të ri për nga Islami. Organizimi i aktiviteteve të tilla si kampet, ngjarjet sportive në nivel lokal dhe kombëtar, bisedat mbi vetëdijen islame, dhe një revistë të rinjsh, janë disa nga metodat e dëshmuara si të efektshme.

Sgurimi i shkollimit, nga niveli i kopshteve tek ai i gjimnazit, ka treguar se është një prej metodave realiste për frenimin e efekteve negative që shkollimi publik ka mbi rininë e sotme. Shumë prindër e kuptojnë se lejimi i një fëmije që të ushqehet me idetë e një jomuslimani nëpërmjet arsimit publik për rreth tridhjetë e dy orë në javë nuk ka për ta maksimalizuar potencialin e fëmijës musliman. Kësisoj, janë ngritur mbi 75 shkolla muslimane, me rekorde shembullore arritjesh. Islamia Skull (Islamia School) e Jusuf Islamit, ish-Ket Stivensit (Cat Stevens), në Londrën Veriore, konsiderohet të jetë një nga shkollat më të mira muslimane në Mbretërinë e Bashkuar.

Elhamdulilah, shumë të rinj po bëjnë në fakt më të mirën e tyre për ta ndjekur Islamin në Britani, dhe janë një burim vlerësimi dhe mirënjohjeje për Allahun. Zhgënjimi me atë çka ofrojnë vlerat perëndimore ka prodhuar një brez kalimtar, që tashmë po kthehet nga Islami, edhe nëse nuk ka qenë i kthyer. Forca jetike dhe pasuria shpirtërore e bashkësisë muslimane nuk ka kaluar pa u vënë re, ndërsa princi Çarls vuri në dukje në Seminarin e Uilton Parkut (Wilton Park Seminar): “Ne në botën perëndimore ngjan ta kemi humbur një ndjenjë tërësie. Eshtë një betejë për të përtërirë një kuptim të integritetit shpirtëror të jetëve tona, dhe për riintegrimin e asaj që bota moderne ka copëzuar. Kultura islame, në formën e saj tradicionale, është përpjekur ta ruajë këtë vështrim shpirtëror të integruar të botës në një mënyrë që ne nuk e kemi parë të përshtatme ta bëjmë në brezat e fundit në Perëndim. Kudo në botë njerëzit në dukje duan të mësojnë anglisht. Përndryshe, ne në Perëndim duhet të na mësohet nga mësuesit islamë se si të nxëmë edhe një herë me zemrën dhe kokën tonë.”

Përmbledhtazi, metodat tërë imagjinatë të përdorura nga shoqëria muslimane britanike për të ndezur entuziazmin e rinisë kanë prodhuar një brez të ndarë nga vlerat shekullare perëndimore. Sfidat e lëshuara në rininë muslimane vetëm ua kanë forcuar vendosmërinë se po i gjejnë në din-in e tyre përgjigjet që u nevojiten.

Copyright © 2026 - Shoqata V.H.K Istanbul | Ndalohet përdorimi dhe riprodhimi i përmbajtjes së kësaj faqeje pa leje dhe autorizim