A janë fetarë njerëz të tillë? - Mirësia Islame

A janë fetarë njerëz të tillë?

Shejkh Muhamed El-Gazali I urrej njerëzit e vrazhdë dhe të egër. Sikur ndonjëri prej tyre të ishte tregtar dhe unë të kisha nevojë për të blerë tek ai nuk do të shkoja kurrë në dyqanin e tij. Dhe, sikur të…


Publikuar:

Shejkh Muhamed El-Gazali

I urrej njerëzit e vrazhdë dhe të egër. Sikur ndonjëri prej tyre të ishte tregtar dhe unë të kisha nevojë për të blerë tek ai nuk do të shkoja kurrë në dyqanin e tij. Dhe, sikur të ishte nëpunës e unë të kem nevojë për të, përsëri nuk do të shkoja në zyrën e tij. Por, fatkeqësia e madhe është atëherë kur ai është imam namazi, apo hatib xhumaje, ose aktivist në thirrje (davet). Me të vërtetë ai është fitne e gjallë  që ripërtërihet e ta nxin shpresën.

Në qoftë se feja nuk është sjellje e bukur, fytyrë e qeshur, shpirt tolerant, fqinjësi e mirë dhe jetë tërheqëse, çfarë është ajo!?

Përpara kësaj, në qoftë se feja nuk është nevojë për Allahun, përgjërim i përhershëm përpara pranisë së Tij, lutje për mëshirën e Tij të madhe dhe aspiratë që mirësia e Tij të përfshijë tërë njerëzit dhe botën mbarë, çfarë është ajo?

Disa namazli, lëvizja e tyre për t’u rreshtuar në saf, rresht ngjan sikur mali po lëviz! Dhe, disa predikues (vaiza) flasin sikur vetëm ata janë të pagabueshëm dhe njerëzit, përveç tyre janë gjynahqarë! Ja, djalosh i ri e mendon veten e tij dërgim kujdestar hyjnor për ta rregulluar njerëzimin, duke i vështruar të mëdhenjtë dhe të vegjlit me një shikim zhbirues guximtar.

 Nuk ka dyshim që zemra e ashpër dhe kulti vetjak i tepruar janë argumenti më i qartë i zemërimit të Allahut dhe largim nga rruga e Tij e drejtë, suratun mustekim… është e lehtë që njeriu të veshë rrobat e ibadeteve mbi trup të ndotur dhe brendësi me të meta.

Sikur një njeri t’i njihte të metat e mia dhe t’i mbulonte ato, pastaj të vinte tek unë për të mi treguar gabimet e të më kthente tek Zoti im, patjetër do ta kisha falënderuar dhe lutur për të! Sepse ai më ka bërë një punë të mirë dhe, Allahu e mëshiroftë atë njeri që mi tregon të meta e mia.

Unë frikësohem për veten time dhe për njerëzit nga ulëritësit, demaskuesit, shpirtligët që u rrinë në prit gabimeve për t’u hedhur ndaj njerëzve ashtu siç hidhet ujku ndaj deleve. Ai në pamje të jashtme duke se është xheloz i të drejtës dhe brenda tij është egërsirë, ku devotshmëria nuk ia ka shkurtuar kthetrat dhe imani nuk ia ka larë turpin dhe as nuk e ka pastruar.

Dikur, në kohë të vjetra havarixhët kanë ecur në këtë rrugë: Historia na tregon se Amare ibn Kard doli në luftë dhe qëndroi duke luftuar sa ia kishte shkruar Allahu, pastaj vendos të kthehet dhe duke iu afruar Ehvazit në Persi dëgjoi ezanin dhe u nis andej nga i erdhi zëri për të fal namazin me xhemat. Kur mbërriti, zbuloi se ata ishin Ezarik, fraksion i havarixhëve, të cilët i konsideronit emevitët qafira (jobesimtarë) dhe kush lufton përkrah jobesimtarëve edhe ai është jobesimtar! Me ta parë këtë komandat të madh në mesin e tyre i thanë: Çfarë të ka sjellë këtu, o armik i Allahut?

U tha: A nuk jeni vëllezërit e mi?

I thanë: Ti je vëlla i shejtanit, patjetër do të të vrasim!

U tha: Përse nuk bëheni razi me mua për atë që i Dërguari i Allahut u bë razi ndaj meje?

I thanë: Me çfarë ishte razi për ty?

U tha: Shkova tek ai, ndërkohë që unë isha jobesimtar (qafir), dëshmova që nuk ka zot tjetër, përveç Allahut dhe se ai është i Dërguari i tij dhe më la të lirë…!! Por, havarixhët e morën dhe e mbytën!.

Nën moton islame ka njerëz që nuk zotërojnë aftësi kuptimi dhe nuk kanë aspak edukim, mashtrohen me lexime, oratori e me kundërshtime në disa situata dhe e shohin fenë si pronë të tyre, ndërsa mohimin (kufrin) pronë e kundërshtarëve, duke lejuar gjakun, pasurinë dhe nderin e tyre.

Ky nuk është islam dhe me këto mënyra nuk i shërbejnë asnjë fe prej çfarëdolloj feje qofshin.

Përktheu nga arabishtja: Lavdrim Hamja

Copyright © 2026 - Shoqata V.H.K Istanbul | Ndalohet përdorimi dhe riprodhimi i përmbajtjes së kësaj faqeje pa leje dhe autorizim