Muhammedi a.s. – Trëndafil me aromë përherë
DëgjoArtikullin Krijuesi i plotfuqishëm më së miri i njeh fshehtësitë e krijesave. Allahu i Madhërishëm është Krijues, ndërsa njeriu, krijesë. Për këtë është e kuptueshme për ne kjo e vërtetë kur’anore: “Është e vërtetë se njeriu është i prirë të…
Publikuar:

Dëgjo
Artikullin
Krijuesi i plotfuqishëm më së miri i njeh fshehtësitë e krijesave. Allahu i Madhërishëm është Krijues, ndërsa njeriu, krijesë. Për këtë është e kuptueshme për ne kjo e vërtetë kur’anore:
“Është e vërtetë se njeriu është i prirë të jetë i padurueshëm. Pse kur e godet ndonjë e keqe, ai ankohet së tepërmi. Ndërkaq, kur e gjen e mira, ai bëhet tepër koprrac. Përveç atyre që falen, të cilët janë të rregullt në faljen e namazit të tyre”. (El Mearixh, 19-23)
Zgjedhja është e jona – me mbetur në gjendjen primitive të njeriut me shpirt të vogël, të cilit kur t’i ndodhë e keqja, dëshpërohet, bie në depresion, ndërsa në qetësi (rehati) – kryelartësohet.
Ose, me u bërë njeri i cili në qetësinë e namazit mbrohet nga zhurma e madhe, i cili në mirësinë e tij e sheh obligimin e tij, me qenë në shërbim dhe ndihmë njerëzve, i cili e di që të gjitha rrugët udhëzojnë nga kanë filluar, aty ku çdo gjë kthehet, dhe aty ku gjendet shpëtimi dhe lumturia e përhershme, ai i cili di që shpirtin e ndjeshëm e lëndon dhe ofendon epshi i ashpër i trupit në vendin publik, i cili ka mësuar që fjala e dhënë është virtyt i lartë i njeriut fisnik.
Ky është njeri i cili në çdo moment dhe në çdo vend dëshmon të vërtetën.
Pra, feja kultivon dhe formëson njeriun mu sikurse kultivohet bima. Shartimi i njeriut bëhet me Kur’an, i cili njeriun primitiv e fisnikëron, mu sikurse shartohet pema duke dhënë fryte të dëshiruara si modestinë , mirësinë, përgjegjësinë, nderin, besnikërinë dhe sinqeritetin.
A ka sot kërkesa më të mëdha në tregun moral si këto fryte? A ka diç më të rëndësishëm në këtë botë se edukimi i njeriut? A ka diç më të rëndësishme në këtë planetë se shpëtimi i jetës së njeriut? A ka mesazh më të shenjtë për ne, se mesazhi i shenjtë i Kur’anit? A ka më të afërt dhe më të dashur për ne se Pejgamberi s.a.v.s?
Është fare e qartë se ata që këto ditë përsëri shfaqen në skenë me karikaturat ndaj mëshirës për botët – Muhammedit a.s. dhe lajmërojnë paraqitjen e një filmi të keq për Kur’anin a.sh. nuk kuptojnë se për ne nuk ka mesazh më të shenjtë se mesazhi kur’anor si dhe nuk ka dashuri e respekt në zemrat tona se dashuria dhe respekti ndaj Muhammedit a.s.
Për këtë, përpjekjet e tyre që të na largojnë nga Pejgamberi ynë, në realitet ndezin edhe më fuqishëm dashurinë tonë ndaj Muhammedit s.a.v.s.
Nuk ka besimtar në rruzullin tokësor të cilët e duan aq shumë Muhammedin a.s., e nuk e kanë parë, të cilin aq shumë e respektojnë, e nuk ia ngritin lapidarin e tij, aq shumë e ndjejnë, e nuk e vizatojnë fytyrën e tij në letër, aq shumë e pasojnë, por nuk valëvitin me foton e tij nëpër rrugë. Sepse kjo nuk u duhet, ngase besimtarët, Muhammedin a.s. e bartin në zemrat e tyre, në frymëmarrjet e tyre dhe e pasojnë në jetët e tyre.
Ata të cilët me urrejtjen e tyre ndaj Kur’anit dhe Pejgamberit a.s., dëshirojnë t’i lëndojnë myslimanët, harrojnë se drita e islamit mënjanoi errësirën nga myslimanët, që dhurata e besnikërisë i ruan nga qëllimet e këqija, që fjala e mirë i liron nga kujtimet e këqija, që emri i Muhammedit a.s. i fuqizon në rrugën e shërimit moral. Gjithashtu, ata harrojnë që myslimanët e dinë që nuk dallim në mes Ebu Xhehlit të vjetër dhe të riut, ai i cili ndaloi Muhammedin a.s. ta kryej namazin, i cili mendoi se është në rrugë të drejtë, ai i cili kundërshtoi dhe ktheu kokën – a thua, ai dhe Ebu Xhehlët e rinj mendojnë se Allahu xh.sh. nuk sheh veprimet e tyre?
Gjithsesi, Allahu i Madhërishëm sheh çdo gjë, andaj, kur dëgjojmë se Ebu Xhehli i ri në Holandë, Danimarkë, e gjetiu, lajmëron për karikaturat e reja dhe filmin, me qëllim që ta nënçmojë fenë tonë, duhet t’i referohemi verseteve të Kur’anit fisnik:
“E s’ka dyshim se ata janë të cilët e fyejnë Allahun dhe të dërguarin e Tij, ata i ka mallkuar Allahu në Dynja e në Ahiret dhe për ta ka përgatitur një dënim të dhembshëm”. (El Ahzab, 57)
Mos të harrojmë se ai i cili fyen ndjenjat e tjetrit, tregon dobësinë e tij para fuqisë shpirtërore të tjetrit.
Islami është begati, sikurse begatia e Diellit, i cili i nxehë të gjithë edhe ata që e shohin edhe ata që nuk e shohin.
Sa bukur e potencon këtë dritë të islamit, Allahu xh.sh. në Kur’anin fisnik:
“Ata duan ta shuajnë dritën e Allahut me gojët e tyre, po Allahu e plotëson (e përhap) dritën e vet, edhe pse e urrejnë jobesimtarët”.(Es Saff, 8)
Kjo zhurmë që po përsëritet rreth nesh nuk duhet të na hutoj, por duhet t’i mprehë të gjitha shqisat tona për të qenë vigjilent, për të parë më mirë, për të dëgjuar më mirë atë që duhet dëgjuar, për të ndjerë atë që duhet ndjerë, për të mirën e fesë tonë dhe atdheut tonë.
Mos të harrojmë se veshi ynë duhet të dëgjoj mesazhin hyjnor në të cilin është shpëtimi ynë, por edhe nevojat e njerëzve në të cilin është suksesi ynë në këtë botë.
Para nesh është muaji i lindjes së Pejgamberit tonë të dashur, s.a.v.s., në të cilin do të përkujtojmë njeriun më të mirë, më fisnikun e tërë pejgamberëve, Muhammedin a.s., i cili është shembulli, modeli më i mirë për besimtarët.
Sahabët patën nderin të flasin, të bisedojnë, të udhëtojnë, të falen, me krijesën më të mirë të kozmosit! Përse? Sepse asnjë gurë nuk i dha selam askujt si atij. Sepse askujt ushqimi nuk i ka bërë tesbih. Sepse askush pos tij nuk e ndau Hënën në dy pjesë.
Për askënd nuk ka qarë trungu i palmës, përveç për të dashurin tonë.
Dora e bekuar e lëmoi dhe e shtrëngoi në gjoks, dhe trungu u qetësua, Pejgamberi s.a.v.s. i tha: “Zgjidh njërën prej dy gëzimeve, të bëhesh pemë e frytshme në Dynja, ose pemë e Xhennetit”.
Druri zgjodhi gëzimin e dytë dhe Pejgamberi s.a.v.s. ia premtoi tre herë.
Pastaj i Dërguari a.s. u tha sahabëve: “Pasha Atë, në dorën e të cilit është shpirti im, sikur mos ta qetësoja trungun, do të qante deri në ditën e Gjykimit nga mallëngjimi për Pejgamberin a.s.”.
Kur trungu qau për Muhammedin a.s., a thua sa lot ne derdhim për Pejgamberin tonë, a.s.? Allahu i Madhërishëm na bëftë me përjetimin e trungut për Muhammedin a.s. dhe le të na ringjallë nën flamurin e tij.
Andaj le të ripërtërijmë besën e dhënë ndaj Allahut xh.sh. dhe Muhammedit a.s. që do ta mbrojmë me dinjitet dhe dashuri të thellë tërë veprën madhore të tij, sakrificën e tij që ka bërë dhe do ta bëjë për ummetin e tij.
Të jemi më unik se kurrë në pasimin e rrugës dhe veprës së tij, të jemi të mirësjellshëm ndaj prindërve tanë, fëmijëve tanë. Mos të harrojmë se jemi vëllezër në besim dhe bashkudhëtarë në jetë dhe që e duam paqen dhe mirëqenien në botë.
Ne nuk jemi të dehur me urrejtje, ne nuk jemi të magjepsur me zullum dhe nuk jemi të veshur me hakun e huaj!
O Zot i Plotfuqishëm, na forco në qëllimin tonë për të qenë të bindur ndaj Teje dhe të dëgjueshëm ndaj të Dërguarit Tënd!
O Zot i Gjithëdijshëm, na mëso që të dallojmë qartë të mirën dhe të keqen në mënyrë që ta pasojmë të mirën dhe të largohemi nga e keqja!
O Zot Hirmadh, na bën që të thithim aromën nga trëndafilishta e Pejgamberit tonë, a.s.!
O Zot i Gjithëmëshirshëm, na mëshiro neve në bashkim vëllazëror dhe dashuri, dhe na bashko në rrugë kah qëllimi i përbashkët, pasimi i denjë i sunnetit të Pejgamberit s.a.v.s.!

