Nefsi i njeriut, nga përceptimet e mistikëve klasikë Muslimanë - Mirësia Islame

Nefsi i njeriut, nga përceptimet e mistikëve klasikë Muslimanë

DëgjoArtikullin Ligjërata e së Premtes, mbajtur me 21 Gusht 2012 në Greenway Masjid Zoti i Plotfuqishëm ka krijuar njeriun dhe e ka pajisur atë me përceptorë të ndryshëm në mënyrë  që njeriu të mbijetojë në këtë botë dhe të arrijë…


Publikuar:

Dëgjo
Artikullin

Ligjërata e së Premtes, mbajtur me 21 Gusht 2012 në Greenway Masjid

Zoti i Plotfuqishëm ka krijuar njeriun dhe e ka pajisur atë me përceptorë të ndryshëm në mënyrë  që njeriu të mbijetojë në këtë botë dhe të arrijë lumturinë së tij në botën tjetër. Ndër këto përceptorë që i ofrohen atij është edhe ai që Kur’ani i referohet me fjalën: nefs, vetja. Në lidhje me këtë fjalë janë dhënë përkufizime të ndryshme nga studiuesit, por ata janë të ngjashëm me njëri-tjetrin. Disa prej tyre e përkufizojnë atëme fjalënvetja e njeriut, ndërsa studjues të tjerët e përkufizojnë atë: pasion dhe ambicje e njeriut, e cila mund ta dërgojë atë në disfatë, nga fakti se ai bëhet viktimë e tyre. Fjala nefs është përmendur në shumë versete Kur’anore. Për shembull, në Kur’an thuhet:“Për shpirtin dhe për Atë që e ka përsosur, duke ia bërë të njohur atij të keqen e të mirën! Vërtet, kushdo që e pastron shpirtin, do të shpëtojë, ndërsa kushdo që e shtyp atë (me punë të këqija), do të dështojë.”[1]

Pas pranimit të faktit se nefsi mund ta çojë njeriun në humbje dhe mund të bëhet kërcënim për jetën e tij të përtejshme, kërkohet një rëndësi e veçantë jo vetëm të kuptuarit e anës negative, por dhe të kuptuarit se si punon ai. Kjo nuk është një arritje e lehtë, për shkak se kërkohet që njeriu të okupohet me vehten e brendshme dhe jo me fizikalitetin e tij. Me fjalë të tjera, kjo është një luftë shpirtërore dhe jo materiale.

Shpesh, njerëzit tregojnë vëmendje të veçantë në parandalimin e sëmundjeve trupore, por neglizhojnë parandalimin e sëmundjeve shpirtërore dhe bëhen viktima të ambicjeve të tyre. E gjithë përpjekja me nefsin duhet ta bëjë njeriun të arrijë në bindjen se ç’do gjë është për Zotin dhe jo për nefsin. Kjo bindje fuqizohet dhe e bën njeriun të dëshmojë Allahun (xh.sh.) në veprat e tij, kur ai asgjëson ambicjet. Zoti e paralajmëron Profetin Davud në Kur’an duke përmendur:

“O Daud, Ne të kemi bërë mëkëmbës në Tokë, prandaj gjyko ndërmjet njerëzve me drejtësi dhe mos shko pas dëshirave dhe tekave, se ato të largojnë nga rruga e Allahut! Me të vërtetë, për ata që largohen nga rruga e Allahut, ka dënim të ashpër, ngaqë e kanë harruar Ditën e Llogarisë.”[2]

Ndër veprat më të rëndësishme që e dallon njeriun nga krijesat e tjera (duke përfshirë edhe engjëjt) është aftësia e të luftuarit me epshet. Shpërblimi i kësaj përpjekje është suksesi në këtë botë dhe në botën tjetër. Në Kuran është përmendur:

I shpëtuar është ai që pastrohet.”[3]

Në librin e famshëm El-Risāleh el-Ḳushejrijjeh, shkruar nga Ebū el-Ḳāsim el-Ḳushejri (v. h. 464, 1072), në lidhje me nefsin, autori thekson dy kategori kryesore të cilat përfshin mangësitë e njeriut. E para përmban mëkatet dhe mosbindjen dhe për të dytën Ḳushejri përmend kategorinë e cila përfshin bazën morale të pandarë të individit. Kjo kategori përmbledh sjelljet dhe veset e këqija si: krenaria, zilia, zemërimi, temperamenti i keq, mungesa e tolerancës dhe tipare të tjera të ngjashme.[4]

Ḳushejri gjithashtu përmend se veçoria më e vështirë dhe më e  pakëndshëme për nefsin është mendimi se përmban diçka të mirë në brendësi dhe për atë meriton respekt. Autori e përfshin këtë në aktet e politeizmit.[5] Kjo karakteristikë çon shumë njerëz në humbje. Disa prej tyre, meqë posedojnë pasuri dhe status të veçantë, presin rrespektin e të tjerëve. Kjo ambicje është një atribut djallëzor dhe është burim i shumë veçorive të tjera negative. Është përmendur në Kur’an se kur Jusufi (a.s.) foli për nefsin të tij, e përkufizoi shumë bukur atë duke thënë:

“Unë nuk e shfajësoj veten, sepse shpirti (i njeriut) është fort i prirur për të keqe, përveç atij që e mëshiron Zoti im. Me të vërtetë, Zoti im është Falës dhe Mëshirë-plotë.”[6]

Llogaritja e vetvehtes (muḥāsebeh)

Ta llogarisësh ose ta analizosh vehten tënde (muḥāsabah) është një ndër veprat më të theksuara në Islam. Udhëheqësi i besimtarëve ‘Umer el-Khaṭṭāb (v. h. 23, 644) përmendet të jetë shprehur: “Bëni llogari vehtet tuaja para se të bëheni llogari.”[7] Shumica e njerëzve gjykojnë mangësitë e të tjerëve dhe harrojnë për të gjykuar veprimet e tyre. Kur t’ia vendosësh gishtin dikuj, duhet të shikosh se të gjithë gishtat e tjerë të dorës të drejtohen ty. Ky shembull tregon se njeriu në fillim duhet të analizojë veten e tij. Jo vetëm aq, por ne jemi gjithashtu të rekomanduar që njerëzit e urtë të na i kontrollojnë veprimet dhe të na këshillojnë. Kjo bëhet për shkak se individi është i kufizuar në perceptimin e të gjitha të metave, ndërsa të tjerët mund të shikojnë më shumë duke vëzhguar sjelljen e jashtme. Për këtë, udhëheqësi i parë i besimtarëve muslimanë pas Profetit Muhamed, Hz. Ebu Bekri (v. h. 13, 634), deklaroi në fjalën e tij elektorale, “Unë nuk jam më i miri midis jush. Nëse bëj mirë, më ndihmoni dhe nëse anoj drejt së keqes, atëherë më drejtoni në në rrugën e drejtë.”[8]

Kërkesa e ndimës nga Zoti

Një mënyrë tjetër që mund të jetë e dobishme në kufizimin e nefsit të njeriut nga ambicjet është kërkesa e ndihmës së Zotit në luftën kundër epsheve. Në suren el-Nās, Allahu e urdhëron Profetin Muhamed (a.s.) dhe besimtarët për të kërkuar strehim në Zotin e njerëzimit[9]. Sidoqoftë, është i pavlerë kërkimi i mbrojtjes nga Allahu i Plotfuqishëm, pa punuar në kufizimin e epsheve.

Qëndrimi në shoqërinë e të devotshëmve

Në librin e tij Fīhi mā fīhi, Xhelāl el-Dīn el-Rūmi (v. h. 671, 1273) përmend që përpjekjet me nefsin janë të llojeve të ndryshme, por më e madhja dhe më e vështira është përpjekja e qëndrimit të vazhdueshëm me ata që i kanë kthyer fytyrat e tyre nga Zoti dhe i kanë kthyer shpindën kësaj bote.[10] Kjo është për shkak se ata janë vazhdimisht të kujdesshëm në lidhje me Zotin, larg ambicjeve të nefsit. Qëndrimi në shoqërinë e tyre arrihet përmes përpjekjeve ndaj nefsit. Rūmi shkon edhe më tej duke përmendur se dhe hipokritët përfitojnë kur gjendet në shoqërinë e njerëzve të devotshëm dhe përmend ajetin Kuranor:

 “Kur takohen me besimtarët, ata thonë: Besojmë – por, kur mbesin vetëm me djajtë e tyre, thonë: Në të vërtetë, ne jemi me ju; ne vetëm po talleshim.” [11]

Rumi pastaj shtron pyetjen: “Nëse dhe një hipokrit përfiton nga qëndrimi me njerëz të devotshëm, atëherë, sa mund të përfitojë besimtari kur qëndron me besimtarin?!”[12]

Është raportuar se Lukmani i tha të birit: “Gjëja e parë për të cilën ta tërheqi vëmendjen është nefsi. Çdo nefs përmban ambicjet dhe epshet. Nëse ju përmbushni ambicjet e nefsit, atëherë ai do kërkojë përmbushjen e ambicjeve tjera. Ambicja është e fshehur në zemër si zjarri qëfshehet në gurin (vullkanik). Nëse çahet guri, zjarri ekspozohet. Nëse lihet siç është, zjarri do të mbetet i fshehur.”[13]

Një nga problemet me të cilin njerëzit ballafaqohen shpeshherë është dhe caktimi i një dite në të ardhmen në të cilen personi vendos të heqi dorë nga një mëkat. E vërteta është se askush nuk mund të garantojë të ardhmen, e cila është pjesë e dijes së Perëndisë. Duke pasur parasysh këtë, ne duhet ta korrigjojmë menjëherë vehten tonë. Ndonjëherë ndodhë që të presim të tjerët të na ndryshojnë. Kjo jo vetëm që tregon dobësinë tonë, por dhe një kuptim të gabuar në lidhje me trajtimin e nefsit. Zoti i Plotfuqishëm thotë në Kur’an: “..Me të vërtetë, Allahu nuk e ndryshon gjendjen e një populli, derisa ata të ndryshojnë ç’ka kanë në vetvete…”[14]

Dijetari dhe mistiku i famshëm cAbd el-Ḳādir Xhejlānī (v.h. 561, 1166) thotë në librin e tij Xhilā’ el-Khāṭir: “Nëse një person nuk vepron si predikues për nefsin e tij të ulët, këshilla e asnjë predikuesi nuk do i bëjë dobi atij.”[15] Xhejlānī gjithashtu thekson: “Përmbushja e dëshirave të shumta e dehin nefsin. Dhe sa keq do ishte nëse  njeriu i përmbush ambicjet e nefsit përmes rrugëve të ndaluara? “[16]

Ambicjet në këtë botë i ngjajnë iluzioneve, tërheqëse nga jashtë, bosh nga brenda. Kurani përmend në detaje bisedën e zhvilluar midis Profetit Nuh (a.s.) dhe djalit të tij para se të ndodhte përmbytja: “… Nuhu thërriste birin e vet, i cili ishte ndarë veç: “O biri im, hip me ne e mos u bëj me mohuesit! (I biri) tha: “Unë do të strehohem në një mal i cili do të më ruajë nga uji”. Nuhu iu përgjigj: “Sot askush nuk do të kursehet nga dënimi i Allahut, përveç atij që e mëshiron Ai!” Një valë në mes tyre i ndau dhe ai u fundos.[17]

Xhejlānī, duke komentuar këto ajete përmend se mali i ngjason ambicjeve të mëdha dhe egoizmin e babëzitur në këtë botë.[18] Njerëzit në këtë botë mbështeten më së shumti në malet materialiste-iluzore që ndërtojnë dhe harrojmë të mbështeten në Krijuesin Suprem të qiejve dhe të tokës. Ndërsa varka e Nuhut (a.s) është litari i Zotit, litari i shpëtimit.

Transmetohet se shoku i Profetit, Xhabiri (r.a.) tha: “Profeti (a.s.) u kthye nga një prej betejave të tij dhe na tha: “Ju keni ardhur me një përfundim të shkëlqyer. Keni ardhur nga xhihadi i vogël[19] tek xhihadi i madh – përpjekja e një adhuruesi kundër ambicjeve të tij.”[20]

Ndjekja e veprimeve (murāḳabeh)

Në librin e tij të famshëm Iḥjā culūm el-Dīn, Ebū Ḥāmid Gazāli (v. h. 504, 1111) përmend tri lloje veprash që lidhen me murāqabah: Së pari, veprimet e virtytshme. Aplikimi i murāqabah në këto vepra do të thotë kryerjen e tyre me sinqeritet dhe ruajtjen e tyre ndaj mangësive. Së dyti, veprimet që konsiderohen të lejueshme. Aplikimi i murāqabah në këto vepra do të thotë ruajtjen e limitit në veprimin e tyre dhe të qënurit mirënjohës (ndaj Zotit) për dërgimin e tyre. Së treti, veprimet që konsiderohet mëkate. Aplikimi i murāqabah në këto vepra do të thotë të pendohesh dhe t’i egzaminosh ato.[21]

Dënimi (mu cāḳabeh)

Dijetarët mistikë e theksojn shumë ndëshkimin e nefsit. Megjithatë, kur ata sqarojnë metodat e ndërshkimit, nuk kanë për qëllim abuzimin fizik të trupit, por ndalimin e epsheve, duke mos i plotësuar ambicjet. Përndryshe, abuzimi me trupin është i ndaluar sipas Islamit. Sidoqoftë, ka dhe ca transmetime të dijetarëve mistikë, ku ndëshkimi fizik individul i limituar është praktikuar nga njerëz të një disipline të veçantë në përmirësimin e nefsit të tyre. Ndoshta ato shembuj janë cituar në librat e tyre për të treguar se sa larg dhe sa seriozisht njerëzit kanë shkuar për përmirësimin e nefsit të tyre. Shembuj të shumtë të përmendura nga Qushayri, Gazali dhe të tjerët, të çojnë drejt metodave konstruktive dhe shpërblyese nga praktika e mu cāḳabeh. Imam Gazāli përmend: “Dënoni vehten tuaj me më shumë detyra kur ju jeni të detyruar të kryeni obligimet.”[22]

Shumë njerëz të shenjtë zgjedhin për të ngrënë më pak dhe shpejt në mënyrë që të kenë kontroll më të mirë ndaj nefsit të tyre. Të tjerët bëjnë gjumë më pak në mënyre që të kryejnë lutjet gjatë natës. Në përmbledhjen e haditheve të Buhariut dhe të tjerëve, ka shumë thënie të Profetit (a.s.) ku inkurajohet agjërimi, jo vetëm gjatë Ramazanit, por edhe gjatë ditëve të tjera brenda vitit. Objektivi është dobësimi i nefsit. Jaḥjā bin Mucādh përmend: “Nëse dikush mund ta blinte urinë në treg, atëherë kërkuesit e botës tjetër (besimtarët) nuk do kishin nevojë të blinin gjë tjetër aty.”[23] Ngjashëm me këtë thënie, Ebū Sulejmān el-Darāni është shpehur: “Çelësi i kësaj bote është mbushja e barkut, ndërsa çelësi i botës tjetër është urija.”[24]

E lus Allahun e Madhëruar të na ndihmojë në përpjekjet tona ndaj ambicjeve dhe nefsit dhe të dërgojë salatet dhe selamet e tij mbi Profetin tonë të nderuar, familjen e tij të pastër dhe të mbi të gjithë besimtarët! Amin.


[1] K. (91:7-10).

[2] K. (38:26).

[3] K. (87:14).

[4] Ebu el-Kasim el-Kushejri: El-Risaleh el-Kushejrijjeh , Metabe’ Muesseseh Dar el-Sha’b, Kajro, 1989, fq.174.

[5] Ibid.

[6] K. (12:53).

[7] Abdullah ibn Ebi Shejbeh: Musnef ibn ebi Shejbeh,  El-Faruk el-Haditheh li-el-tiba’ah ve el-Neshr, Kajro, 2007, v. 12, hadithi 35463, fq. 58.

[8] Xhelal el-Din el-Sujuti: Tarikh el-Khulefa, Dar Ibn Hazim, Bejrut, 2003, fq. 57.

[9] K. (114:1).

[10] Xhelal el-Din Rumi: Kitab Fihi ma fihi, përkthyer nga Persishtja në Arabisht nga Isa Ali el-Akub, Dar el-Fikr el-Muasir, Bejrut, 2001, fq. 334.

[11] K. (2:14).

[12] Rumi: Kitab Fihi ma fihi, fq. 316.

[13] Ebu Hamid Gazali: Mukashefat el-Kulub, përkthyer nga Arabishtja në Anglisht nga Muhammad Muhammady Dar el-Kutub el-Ilmijjeh, Bejrut, 2009, fq. 395.

[14] K. (13:11).

[15] Abd el-Kadir Xhejlani: Xhila el-Khatir, përkthyer nga arabishtja në anglisht nga Shetha al-Dargazelli dhe Louay Fatoohi, Kuala Lampur, 1999, fq. 53.

[16] Ibid.

[17] K. (11:42-3).

[18] Abd el-Kadir Xhejlani: Xhila el-Khatir, fq. 55.

[19] Lufta.

[20] Ahmed el-Bejhakij: Kitab el-Zuhd el-Kebir, Dar el-Xhinan, Bejrut, 1987, fq. 165.

[21] Ebu  Ḥamid Ghazali: Ihja ulum el-Din, përktheu nga Arabishtja në Anglisht Fazl-ul Karim, Dar Isha-at, Karachi,1993,  v. 4. fq. 342.

[22] Ibid. fq. 347

[23] Kushejri: el-Qushayri’s Epistle on Sufism, fq. 80.

[24] Ibid: fq. 81.

Copyright © 2026 - Shoqata V.H.K Istanbul | Ndalohet përdorimi dhe riprodhimi i përmbajtjes së kësaj faqeje pa leje dhe autorizim