A mund të jetë populli burim i pushtetit? - Mirësia Islame

A mund të jetë populli burim i pushtetit?

Historikisht njerëzimi ka njohur forma të ndryshme të organizimit institucional dhe shtetëror të qeverisjes.  Çdo formë qeverisje e ka legjitimuar pushtetin e vet dhe ushtrimin e tij mbi të qeverisurit mbi bazën e një legjitimiteti të caktuar. Përdorimi i një…


Publikuar:

Historikisht njerëzimi ka njohur forma të ndryshme të organizimit institucional dhe shtetëror të qeverisjes.  Çdo formë qeverisje e ka legjitimuar pushtetin e vet dhe ushtrimin e tij mbi të qeverisurit mbi bazën e një legjitimiteti të caktuar. Përdorimi i një reference të caktuar si legjitimuese e pushtetit, na vendos përballë pyetjen se nga buron pushteti dhe përse duhet përdorur?  Evoluimi i konceptit mbi burimin e pushtetit dhe rrjedhimisht edhe legjitimitetin e tij  doli në pah përgjatë ngjizjes dhe konstituimit të formave moderne të qeverisjes. Sipas formave moderne të qeverisjes qofshin demokratike apo diktatoriale si referencë për legjitimimin e pushtetit shërben populli. Kësisoj edhe burimi i pushtetit është populli.

Ky është koncepti bazik ku bazohen si sistemet demokratike të qeverisjes ashtu edhe të ashtuquajturat demokraci popullore apo demokraci autoritare. Sido që të jenë emërtimet koncepti bazë mbetet burimi i pushtetit nga populli. Forma nëpërmjet së cilës realizohet delegimi i pushtetit nga populli tek ata që do të udhëheqin dhe qeverisin popullin është të votuarit. Ky është një proces ku populli shpreh vullnetin e tij për  të legjitimuar në ushtrimin e pushtetit një grup të caktuar njerëzish që janë pjesë e një partie politike të caktuar. Duke anashkaluar regjimet diktatoriale në të cilat ekziston vetëm një parti dhe procesi i votimit humbet sensin për të cilin është synuar të  aplikohet, kthehemi tek regjimet demokratike ku pluralizmi partiak është një nga shtyllat kryesore të këtij sistemi qeverisës.

Nëpërmjet ushtrimit të votimit populli ia delegon pushtetin të preferuarve të tij, të cilët mund të legjitimohen si pushtetarë të ardhshëm në qoftë se fitojnë shumicën e numrave të anëtarëve të legjislativit në rastin e demokracisë përfaqësuese. Kushdo që arrin të sigurojë shumicën e numrave, pra të sasisë, do të ulet në karrigen e pushtetit. Qëndrimi në karrigen e pushtetit është kryekëput i përkohshëm, paçka se rotacioni i sasisë së numrave bëhet në afate të përcaktuara kohore. Është e natyrshme që kushdo që ulet në karrigen e pushtetit ka nevojë për kohë që të përpiqet të realizojë premtimet nëpërmjet të cilave ka fituar sasinë numerike në emër të së cilës do të ushtrojë pushtetin përmbi ata që ia deleguan këtë pushtet.

Në rrjedhën e historisë kjo karrige ka njohur shumë fytyra (pa u ndalur nëse kanë qenë fytyra të pafytyra), që janë ulur në të dhe janë rrëzuar prej saj, qoftë nga rivalët apo dhe nga vdekja. E megjithëse fytyrat e atyre që ngjiten drejt kësaj karrige dhe bien ndryshojnë bashkë me rrjedhën e kohës, karrigia mbetet po ajo e njëjtë duke pritur ulësin e rradhës. Përkohësia e qëndrimit në karrigen e pushtetit do të thotë që qenia njerëzore nuk mund të japë pushtet, por vetëm ta ekzekutojë atë brenda limiteve të përcaktuara.

Ndërkaq është fare e qartë për këdo se vetë populli nuk mund të japë assesi një pushtet që në të vërtetë nuk e ka. Pushteti i vërtetë nuk mund të burojë përpos së prej së larti, dhe, pikërisht për këtë arsye, nëse mund ta shprehim krejt kalimthi, një pushtet i këtillë nuk mund të shfaqet i ligjshëm përpos se përmes sanksionimit nga një autoritet më i epërm sesa vetë rendi shoqëror, shprehimisht këtu, nga një autoritet shpirtëror, në të kundërt, nuk do të kemi tjetër përpos se një falsifikim të pushtetit të vërtetë, në fund të fundit, një realitet që shpërfaqet krejt i papërligjshëm, për aq sa nuk mbart në vetvete, dhe as nuk mbështetet në një parim themelor apo shkakësi parake, arsye për të cilën shndërrohet vetvetiu në burim rrokopuje dhe mishmashi shoqëror.” (Guenon. R. (2009) Kriza e botës moderne. Tiranë: Logokron, f.141-142).

Në këtë kontekst populli nuk mund të jetë kurrësesi burim i pushtetit, përderisa pushteti është çështje kompetence dhe “kompetenca është çështje epërsie, pavarësisht se relative, dhe se s’mund të ushtrohet përpos se nga një pakicë e vogël”. (Guenon. R. (2009) Kriza e botës moderne. Tiranë: Logokron, f. 140). Ky përcaktim, pra që populli nuk mund të jetë burim i pushtetit, përderisa pushteti i vërtetë buron prej së larti, bazohet në përcaktimin se “gjithë sa shpërfaqet dhe është në vetvete e epërme nuk mund të burojë assesi nga gjithë sa shpërfaqet dhe është në vetvete e ulët, për aq sa “më shumë” nuk mund të burojë asesi nga “më pak”. (Guenon. R. (2009) Kriza e botës moderne. Tiranë: Logokron, f.141). Ky përcaktim nuk mëton të anashkalojë rolin e popullit në vlerësimin e punës së atyre që qeverisin, por synon të qartësojë faktin që populli nuk duhet të joshet nga ideja e të qënit i pushtetshëm, pa qënë aspak i tillë.

Ndërrimet e ulësve në karrigen e pushtetit, përmes revolucioneve të dhunshme, përmes eleminimit fizik, apo qoftë edhe përmes votimit në kohë të përcaktuar dëshmojnë se çështja e pushtetit është përtej mundësive të popullit, përndryshe përse populli nuk i ndryshon qeveritë e korruptuara dhe të padrejta në momentin që zbulohet se këto qeveri kanë devijuar nga qëllimi për të cilin populli iu ka deleguar pushtetin, në qoftë se është burim i pushtetit? Në qoftë se populli ia delegon pushtetin e tij një sasie numerike të përcaktuar, do të thotë që edhe në demokraci pushteti do të ushtrohet nga një pakicë njerëzish. Mirëpo kjo pakicë nuk i korrespondon aspak pakicës së sipërpërmendur, e cila shfaqet sipërane ndaj pakicës demokratike paçka se për këtë pakicë demokratike është rakorduar opinioni i shumicës së pjesmarrësve në votime (nuk duhet të harrojmë që opinioni i shumicës mund edhe të manipulohet).

Pakica sipërane është e përnjështuar me pakicën aristokratike me të cilën pakica demokratike është kryekëput e papajtueshme dhe jo pa arsye. “Demokracia i kundërvihet egërsisht “aristokracisë”, çka nuk lipset vështruar assesi si një qëndrim i rastësishëm dhe pa kurrfarë arsyeje paraprake; e vështruar në domethënien e vet etimologjike, fjala “aristokraci” nuk shënjon tjetër gjë në vetvete përpos se pushtetin e elitës, e cila…nuk mund të jetë tjetër përpos se një pakicë, dhe pushteti i saj, apo për tu shprehur disi më saktë këtu, autoriteti i saj nuk buron përpos se nga epërsia që kjo pakicë shpërfaq në rrafshin intelektual, që do të thotë shprehimisht se nuk shpërfaq asgjë të përbashkët me forcën dhe fuqinë numerike mbi të cilën mbështetet “demokracia”, prirja thelbësore e të cilës boshtohet kësisoj rreth sakrifikimit të pakicës për hir të shumicës, apo, sikundërse u shprehëm edhe diku më lart, rreth sakrifikimit të cilësisë për hir të sasisë, të elitës për hir të masave.” (Guenon. R. (2009) Kriza e botës moderne. Tiranë: Logokron, f.151).

Kësisoj edhe aristokracia në kuptimin e sipërpërmendur autoritetin për ushtrimin e pushtetit e përfton për shkak të epërsisë së intelektit dhe jo për shkak të ndonjë elementi materialistik. E theksojmë, autoritetin për ushtrimin e pushtetit, pasiqë kjo është edhe natyrshmëria me të cilën ka zbritur në tokë qenia njerëzore, çka do të thotë që njeriut thjesht dhe vetëm i duhet të ushtrojë pushtetin që buron nga statusi mëkëmbës dhe jo të ngashnjehet me idenë e të qënit burim pushteti. 

Nuredin Nazarko

Copyright © 2026 - Shoqata V.H.K Istanbul | Ndalohet përdorimi dhe riprodhimi i përmbajtjes së kësaj faqeje pa leje dhe autorizim