Abdullah ibn Omeri (r.a.), ishte një njeri i dashuruar pas Pejgamberit (s.a.s.). Andaj njihej si ndjekësi i gjurmëve të të Dërguarit të Allahut, alejhi’s-selam… Ai ishte një trim që e tregonte me sjelljet e tij sinqeritetin dhe përpikërinë në çështjen e ndjekjes së gjurmëve të Resulullahut (s.a.s.)…

Abdullah ibn Omeri (r.a.), ishte biri i Hazreti Omerit. Ai lindi në Mekë në vitin e tretë të profecisë. Ai u bë mysliman që në fëmijëri së bashku me babanë e tij. Ai njihet edhe si Ibn Omeri.

Që nga dita kur hyri në Islam e deri në fund të jetës së tij, e ka ndjekur sunetin e të Dërguarit të Allahut (s.a.s.) dhe është kapur fort pas tij. Ibn Omeri (r.a.), i cili njihej me këtë përpikëri, e shpreh me këto fjalë se nuk ka devijuar aspak nga rruga dhe gjurmët e të Dërguarit të Allahut (s.a.s.) dhe se e ka mbajtur besën e dhënë:

“Të Dërguarit të Allahut (s.a.s.), i dhashë besën… Këtë besë as nuk e kam prishur, as nuk e kam ndryshuar. Asnjë përçarësi nuk i kam dhënë besën. Asnjë besimtar nuk e kam ngritur nga vendi ku ishte shtrirë.”

Për shkak se e kishte burrë motre të Dërguarin e Allahut (s.a.s.), u gjend gjithmonë pranë tij. Ai ka dhënë kontribut të madh në transmetimin e haditheve për myslimanët. Abdullah ibn Omeri (r.a.), ishte prej sahabëve që kanë transmetuar shumë hadithe pas Ebu Hurejrës. Në literaturën islame shkruhet se ai ka transmetuar 2630 hadithe.

Pasi ndërruan jetë sahabët e moshuar, njerëzit shkonin dhe merrnin fetva të Abdullah ibn Omeri (r.a.) dhe ibn Abbasi (r.a.). Ibn Omeri së pari kërkonte në Kuranin Fisnik. Pastaj kërkonte në Sunetin e të Dërguarit të Allahut (s.a.s.). Nëse nuk e gjente dispozitën që kërkonte, vepronte sipas ixhtihadeve për të cilat sahabët kishin rënë në konsensus. Shpeshherë jepte përgjigje duke u shprehur: “Nuk kam informacion në lidhje me këtë çështje.”

Një ditë një burrë shkoi te Abdullah ibn Omeri (r.a.) dhe i bëri një pyetje. Ai iu përgjigj: “Nuk kam informacion në lidhje me pyetjen që më bëre.” Ky burrë u largua prej tij duke thënë me vete: “Ibn Omeri u pyet për diçka, por edhe ai tha se nuk e dinte.” Në këtë mënyrë shprehu mahnitjen që ndjeu ndaj këtij veprimi të ndershëm të Ibn Omerit (r.a.), sepse ai nuk dha përgjigje menjëherë sikur ta dinte përgjigjen ndërkohë që nuk e dinte.

Një herë Ibn Omeri (r.a.), iu nxeh dikujt që i kërkonte fetva me insistim: “Mos vallë dëshiron që ta bësh kurrizin tonë urë të xhehenemit duke thënë se të ka dhënë fetva Ibn Omeri?” Abdullah ibn Omeri, radijall-llahu anh, ishte kaq i përpiktë në dhënien e fetvave.

Bujaria, asketizmi dhe devotshmëria që kishte Ibn Omeri (r.a.), e mbajti larg nga marrja e ndonjë pozite në shtet. Një ditë Osman ibn Affani (r.a.), e thirri Ibn Omerin (r.a.) dhe i kërkoi që të kryente detyrën e gjykatësit. Ibn Omeri (r.a.), i kërkoi ndjesë. Ndërsa Hazreti Osmani këmbënguli dhe i tha: “A po më kundërshton?” Abdullah ibn Omeri (r.a.), iu përgjigj duke iu arsyetuar: “Kurrë nuk të kundërshtoj… Por mua më ka ardhur lajmi se gjykatësit janë disa kategorish. Gjykatësi që gjykon pa e ditur mirë çështjen, është në xhehenem. Po ashtu ka edhe gjykatës që bën ixhtihad dhe ia qëllon së vërtetës, por edhe mund të mos ia qëllojë. Unë për hir të Allahut të kërkoj që të më falësh dhe të mos ma japësh këtë detyrë.” Ndërkohë që gjendeshin sahabë të rëndësishëm të të Dërguarit të Allahut (s.a.s.), Abdullah ibn Omeri (r.a.), nuk e pa veten të përshtatshëm për këtë detyrë.

Abdullah ibn Omeri (r.a.), qëndronte larg edhe nga përçarjet ndërmjet myslimanëve. Për këtë arsye, i ka refuzuar propozimet për kalif. Kur burrat e shtetit bënin ndonjë gabim, i paralajmëronte menjëherë. Një herë e paralajmëroi Haxhxhaxhin, i cili e vonoi namazin e iqindisë për shkak të fjalimit të gjatë, duke i thënë: “Dielli nuk të pret ty.”

* * *

Ejjub ibn Vail er-Rasibi e tregon siç vijon bujarinë e Ibn Omerit (r.a.): Abdullah ibn Omeri (r.a.), më pati dërguar katër mijë dërhemë dhe copë kadifeje. Të nesërmen e pashë duke blerë ushqim veresie për kafshën e tij. Kur shkova te familja e tij dhe i tregova për atë që pashë, mësova se të gjitha ishin të vërteta. Kjo gjendje e tij ndikoi aq shumë te unë, saqë dola jashtë dhe thirra me të madhe:

“O tregtarë! Çfarë bëni ju në këtë botë? Ja, Ibn Omerit i vijnë me mijëra dërhemë dhe i shpërndan menjëherë. Ndërsa kur vjen mëngjesi del dhe blen ushqim veresie për kafshën e tij të ngarkesës!..”

* * *

Abdullah ibn Omeri (r.a.), i lironte robërit që i shikonte në gjendje të mirë dhe që i haste në xhami duke falur namaz. Kur robërit e dëgjonin këtë dhe dëshironin të merrnin lirinë, shkonin në xhami qoftë edhe një herë dhe falnin namaz. Nëse Ibn Omeri (r.a.), e shikonte, i jepte menjëherë lirinë. Një ditë një mik i tha Abdullah ibn Omerit (r.a.): “Robërit po shkojnë në xhami për të marrë lirinë. Ata po të mashtrojnë.” Ndërsa Ibn Omeri (r.a.), i dha këtë përgjigje të urtë: “Ne jemi të kënaqur që të mashtrohemi prej atyre që duan të na mashtrojnë me Allahun.” Ai ishte kaq i përkushtuar ndaj Zotit (xh.xh.) dhe kaq bujar.

* * *

Abdullah ibn Omeri (r.a.), pasi i Dërguari i Allahut (s.a.s.), ndërroi jetë, e falte namazin kudo që e kishte falur Hz. Pejgamberi. Këtë e bënte për të shfaqur dashurinë që kishte ndaj Resulullahut (s.a.s.). Ibn Omeri (r.a.), ecte në rrugët që kishte ecur Pejgamberi ynë i nderuar dhe qëndronte nën pemët ku kishte qëndruar ai. Kudo që e kishte parë të Dërguarin e Allahut duke ndaluar devenë, aty e ndalonte edhe devenë e tij. Nëse e kishte parë të Dërguarin e Allahut duhet hyrë në ndonjë rrugë dhe duke u kthyer pas po nga ajo, edhe Ibn Omeri shkonte te ajo rrugë dhe kthehej pas po nga aty. Kur nëna jonë, Aishja (r.anha), e pa këtë dashuri të madhe që Ibn Omeri kishte për të Dërguarin e Allahut (s.a.s.), tha: “Nuk ka asnjë që t’i ndjekë gjurmët në dhomat e të Dërguarit të Allahut (s.a.s.), siç i ndjek Ibn Omeri.” Në këtë mënyrë shprehu përpikërinë dhe sinqeritetin e Ibn Omerit në ndjekjen e gjurmëve të të Dërguarit të Allahut (s.a.s.) dhe nënshtrimin e tij ndaj Sunetit.

Ibn Omeri (r.a.), ishte mik i kohëve të agimit. Ai ngrihej natën dhe falte namaz. Kohën e agimit e kalonte me istigfar dhe i përgjërohej Zotit duke derdhur lot. Kur këndohej ndonjë ajet i Kuranit Fisnik në prezencë të tij, nuk e mbante dot veten dhe fillonte të qante. Një ditë dikush këndoi në prezencë të tij ajetin:

 “Si do të bëhet kur prej çdo populli të sjellin dëshmitarë dhe të të sjellin ty (o Muhamed!) për dëshmitar mbi të gjithë ata?!” (Nisa, 41)

Abdullah ibn Omeri (r.a.), filloi të qante. Ai qau aq shumë, sa mjekra iu lag prej lotëve. Ja pra, ai kishte një zemër kaq të ndjeshme dhe ishte kaq i dashuruar me Kuranin Fisnik.

Ibn Omeri (r.a.), i cili ishte i njohur me llagapin “Vakkafun ala isri Rasulil-lah / Ndjekës hap pas hapi i gjurmëve të të Dërguarit të Allahut”, kur nuk kishte ndonjë punë, dilte në rrugë dhe u jepte selam myslimanëve. Ai u jepte selam të mëdhenjve e të vegjëlve, në mënyrë që të zbatonte këshillat e Pejgamberit tonë të nderuar në lidhje me përshëndetjen e ndërsjellë.

Ai nuk pati marrë pjesë në luftën e Bedrit dhe atë të Uhudit ngaqë ishte i vogël në moshë. Ndërsa më vonë mori pjesë në luftën e Hendekut, Hajberit dhe Hunejnit. Ibn Omeri (r.a.), pati marrë pjesë së bashku me Ebu Ejjub el-Ensariun (r.a.), edhe në ushtrinë që u nis për të çliruar Stambollin. Ai ndërroi jetë në Mekë në vitin 73 hixhri.

Lus Allahun Teala që të na japë edhe neve prej përpikmërisë që kishte Abdullah ibn Omeri (r.a.), në ndjekjen e sunetit dhe dashurisë që kishte ndaj Hz. Pejgamberit! Allahu (xh.xh.), na bashkoftë me të në xhenet! Amin!

Share.

Comments are closed.