Abdullah ibn Zubejri (r.a.), ishte lumturia dhe gëzimi i parë i myslimanëve të parë që bënë hixhret në Medine… Ishte fëmija i parë që lindi pas hixhretit… Ishte një djalosh që i dha besën të Dërguarit të Allahut (s.a.s.), në moshën shtatë vjeçare… Ishte një njeri i devotshëm, asket dhe trim hero në mejdanet e luftës… Ai u bë i njohur për guximin dhe trimërinë që shfaqi në mbrojtjen e Mekës…

Pasi Pejgamberi ynë i nderuar bëri hixhret në Medine, hebrenjtë deshën t’i frikësonin myslimanët duke u bërë presione psikologjike. Në të gjithë vendin filluan të përhapeshin thashethemet se magjistarët kishin thënë: “Ne u kemi bërë magji muhaxhirëve. Andaj ata nuk do të kenë fëmijë.” Me lindjen e Abdullahut dolën në pah gënjeshtrat e shpifjet e hebrenjve.

Myslimanët pothuajse përjetuan gëzimin e një feste me lindjen e tij. Për këtë arsye, fëmijën e çuan te i Dërguari i Allahut, alejhi’s-selam. Pejgamberi (s.a.s.), e mori fëmijën në krahë dhe e puthi. Ndërsa qiellzën ia leu pak me pështymën e tij të bekuar. Emrin ia vuri Abdullah. Pastaj u lut për të.

Babai i tij ishte Zubejr ibn Avvami (r.a.), i cili ishte i njohur me llagapin “Havarijju’n-Nebi / miku i sinqertë i Pejgamberit”. Ndërkohë Zubejri ishte edhe njëri prej dhjetë sahabëve të përgëzuar me xhenet. Nëna e Abdullahut ishte e njohur me llagapin “Dhatu’n-Nitakajn / poseduasja e dy brezave”. Ajo ishte vajza e Ebu Bekrit, Esma (r.anha).

Abdullah ibn Zubejri (r.a.), edhe pse ishte në moshë fëminore, nuk ndahej aspak nga i Dërguari i Allahut (s.a.s.). Kur arriti moshën shtatë vjeçare, shkoi bashkë me babanë e tij dhe i dha besën Pejgaberit (a.s.). Abdullahu i mësoi prej tij parimet e jetës. Ibn Zubejri (r.a.), u rrit dhe edukua si një hero që e njihte rrugën në të cilën ecte, i zgjuar, i moralshëm, i devotshëm dhe guximtar.

Ai ishte hero edhe në luftë, edhe në adhurime e asketizëm. Natën falte vazhdimisht namaz dhe ditën mbante agjërim. Ai e falte namazin me aq shumë përkushtim, saqë edhe një gjyle e hedhur me katapultë nuk e trembi dhe nuk e lëkundi atë, ndonëse i kaloi ndërmjet mjekrës dhe kraharorit kur po falte namaz. Madje, ai nuk e kishte ndjerë aspak atë.

Një ditë Omer ibn Abdulazizi i tha Ibn Ebi Mulejkes:

“Na trego për Abdullah ibn Zubejrin.” Ai tha:

“Për Zotin nuk kam parë njeri si ai. Kur falte namaz, arrinte prehjen shpirtërore me qëndrimin në këmbë. Kur bënte sexhde, zhytej në botën e adhurimit. Përgjatë rukusë dhe sexhdes zogjtë uleshin në kurrizin dhe supet e tij.”

Namazi, agjërimi dhe të gjitha adhurimet e Abdullah ibn Zubejrit (r.a.), ishin legjendare pikërisht si edhe heroizmi i tij në luftë.

* * *

Edhe Ibn Abbasi (r.a.), ka thënë për Abdullah ibn Zubejrin:

“Ai falte namaz për Allahun dhe mbante agjërim edhe në ditët më të nxehta prej frikës së Tij.”

Abdullahu në moshën dymbëdhjetë vjeçare pati marrë pjesë së bashku me babanë e tij në luftën e Jermukut. Përsëri së bashku me babanë e tij pati marrë pjesë edhe në çlirimin e Egjiptit. Ai ishte një trim që sulmoi komandantin duke depërtuar ndërmjet rreshtave të ushtarëve, që e shtriu përtokë komandantin së bashku me ushtarët që kishte përreth dhe e valëviti flamurin e Islamit në luftën që u bë me Berberitë në Afrikën veriore. Guximin, trimërinë dhe heroizmin e Abdullah ibn Zubejrit (r.a.), e shohim edhe në mbrojtjen e Mekketu’l-Mukerrames kundrejt Haxhaxhit i cili e kishte rrethuar.

Kur Abdullah ibn Zubejri (r.a.), dëgjoi se Husejni (r.a.), ishte martirizuar, i nxori njerëzit e Jezidit nga Hixhazi dhe shpalli kalifatin e tij. Mekën e nderuar e bëri qendër të kalifatit. Populli i Mekës dhe Medines i dhanë besën atij. Pas vdekjes së Jezidit, atij i dha besën edhe populli i Jemenit, Basrës, Kufës dhe Horosanit. Përgjatë kalifatit të tij që zgjati nëntë vjet, vetëm Egjipti dhe Shami mbetën në dorën e Emevitëve.

* * *

Kur Abdulmelik ibn Mervani kaloi në krye të Emevitëve, e fuqizoi qeverinë në Sham dhe Egjipt. Pas kësaj e dërgoi Haxhaxh ibn Jusuf eth-Thekafiun (631 e.s.) në Hixhaz. Haxhaxhi e rrethoi Mekketu’l-Mukerramenë. Ai u përpoq që ta linte pa ndihmë Abdullah ibn Zubejrin. Në këtë mënyrë, nuk lejoi që populli të merrte për të ngrënë e për të pirë. Pastaj bëri katapulta në malin Ebu Kubejs dhe e shkatërroi qytetin. Në fund të rrethimit që zgjati 6 muaj, shumica dërrmuese e popullit iu dorëzua Haxhaxhit për shkak të urisë.

Abdullah ibn Zubejri (r.a.), e vazhdonte luftën së bashku me ata që mbetën pranë tij. Një moment shkoi për të vizituar nënën e tij. Ai u konsultua me të në lidhje me situatën. Abdullahu e pyeti:

“Nënë! Shumica e popullit është dorëzuar. Pranë meje kanë ngelur shumë pak burra. Edhe ata nuk do të mund të rezistojnë për shumë kohë. Armiku po më premton shumë prej interesave të kësaj bote. Çfarë të bëj në këtë situatë?” Nëna e tij, Esma, radijall-llahu anha, i dha këtë këshillë për t’ia shtuar guximin:

“Bir! Ti e njeh më mirë veten tënde. Nëse beson se je në rrugë të drejtë, vazhdo në atë rrugë derisa të vdesësh. Nëse qëllimi yt janë interesat e kësaj bote, atëherë ti paske qenë një njeri shumë i keq. Në këtë mënyrë ke shkatërruar edhe veten, edhe shokët e tu. Edhe sa do të qëndrosh në këtë botë? Vdekja është më e mirë.” Abdullah ibn Zubejri (r.a.), i tha:

“Nënë e shtrenjtë! Ky është edhe mendimi im. Kurrë nuk mund t’i nënshtrohem kësaj bote… Askujt nuk i kam bërë padrejtësi… Amanetin nuk e kam tradhtuar… Për mua kënaqësia e Allahut është mbi çdo gjë.”

Esma (r.anha), tha: “Shpresoj të bëj durim.” Pastaj u lut: “O Allah! Abdullahun po ta lë Ty në dorë. Unë e pranoj atë që ke caktuar për të. Andaj, më jep sevapin e atyre që durojnë!”

Abdullah ibn Zubejri (r.a.) dhe nëna e tij i dhanë hallallik njëri-tjetrit. Pasi Abdullahu i dha lamtumirën nënës, pa marrë parasysh se ishte në moshën shtatëdhjetë e tre vjeçare, u hodh në mejdanin e luftës dhe tregoi trimërinë e heroizmin e tij. Ai luftoi si luanët majtas e djathtas. Në këtë mënyrë, i mposhti të gjitha sulmet dhe nuk lejoi që askush t’i afrohej. Kur Haxhaxhi e pa këtë heroizëm, e kuptoi se nuk mund ta kapte i vetëm atë. Për këtë arsye, e sulmoi me një numër të madh ushtarësh dhe e rrethoi. Abdullah ibn Zubejri (r.a.), ra dëshmor prej goditjes së një guri të gjuajtur nga katapultat.

Abdulah ibn Zubejri (r.a.), i cili ishte njëri prej dijetarëve të Tefsirit, Hadithit dhe Fikhut (apo njëri prej katër “Abadile”/Abdullahëve), ka transmetuar 33 hadithe. Ai ka marrë pjesë në komisionin e shumimit të Kuranit Fisnik. Ka shtypur paranë e parë prej argjendi në historinë e Islamit.

Allahu qoftë i kënaqur prej tij!

Allahu Teala na dhëntë të gjithëve prej besimit të fortë, dijes së gjerë dhe përkushtimit të madh që Abdullah ibn Zubejri (r.a.), kishte në namaz! Zoti (xh.xh.), na bashkoftë me të në xhenet! Amin!

 

Share.

Leave A Reply